Thaçi – Daçiç pa marrëveshje, takimi i radhës më 4 mars

0
922

thaci dacicKa përfunduar dita e dytë e rrethit të pestë të bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë, në nivel të Kryeministrave: Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç. Në një deklaratë të lëshuar nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, thuhet se të dy Kryeministrat kanë zhvilluar takime të martën dhe të mërkurën në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve dhe se “kanë zhvilluar diskutime të thella”. “Ata janë kthyer në kryeqytetet e tyre për konsultime dhe do të kthehen më 4 mars në Bruksel për takimin e radhës”, citohet të ketë thënë baronesha Ashton, duke shtuar se “kryeministrat janë të kënaqur me përparimin thelbësor që kanë arritur, ashtu sikurse edhe unë”.

Këtu edhe përfundon deklarata e zonjës Ashton. Nuk ka ende informacione se për çfarë përparimesh bëhet fjalë saktësisht, transmeton REL.

Takimet e këtyre dy ditëve thuhet të kenë pasur temë kryesore diskutimi çështjen e strukturave paralele të Serbisë në veri.

Sipas burimeve të bllokut, takimi i dy Kryeministrave ka kaluar në atmosferë të mirë dhe konstruktive, por, megjithatë, deklarata zyrtare për rrjedhën e tij nuk janë bërë publike.

“Ne tani jemi duke diskutuar për çështje të vështira, siç është veriu i Kosovës, andaj është e qartë se duhen shumë konsultime dhe sqarime të hollësive, sepse kjo nuk është temë e lehtë”, kanë thënë burimet e BE-së.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi pas takimit të sotshëm ka bërë me dije, se tani grupet profesionale do të qartësojnë më mirë dhe në detaje çështjet të cilat janë diskutuar.

Sipas tij, takimi ka qenë në frymë konstruktive.

“Mund të them se ka qenë edhe sot një takim në frymën konstruktive në frymën e një përkushtimi për gjetjen e një zgjidhje të pranueshme duke respektuar kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, në gjetjen e një zgjidhje për normalizimin e situatës në veri të Kosovës, për shpërbërjen e strukturave të sigurisë sa më shpejtë që është e mundur, për rend dhe ligj që të funksionojë sistemi i drejtësisë në kuadër të legjislacioni kosovar. Në të njëjtën kohë për domosdoshmërinë e organizimit të zgjedhjeve të lira edhe në katër komunat në veri brenda këtij viti”, ka thënë Thaçi.

Ai ka paralajmëruar takime të grupeve të ndryshme për të diskutuar detajet.

“Mund të them se në ditët e ardhshme do të takohen grupet profesionale që t’i qartësojnë më mirë dhe në detaje të gjitha këto gjëra, për t’u takuar sërish në nivel të Kryeministrave më datën 4 mars. Dua të theksoj se është një frymë e mirë për të lëvizur drejt përmbylljes apo zgjidhjes së të gjitha problemeve që janë grumbulluar në atë pjesë të Kosovës tash e 13 vjet”, u shpreh Kryeministri Thaçi, i cili në dha sqarime në pyetjen e një gazetari nëse është arritur marrëveshje për shpërbërjen e strukturave paralele

“Të gjithë janë të vetëdijshëm se strukturat paralele të Serbisë duhet të shpërbëhen sa më shpejt që të jetë e mundur dhe kjo do të ndodhë. Strukturat e sigurisë do të shpërbëhen, ndërsa do të gjejmë forma dhe mundësi të tjera sa i përket sistemit të edukimit, shëndetësisë, shërbyesve civilë që të adaptohen apo që të transformohen”, tha Thaçi.

Kryeministri i Kosovës ka takuar edhe dy krerët e institucioneve kryesore të Bashkimit Evropian: kryetarin e Këshillit Evropian, Herman van Rompuy, dhe kryetarin e Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso.

Në të dyja këto takime, liderët e BE-së kanë shfaqur shpresën se Kosova dhe Serbia do të vazhdojnë të jenë konstruktive në dialog.

Ata kanë thënë se rezultatet e këtij procesi do të jenë esenciale për përparimin e Prishtinës dhe të Beogradit në procesin e integrimit evropian.

Për më tepër, Barroso e ka quajtur këtë javë kyçe për bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë.

Bisedimet, të ndërmjetësuara nga BE-ja dhe të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë për qëllim normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Pas takimit në Bruksel, Daçiç ka bërë të ditur se në takim është diskutuar edhe për modalitetet e funksionimit të institucioneve në veri.

“Kur flasim edhe për konstituim të institucioneve, flasim për sundim të ligjit, në fakt ata flasin, ndërsa ne themi se nuk kemi struktura paralele. Flasim edhe për arsimin dhe financimin e tyre”, është shprehur Daçiç.

Kryeministri serb ka thënë se transformimi i institucioneve paralele në Serbi do të ndodhë vetëm pasi të bëhet e qartë se kush do t’i zëvendësoj ato.

“Ne, sigurisht, nuk do t’i largojmë institucionet tona nga Kosova përderisa nuk bëhet e qartë se kush do t’i zëvendësojë dhe se çfarë organesh do të jenë ato. Ne pajtohemi që ato të jenë institucione të bashkësisë së komunave serbe në Kosovë”, ka thënë Daçiç.

 

 

A do të quhet Ushtria e Kosovës?!

Institucionet e Kosovës nuk do të insistojnë që medoemos Forca e Sigurisë ta ketë emrin Ushtria e Kosovës. Ministri i FSK-së, Agim Çeku, në emisionin “Rubikon” të KTV-së ka thënë të mos jetë i rëndësishëm emri që do ta ketë apo do ta marrë në të ardhmen FSK-ja, por me rëndësi është substanca e saj. Ai tha se duhet dërguar sinjale pozitive fqinjëve të Kosovës se ne nuk po krijojmë një ushtri ofensive, por një strukturë që do t’iu përgjigjet nevojave të Kosovës dhe NATO-s.

Njëri nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tash deputet në Kuvendin e Kosovës, Rexhep Selimi është ndier i befasuar me faktin se ministri i FSK-së thotë të mos jetë i rëndësishëm emërtimi ushtri.

Sipas tij, nëse FSK-ja nuk do të quhet ushtri, atëherë ministri Çeku duhet të japë dorëheqje, pasi kjo gjë është në kundërshtim me atë për çka ka luftuar UÇK-ja. Sipas Selimit, kjo është në kundërshtim edhe me interesat e vetë shtetit dhe sovranitetit të tij. Ndërsa njohësit e sigurisë e shohin të domosdoshme për shtetin krijimin e Ushtrisë së Kosovës.

 

 

 

UNHCR: Nga veriu në Mitrovicën e jugut u zhvendosën 7.260 shqiptarë

 

Edhe pse komuna e Leposaviqit, Zveçanit, Zubin Potokut, si dhe pjesa veriore e Mitrovicës, nuk ishin pjesë e regjistrimit të popullsisë, i cili u bë në vitin 2011, në një raport të Agjencisë së Statistikave të Kosovës jepen të dhënat e fundit zyrtare, të vlerësuara për numrin e popullsisë së Kosovës në nivel të komunave për vitin 2011. Për komunat që nuk ishin pjesë e Regjistrimit të Popullsisë (2011), ASK-ja ka bërë vlerësimin e numrit të popullsisë, bazuar në burimet e ndryshme. Siç raporton Dukagjini, për komunat Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok, si dhe pjesën veriore të Mitrovicës, si bazë kryesore për vlerësim është marrë ”Azhurnimi 2008-2009”.

Sipas të dhënave nga Regjistrimi i Popullsisë, i realizuar në prill të vitit 2011, Kosova kishte gjithsej 1. 739 825 banorë rezidentë, pa përfshirë komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut. Andaj, të dhënat për komunat, të cilat nuk kishin marrë pjesë në Regjistrimin e Popullsisë në prill të vitit 2011, si burim kryesor për vlerësimin e numrit të popullsisë, ekonomive familjare dhe të disa indikatorëve të tjerë deri në të dhënat e tjera më të freskëta, janë marrë nga azhurnimi i vitit 2009. Bazuar në këto të dhëna të prezantuara, azhurnimi 2009, të cilat janë faktike e që janë shumë të përafërta me të dhënat e dala nga Regjistrimi i Popullsisë 2011, si dhe me të dhënat nga burimet e tjera, ASK-ja do t’i përdorë të dhënat nga azhurnimi 2009 si të dhëna zyrtare të vlerësuara për komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe pjesën veriore të Mitrovicës deri në përditësimin e tyre.

Sipas të dhënave nga azhurnimi i vitit 2009, numri i ekonomive familjare për katër komunat e Kosovës, që u theksuan më lartë ishte gjithsej 11 122 ekonomi familjare.

Në Veriun e Mitrovicës, numri i ekonomive familjare është 3 mijë e 393. Nga ta 191 shqiptarë dhe 3 mijë e 202 serbë dhe të tjerë. Apo shprehur në përqindje 5,63 për qind shqiptarë dhe 94, 37 për qind serb. Sipas të dhënave nga azhurnimi 2009, shqiptarët në këto tri komuna përbënin 3.98% apo gjithsej 443 ekonomi familjare. Ndërsa serbët dhe të tjerët përbënin 96.02 të ekonomive familjare apo 10 679 ekonomi familjare.

Siç dihet, komunat e mësipërme (Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok dhe pjesa veriore e Mitorvicës) nuk morën pjesë në Regjistrimin e Popullsisë, të realizuar në muajin prill 2011. Andaj të dhënat e nxjerra nga burimet e ndryshme, që janë shfrytëzuar në këtë raport mbi numrin e popullsisë për këtë zonë, janë vlerësim. Sipas të dhënave nga azhurnimi i vitit 2009 numri i popullsisë për këto komuna të Kosovës, ishte gjithsej 40 196 banorë.

Numri i popullsisë sipas përbërjes etnike nga azhurnimi 2009, në pjesën veriore të Mitrovicës, është gjithsej 12 mijë e 326 banorë. Nga ta shqiptar janë 867 apo 7.3 për qind, ndërsa serb dhe të tjerë 11 mijë e 459 apo 92.97 për qind.

Ndërsa popullsia shqiptare në këto tri komuna përbënte 6.40% apo 2 571 banorë, ndërsa ajo serbe dhe të tjerët rreth 93.60% apo 37 625 banorë.

Sipas të dhënave të fundit të muajit shtator 2012 nga UNHCR, numri i personave nga komuniteti shqiptar, që janë zhvendosur kryesisht në Mitrovicën e Jugut, me origjinë nga pjesa veriore e qytetit të Mitrovicës, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut ishte gjithsej 7 260 persona të zhvendosur. Po ashtu, një pjesë e komunitetit serb, të zhvendosur, me origjinë nga vendbanimet/komunat e tjera të Kosovës u vendos në këto komuna: Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan, duke përfshirë edhe pjesën veriore të Mitrovicës, që ishin rreth 6 950 persona të zhvendosur. Ndryshe, për ta vlerësuar numrin e popullsisë, janë shfrytëzuar burime të ndryshme statistikore, si bazat nga regjistrimet e popullsisë, bazat nga azhurnimet, bazat e shënimeve nga regjistrat e ndryshëm, burimet e tjera administrative, anketat, raportet dhe hulumtimet e tjera.

Për shkak të mos pjesëmarrjes së kësaj zone, në Regjistrimin e Popullsisë, të realizuar në muajin prill 2011, bazuar në analizat, faktet demografike dhe trendët e lëvizjeve të popullsisë, mund nxirret përfundimi se të dhënat e vlerësuara për komunitetin serb nga përfaqësuesit komunalë të komunave: Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe pjesës veriore të Mitrovicës, nuk paraqesin të dhëna reprezentative. Këto vlerësime janë shfrytëzuar nga ana e komunave deri me tani edhe nga institucionet e ndryshme, duke përfshirë ato ndërkombëtare.

 

Hoxhaj: Kosova do të jetë pjesë e Kombeve të Bashkuara

 

Në një intervistë për të përditshmen turke “Today’s Zaman”, ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se integrimi i shtetit të Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare është një proces i pandalshëm, duke theksuar se askush nuk mund ta ndal rrjedhën e historisë.

Gjatë intervistës ekskluzive për këtë gazetë me renome në Turqi, Hoxhaj ka thënë se shtrirja gjeografike e njohjeve të Kosovës është globale dhe se Republika e Kosovës do të ekzistojë gjithnjë si shtet i pavarur. Ai ka theksuar se anëtarësimi në Kombet e Bashkuara do të arrihet hap pas hapi, duke shtuar se nuk ka asnjë dilemë se një ditë Republika e Kosovës do të jetë pjesë e OKB-së. “Republika e Kosovës është një fakt i cili po pranohet çdo ditë e më shumë jo vetëm nga Serbia por edhe nga shtetet e tjera të botës, andaj nuk ka asnjë arsye që shtyhet njohja e plotë e Kosovës”, ka thënë kryediplomati kosovar.

Lidhur me proceset integruese euroatlantike, Hoxhaj tha se si një shtet i pavarur, Kosova tani është në faza të ndryshme të anëtarësimit në organizata të ndryshme ndërkombëtare, në veçanti në BE. “Që nga fillimi aspirata e jonë ka qenë që t’i bashkohemi institucioneve euro-atlantike. Vitin e kaluar ishte një hap shumë i suksesshëm në avancimin e agjendës evropiane dhe ne do të vazhdojmë përpjekjet në këtë drejtim”, ka thënë Hoxhaj. Në intervistë, Hoxhaj ka folur edhe për marrëdhëniet me Turqinë, duke vlerësuar se ky shtet është partner strategjik i Kosovës.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency