Berisha: Më 23 qershor firmosim fundin e bijve hoxhistë

0
159

Ina Jano

beroFestë madhështore në Qytetin Studenti për të festuar 22-vjetorin e rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës

 

22 vjet nga rrëzimi i bustit të diktatorit Enver hoxha, Kryeministri Berisha deklaroi se 23 qershori do të shënojë edhe fundin e bijve hoxhistë, të cilët duan të qeverisin vendin pas zgjedhjeve parlamentare. “Sot pas 22 vitesh të përmbysjes së diktaturës hoxhiste si në asnjë vend tjetër bijtë e etërve hoxhistë pasi pushtuan kreun e PS-së, guxuan të ndërmarrin përmbysjen me dhunë të pushteti tuaj të dalë nga vota e lirë,. Ato gabuan ne ju themi dhe një herë pushtet me dhunë në këtë tokë nuk do merrni kurrë. Liria dhe mbrojtja e vlerave të saj janë pasioni ynë, forca e pathyeshme e kushtetutës, e ligjeve e votës dhe institucioneve të lirisë. Sot pas 22 vitesh ata me një zemëri të plotë politike përdorin pushtetin që iu kanë besuar zgjedhësit shqiptar për tu ngritur në rrugën e integrimit, murin e turpit, murin e bllokimit”, – deklaroi Berisha. Shefi i qeverisë i bëri thirrje të rinjve dhe shqiptarëve që më 23 qershor të votojnë integrimin në Evropë, për të firmosur fundin e socialistëve. “Përsëri ato gabojnë për të mos gabuar kurrë më. Kësaj radhe me votën tonë do firmosin fundin e tyre, fundin e merituar. Shqiptarët me 23 qershor do të votojnë për integrimin e tyre në Evropë, për liritë dhe të drejtat e tyre, do të votojnë për Shqipërisë e zhvilluar dhe evropiane. Ne jemi ndryshimi, ne do fitojmë për para përpara, përpara, zoti e bekoftë Shqipërinë, shqiptarët dhe demokracinë e tyre… Gëzuar!”, – theksoi Berisha.
Kryeministri i vendit duke iu rikthyer të shkuarës tha se 20 shkurti shënon edhe fitoren e PD-së si një nga forcat më të fuqishme antikomuniste në Evropë. teksa nënvizoi peripecitë që iu desh të kalonte në një vend të shkatërruar më shuam se çdo vend në planet. “20 shkurti shënon gjithashtu ditën në të cilën PD e Shqipërisë, e parë opozitare e vendit, do të organizonte do të realizonte njërën nga fitoret më të mëdha dhe më kulmoret në tërë historinë e saj. Fitore që në 3 muaj jetë do e bënte forcën politike më të fuqishme antikomuniste në Evropë. Dy dekada që kaluam nga 20 shkurti i 91 gjer më sot kanë qenë jo të lehta për ne, përkundrazi, ne jemi përballur me vështirësi të mëdha, vuajtje sakrifica, mangësi dhe gabime, vështirësi jo të vogla, diktatura hoxhiste shkatërroi Shqipërinë dhe qenien e shqiptarit më shume seç e shkatërroi çdo luftë, epidemi apo fatkeqësi natyrore, më shumë se në çdo vend tjetër të planetit”, – u shpreh kreu i ekzekutivit. Ky koncert mblodhi në këtë shesh qindra e mijëra të rinj e të reja, studentë e qytetarë nga Tirana e mbarë Shqipëria, ish-studentë pjesëmarrës në grevën më masive të urisë 22 vjet më parë, për të përkujtuar së bashku këtë ditë të shënuar, simbol të përmbysjes së diktaturës hoxhiste, por edhe për të nderuar ditën kombëtare të kujtesës së martirëve dhe viktimave të sistemit komunist. Në shenjë simbolike, disa të rinj e të reja shembën “murin bllokues të integrimit”, të improvizuar prej tyre në skenën e këtij koncerti, mur i ngritur nga mosvotimi i 3 ligjeve të rëndësishme në parlament, që bllokojnë marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE. Në skenë u ngjitën këngëtarët më të njohur të momentit, si Era Rusi, Xhensila Myrtezaj, Stine, Big Basta etj. Ndërsa të rinjtë të cilët donin të bënin në foto me Kryeministrin, ishin të shumtë aq sa zoti Berisha u detyrua të qëndronte disa minuta në fillim të podiumit për t’i kënaqur të gjithë ata. Ai shoqërohej nga bashkëshortja e tij zonja Liri Berisha, ndërsa nuk mungonin dhe deputetë demokratë Tritan Shehu, Gerti Bogdani, Albana Vokshi, Arenca Trashani, apo ministrat Flamur Noka dhe Genc Pollo. Ndër ata që binin në sy ishte edhe prania e Eduard Seliamit që ka vetëm disa ditë që ndodhet në Tiranë dhe që sipas mediave përflitet se do të jetë një nga kandidatët potencialë në kryeqytet ose në Elbasan, por gjithaq nuk mungonte as kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli.

Kryeministri theksoi se sot, pas 22 vitesh, çdo qytetar i këtij vendi ka shumë arsye të ndihet krenar më shumë se kurrë për zhvillimin e kombit të tij, sepse, nga vendi më i izoluar i planetit, nga vendi i tretë më i varfër i botës, vendi i rrethuar me tela me gjemba, vendi i eksodeve biblike, sot jemi vendi anëtar i NATO-s dhe qytetarë të cilët lëvizim të lirë në mbarë Evropën. “Jemi vendi i zgjedhjeve të lira, i shtetit ligjor, i demokracisë që funksionon. Sistemi i vlerave, sistemi i demokracisë, sistemi i normave dhe i të drejtave, është kryevepra jonë 20 vjeçare. Liria është dhe do të mbetet pasioni i shpirtit tonë”, – nënvizoi Kryeministri Berisha.

 

 

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë viziton sot Tiranën

Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, do të zhvillojë sot një vizitë në Shqipëri. Ministri gjerman kishte parashikuar një vizitë në Tiranë më datën 14 shkurt por ajo u anulua pas një fatkeqësie familjare që shefit të diplomacisë gjermane i ndodhi. Megjithatë duket se ai ka vendosur që vetëm pak ditë më vonë të realizojë vizitën në Shqipëri. Gjatë vizitës së tij në Tiranë, kryediplomati gjerman Westerwelle do të takohet me krerët e lartë të shtetit, Presidentin e Republikës, Bujar Nishani dhe Kryeministrin Sali Berisha. Gjatë takimeve, ai pritet të shprehë mbështetjen e Gjermanisë për integrimin e Shqipërisë dhe marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. Gjithashtu, vizita e ministrit Westerwelle në Tiranë pritet t`i japë një impuls të ri bashkëpunimit midis dy vendeve në të gjitha fushat e në veçanti në atë ekonomike, në mënyrë që të rriten investimet gjermane në vendin tonë.

 

 

Zv.ndihmëssekretari i Shtetit për Evropën Reeker, takim me liderët politikë

Zv.ndihmëssekretari i shtetit për Evropën dhe Euroazinë Reeker do të zhvillojë një vizitë dy ditore në Tiranë. Mësohet se ai do të takohet me krerët më të lartë të shtetit. Axhenda e takimeve të diplomatit amerikan nis ditën e enjte, ku Reeker do të takohet me Ministrin e Jashtëm Edmond Panariti, me të cilin pritet të ketë një diskutim të gjatë të kërkuar nga vetë zv.ndihmëssekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë. Reeker gjithashtu do të takohet edhe me presidentin Bujar Nishani, Kryeministrin Sali Berisha, dhe kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama. Pritet që zhvillimet më të fundit në vend, si dhe zgjedhjet e 23 qershorit, të jenë në fokus të diskutimeve të zyrtarit të lartë amerikan i cili pritet të japë një mesazh të rëndësishëm për politikën shqiptare. Më herët Zv.ndihmëssekretari amerikan i Shtetit është shprehur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin që Shqipëria të zhvillojë zgjedhje të lira e demokratike në 23 qershor. Sipas diplomatit amerikan, Shqipëria e ka rastin t’i dëshmojë jo vetëm bashkësisë ndërkombëtare, por edhe vetë qytetarëve të saj, se është në gjendje të zhvillojë zgjedhje demokratike dhe të lira. Gjithashtu, Reeker është shprehur se SHBA-të janë të shqetësuara për retorikën nacionaliste që dëgjohet nga politikanët në Shqipëri, dhe ka thënë se kjo retorikë devijon fokusin nga çështjet e rëndësishme.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency