Nacionalizëm i zjarrtë – Marrëdhëniet hungarezo-rumune në prag të ngrirjes?

0

Rajon

ruamniGrindja për një flamur historik shkakton konflikt diplomatik mes Hungarisë dhe Rumanisë. “Lufta për flamurin” po fiton peshë – Të dyja palët janë të interesuara për frymën e tensionuar nacionaliste në vendet e tyre.

 

Në Budapest ministri i Jashtëm János Martonyi bën fjalë, se po “rrezikohet” bashkëpunimi hungarezo-rumun. Në Bukuresht homologu i tij Titus Corlătean kërcënon me dëbimin e ambasadorit. Mediet e afërta me qeverinë në të dyja vendet inskenojnë fushatë nacionaliste ngjashëm si përpara pesëmbëdhjetë vitesh. E gjitha kjo nisi prej një flamuri blu-verdhë-blu me simbolin e një dielli dhe gjysmëhëne në qytetin e një province rumune.

Në dukje për shkak të këtij flamuri marrëdhëniet mes Hungarisë dhe Rumanisë kanë arritur në një pikë kritike. Sociologu hungarez Pál Tamás e konsideron këtë si një “inskenim provincial, që është shkallëzuar deri në veprime të detyrueshme të politikës së madhe”. Filozofi rumun Andrei Cornea ndërkaq këshillon, që BE-ja duhet t’i moderojë bisedimet midis dy vendeve, sepse ato vet “nuk janë në gjendje të negociojnë në nivelin bilateral”.

 

Gjithçka nisi me një flamur

Shkas për konfliktin u bë ceremonia e marrjes së postit nga prefekti i ri i qarkut rumun të banuar nga shumica hungareze, Covasna më 2 shkurt. Gjatë ceremonisë festive u hoq nga një ndërtesë e qytetit Sfantu George flamuri blu-verdhë-blu i Szeklerlandes (Terra Siculorum) siç quhet rajoni në juglindje të Transilvanisë, sepse sipas autoriteteve rumune ai simbolizon përpjekjet e minoritetit hungarez për autonomi territorile dhe për shpërbërjen e shtetit kombëtar rumun. Menjëherë pas kësaj sekretari për marrëdhëniet me jashtë në Budapest Zsolt Németh u shpreh për “një agresion simbolik kundër bashkësisë hungareze në Transilvani”. Ky ishte fillimi i “luftës hungarezo-rumune të flamurit”. Pas kësaj fshihet konflikti me rëndësi historike. Si pjesë e Transilvanisë dikur Szeklerland i përkiste mbretërisë hungareze. Në Marrëveshjen e Paqes të Trianonit të vitit 1920 Transilvania i kaloi Rumanisë. Autonomia e premtuar në 1918 për pakicat në Transilvani asnjëherë nuk u bë realitet.

 

Përpjekje për autonomi

Që pas rrëzimit të diktaturës së Çausheskut përfaqësuesit politikë të 1.5 milionë hungarezëve në Transilvani kërkojnë më shumë të drejta të mëvetësishme administrative në Rumaninë e organizuar në mënyrë ekstreme centraliste. Këto të drejta kërkohen kryesisht në Szeklerland, ku banon shumica e minoritetit hungarez. Politikanët e moderuar të minoritetit hungarez do të ishin të kënaqur me një sovranitet më të madh lokal në politikën fiskale si dhe me më shumë kompetenca në fushën e kulturës dhe administrimit, ndërsa radikalët kërkojnë autonomi si në Tirolin e Jugut në Itali, apo si në Katalonjën e Spanjës. Por në Rumani kërkesa për autonomi është një nga tabutë më të mëdha kombëtare. “Kemi të bëjmë këtu me një konfrontim politik mes modeleve të shtetit liberal-individualist, që përfaqësojnë rumunët, sepse ata përbëjnë shumicën, dhe nga ana tjetër me modelin e shtetit multikulturor- kolektivist si në Belgjikë, apo në Kanada, që e preferojnë hungarezët”, shpjegon politologia Alina Mungiu-Pippidi.

Gjestin e largimit të një flamuri gjatë një ceremonie zyrtare lokale, gjë që shprehimisht e pati lejuar një gjykatë rumune nëntorin e kaluar, e konsiderojnë si një provokim jo vetëm politikanët radikalë të minoritetit hungarez në Rumani, por edhe përfaqësuesit e qeverisë së Orbanit në Budapest, e cila e konsideron veten si përfaqësuese të interesave politike të hungarezëve në diasporë.

 

Budapesti ndërhyn

Që nga ky rast vazhdojnë replikat nga të dyja palët: Kur sekretari për marrëdhëniet me jashtë Zsolt Németh u shpreh për “një agresion simbolik” të Rumanisë, Kryeministri rumun Victor Ponta deklaroi se e ndalon këtë “pafytyrësi” dhe “ndërhyrje në punët e brendshme”. Kur ministri i Jashtëm Titus Corlătean kërcënoi me dëbimin e ambasadorit, Némethi u shpreh për “masa diplomatike” të Hungarisë. Mbi dhjetë qytete hungareze dhe komuna ngritën flamurin e Szeklerland, madje në fundjavë edhe në Budapest ky flamur valëvitej në godinën e parlamentit. Në Rumani mediat nacionaliste me influencë e inkurajojnë edhe më shumë qeverinë.

Në fakt të dyja vendet historikisht ishin pajtuar – ky ishte një kusht për anëtarësimin në BE.

Në këtë valë u zhvilluan mbledhje të përbashkëta qeveritare, Shoqata e moderuar Demokratike e hungarezëve në Rumani (RMDSZ) për 16 vjet me radhë ka qenë pjesëmarrëse në qeveritë e koalicionit në Bukuresht. Por kohët e fundit marrëdhëniet janë ftohur. Qeveria e Orbanit në Budapest mbështet veçanërisht përfaqësuesit radikalë të minoritetit. Kjo qeveri ka aplikuar të drejtën e votës për hungarezët në diasporë, votat e të cilëve i duhen asaj për zgjedhjet në pranverë, kjo për arsyen se ndër zgjedhësit vendas qeveria po bëhet gjithnjë e më e padëshiruar për shkak të politikës së shkurtimeve sociale.

 

Loja me zjarrin e nacionalizmit

Nga ana tjetër qeveria rumune do të shkëpusë vëmendjen prej kursit të saj radikal të kursimeve. Në radhë të parë ajo do të legjitimojë përmes retorikës nacionaliste reformën e planifikuar territoriale. Në kuadër të kësaj reforme tri qarqe të banuara kryesisht me hungarezë synohet të bashkohen në një qark të madh në Rumaninë Qendrore – kësisoj minoriteti hungarez do të humbiste shumë të drejta. Filozofi dhe publicisti hungarez Attila Ara-Kovács nisur nga konstelacionet aktuale politike në të dyja vendet nuk sheh ndonjë shans për zgjidhje. “Gjendja është shumë serioze, kjo është pasojë e papërgjegjshmërisë, por edhe e synimit të kalkuluar mirë të qeverisë së Orbanit, që në mënyrë shembullore do t’i prishë marrëdhëniet e mira me vendet fqinjë. Për fat të keq edhe qeveria e Kryeministrit Ponta punon, për prishjen e marrëdhënieve bilaterale, kësisoj tek Orbani ajo gjen partnerin e përshtatshëm në këtë drejtim”, thotë Ara-Kovács.

 

Howitt: Gjendja në Maqedoni, shumë serioze

 

Në funksion të zhbllokimit të krizës politike, së fundmi raportuesi i Parlamentit Evropian për Maqedoninë Richard Howitt ka realizuar një varg takimesh me kreun shtetëror dhe me përfaqësuesit e partive politike të Maqedonisë. Howitt, fillimisht, është takuar me anëtarët e Komisionit parlamentar për të drejtat dhe liritë e njeriut, ndërsa më pas edhe me kreun e Parlamentit Trajko Veljanovski. “Gjendja është shumë serioze, si për shtetin, ashtu dhe të ardhmen e saj në BE”, ka deklaruar Howitt, pas takimit. Me këtë rast, Howitt ka nënvizuar se shumë detaje do të japë të premten, pasi të ketë dëgjuar qëndrimet e të gjithë përfaqësuesve politikë. “Porosia ime është se në të ardhmen ne do të takohemi në BE. Kjo është kritike dhe kohë e ndjeshme për vendin tuaj dhe për marrëdhëniet e vendit tuaj me BE-në”.

“Do të jemi me ju, do t’ju dëgjojmë dhe do të zhvillojmë dialog me ju. Jam i sigurt se do të jeni në anën time dhe të jeni të sigurt se unë do të jem në anën tuaj. Ditët dhe javët e ardhshme edhe janë të vështira dhe gjithçka që duhet të bëhet, do të bëhet”, është shprehur Howitt.

Paraprakisht Howitt, nga anëtarët e Komisionit anketues ka kërkuar të referojnë për punën e këtij organi dhe të flasin për gjendjen dhe të drejtat e njeriut në vend. Kryetari i Komisionit parlamentar për të drejtat dhe liritë e njeriut, Bekim Fazliu, nga Partia Demokratike Shqiptare në pozitë, para raportuesit të Parlamentit Evropian ka shprehur shqetësimin e tij për shkeljen e të drejtave të njeriut si pasojë e mosreformimit të sistemit gjyqësor, si dhe influencës politike gjatë vendimmarrjes në shqiptimin e dënimeve. “Është shqetësues numri i madh i ankesave të bëra, pa dallim të përkatësisë etnike, ku qytetarët ankohen për punën e gjykatave, gjegjësisht nuk janë aspak të kënaqur me vendimet e gjyqësorit. Konkretisht, vlerësojmë se në Maqedoni assesi nuk arrin të reformohet sistemi gjyqësor, i cili fatkeqësisht ende është në varësi të drejtpërdrejtë të politikës apo të disa strukturave të qeverisë”, ka theksuar Fazliu. Nga ana tjetër, nënkryetarja e Parlamentit, Suzana Salihu, tha se në Maqedoni problemi qëndron në vështirësitë që paraqiten gjatë zbatimit të ligjeve me shenjë evropiane, si dhe pavarësia e institucioneve.

“Sa i përket ligjeve, qytetarët e Maqedonisë nuk janë të diskriminuar në asnjë mënyrë. Po ku qëndron problemi i Republikës së Maqedonisë? Nëse Maqedonia arrin të implementojë këtë Kushtetutë dhe nëse arrin të implementojë ligjet që ka, atëherë ne me të vërtetë do të mburremi me respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut”, ka potencuar Saliu.

Ndërkohë, Silvana Boneva, nga VMRO-DPMNE, e kryeministrit Nikolla Gruevski, fillimisht ka shprehur keqardhje për mungesën e deputetëve të opozitës maqedonase, me ç’rast edhe një herë u ka bërë thirrje që të kthehen në institucionin ligjdhënës.

“Ne dëshirojmë që të kthehet sa më shpejt të jetë e mundur opozita në Parlament dhe mendoj se komisioni anketues i propozuar nga presidenti i shtetit, është vendi më i duhur ku mund të jepet përgjigje saktësisht se është shkelur ose jo demokracia më 24 dhjetor dhe jo rruga siç preferon opozita”, ka thënë Boneva. Ndërkohë, të enjten, përmes një deklarate të përbashkët shefat e misioneve të Bashkimit Evropian, zyra e lidhjeve e NATO-s, OSBE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë shprehur shqetësim të madh nga gjendja politike në vend, njëherësh duke u bërë thirrje të gjitha palëve që ta përforcojnë dialogun politik.

“Me shqetësim të madh e ndjekim gjendjen politike në vend. Na duhen masa urgjente për tejkalimin e tensioneve politike që pasuan pas ngjarjeve më 24 dhjetor. U bëjmë thirrje të gjitha palëve që në mënyrë maksimale të përforcojnë dialogun politik, të fokusohen në prioritetet strategjike të vendit dhe t’i vendosin në vend të parë interesat më të mira të vendit dhe qytetarëve të saj”, thuhet në deklaratën e përbashkët të BE-së, NATO-s, OSBE-së dhe SHBA-së.