Motra: Dyshimet tona, për spitalin dhe ndonjë lidhje intime e Florijes

0
161

 Elton Qyno

florijaPyeten në prokurori, Gazmend dhe Erida Peci, vëllai dhe motra e studentes së aksidentuar në Himarë

Zbardhen dëshmitë, dyshimet tona mbi shtatzëninë e motrës. Akuza: Do të dërgojmë letërporosi në Austri

 

“Nuk dimë se çfarë ka ndodhur me motrën tonë Florijen në spitalin austriak, prandaj i jemi drejtuar prokurorisë, duke i kërkuar ndihmë për zbardhjen e çështjes. Ne kemi dyshimet tona, por megjithatë, prokuroria ta hetojë me imtësi shtatzëninë e mistershme të mostrës”. Kështu janë shprehur gjatë dëshmisë së tyre motra dhe vëllai i 22-vjeçares Florije Peci, e cila që prej pesë muajsh ka mbetur shtatzënë në rrethana misterioze, dhe se askush nuk është në gjendje të përcaktojë shkaktarin e shtatzënisë së studentes së Gjuhë-Letërsisë, që mbeti e plagosur rëndë në aksidentin e Himarës të 21 majit 2012. Erida Peci dhe Gazmend Peci, për disa orë me radhë kanë qëndruar përpara oficerit të Policisë Gjyqësore Eduard Bardhi, ku kanë treguar rreth asaj që dinin për shtatzëninë e motrës së tyre, e cila kohët e fundit ka paraqitur dhe probleme mendore duke folur për çart. Dyshimet e familjarëve të Florije Pecit janë se motra e tyre mund të ketë pasur të dashur në Shqipëri dhe se ai e ka vizituar gjatë qëndrimit të saj në spitalin austriak ose gjatë kohës kur Florije Peci është larguar nga spitali dhe ka qëndruar tek familja kosovare. Mirëpo ky dyshim mbetet vetëm në kornizat e hamendësimeve që ngrenë familjarët dhe vetë hetuesit e çështjes, të cilët nuk janë në gjendje të përcaktojnë se kush mund të jetë personi, që ka abuzuar seksualisht me Florije Pecin. Gjatë dhënies së dëshmisë, vëllai i 22-vjeçares ka treguar vetëm periudhën kur ka mësuar lajmin e rëndë të shtatzënisë së saj nga mjekët e spitalit të Librazhdit, ndërkohë që lidhur me qëndrimin e Pecit në spital, ai nuk ka qenë në gjendje të tregojë, për shkak se nuk e ka shoqëruar motrën e tij në Austri.

Dëshmia e motrës

Për rreth tri orë me radhë, Erida Peci ka sqaruar me detaje të gjitha lëvizjet e Florije Pecit në spitalin austriak si dhe vizitat e shpeshta në familjen kosovare, që përbëhej nga tre anëtarë. Erida Peci ka treguar se motra e saj, Florija, ka qenë në gjendje kome kur është transportuar me avion në Austri dhe për njëfarë kohe ajo ka qëndruar e vetme, pa shoqërinë e asnjërit prej anëtarëve të shtëpisë. “Në klinikën spitalore, Florija ishte e mbikëqyrur nga stafi i Ambasadës Shqiptare në Austri dhe mjekët e spitalit. Unë kam shkuar vetëm disa muaj më pas, kur kemi marrë njoftimin se Florija kishte dalë nga gjendja e komës dhe se kishte hyrë në periudhën e rehabilitimit shëndetësor. Me miratimin e familjes unë kam shkuar në spitalin Austriak, ku e kam takuar Florijen. Që në komunikimin e parë, motra më është dukur tepër e tronditur, por edhe bisedat që më fliste nuk ishin të denja për karakterin dhe natyrën e saj si vajzë. Kam menduar se diçka nuk shkonte në të, por gjithçka në atë kohë ia kam vënë traumës shumë të rëndë që motra kishte pësuar në incidentin tragjik të Himarës, ku autobusi me studente të universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan ka rënë në humnerë”, – ka treguar në prokurori Erida Peci. Për shkak të lidhjes së ngushtë me motrën e saj, prokuroria mësohet se e ka pyetur Erida Pecin nëse ka pasur dijeni që motra e saj të ketë pasur ndonjë lidhje intimeve gjatë periudhës së shkollës, pra para se të aksidentohej. Lidhur me këtë pyetje, motra e Florijes mësohet se është përgjigjur se familja e saj ka dyshimet e veta për shtatzëninë e mistershme të 22-vjeçares dhe supozon se studentja e Gjuhë-Letërsisë mund të ketë pasur lidhje me ndonjë djalë, i cili mund ta ketë vizituar në klinikën spitalore në Austri. Më tej, Erida Peci ka treguar se ajo nuk ka pasur asnjë dijeni që motra e saj të kishte krijuar një lidhje intime. “Unë jam e bindur se gjithçka që ka ndodhur është kryer në ambientet e spitalit, pasi jashtë Florija nuk ka pasur mundësi të takonte person tjetër, vetëm familjes kosovare, që e merrte me makinë në spital dhe e çonte në shtëpi. Një transport i tillë bëhej edhe në kthim. Në shtëpi qëndronim vetëm disa orë, sa hanim drekën dhe më pas largoheshim së bashku”, – është shprehur në prokurori motra e Florijes. Prokuroria e Tiranës ka tentuar të marrë në pyetje vetë të dëmtuarën Florije Peci, duke e pyetur këtë të fundit se çfarë i kishte ndodhur, por të gjitha pyetjeve të hetuesve 22-vjeçarja i është përgjigjur se nuk arrinte të kujtonte asnjë gjë.

Dëshmia e vëllait

I pari që është pyetur në Prokurorinë e Tiranës, ka qenë vëllai i Florije Pecit, shtetasi Gazmend Peci. Ky i fundit për disa orë me radhë ka dhënë sqarime rreth asaj që di për shtatzëninë e motrës së tij. Peci ka treguar se lajmin e rëndë e ka mësuar nga mjekët e spitalit të Librazhdit, mirëpo sërish nuk u ka besuar atyre dhe menjëherë së bashku me motrën e tij është nisur në drejtim të Tiranës për një kontroll me të specializuar. Pas mbërritjes në Tiranë, Florija i është nënshtruar kontrollit me EKO moderne dhe sërish ka rezultuar se ajo ishte shtatzënë. “Unë dyshoj vetëm tek spitali, pasi siç më ka treguar motra që shoqëronte Florijen, kur dilnin për vizitë tek familja kosovare, lëviznin me makinë dhe nuk kishin kontakt me asnjë person, pasi dhe nuk njihnin njeri në Austri”, – ka treguar Gazmend Peci. Ky i fundit ka shtuar në dëshminë e tij që prokuroria të zbardhë sa më parë ngjarjen e rëndë, për shkak se që prej disa muajsh familja e tij po jeton me peshën e rëndë të turpit. Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, Prokuroria e Tiranës shumë shpejt do të dërgojë drejt shtetit austriak një letërporosi, nëpërmjet së cilës do të kërkojë informacione rreth asaj që ka ndodhur në klinikën mjekësore në Gmundnerberg të Austrisë.

 

Abortimi në këtë fazë cilësohet si vrasje

Mjekët: Nëse heqim foshnjën, rrezikojmë

burgun si ne, por edhe Florije Peci

 

Ende nuk dihet zyrtarisht nëse Florije Peci do të mbajë fëmijën e saj apo jo. Vetë mjekët e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, ku është shtruar 22-vjeçarja janë shprehur se nuk mund të bëjnë një abort të tillë, pasi foshnja ka hyrë në muajin e 5-të. Pikërisht kjo periudhë në shtatzëni ndalohet me ligj të abortohet dhe nëse një gjë e tillë kryhet nga nëna apo dhe mjekët, ata rrezikojnë së bashku ndjekjen penale për akuzën e “Vrasjes së foshnjave”. Mjekët i kanë rekomanduar Florije Pecit, por edhe familjarëve të saj, që të mbajnë foshnjën dhe se në kohët në vijim ata garantojnë për kryerjen e analizave të AND-së, me qëllim krahasimin e tyre me persona të dyshuar që mund të kenë abuzuar me Florije Pecin. Kjo procedurë e ADN-së bëhet në laboratorin gjenetik, që është brenda ambienteve të maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”. Mësohet se ADN arrihet të realizohet përmes lëngut amiotik dhe rezultatet, mund të dalin nga 24 orë deri në një javë pas kryerjes së analizës. Mjekët e maternitetit që kanë ndjekur shëndetin e Florijes kanë pohuar se ajo është në javën e 24 të shtatzënisë dhe vijon të mbahet në një nga dhomat e maternitetit.

 

Peci: Nuk kujtoj çfarë më ka ndodhur në Austri

Merret në pyetje 22-vjeçarja Peci

Akuza: S’dinte asnjë gjë për shtatzëninë

 

Një grup hetimor ka shkuar në spitalin ku qëndron e shtruar Florije Peci dhe ka tentuar për herë të dytë ta marrë në pyetje 22-vjeçaren e dëmtuar. Ndryshe nga hera e parë, Florija ka qenë në gjendje të flasë, por nën praninë e një psikologeje, duke treguar në mënyrë të ndërprerë rreth asaj që i kishte ndodhur. Përpara ekspertëve të prokurorisë, Florije Peci ka treguar se ishte hidhëruar shumë kur kishte mësuar se kishte mbetur shtatzënë dhe se nuk kishte asnjë dëshirë që të mbante fëmijën e saj. Mirëpo kur është pyetur nga hetuesit se çfarë i kishte ndodhur gjatë kohës së qëndrimit në Austri, Florije Peci, ka pohuar se nuk ishte në gjendje të kujtonte asnjë gjë. “Nuk mbaj mend se çfarë më ka ndodhur, unë nuk e di se ç’më kanë bërë. Fëmija me shqetëson dhe më gjuan në bark”, – ka treguar para hetuesve 22-vjeçarja Florije Peci. Pas këtyre fjalëve, prokuroria ka vendosur të mos vijojë më tej, duke bërë që ditën e djeshme të marrë në pyetje vëllain dhe motrën e Florijes. Kjo e fundit është një nga shumë studentet e aksidentuara në aksidentin e rëndë të Himarës dhe pas këtij aksidenti, 22-vjeçarja ka pësuar tronditje psikike, duke mos qenë në gjendje të kujtojë atë që i ka ndodhur.

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency