Vrasja makabre e ish-agjentit të SHISH-it, hetimi tek Krimet e Rënda

0
161

 Elton Qyno

afgjengtiVdekja e nëndrejtorit të Kundërzbulimit Isa Çopa klasifikohet si vrasje për shkak të detyrës

Llalla, takim me krerët e SHISH-it, kërkon ndihmë për zbardhjen e vrasjes së kolegut të tyre në 2011

 

Rihapet dosja e ish-agjentit të Shërbimit Informativ Shqiptar në Durrës, Isa Çopa, i cili u gjet i vdekur në 26 shtator 2011 në makinën e tij tip “Opel Corsa”. Pas më shumë se 1 vit e gjysmë hetime, Prokuroria e Durrësit është “dorëzuar” dhe tashmë hetimet rreth kësaj ngjarjeje do të zhvillohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Vendimi për kalimin e dosjes në këtë prokurori është marrë pas konkluzioneve të ekspertëve të policisë dhe prokurorisë se Isa Çopa është ekzekutuar për shkak të detyrës. Një dyshim të tillë e ka konfirmuar dhe ekspertiza e kryer në një laborator, në Mynih të Gjermanisë, e cila ka konfirmuar se fillimisht nëndrejtori i SHISH-it në Durrës, është qëlluar me sende të forta në kokë nga persona ende të paidentifikuar. Pas kësaj, trupi në gjendje letargjie është futur brenda në makinë, ku viktimës i është prerë gjuha dhe më pas persona ende të paidentifikuar, e kanë qëlluar poshtë mjekrës. Goditja me armë është bërë nga dora e viktimës, pasi persona ende të paidentifikuar kanë futur pistoletën e shërbimit në dorën e tij dhe më pas kanë bërë një qitje të vetme. Ky konkluzion ka bërë që hetuesit të klasifikojnë pas një vit e gjysmë vdekjen e Isa Çopës si një vrasje për shkak të detyrës dhe jo si një vetëvrasje, siç u paraqit në fillim ngjarja e rëndë. Nisur nga kjo situatë Prokuroria e Durrësit ka shpallur moskompetencën dhe se prej të gjithë materialet hetimore rreth kësaj çështjeje i janë referuar për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Hetime edhe SHISH

Zbardhja e vrasjes së ish-agjentit të SHISH-it në vendin e quajtur Currila të Durrësit ka bërë që për fatin e hetimeve të kësaj çështjeje të interesohet personalisht prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Gjatë këtyre ditëve, Llalla ka marrë kontakte me disa nga drejtuesit e Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Policisë së Shtetit, ku ka zhvilluar me ta një analizë mbi provat e administruara deri në këtë periudhë në dosje. Në fund të diskutimit, kryeprokurori Llalla, ka kërkuar informacione shtesë nga zyrtarët e SHISH, dhe sigurimin e të dhënave operative dhe provave të tjera, që mund të zbardhin vrasjen makabre të ish-agjentit Isa Çopa. Lidhur me këtë çështje, disa ditë pas vrasjes së Çopës, SHISH ka refuzuar të japë informacione rreth punës dhe detyrave të drejtorit të kundërzbulimit, ndërkohë që pas takimit me kryeprokurorin e ri, drejtuesit e këtij institucioni kanë pranuar të bashkëpunojnë me qëllim hedhjen dritë mbi vrasjen e 49-vjeçarit, që kishte rreth 11 vite karrierë në Shërbimin Informativ Shtetëror. Sipas Policisë së Durrësit në atë kohë u deklarua se viktima kishte marrë një bidon pesë litërsh me benzinë dhe pak përpara se t’i jepte fund jetës Isa Çopa, i kishte dërguar një mesazh lamtumire djalit të tij, duke i kërkuar që të kujdesej për familjen në ditët në vijim. Në muajin shtator 2011, kohë kur ndodhi dhe ngjarja policia deklaroi se të dhënat paraprake i çonin hetuesit tek dyshimet për një vetëvrasje, ndërsa me sa duket ka mundësi që përgjigjja e laboratorit të Gjermanisë, ka konfirmuar dyshimet për vrasje, që rrallë u pohuan me zë të lartë nga prokuroria por edhe nga policia e Shtetit.

Dyshime për futje në kurth

Tashmë ajo që do jetë në fokusin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda është ripyetja e personave që kanë dijeni rreth ngjarjes së rëndë të regjistruar në Durrës. Sipas burimeve të prokurorisë, të parët që do të pyeten janë familjarët e viktimës, si bashkëshortja, djali dhe vëllai i tij. Veç kësaj në listë janë dhe shumë persona të tjerë, mes tyre kolegë të Isa Çopës dhe persona që kanë parë për herë të fundit viktimën. Dyshimet e prokurorisë, janë se Isa Çopa mund të jetë nxjerrë në pritë nga persona të tjerë, dhe më pas është takuar me individë që mund të kenë pasur konflikte personale ose me detyrën. Mirëpo për shkak se asgjë nuk dihet rreth këtij takimi të mistershëm, të zhvilluar në zonën e Currilave në Durrës, Prokuroria e Krimeve të Rënda do të pyesë dhjetëra persona. Ndërkohë që dosja hetimore do të “ushqehet” edhe me informacione operative që do të mbërrijnë nga Shërbimi Informativ Shtetëror, të cilët do të kryejnë kërkime operative mbi skenarët e vrasjes së kolegut të tyre Isa Çopa. Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, janë ngritur vetëm dyshime, por që prej 1 viti e gjysmë asnjë personave përgjegjës nuk është arritur të zbulohet.

 

 

Skerdilajd Konomi u vra në qendër të Vlorës

Vrasja e gjyqtarit Konomi, zgjohet akuza

rihetim dosjes pas 1 viti e gjysmë

 

Kryeprokurori Adriatik Llalla ka dhënë shumë shpresa se dosja e vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi do t’i nënshtrohet një hetimi të hollësishëm, duke punuar ngushtë me Drejtorinë e Policisë së Vlorës dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Llalla, gjatë një takimi me Presidentin Bujar Nishani, mësohet se ka deklaruar se organi i prokurorisë, ka rihapur hetimet me qëllim zbardhjen e atentatit mafioz të gjyqtarit të Vlorës Skerdilajd Konomi. Ky i fundit u ekzekutua në 9 shtator 2011, teksa ishte duke ecur me makinën e tij tip “Mercedes-Benz”, në bulevardin qendror të Vlorës. Poshtë sediljes së Konomit, ishte vendosur një sasi prej 500 gramë tritol, duke e aktivizuar atë me telefon në një distancë të largët. Shpërthimi ka ndodhur në qendër të Vlorës, teksa gjyqtari Konomi ishte duke ecur për të shkuar në gjykatë. E gjithë skenë është parë nga qindra banorë të Vlorës, ndërkohë që ngjarja e rëndë është filmuar nga dhjetëra kamera të televizioneve, të cilat kanë qenë shumë afër me vendin e shpërthimit. Lidhur me këtë ngjarje, policia dhe prokuroria ngritën dyshime se vrasja ka ndodhur për shkak të konflikteve me pronat në Hamallaj të Durrësit.

 

Përqendrim hetimesh edhe për vrasjen e deputetit

Kryeprokurori: Rihetim dosjes “Xhindi”,

të rivlerësohen të gjitha provat e mbledhura

 

Në qendër të vëmendjes së kryeprokurorit Llalla gjatë këtyre ditëve mësohet se ka qenë dhe dosja e ish-deputetit të Partisë Socialiste Fatmir Xhindi, i vrarë me breshëri kallashnikovi në derën e shtëpisë së tij në Roskovec. Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, ku ka mbetur i vdekur deputeti Xhindi, Llalla, ka kërkuar rihapjen e hetimeve dhe rivlerësimin e edhe një herë të provave hetimore, duke bërë që më pas të kërkohen marrja në pyetje e personave të tjerë, si dhe të individëve të dyshuar rreth këtij krimi të rëndë që tronditi vendin në 3 maj të vitit 2009. Deputeti 49-vjeçar Fatmir Xhindi, ka qenë duke u kthyer rreth orës 21:45 nga fshati Kurjan i rrethit Fier ku ka qenë në vite kryetar komune, për në banesën e tij, në qytetin e Roskovecit. Pikërisht kur po i afrohej shtëpisë përdhese dykatëshe, fare afër portës hyrëse, është përballur me plumbat fatale. Mendohet se të paktën një person, ka hapur zjarr në drejtim të Xhindit, duke i shkaktuar plagë të shumta në trup. Nga këqyrja e kufomës së deputetit, është konstatuar se Xhindi ka marrë në trup 6 plumba.

 

Po nxirrte skrap

Shembet soleta, vdes nën gërmadha 18-vjeçari

 

Trupi i pajetë i një 18-vjeçari është gjetur ditën e martë nën rrënojat e ish-uzinës së superfosfatit në Laç. Adoleshenti, i cili u identifikua nga policia si Gjin Gjini, 18 vjeç, u gjet nën rrënojat e uzinës nga kalimtarë të rastit që lajmëruan menjëherë policinë. Dyshohet se djali ka humbur jetën pasi është zënë poshtë nga rrënojat e uzinës, teksa ishte duke mbledhur skrap. Policia ka mbërritur në vendngjarje duke bërë të mundur nxjerrjen e trupit të pajetë pas tre orësh kërkime nën rrënojat e ish-uzinës së superfosfatit. Mbi trupin e Gjin Gjinit kishin rënë disa tonelata rrënojash, gjë e cila bëri vështirësimin e nxjerrjes së trupit të 18-vjeçarit. Ata që kanë nxjerrë trupin kanë qenë efektivat e Forcave Speciale, të cilët të ndihmuar edhe me disa mjete për pastrimin e inerteve kanë mundësuar nxjerrjen në sipërfaqe të trupit të pajetë.

 

Ngjarja në mëngjes

Shkodër, eksploziv makinës së efektivit të policisë

 

Eksploziv makinës së një punonjësi të policisë së Pukës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në lagjen “Skënderbeg” në Shkodër, ku një sasi eksplozivi është vendosur në makinën e efektivit të policisë së Pukës, Pavlo Vuksani. Mësohet se automjeti ishte parkuar pranë banesës së efektivit të policisë dhe fatmirësisht nga shpërthimi nuk ka pasur të lënduar, përveçse dëmeve materiale. Momentalisht mbeten ende të paqarta shkaqet dhe autorët e krimit, ndërkohë që policia po punon për të zbardhur ngjarjen e rëndë. Lidhur me këtë ngjarje policia nuk përjashton pistën që shpërthimi të ketë lidhje me detyrën e pronarit të automjetit, i cili është efektiv policie në Pukë. Gjatë ditës së djeshme Vuksani është marrë në pyetje ku ka deklaruar rreth asaj që kishte dijeni dhe ndonjë konflikti që mund të ketë pasur me persona të ndryshëm, për shkak të detyrës, por dhe jo vetëm.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency