Ylli Bufi mbledh së bashku kritikët e Ramës

0
159

Gëzim Saliu

malaj, mejdani, islami, bufiMeidani: Mos ngrini kartonët vetëm prej servilizmit ndaj kryetarit

“Shtetiweb”, faqja e ish-kryeministrit: Praktikat e qeverisë ekzistojnë, problemi qëndron tek trajtimi i tyre

 

Ish-kryeministri i vendit dhe njëkohësisht një prej figurave kryesore në modernizimin e Partisë Socialiste, Ylli Bufi, është rishfaqur dje pas një mungese të gjatë publike, me promovimin e faqes më të re në internet “Shtetiweb”. Në këtë eveniment ku merrnin pjesë personalitete të shquara të jetës politike në vend, binte në sy prania e figurave të selisë rozë, si ato aktuale apo edhe të atyre që s’janë më pjesë aktive të forcës më të madhe opozitare. Ish-presidenti i vendit, Rexhep Meidani, ish-kryetari i Kuvendit, aktualisht deputet i pavarur, Kastriot Islami, anëtari i kryesisë Arben Malaj apo edhe ish-ministri i qeverisë “Nano” Luan Hajdaraga. Të gjitha këto figura, ashtu si edhe Ylli Bufi, i cili u largua nga PS-ja pasi Rama nuk vendosi ta kandidonte atë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 2009-ës, kanë shfaqur jo rrallëherë kritikën e tyre ndaj mënyrës se si kryesocialisti ka drejtuar opozitën.

 

Faqja

“Shtetiweb” do të jetë faqja më e re në internet, e cila është realizuar pas një pune disavjeçare nga ish-kryeministri Ylli Bufi. Kjo faqe bën të ditur në mënyrë virtuale se si duhet të jetë një shtet i vërtetë. Në fjalën e tij para të ftuarve, ku merrnin pjesë personalitete të ndryshme, mes tyre edhe deputetë të mazhorancës qeverisëse, Bufi theksoi se pavarësisht ekzistencës së praktikave qeveritare, politikat publike janë ende larg standardeve të kërkuara. Sipas tij, këto politika nuk duhet të reformohen sa herë që ndërrohen qeveritë. “Për të bërë një shtet virtual qenka kaq e vështirë, imagjinoni sa e vështirë është të bësh një shtet real. Politikat publike datojnë pas viteve ‘90. Problemi i sotshëm tek ne nuk është fakti që ne tashmë kemi filluar ti kemi në praktikat qeverisëse por jemi ende larg mënyrës së konceptimit, të trajtimit, qysh nga identifikimi i politikave, qysh nga formulimi i politikave, qysh nga vendimmarrja e politikave për më tepër pastaj për implementimin dhe vlerësimin e politikave publike”, – deklaroi ish-kryeministri. Ndërkohë që ish-presidenti, Rexhep Meidani u sugjeroi deputetëve që të mos ngrenë kartonët në Parlament pa pasur njohuri për ato çka votojnë. Sipas tij, një pjesë e tyre prej servilizmit kundrejt kreut të partisë, flasin, sillen e votojnë siç do ky u fundit. Ndërsa deputeti i PD-së, Viktor Gumi, theksoi se reformat për hir të zbatimit të tyre, para se të hartohen duhet të studiohen mirë dhe të jenë transparente. “Duam që reformat kushtetuese dhe ato të ndërtimit shtetëror të mos jenë të pa studiuara, të bëra me nxitim, pa pjesëmarrje dhe kohën e nevojshme. Besoj se nëse ka diçka që do të ndikojë modestisht dhe do të ndihmojë këtë objektiv të përbashkët është pikërisht informacioni që përmban ky uebsajt”, – u shpreh Gumi. “Shtetiweb” do të jetë një portal i pasur me informacione, historikë të 100 viteve të shtetit shqiptar, historikë të lëvizjeve politike, dokumente ligjore, reforma, dosjerë dhe studime.

 

 

 

Çështja e Fierit, gjykata hedh poshtë padinë, PS humb edhe Komunën Mbrostar

Partia Socialiste ka humbur dje një tjetër betejë me mazhorancën lidhur me Këshillin e Qarkut Fier, ku ky i fundit ishte edhe shkaku kryesor i mosmarrëveshjeve mes palëve që bëri të pamundur votimin e tri ligjeve të Brukselit. Padia për pavlefshmëri të vendimit të Komunës Mbrostar, ku u shkarkuan anëtarët e PS si përfaqësues të Këshillit të Qarkut, u rrëzua nga Gjykata e Fierit. Pas një argumentimi që zgjati rreth 40 minuta gjykatësi Skënder Damini shprehu vendimin duke rrëzuar padinë për pavlefshmëri. Padia e socialistëve i drejtohej mbledhjes së datës 11 nëntor të vitit 2011 në Këshillin e Komunës Mbrostar ku u shkarkuan dy anëtarët socialistë të Këshillit të Qarkut dhe u zgjodhën dy nga “Aleanca për Qytetarin”. Tri ditë me parë në Gjykatën e Lushnjës socialistët humbën një tjetër betejë gjyqësore për Qarkun. Gjykata vendosi pushimin e çështjes për Komunën Rremas, pasi socialistët nuk paraqiteshin në seancat gjyqësore.

 

Rama me Swobodën: Perspektiva evropiane e Shqipërisë, pas zgjedhjeve

Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka deklaruar dje në një takim që është zhvilluar në Bruksel me kreun e grupit të majtë në PE, Hannes Swoboda, se perspektiva evropian e vendit do të vijë vetëm përmes votës së lirë dhe përfundimit të zgjedhjeve të 23 qershorit. “Është gjithmonë e më e qartë se ka një vetëdijesim shumë të posaçëm të të gjithë komunitetit ndërkombëtar, të të gjitha forcave që janë me sytë nga Shqipëria, institucione, parti, për të garantuar ndryshimin përmes votës. Për të garantuar që shqiptarët të mund të vazhdojnë në rrugën e integrimit me një qeveri të dalë nga vota e lirë dhe sigurisht me një qeveri e cila të ndryshojë drejtimin e vendit. Është përditë e më e qartë për të gjithë se pse Shqipëria ka ngecur, se kujt i takon përgjegjësia për ngecjen e saj dhe se Shqipëria duhet të rifillojë rrugën e saj drejt perspektivës evropiane përmes votës së lirë dhe përmes zgjedhjeve që të ndajnë këtë të shkuar që vazhdon me të ardhmen që është prapa derës”, – ka theksuar Rama. Ndërsa Swoboda sipas asaj që bën të ditur selia rozë ka pohuar se largimi i qeverisë aktuale do të bëjë të mundur zhbllokimin e procesit të integrimit të vendit. Sipas tij, qeveria e re do të integrojë Shqipërinë në Bashkimin Evropian. “Ju duhet ta bëni të mundur tani të ndryshoni drejtimin e vendit. Berisha dhe qeveria e tij kanë bllokuar tanimë për shumë e shumë vjet edhe fillimin e negociatave për integrimin dhe njerëzit duhet të jenë të motivuar të shkojnë në zgjedhje të votojnë. Ne do të bëjmë ç’është e mundur nga pala evropiane të kontrollojmë zgjedhjet në kuptimin që të jetë një votim korrekt sipas ligjit, mos jetë i keqpërdorur, sepse për një herë të vetme ne duam zgjedhje të qarta dhe korrekte dhe sigurisht zgjedhje me një votë të qartë të qytetarëve për të ndryshuar drejtimin e vendit, për të luftuar realisht korrupsionin, për të luftuar vërtet për kohezion social”, – theksoi kreu i grupit të majtë në PE Hannes Swoboda.

Kavajë, kreu i PS-së: Investimi në spitale, pa plan kombëtar, do ringrejmë shëndetësinë

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në kuadër të prezantimit të programit për një Rilindje Shqiptare në fushën e shëndetësisë, ka vizituar dje Spitalin e Kavajës, ku deklaroi se duhet me domosdoshmëri ndryshimi tërësor i sistemit. Sipas Ramës paratë edhe aty ku janë investuar janë bërë kuturu dhe jo në bazë të një plani kombëtar për sistemin spitalor. “Këtu janë dy gjëra shumë të qarta në tërësi. Nga njëra anë është se sistemi ka rënë, për shkak të një mijë e një arsyeve, që ju i dini më mirë se unë dhe shumë qendra shëndetësore, shumë struktura spitalore janë të rrënuara pavarësisht se nuk është zvogëluar buxheti për to në vite, po një pjesë e buxhetit ka shkuar në drejtime të paditura. Dhe nga ana tjetër edhe aty ku është investuar, leku është investuar pa një plan të përgjithshëm kombëtar të organizimit të sistemit spitalor, pa një gjykim profesional të distancave, ndarjes së roleve dhe përgjegjësive. Për të mos folur pastaj për këtë pjesën tjetër që fillon e pikon tavani pa filluar mirë puna dhe aparaturat që mungojnë. Këto janë pastaj ajo “qershia mbi tortë””, – tha kreu socialist. Nga ana e tyre, mjekët pohuan në takimin me Ramën se më e rëndësishmja mbetet mungesa e specialistëve në fushën e kirurgjisë. “Një pjesë e specialistëve të emëruar këtu nuk janë nga Kavaja, por vijnë nga qytete të tjera dhe kjo bën që ata të mos jenë gjithë kohës në gjendje të paraqiten në spital nëse vijnë raste urgjencash. Kemi vështirësi sepse mjekësia nuk është punë 6-orëshe është 24-orëshe, prandaj mjekët duhet të jenë vendali. Kemi nevojë për kirurgë dhe anestezistë nga Kavaja”, – theksuan mjekët.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency