Vodhën 20 milionë lekë të asistencës dy shefat në pranga, pesë nën hetim

0
160

Elton Qyno

vjedhjeTask-forca zbulon skemën e abuzimit në Bashkinë e Këlcyrës. Dyshohet se kanë përfituar 50 persona

 

Abuzimi me dhënien e ndihmës ekonomike kanë çuar në pranga dy punonjës të Bashkisë së Këlcyrës. Erlad Ristani, 25 vjeç, dhe Elidon Beqiri, 26 vjeç, janë dy punonjësit që kanë rënë në pranga, pasi gjatë një hetimi të nisur nga njësia hetimore task-forcë, pranë Prokurorisë Gjirokastër, është konstatuar se dy personat e mësipërm kanë abuzuar me detyrën e tyre, duke arritur të vjedhin një shumë financiare prej rreth 20 milionë lekë të vjetra. Njëri prej të arrestuarve është shefi i zyrës së Përkrahjes Sociale në Këlcyrë, ndërsa tjetri është shef i zyrës së përkrahjes Sociale në Përmet. Burime pranë prokurorisë së Gjirokastrës bënë me dije se nën hetim lidhur me këtë ngjarje është dhe një grua Floresha Shahu, e cila është specialiste në zyrën e dhënies së asistencës. Mësohet se shtetasit e mësipërm, arrinin të lëshonin vërtetime të falsifikuara për persona si të papunë dhe në nevojë, dhe për pasojë të gjitha lekët që duhet t’ua jepnin atyre, i merrnin për vete. Një skemë të tillë tre personat e mësipërm e kanë kryer për 6 vite me radhë, duke arritur të përfitojnë shuma të konsiderueshme parash.

Operacioni “Asistenca”  

Menjëherë pas konstatimit të vjedhjeve, nga ana e Prokurorisë së Gjirokastrës është lëshuar një urdhër-arrest për dy punonjësit e zyrës së asistencës Elidon Beqirin, 26 vjeç, Erald Ristani, 25 vjeç. Pikërisht këta të fundit janë arrestuar menjëherë nga policia e cila ka organizuar operacionin e koduar “Asistenca”. Gjatë marrjes në pyetje ata kanë treguar të gjithë skemën dhe bashkëpunëtorët e tjerë, duke pohuar se një veprim të tillë e kanë kryer për shkak të nevojës së shumave financiare. Janë dhjetëra raste falsifikime, ku të arrestuarit kanë përfituar para. Ndërkohë që lidhur me këtë çështje, prokuroria e Gjirokastrës është duke kryer veprime hetimore edhe për pesë persona të tjerë, të cilët mendohet se kanë arritur të marrin asistencë sociale në mënyrë të padrejtë, për plot 6 vite me radhë. Pesë personat tashmë janë identifikuar dhe marrë në pyetje nga ana e prokurorisë, ndërkohë që hetimet janë shtrirë edhe për një numër të konsiderueshëm personash të tjerë, që kanë përfituar në mënyrë të paligjshme asistencë sociale, nga fondet që i akordoheshin Bashkisë Këlcyrë. Dyshimet flasin se bëhet fjalë për rreth 50 persona.

Hetimet nga task-forca

Ka qenë njësia hetimore task-forcë, pranë Prokurorisë së Gjirokastrës, ajo që ka finalizuar hetimet e këtij krimi ekonomik. Pas një kallëzim të marrë nga disa prej qytetarëve të qytetit të Këlcyrës, prokuroria ka vendosur të sekuestrojë disa nga dokumentacionet në bashkinë Këlcyrë dhe në atë të Përmetit, duke bërë verifikimin e tyre. Pas konstatimit të shkeljeve me detyrën, janë marrë në pyetje disa prej punonjësve të bashkive respektive të cilët fillimisht kanë hedhur poshtë mundësinë që të kenë gabuar qëllimisht. Sipas dëshmisë së disa prej punonjësve por edhe dy të arrestuarve, gabimet mund të kenë ardhur nga pakujdesia dhe jo si rezultat i përfitimit të shumave financiare, me një qëllim të caktuar. Pavarësisht kësaj prokuroria ka intensifikuar hetimet, duke zbuluar dhe rastet ku ishin kryer abuzimit. Rreth kësaj çështje janë marrë në pyetje të gjithë personat që kanë marrë asistencë sociale dhe se ata kanë treguar se e meritonin një përkrahje ekonomike, dhe se nuk kishin kryer asnjë falsifikim dokumentash. Mirëpo nga ana tjetër prokuroria ka urdhëruar arrestimin e tre personave, duke bërë që tashmë hetimet të vijojnë për zbulimin e individëve të tjerë që janë përfshirë në këtë skemë abuzimi financiar.

 

Korrupsioni në Korçë

Pranga dy sekserëve të pedagogëve të universitetit

 

Gjykata e Korçës ka dënuar me nga tetë muaj burgim dy prej sekserëve që ndërmjetësonin pagesën e studentëve për provim tek pedagogët. Sipas bluve të këtij qarku. Kujtim Meko, 43 vjeç, nga Pogradeci dhe Renaldo Sulejmani, 32 vjeç, nga Korça janë dënuar me nga tetë muaj për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike. Ndërsa sekseri i tretë, M. B., 60 vjeç, është dënuar me 80 orë punë publike pa shpërblim. “Shtetasit e mësipërm, në periudhën qershor – shtator 2012, kryenin rolin e sekserit, duke ndërmjetësuar me pedagogë të ndryshëm të Universitetit “Fan Noli” Korçë për dhënien e provimeve studentëve, kundrejt një pagese nga 7 000 dhe 15 000 lekë”, – bën të ditur policia.

 

Ngjarja në Tepelenë

Shmanget tragjedia, polici u heq predhën fëmijëve

 

Gjetja e një predhe nga disa fëmijë për pak sa nuk është shndërruar në një tragjedi të rëndë. Policia e Gjirokastrës bën të ditur se disa fëmijë në fshatin Dukaj të Tepelenës kishin gjetur një predhe mortaje me djegore në një ferrë, teksa ishin duke kullotur bagëtitë. Ata e kishin marr predhën duke u përpjekur t’i hiqnin djegoren. Fatmirësisht ka qenë inspektori i zonës i cili ka parë fëmijët dhe ka bërë të mundur parandalimin e tragjedisë. Predha ishte e llojit predhë topi 107 pa zmbrapsje, me djegore dhe me një rreze shpërthimi 200 metra katrorë. Më pas predha e mortajës i është dorëzuar strukturave policore të cilat pritet t’ua dorëzojnë atyre ushtarake me qëllim, demontimin e predhës luftarake.

 

Vendimi, 13 efektivë, leksione ushtrie

në Bosnjë dhe në bazat e Afganistanit

Kryeministri Berisha firmos dërgimin me mision të ushtarakëve. Zbardhen detyrat, pagesat ditore dhe koha e qëndrimit

 

Plot 13 ushtarakë Shqiptarë do të dërgohen në dy misione trajnimi të forcave ushtarake në Bosnjë-Hercegovinë dhe Afganistan. Kryeministri Sali Berisha ka firmosur dërgimin e dy misioneve ushtarake, me qëllim garantimin e paqes dhe trajnimit të forcave ushtarake në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Afganistan. Vendimi për dërgimin e trupave ushtarake është marrë ditën e djeshme dhe për mbarëvajtjen e misionit duhet të interesohet vetë Ministria e Mbrojtjes. Një përfaqësues ushtarak i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë do të shkojë në Sarajevë, Bosnjë-Hercegovinë, në shtabin “EUFOR”, në kuadër të operacionit ushtarak “ALTHEA”, të Bashkimit Evropian. Mësohet se misioni i përfaqësuesit ushtarak, kryhet në kuadër të operacionit ushtarak “ALTHEA”, i cili ka si prioritet drejtimin, monitorimin, këshillimin e Forcave të Armatosura të Bosnjë-Hercegovinës për të gjitha çështjet në lidhje me stërvitjen kolektive, me qëllim implementimin dhe arritjen e aftësive mbrojtëse. Kohëzgjatja e këtij misioni është deri në 2 vjet, afat i cili fillon të llogaritet nga data e dërgimit të përfaqësuesit të parë ushtarak në Bosnjë-Hercegovinë. Kohëzgjatja për çdo rotacion është 6 muaj, periudhë së cilës i shtohen edhe ditët e qëndrimit për ndërrimin me përfaqësuesin e radhës. Ndërkohë që për sa i përket pagesës, çdo ushtarak që do të shërbejë në këtë mision, do të paguhet me 60 mijë lekë të vjetra në ditë. Ndërkohë që sipas një vendimi tjetër kryeministri Berisha, ka urdhëruar dërgimin e 12 ushtarakëve shqiptarë me mision në Kabul, Afganistan, në Komandën Rajonale Qendrore (RC-C/Regional Command Capital),në kuadër të operacionit ushtarak “ISAF”. Përpara dërgimit me mision të ekipit këshillues ushtarak (MAT-A) në operacionin ushtarak “ISAF” dhe gjatë tij të zhvillohet në rajonet e zonat e operacionit misioni i rikonicionit, për njohjen e terrenit të veprimit të palëve. Kohëzgjatja e këtij misioni të jetë deri në 15 ditë dhe ekipi i rikonicionit të përbëhet nga 4 ushtarakë të fushave operacione, zbulim dhe siguri, logjistikë dhe komunikim. Misioni i ekipit këshillues ushtarak (MAT-A) është marrja në patronazh për këshillimin, trajnimin, drejtimin, mbështetjen dhe zhvillimin operacional të një batalioni të mbështetjes së luftimit të Ushtrisë Kombëtare Afgane, në Komandën Rajonale-Qendrore RC-C), operacioni “ISAF”, në Kabul, Afganistan, duke vepruar dhe kryer detyra operacionale e luftarake, për krijimin e bazave për koordinim, komandim, si dhe zhvillim e mbështetje të planëzimeve në operacion, pjesëmarrje në zhvillimin e operacioneve luftarake e mbështetëse për plotësimin e misionit të Task – Forcës së Aleancës dhe Forcave Afgane të Sigurisë, në qytetin e Kabulit ose rrethinat e tij, duke kontribuar në realizimin e misionit dhe të detyrave operacionale luftarake të Komandës Rajonale-Qendrore (RC-C), operacioni “ISAF”, në Kabul, Afganistan. Kohëzgjatja e këtij misioni është deri më 31 dhjetor të vitit 2014. Ndërkohë që 12 ushtarakët do të kenë rotacion për çdo 9 muaj.

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency