Miratohet në parim drafti Kontrolli ndaj Ministrisë së Mbrojtjes dhe agjencive të spiunazhit në dorën e 5 deputetëve

0
135

Florenc Drizari

siguariaProjektligji për kontrollin parlamentar, opozita kryeson nënkomisionin, ndërsa mazhoranca ka shumicën

 

Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi në parim projektligjin për mbikëqyrjen parlamentare ndaj shërbimeve informative në Shqipëri. Drafti kaloi në komision kaloi edhe me votat e opozitës dhe tashmë pritet mbajtja e seancave dëgjimore me grupet e interesit, pranë përfaqësuesve të legjislativit. Projektligji për kontrollin parlamentar ndaj institucioneve të spiunazhit parashikon ngritjen e një nënkomisioni prej 5 deputetësh, përfaqësues nga Komisioni i Sigurisë. Kryesimin e nënkomisionit pritet ta ketë opozita me 2 deputetët e saj dhe shumicën prej 3 anëtarësh, mazhoranca. Kryetari i Komisionit për Sigurinë, Leonard Demi, i cili është ndër iniciatorët e draftit në fjalë, përmendi disa nga institucionet që përfshihen në veprimtarinë e nënkomisionit, duke vënë theksin edhe tek ndarja e kompetencave dhe krijimi i lehtësive për kontrollin e institucioneve të sigurisë. “Veprimtaria e këtij komisioni përfshin këto institucione të vendit: SHISH, Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes (SHIU), njësi të ministrisë së brendshme që merren me inteligjencën, njësi të ministrisë së drejtësisë, njësi të ministrisë së Financave, drejtorinë e sigurimit të informacionit të klasifikuar apo cilindo shërbim tjetër informativ apo të sigurisë aktual i krijuar sipas ligjit, apo që do të krijohet në të ardhme nga autoritetet shtetërore, me qëllim kryerjen e aktiviteteve apo të veprimtarive informative apo mbledhjen e fshehtë të informacioneve”, – tha Demi.

FUNKSIONIMI I NËNKOMISIONIT

Nënkomisioni për Mbikëqyrjen e Shërbimeve Informative dhe të Sigurisë krijohet nga Kuvendi si pjesë e Komisionit ekzistues të Kuvendit për Sigurinë Kombëtare. Krijimi i këtij nënkomisioni pritet t’u japë zgjedhje edhe kërkesave të vazhdueshme të deputetëve të opozitës për kontrollin parlamentar në Ministrinë e Mbrojtjes; kontroll i cili është penguar nga krerët e institucionit në fjalë për mungesë kompetencash nga ana e deputetëve për të kryer mbikëqyrjen. Nënkomisioni përcakton me hollësi mënyrat e punës së tij të cilat miratohen nga Kuvendi, me propozimin e nënkomisionit. Gjithashtu, nënkomisioni i raporton drejtpërsëdrejti Kuvendit dhe nuk është në varësi të Komisionit të Kuvendit për Sigurinë Kombëtare. “Nënkomisioni përbëhet nga pesë anëtarë të marrë nga Komisioni për Sigurinë Kombëtare. Anëtarët e nënkomisionit propozohen nga Kryetarët e grupeve parlamentare ku nënkryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare caktohet automatikisht kryetar i nënkomisionit. Një anëtar tjetër i nënkomisionit caktohet nga opozita ndërsa zëvendës kryetari i nënkomisionit dhe dy anëtarët t tjerë caktohen nga shumica parlamentare”, – thuhet në nenin 11 të draftit për përbërjen e nënkomisionit. Po në këtë nen sqarohet se kur një anëtar i nënkomisionit jep dorëheqjen nga Kuvendi, ndryshon grupin parlamentar apo largohet nga Komisioni për Sigurinë Kombëtare, këtij anëtari i kërkohet menjëherë të largohet nga nënkomisioni. Anëtari i larguar zëvendësohet nga një anëtar tjetër i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, i cili caktohet nga grupi përkatës parlamentar.

REAGIMET

Deputetët e mazhorancës dhe opozitës miratuan në parim draftin për kontrollin parlamentar ndaj organeve që ushtrojnë veprimtari informative në Republikën e Shqipërisë, duke e lënë për një fazë të mëvonshme diskutimin nen për nen të draftit, pas zhvillimit të seancave dëgjimore me grupet e interesit dhe marrjes së mendimeve edhe nga ekspertët për këtë projektligj. Nënkryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare Ilir Gjoni u shpreh se futja e ligjit në Kuvend këto ditë nuk është shenjë e demokracisë së konsoliduar edhe për faktin që në rregulloren e Kuvendit ka qenë dhe është e shkruar ngritja e nënkomisionit për mbikëqyrjen e shërbimeve inteligjente. Duke folur në emër të grupit të PS-së në Komisionin e Sigurisë, Gjoni tha se “parimisht e mbështesim këtë ligj, por vërejtjet tona për nene të veçanta, ne do t’i paraqesim me shkrim edhe mbasi të kemi dëgjuar vërejtjet dhe sugjerimet e institucioneve të interesuara, qoftë institucionet qeveritare apo dhe organizatave joqeveritare”. Nga ana e tij, deputeti i mazhorancës Osman Metalla tha se mbikëqyrja e shërbimeve ka qenë një nga çështjet më të debatuara në komision dhe kjo dëshmon që kuadri ligjor ekzistues ka pasur nevojë për një përmirësim. Sipas tij, me këtë ligj, plotësohen ato boshllëqe që deputetë kanë ndeshur në kuadrin e mbikëqyrjes së shërbimeve inteligjente.

 

Kalon me konsensus tek Ligjet drafti për kontrollin e shërbimeve sekrete

Komisioni i Ligjeve miratoi në parim draftin për mbikëqyrjen parlamentare ndaj institucioneve të shërbimeve inteligjente dhe atyre të sigurisë. Projektligji mori edhe votat e anëtarëve të opozitës dhe për shqyrtimin nen për nen të tij, pritet zhvillimi i seancave dëgjimore me grupet e internist. I pranishëm pranë këtij komisioni për mbrojtjen dhe shpjegimin e ligjit ishte deputeti i mazhorancës, Leonard Demi, kryetar në Komisionin për Sigurinë Kombëtare dhe njëherësh edhe iniciator i draftit në fjalë. Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve, z. Demi shpjegoi disa nga kufizimet që mund të ndeshë nënkomisioni prej pesë anëtarësh që do të ketë të drejtën të mbikëqyr institucionet e inteligjencës në Shqipëri. “Mbikëqyrja mund të ketë kufizimet e veta për disa arsye si: mundet që për shkak të detyrave të shumta që kanë pasur deputetët dhe nuk janë të zotë për ta bërë këtë punë. Mundet për arsyet se janë zgjedhur të bëjnë pjesë në nënkomisionin përkatës. Mundet që të kenë njohuri të përgjithshme në një kohë kur kërkohen njohur të specializuara. Mundet të jetë pasojë e politikave partiake që i çojnë ata atje. Mundet se njerëz të aftë mund të qëndrojnë periferik”, – tha Leonard Demi.

 

Invalidët i kërkojnë kryetares së KQZ-së përfshirjen në procesin zgjedhor

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lefterije Lleshi, zhvilloi një takim me Shoqatat e Personave me Aftësi të Kufizuara. Takimi u zhvillua në ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe kryefjala e takimit ishin zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë dhe përfshirja e personave me aftësi të kufizuara në zgjedhje. Kryetarët e shoqatave të personave me aftësi të kufizuara i kërkuan znj. Lleshi krijimin e infrastrukturës për të lehtësuar pjesëmarrjen në ditën e votimit, invalidëve të punës, paraplegjikëve e tetraplegjikëve dhe personave që nuk dëgjojnë. Ata kërkuan gjithashtu që t’u kushtohet vëmendje edhe personave me probleme mendore të cilëve nuk u është hequr zotësia për të vepruar dhe gëzojnë të drejtën për të votuar. Kryetarja e Komisionit Qendror të zgjedhjeve i ka siguruar shoqatat e personave me aftësi të kufizuara se do të marrë parasysh kërkesat e tyre. Znj. Lleshi i siguroi ata se KQZ do të vendosë një standard për përfshirjen e kësaj kategorie të shoqërisë në zgjedhje. Nga ana e saj Lleshi u kërkoi shoqatave të personave me aftësi të kufizuar që të sjellin pranë KQZ-së listat me anëtarët e tyre, pasi kjo do të ndihmonte në orientimin e saktë të punës së Komisionit.

 

Takimi Abdullah Gül – Topalli, Presidenti: Reformat e bëra kanë nxitur sipërmarrësit turq për investime

Shkëmbimet tregtare me Turqinë, të favorizuara nga klima e mirë që ekziston midis dy vendeve, ishin në qendër të diskutimeve që Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli zhvilloi gjatë pritjes që i rezervoi Presidenti i Turqisë, Abdulla Gül. Në takim u vlerësua niveli i lartë i marrëdhënieve politike dhe rrënjët e thella të miqësisë, si themele të shkëlqyera për të dinamizuar më shumë bashkëpunimin në të gjitha fushat. Dy personalitet, duke shprehur rëndësinë e takimeve të tilla të nivelit të lartë, pohuan se mes dy vendeve mike ka ende mjaft potenciale për t’u aktivizuar. Kryetarja e Kuvendit e njohu Presidentin Gül me reformat e gjithanshme që Shqipëria ka realizuar, duke bërë gjithçka për përshpejtimin e realizimit të ëndrrës së madhe, bashkimin me familjen evropiane. Nga ana e tij, Presidenti Gül i shprehu Kryetares së Kuvendit vlerësimin më të lartë për përparimin e dukshëm gjatë kësaj periudhe në Shqipëri, duke nënvizuar se reformat e bëra kanë nxitur sipërmarrësit turq për investime. Presidenti Gül tha se interesi i biznesit turk është gjithnjë e në rritje për të qenë edhe më prezent në Shqipëri. Kryetarja e Kuvendit falënderoi Presidentin Gül për mbështetjen e diplomacisë turke në mbështetje të çështjes së Kosovës.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency