Dashuria e burrit & Ema Andrea

0
183

komediËshtë një lojë e vështirë ku thyejnë qafën të gjithë, e rrallë ka që ngrihen sërish në këmbë, në përpjekjen shpirtërore si një prognozë: “Të jemi dy, kur jemi një”! Të nxjerrësh nga ky tharm, si një qenie nga brendia e lindjes, e të kërkosh një publik të zgjedhur për të ndjerë të njëjtën gjë, në heshtje, me muzikë të lehtë në sfond – kjo gjë del jashtë kontrollit të poetit. “Dashuria e burrit”, libri i ri poetik, prej 250 krijimesh i poetit Alban Bala ngjan me një burim të pashtershëm të muzës. Disa prej tyre, dje në skenën e Teatrit Kombëtar të Komedisë patën reflektim publik, si fjala ngjis ndjenjën dhe mpreh shqisën për ta perceptuar në një. Një pasqyrë e madhe, vendosur në mes të skenës, e stërmadhe ku publiku sheh veten nën dritë e në hije, dhe poezi që mbarojnë po aty! Dy kolltukë të mëdhenj vendosur në anë të skenës; në një qëndron poeti, veshur me kostum e kollare të kuqe, e në anën tjetër aktorja Ema Andrea, nën fustan të gjatë gri- nëse këto dy pamje na shtyjnë të kemi një imagjinatë raportesh, padyshim do ishin nga më të ftohtat përballë përmbajtjes së tekstit. Pamja duket disi socrealiste, me gjithë mundimin e Emës për ta çliruar poezinë herë pas herë me shkundje flokësh, apo ngritjen e fustanit deri në gju, aty ku mbarojnë çizmet ngjyrë kafe. Padyshim, publiku i lexon të gjitha këto si gjuhë trupi, si shenja që shoqërojnë poezinë përderisa na është sugjeruar një platformë skenikë, e përmbushur me shenjën e fjalës! Në këtë rast, nëse poezia do lidhej sall me prezencën skenike poeti, në instinktin që të jep skena për të luajtur pak aktorin, doli jashtë konturit të leximit, duke ofruar “aktrim”. Skena për të krijuar intimitetin e leximit ashtu si dhe salla padyshim janë shumë të mëdha ku dhe poezia e humbet shkëlqimin. Megjithatë poezia e Alban Balës e mundi gjithë këtë kritikë që po shprehim, sepse potenciali i fjalës ka marrë kulmin në përzgjedhjen e leximeve dje.

Riprojektimi i vetvetes si fuqi e derdhur në një lojë konvencionale, të saponisur, krejtësisht në gjendje të kulluar në shqisën e një lirie të brendshme e ka sublimuar dashurinë. Lirika që reflektojnë maturinë romantike si një nivel që nuk soset nga vlimet shpirtërore që rizgjojnë çdo ditë vatra të reja ndjesish, të cilat s’reshtin së buruari nga krijimi apo nisja nga vendet më të larta deri në derdhjen mbi detin e lexuesve, si pritje.

Vëllimi i ri poetik “Dashuria e burrit”, me të cilin lexuesin e kemi njohur në suplementin letrar “Logos & Art” (gazeta “standard”). Perceptimi figurativ dhe imazhi që krijon poezia e Balës përveçse tingullit të fjalës ka tentativë eksperimentale mbi kuptime të reja. Kalimi nga një proces individual leximi, në një përplasje më te gjerë si duket shndërrohet në një soj sfide për poetin. Ai lexohet në natyrshmërinë e tij, duke besuar në “tingëllimin” e aktores Ema Andrea. Kjo lloj performance nuk është e re për modelin poetik të leximit, por asnjëherë nuk ka arritur të realizojë një traditë.

V. Murati

 

 

Kritikë

 

Në një vjershërim romantik të frenuar!

Te burimi i poezisë së Resul Shabanit. Me rastin e botimit në dy gjuhë të librit “Ëndërr e falur”, “Dijalog”, 2012

Mateja Matevski

Përzgjedhjen e poezisë së Resul Shabanit “Ëndërr e falur”, botuar në përkthim të bukur maqedonisht nga Fatbardha Shehu, Xhevat Gega dhe autori – edhe në gjuhën e origjinalit, shqip, që në kuadër të iniciativës së rëndësishme të botuesit “Dijalog”, bashkë me autorin, sot e nderojmë me mirënjohjen “Dialog midis kulturash”, dialog aq i nevojshëm për kohën që e jetojmë. Këtë na e dëshmon, edhe kësaj radhe, kolegu dhe miku ynë Resuli, i cili, sipas nesh, është ndër poetët më të njohur shqiptarë në Maqedoni dhe i çmuar në mbarë letërsinë shqipe. Përveç opusit krijues të veçantë si poet, prozator dhe autor dramash, neve na mahnit, siç është theksuar, misioni krijues dhe kulturor fisnik i tij si përkthyes, botues, ndërmjetësues në mes të letërsisë maqedonase dhe asaj shqiptare. Po them mision, meqë me dhjetëra veprat e përkthyera dje, sot e nesër, me përkushtim, edhe me kolegë të tjerë maqedonas e shqiptarë, ai e ka zgjeruar fushën civilizuese në këto hapësira.

Frymëzimi poetik i Resul Shabanit, sado personal të jetë dhe shprehje e intimës së tij të ëndrrës dhe ëndërrimit, duke shtegtuar midis ëndrrës dhe zhgjëndrrës, e zbulon kohën e poetit të jetuar dhe atë që e jeton, si dhe ambientin ku është krijuar, është formuar dhe qartësuar qenia dhe përmbajtësimi, ndjeshmëria për to dhe ideja e tij e përfshirë në ligjëratën e tij si poet dhe si njeri.

Lirika e Resul Shabanit lind dhe shfaqet në këtë përzgjedhje, dhe jo vetëm në të, në Liqen, prej burimeve nënujore të tij dhe prej atij uji të madh që e spërkat bregun e jetës së tij, duke vazhduar me ujin e fisnikëruar të Drinit nëpër botë. Gjithçka ëndërrohet dhe shihet në këtë rreth, që në mënyrë të vazhdueshme zgjerohet në imagjinatën e tij dhe në gjuhën e tij, të cilën e modelojnë vetja njerëzore dhe poetike e tij. Në këtë mënyrë ai i bashkëngjitet këngëtimit të poetëve të ujit, frymëzimit të tyre të pashtershëm ndër shekuj, duke ofruar zërin e tij autentik në përjetimin estetik dhe ideor.

Resul Shabani pinë prej ujërave të liqeneve, por pinë dhe këndon në mënyrën e tij personale, duke i ndarë prej tyre ato drithërima, ato nuanca dhe ato ide imanente të intimës së tij, të sensibilitetit dhe gjuhës së tij. Prej tyre çohen dallgë të pandërprera që e zgjojnë shqetësimin e fëmijërisë, të gjithë jetës, duke thurur qasjen polikrome të pjesës së njohjes integrale të pandashmërisë së njeriut dhe natyrës.

Liriku në të, në një vjershërim romantik të frenuar, ia afron lexuesit bregun e tij, shtëpinë e tij, me fshatin, me liqenin dhe Drinin, nëpër të cilin rrjedhin ëndrrat dhe ëndërrimet e ekzistencës. Janë mallëngjyese kumritë e tij, gjelat e tij, shpresat dhe tragjizmi i punës dhe kurbetit, të gjitha të gërshetuara te poezia programatike “Poeti në vizitë”.

Motivet e dashurisë dhe lidhshmëria me shtëpinë, babën, motrën etj., e zgjerojnë vjershërimin e tij edhe në frymëzimin e amshueshëm – të dashurisë ndaj të dashurës. Ka në këtë dashuri edhe dalldi dhe ngazëllim me bukurinë e femrës, por ka, si edhe tek vargjet tjera, edhe një melankoli të lehtë elegjiake dhe reflektim të lënduar. Kjo elegji e prajshme endet tek sugjerimi i vargjeve për kalimtaren, sidomos te poezia “Përsiatje tri ditë para vjeshte”. Shpërthimi i bukurisë së dashurisë dhe dalldisë i bën hije njohjes dhe lidhshmërisë pas asaj që “e mbjell luleborën” në shpirtin e tij të shkretëruar, në vjeshtën e tij të vonuar.

Resul Shabani ëndërron syhapur. Ai i jeton dhe përjeton në kujtesë edhe dhembjen edhe realitetin, edhe helmin e punës dhe kurbetit. Ai përditshmërinë shumë shtresore e sheh edhe përmes ndjeshmërisë së poetit, edhe përmes përvojës së dramatistit, për të cilin në skenë derdhet edhe loja edhe kodrat e jetës në aluzione të qarta përmes ambivalencës së përllogaritur dhe ironisë. Kundrimi i tij është prekës dhe kritik, por njëkohësisht edhe mjekues. Për këtë arsye ka plotësisht të drejtë miku dhe kolegu ynë – kritiku Ali Aliu, kur, duke shkruar për poezinë e Resul Shabanit, flet edhe për ironinë si terapi. Kjo është ironi karshi vetes, karshi ëndrrave, karshi botës siç është. Kjo e pasuron, e aktualizon dhe e fisnikëron një pjesë së vjershërimit të tij.

Lirika e Resul Shabanit me ndjeshmërinë e saj për traditën, në këtë përzgjedhje, e iluminon vëmendjen dhe shqetësimin tonë me triptikun e baladave të habitshme, të mahnitshme, të mrekullueshme: Buzëmbrëmja në liqen, Mesnata në liqen, Agu në liqen. I orkestruar si një poemë simfonike me tri akte, ky triptik është këngë dasme, ngjyer me shqetësimin dhe ngazëllimin jetësor, me drithërimën dhe dramën, si dhe me ekstazën mahnitëse të gëzimit. Të tria pjesët – shkuarja e krushqve për ta marrë nusen; kthimi i tyre me nusen dhe nata e dasmës, bashkë me natën e parë, me finalen e zbardhjes së agimit të pastërtisë dhe ndershmërisë, shndërrohen në oden e bukurisë dhe pjellshmërisë në ripërtëritjen permanente të jetës. Realiteti i ndodhur që del nga përralla dhe nga folklori i gjallë dhe jetëkrijues, por edhe nga libri i fshehtë dhe gjallërues i poetit, me çurgën e pasthirrmave, ritmeve dhe ngjyrave, prej pasazheve dhe metaforave, përmban në vete diçka të moçme, sa shqiptare, aq edhe tonën, ballkanike, mediterane dhe universale në kremtimin e ekzistimit të mitit, ritualit dhe realitetit. Gjithë luhatjen e përjetimit dhe urtësinë e kohëve, njëkohësisht e kanë ndjesinë e diçkaje të pakapshme, jashtë logjikës, të pathënë deri në fund, duke lënë hapësirë për imagjinatën e poezisë dhe lumit përtëritës të jetës. Në këtë poezi është derdhur gjithçka me gjuhën e ritit dhe zakonit në lumin e gjuhës bashkëkohore të këngës. Nuk e njoh aq mirë poezinë e Resul Shabanit, por këtë triptik e përjetoj si kurorë të dhuntisë së tij dhe poezisë. (Përktheu: Gr. Sh.)

 

 

Autobiografia gri e Bashkim Shehut

Duket si e rastësishme që pikërisht dje, në rastin e 22-vjetorit të kujtesës historike, të rrëzimit të bustit të diktatorit, që shënon edhe rënien e sistemit komunist, Bashkim Shehu provon librin e tij, romanin “Loja, shembja e qiellit” – Deri te loja, duket se nuk ka gjë të re, ndërsa pjesa e dytë e titullit të romanit “shembja e qiellit” i referohet një thënieje të konsullit romak, shekulli I para Krishtit). Parafjala e kësaj sentence është “të bëhet drejtësi!” Në këtë kontekst, Shehu tashmë njohur për përpjekjen e tij për të hyrë në letërsi, duke përdorur një histori dhe një autobiografi (formë gati letrare) të At Zef Pllumit shkruan romanin e ri. Ç’është kjo shtytje drejt rikthimit, sërish, të historive të burgut? Vetë autori e shpjegon si “çështje borxhi shpirtëror!” Ka një fashë autobiografie që lidhet mes tre personazheve vetes, bashkëvuajtësit dhe priftit (referenca është At Zef Pllumi). Nga botimet “Toena”, promovimi u bë dje në Muzeun Historik, ku botuesja Irena Toçi e bën vetë edhe kritikun letrar, historianin e letërsisë në rastin konkret në romanin e Shehut shprehet: “Sado e ashpër dhe e padrejtë tregohet jeta me personazhin kryesor, vjen një moment që ai ndërgjegjësohet se frika nga Zoti nga i cili ne qeniet njerëzore kthejmë fytyrën dhe sytë sa herë jemi në hall, mund t’ia bëj pasvdekjen dikujt shumë herë më të tmerrshme sesa ai mund t’ia ketë këtë bërë jetën një sinjeriu tjetër. Ky është ndëshkimi më i arsyeshëm dhe i panjollë që mendja e njeriut ka krijuar në shekuj. Dhe kjo është loja nga e cila rrallëkush mund të shpëtojë… qoftë ky besimtar i ndërgjegjshëm ose jo”. Vetëm po t’i referohemi fragmentit të fundit “besimtar i ndërgjegjshëm”, logjika teologjike del jashtë binarit! Autori i romanit, Bashkim Shehu vuajti burgjet komuniste pasi i ati, Mehmet Shehu u eliminua nga strukturat e diktaturës, në fundin e saj, grahmën. Kjo e ka tronditur pinjollin për ta kundërshtuar dhe reflektuar në distancë krimet që i ati ka bërë. Ky distancim e ka “shpëtuar” shkrimtarin për të mos rënduar mbi të krimet e të atit, ose të paktën të mos perceptohej si i biri i kriminelit më të madh shqiptar në 45 vite diktaturë. Jeta e tij pas ‘90-ës ka qenë krejt e lirë nga mëkati baballar, pavarësisht në duam apo jo të besojmë në hyjnoren, në të shenjtën se mëkati trashëgohet, si çështje e ndëshkimit, apo ndërgjegjeje. Mëkati është e keqja. Komunizmi ishte e keqja. Ishte kundra Zotit. Si shtyllë biblike ku besimtari mbahet për të përcjellë e trashëguar mbretërinë e së mirës. Është një roman i ndërgjegjes, apo një roman i besimit, i kërkimit identitar, të Zotit?!

Nëse kjo biografi lidhet me priftin tashmë të njohur për vuajtjet në burgjet komuniste, si i rezistoi duke na lënë një trashëgimi të kësaj dëshmie përmes librit-rrëfimtar “Rrno për me tregue”, leximi i romanit të Bashkimit Shehut duket se do të jetë për lexuesin me shumë kontradikta, i ftohtë!

V. M.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency