Statistikat: Bankat e mëdha frenojnë kredidhënien

0
151

Ervin Kaduku

krediaSipas të dhënave nga Shoqata e Bankave, shtesa e stokut të huasë për Raiffesisen, BKT dhe Credins në 2012-ën ka qenë vetëm 11.3 miliardë lekë, rreth 7 herë më e vogël se në 2011-ën

 

Bankat kryesore në vend për sa i përket huadhënies: Raiffeisen, BKT, Credins kanë ulur ndjeshëm ritmet përgjatë 2012-ës, ndryshe nga viti 2011, kur ato udhëhoqën kreditimin e ekonomisë. Stafetën e kanë marrë bankat e mesme dhe të vogla, të cilat kanë qenë më aktive në dhënien e kredive në 2012-n. Sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave, shtesa e stokut të huasë për Raiffesisen, BKT dhe Credins në 2012-ën ka qenë vetëm 11.3 miliardë lekë, rreth 7 herë më e vogël se në 2011-ën, kur kredia e shtuar për ekonominë vetëm nga këto tre banka ishte 72 miliardë lekë. Ecurinë më të dobët e ka pasur Raiffeisen, e cila pothuajse nuk e ka rritur fare portofolin e kredisë, në një kohë që vetëm nj vit më parë kjo bankë zinte vendin e parë në huadhënien për ekonominë me 27 miliardë lekë hua të shtuar. Banka, në 9 muajt e parë të vitit u tërhoq si nga kreditimi i ekonomisë, ashtu dhe investimi në bono thesari, si rrjedhojë e kërkesës së bankës-mëmë për të ulur investimet që konsiderohen me rrezik.

Edhe BKT dhe Credins i kanë ngadalësuar ndjeshëm ritmet, duke shënuar rritje tri herë më të ulët në 2012-ën, në krahasim me një vit më parë.

Pavarësisht rënies, BKT mbetet banka që ka rritur më shumë kredinë në sistem, e ndjekur nga Societe Generale dhe Credins.

Intesa San Paolo, ndonëse është banka e tretë më e madhe në vend përsa i përket aktiveve, ka ulur stokun e huadhënies.

Portofolin e kredisë kanë vazhduar që ta reduktojnë bankat greke, Alpha, Tirana Bank dhe NBG, banka këto që dikur kanë qenë mjaft aktive në huadhënie.

 

Statistikat

Sipas Shoqatës shqiptare të Bankave, në fund të tremujorit të katërt 2012, aktivet e sistemit bankar arritën në 1,18 miliardë lekë, ose rreth 0.1 për qind më të ulëta nga fundi i tremujorit të kaluar. Në terma vjetor bilanci i bankave ka shënuar rritje prej rreth 6 për qind. Me gjithë ngadalësimin e ritmeve të zgjerimit të kredisë, në muajin dhjetor është vënë re një rënie në kreditë me probleme, të cilat arritën në 22.5 për qind të totalit, krahasuar me 23 për qind në fund të muajit nëntor 2012, ndërkohë që bankat mbeten të përfshira në plotësimin e nevojave për financim të sektorit privat.

Totali i depozitave të vendosura pranë bankave, në fund të tremujorit të katërt 2012, arriti rreth 991,7 miliardë lekë, me një rritje vjetore rreth 7.3 për qind. Kjo rritje u mbështet kryesisht nga depozitat e individëve të cilat janë rritur me 8.9 për qind në krahasim me një vit më parë, dukë ruajtur tendencën e tyre rritëse edhe përgjatë tremujorit të fundit.

Gjatë vitit të kaluar janë shtuar transaksionet me karta me funksion pagese (debiti dhe krediti), të cilat ishin në fund dhjetorit 2012 rreth 7.7 për qind më të larta se në dhjetorin 2011 në nivel numri transaksionesh dhe 4.7 për qind më të larta në nivel vlere të transaksioneve.

 

 

Dialogu i menaxhimit në tatime, shërbime cilësore ndaj subjekteve, përmbushje më e lartë vullnetare

Spahija: Objektivi nuk është që të dënohen tatimpaguesit për evazion fiskal

Ervin Kaduku

 

Drejtues e menaxherë rajonalë të administratës tatimore po marrin pjesë për herë të parë në një dialog të gjerë me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve mbi dokumentet strategjike të saj, planet operacionale dhe risitë që sjellin. Në këto diskutime ka marrë pjesë drejtori i përgjithshëm i DPT-së, Gazmir Spahija dhe drejtues të lartë të administratës.

Gjatë muajit janar 2013, drejtori i Përgjithshëm Spahija miratoi planin operacional për vitin 2013, si një dokument orientues të realizimit të objektivave strategjikë të administratës tatimore për vitet 2012-2015. Ky dokument drejton vëmendjen e punonjësve të administratës në ngritjen e nivelit të shërbimeve ndaj tatimpaguesve, për të rritur sa më shumë numrin e përmbushësve vullnetarë të detyrimeve ligjore, reduktimit të shmangies fiskale, përpjekjeve më të mëdha në realizimin e objektivave të vendosura nga qeveria shqiptare.

Ai vazhdon një reformim të brendshëm të administratës, në përshtatjen e metodave të saj të punës me rritjen e përmbushjes vullnetare të detyrimeve nga tatimpaguesit. Vizionet e reja dhe eksperiencat e grumbulluara kanë krijuar premisa për rezultate më të mira nga viti në vit. Sa më shumë shërbime, sa më shumë informim dhe asistencë ndaj tatimpaguesve të ofrohet, po aq nivel më të lartë përmbushjeje do të kemi.

 

Investimet

Drejtori Spahija foli për investimet e mëdha të qeverisë shqiptare për modernizimin e administratës tatimore gjatë viteve të fundit. Ai vuri në dukje përpjekjet e ndërmarra nga DPT-ja për përmirësimin e shërbimeve për tatimpaguesit, duke përfshirë rritjen e shërbimeve elektronike të tatimeve, ngritjen e sistemit të denoncimit nga qytetarët të korrupsionit tatimor dhe evazionit fiskal, ngritjen e Qendrave të Shërbimit ndaj Tatimpaguesve, përdorimin e mjeteve moderne në komunikimin me tatimpaguesit, për t’u ulur koston administrative atyre e duke shmangur sa më shumë kontaktet me ta.

Spahija përmendi gjithashtu forcimin e zbatimit të ligjit tatimor përmes përdorimit të analizës së riskut në përzgjedhjen e kontrolleve tatimore dhe përmirësimeve në mbledhjen e tatimeve dhe hetimin e krimit tatimor. Investimet në teknologjinë e informacionit, për të forcuar përdorimin e analizës së riskut në përzgjedhjen e saktë të tatimpaguesve apo sektorëve të ekonomisë që kanë tendenca risku në shmangien nga detyrimi i tyre ligjor, ka larguar së tepërmi përzgjedhjen individuale të përdorur më parë. Kontrollet po konceptohen gjithnjë e më shumë si një mjet i Administratës për të garantuar zbatueshmërinë e qytetarisë fiskale.

“Objektivi nuk është që të dënohen tatimpaguesit për evazion fiskal”, – tha Spahija, “por që të financohet qeveria në përputhje me ligjin, në një mënyrë të tillë që siguron kushte të barabarta për të gjitha bizneset në treg. Ky synim mund të realizohet përmes përmbushjes vullnetare të detyrimeve tatimore. Ne dënojmë individët për evazion fiskal me qëllim që të ndikojmë dhe të motivojmë të gjithë tatimpaguesit që t’i plotësojnë vullnetarisht detyrimet e tyre tatimore”.

Dialogu i menaxhimit do të vazhdojë në ditët në vijim edhe me drejtues e menaxhere të tjerë rajonalë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency