Akuza pohon tri provat e krimit, Hoxha mohon vrasjen e Tafës

0
152

Sonja Caka

qaldo hoxhI pandehuri: Nuk e vrava unë Fatbardha Tafën. Avokati: Shenjat në trup, nga dhuna e policisë. Prokuroria kundërshton: Shenjat, nga gërvishtjet e fëmijëve të viktimës dhe vetë asaj, provohen nga ekspertiza

 

“Nuk jam unë autori i vrasjes. Nuk e vrava unë Fatbardha Tafën”. Ky ka qenë deklarimi mohues i Aldo Hoxhës, të pandehurit të akuzuar për vrasjen e ndodhur në fund të ish-Fushës së Aviacionit në gusht të vitit të kaluar, ku humbi jetën Fatbardha Tafa, ndërsa tentohej t’i vidhej nga qafa një varëse floriri. Deklarimi mohues u bë dje në sallën e gjyqit nga i pandehuri, ndërsa avokati i tij që mbron interesat e tij në këtë proces gjyqësor, Arben Qeleshi deklaroi se shenjat që gjendeshin në trupin e klientit të tij ishin shkaktuar nga dhuna e ushtruar prej policisë gjatë dhe pas ndalimit. Por, ky pretendim është kundërshtuar menjëherë nga përfaqësuesi i akuzës, i cili ka deklaruar se shenjat në trupin e Aldo Hoxhës nuk ishin të shkaktuara nga dhuna e policisë, por të lëna gjatë përleshjes mes tij dhe familjarëve të viktimës dhe vetë kësaj të fundit në momentin që po përpiqej t’i këpuste varësen e floririt. Madje, sipas akuzës, shenjat e gjetura në trupin e Hoxhës ishin të njëjta me ato të përshkruara nga fëmijët e motrës së viktimës, të cilët e gërvishtën apo e qëlluan në pjesë të trupit me patina dhe ekspertiza mjekoligjore përcaktoi kohën kur ishin kryer dhe nuk ishin të shkaktuara kohë para ngjarjes. Gjithashtu, avokati i të riut, Arben Qeleshi i tha dje gjykatës se klienti i tij nuk e pranon veprën penale për të cilën akuzohet, duke e argumentuar këtë me faktin se ditën e vrasjes ai nuk ka qenë në Tiranë. Por, sërish ka reaguar prokurori, duke deklaruar se në momentin që është arrestuar nga policia, i pandehuri u gjet i fshehur poshtë krevatit në shtëpinë e dajës. Më tej, trupi gjykues çeli shqyrtimin gjyqësor dhe prokurori lexoi kërkesën për gjykim, ku përshkruheshin qartësisht si dinamika e ngjarjes, momenti i ndalimit të Aldo Hoxhës dhe tri provat që provojnë se është ai një nga autorët e vjedhjes me pasojë vdekjen e një personi. Më 6 mars pritet që seanca të vijojë me pyetjen e dëshmitarëve.

Ngjarja

Sipas akuzës, ngjarja e rëndë ka ndodhur më datë 7.8.2012, rreth orës 19:00. Referuar kërkesës për gjykim, shtetasja Lumturi Gjana me motrën e saj, Fatbardha Tafa, të shoqëruara nga fëmijët e tyre (Miranda Tafa, Ervis Tafa, Mirjan Gjana dhe Yrgin Perzhilla) kanë qenë duke ecur në rrugën “Bab Rexha”, pranë shkollës “Dora Leka”, për të shkuar në lulishten te ish-Fusha e Aviacionit. Drejt tyre ka ardhur një motor i zi, në të cilin udhëtonin dy të rinj. Drejtuesi i motorit mbante në kokë skafandër, ndërsa pasagjeri kishte në kokë kapele. Ky i fundit, Aldo Hoxha, ka zbritur nga motori dhe i është afruar shtetases Fatbardha Tafa, e ka sulmuar për t’i shkëputur varësen që mbante në qafë. Fatbardha, duke qenë më e gjatë se Aldoja dhe e fuqishme fizikisht, ka reaguar, është përleshur me të dhe është munduar të mos ta lëshojë. Aldoja e ka goditur me thikë. Motra e Fatbardhës, Lumturi Gjana, ka ndërhyrë për të ndihmuar motrën. Në ndihmë të Aldos ka ndërhyrë drejtuesi i motorit. Gjatë përleshjes, është goditur me thikë edhe Lumturia. Fatbardha Tafa ka humbur jetën, ndërsa Lumturi Gjana është plagosur.

Akti i ekspertimit, tri provat që çuan te Aldo Hoxha

Aldo Hoxha, njeriu që ekzekutoi me thikë në muajin gusht të vitit të kaluar shtetasen Fatbardha Tafa, është identifikuar si pasojë e gjetjes së njollave të gjakut në kapele, në thua si dhe nga dëshmia e motrës së viktimës, e cila ka mundur ta dallojë Hoxhën mes shumë personave të shoqëruar nga policia e Tiranës. Nga akti i ekspertimit rezulton se në kapelën me ngjyrë jeshile, në pjesën e brendshme të saj dhe në pjesët e anësore të strehës, ka njolla të kuqërreme, si ato të gjakut dhe se, me mikroskop, në kapele u gjet fije floku, e seksit mashkull, me ngjyrë të errët, me gjatësi rreth 2 cm. Gjithashtu nga kapelja në fjalë u fiksuan gjurmë dhe mbetje djerse, që të gjitha objekte ekspertimi, të vlefshme për krahasim. Pas krahasimeve të bëra, ka rezultuar se ato i përkisnin shtetasit Aldo Hoxha, i cili më pas është arrestuar menjëherë nga policia e Tiranës.

Dëshmia, autori me puçrra

Në dëshminë e saj para hetuesve, Lumturi Gjana thotë se ishte rreth 20 vjeç, me fytyrë të gjatë e të hollë. Mirjan Gjana thotë: “Ishte… me fytyrë të imur e me faqe të futura brenda, me mollëza pak të dala, me faqe si të kuqe dhe me disa si tip puçrrash, fliste me zë të trashë”. Në mbështetje të akuzës janë edhe dëmtimet fizike të konstatuara në trupin e Aldo Hoxhës pas shoqërimit në polici, në orën 03:00 të datës 9 gusht 2012, të cilat sipas aktit mjekoligjor janë shkaktuar jo më parë se 48 orë. Në aktin mjekoligjor rezulton se Aldo Hoxha ka konstrukt trupor të rregullt, me gjatësi 169 cm dhe vërehet se 1/3 e mesme laterale e qafës nga ana e majtë, një ekimozë me ngjyrë të kuqe të zbehtë, në trajtë të germës “U”. Një tjetër shenjë e ngjashme, i është vërejtur poshtë qafës, ndërsa disa cm më larg, vërehet një gërvishtje lineare me gjatësi 3.7 centimetra. Në anën e përparme të supit të majtë vërehet një gërvishtje lineare me gjatësi 4 cm. Në kuadratin e sipërm të djathtë të barkut nga ana e djathtë vërehet një dërmishje me ngjyrë të kuqe të zbehtë, me drejtim të pjerrët nga lart poshtë dhe nga e matja në të djathtë drejtvizore me gjatësi 9 cm dhe gjerësi 0.3 cm. Shenja të tjera janë gjetur në shpatullën e majtë, në shpatullën e djathtë, ndërsa ka shenja edhe në ije, ndërsa në gishtin e katërt të dorës së djathtë, në rrënjën e thoit, është vërejtur gjak i mpiksur, i cili nuk zhduket nga fshirja me fashë të lagur. Nga ky akt mjekoligjor rezulton se këto dëmtime janë shkaktuar me mjete të mprehta. Sipas ekspertizës mjekoligjore, as dy ditë pas ngjarjes, shenjat e mësipërme janë shkaktuar jo më parë se 48 orë, nga momenti i ekzaminimit, çka do të thotë se koha e shkaktimit të tyre përkon me kohën kur ka ndodhur ngjarja.

Tafa u vra nga tri goditje

Në aktin mjekoligjor më 13 shtator 2012, thuhet se Fatbardha Tafa kishte konstrukt trupor të rregullt, e gjatë 168 cm. Në anën e jashtme të kufomës u vërejtën plagë prerëse-shpuese, nga të cilat tri plagë depërtuese dhe dy plagë sipërfaqësore si dhe dërmishje, ndërsa në pjesën e brendshme vërejtën: çarje e anës së majtë të lobit të poshtëm të pulmonit, çarje e perikardit, çarje e ventrikulit të majtë, hemorragji-grumbullim gjaku në kraharor. Plagët ishin shkaktuar me mjete të forta prerëse-shpuese, kurse dërmishjet ishin shkaktuar me mjetë të forta mbrehtëse. Këto dëmtime kanë shkaktuar shok të rëndë traumatizo hemorragjik, me pasojë vdekjen. Në aktin mjekoligjor, të gushtit të këtij viti, thuhet se në trupin e Lumturi Gjanës vërehen dy plagë prerëse të lokalizuara në krahun dhe parakrahun e majtë, që kanë dëmtuar lëkurën, muskuj dhe tendina. Këto dëmtime janë shkaktuar me mjet prerës-shpues, siç është thika dhe kategorizohen si dëmtime që shkaktojnë humbje të aftësisë në punë në masën mbi nënte ditë pushim.

Autori harroi kapelën

Autorët e krimit janë larguar në panik, pa mundur të marrin kapelen e Aldos, që mbeti në vendngjarje. Këtë kapele e ka gjetur, 30-40 cm larg një pellgu me gjak. Sanie Ahmetaj, banore e shtëpisë pranë vendngjarjes, që doli nga shtëpia, pas thirrjes për ndihmë të familjarëve të viktimës, e futi kapelen në shtëpi, ku e mori Yrgin Perzhilla (nipi i viktimës). Ky iu drejtua një polici për t’ia dorëzuar, por ai s’e ka pasur mendjen dhe kapelja mbeti në makinën ku kishte hipur për të shkuar në spital. Luan Gjana, bashkëshorti i Lumturi Gjanës, dhe kunati i viktimës, Fatbardha Tafa, pas marrjes dijeni nga e bija, Miranda, për çka kishte ndodhur, ka shkuar në vendngjarje, ka marrë fëmijët dhe ka shkuar në Spitalin Ushtarak, te të dëmtuarat. Në makinë ka gjetur një kapele me ngjyrë jeshile të errët, me njolla. Pasi u sigurua se nuk ishte e familjarëve të tij dhe se atë e kishte lënë në makinë Yrgin Perzhila, djali i kunatit, e ka dorëzuar në polici, ku është sekuestruar me cilësinë e provës materiale. Të pranishmit okularë në vendngjarje, Lumturi Gjana, Mirjan Gjana, Yrgin Perzhilla, Ervis Tafa kanë deklaruar se pasagjeri në motor kishte në kokë kapele, kurse drejtuesi i motorit kishte skafandër. Pyetjes se kush oshte personi me kapele në kokë i përgjigjet dhe identifikohet nga akti i ekspertimit i muajit gusht të këtij vitit rezulton se në kapelën me ngjyrë jeshile, në pjesën e brendshme të saj dhe në pjesët e anësore të strehës ka njolla të kuqërreme, si ato të gjakut; dhe se, me mikroskop, në kapele u gjet fije floku, e seksit mashkull, me ngjyrë të errët, me gjatësi rreth 2 cm. Gjithashtu nga kapelja në fjalë u fiksuan gjurmë dhe mbetje djerse, që të gjitha objekte ekspertimi, të vlefshme për krahasim.

 

Durrës

Mungesa e avokatit dështon dëshminë e ekspertëve në gjyqin e Xhakes

Mungesa e avokatit Ilia Ilia është bërë për dështimin e dëshmisë së tre ekspertëve balistikë lidhur me vrasjen e Qerim Malokut, për të cilën akuzohet i pandehurit Ilir Xhakja. Të gjendur përballë një situate të tillë prej më tepër se dy seancash, trupa gjyqësore vendosi të shtynte gjyqin, por ndërkohë një seancë më vonë të vendoste edhe zëvendësimin e avokatit që mbron të pandehurin, përkatësisht Ilia Ilias, duke caktuar një avokat kryesisht, me qëllim që të mos pengohet më tej zhvillimi i gjyqit. Kërkesa për zëvendësim të avokatit Ilia është bërë me kërkesë të përfaqësuesit të akuzës, me argumentin se mbrojtësi ligjor i Xhakes është bërë disa herë shkak për shtyrjen e procesit gjyqësor dhe zëvendësimi i tij do sjellë ecurinë e këtij gjyqi. Pas kësaj kërkesë, relatori i çështjes Petraq Dhimitri e hodhi poshtë kërkesën e prokurorit, duke u shprehur se zëvendësimi i avokatit mbrojtës do të bëhet vetëm pasi ky i fundit të vihet në dijeni, pasi është zgjedhur me vullnetin e vetë të pandehurit. Gjykata bëri të ditur se avokatit mbrojtës Ilia Ilia do t’i dërgohet një letër, ku do të njoftohet për zëvendësimin e tij dhe në 7 mars do të vendoset cili do jetë avokati kryesisht që do mbrojë këtë të pandehur. Procesi gjyqësor ndodhet në fazën e dëshmisë së ekspertëve balistikë Ardi Cakrani, Ardian Durani dhe Lirian Avrami. Këta ekspertë janë caktuar nga gjykata për të kryer për herë të tretë analizën balistike të provave që akuzojnë Xhaken, si autor të vrasjes së Malokut. Deri më tani ka pasur konkluzione kontradiktore mes ekspertizave balistike të kryera, ndaj armëve të përdorura nga Xhakja në vrasjen e Qerim Malokut. Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare disa seanca më parë, Prokuroria ka kërkuar dënimin me 24 vite burg për të pandehurin, ndërkohë që në vitin 2002 trupa gjyqësore e kryesuar nga gjyqtari Neritan Tabaku i dha pafajësinë Ilir Xhakjas për këtë krim. Vrasja e Qerim Malokut ka ndodhur në ‘98-ën në vendin e quajtur Katund-Sukth.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency