Familja e drogës, bie në pranga gruaja e trafikantit të hashashit

0
194

Elton Qyno

burguLaura Sheko tentoi të fuste drogë në burgun 313, ku ndodhet burri Arben Shtëmbari dhe vëllai Martin Sheko

 

Pas arrestimit të burrit dhe vëllait për trafik droge drejt shtetit italian, një 29-vjeçare nga Vlora ka ndjekur rrugën e tyre, duke rënë në burg, pasi u kap me drogë nga policia e Tiranës. Nëna e dy fëmijëve, Laura Sheko, është kapur me disa gramë marijuanë teksa ishte duke futur rroba në burgun e sigurisë së lartë 313, veshje këto që ishin adresuar tek të arrestuarit Arben Shtëmbari, që është burri i 29-vjeçares dhe Martin Shekos, që është vëllai i saj. Arrestimi i Laura Shekos është bërë paraditen e djeshme në ambientet e burgut 313, ku 29-vjeçarja ishte paraqitur për të takuar bashkëshortin e saj Arben Shtëmbari, person ky që njihen si i forti i lagjes Çole në Vlorë. Veç këtij takimi, Sheko do të zhvillonte dhe një takim me vëllain saj, Martin Sheko, të cilit i kishte sjellë dhe veshmbathje për t’u ndërruar. Sipas burimeve të policisë në burgun 313, gruaja mbante një çantë sportive dhe brenda saj ishin vendosur veshmbathje për bashkëshortin dhe vëllain e saj, të cilët janë izoluar në burg për akuzën e “Trafikimit të narkotikëve”. Teksa 29-vjeçarja ka dorëzuar çantën tek efektivët e kontrollit, ka rezultuar se mes disa mbathjeve janë konstatuar qese të vogla, të mbushura me një lëndë të ngjashme me atë të marijuanës. Nisur nga kjo situatë, policia ka bërë arrestimin e menjëhershëm të 29-vjeçares Laura Sheko, ndërkohë që gjatë vijimit të kontrollit në rroba, janë konstatuar edhe disa qese të tjera në disa palë mbathje burrash. Të gjitha rrobat së bashku me çantën janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërkohë është bërë dhe arrestimi i Laura Shekos.

Shtëmbari, trafik në burg

Edhe pse është mbyllur në një burg të sigurisë së lartë, pas arrestimit të tentativës së trafikut prej 200 kg marijuanë drejt Italisë, i forti i lagjes Çole në Vlorë, Arben Shtëmbari, nuk ka hequr dorë nga trafikimi i lëndëve narkotike. Shtëmbari ka zgjedhur ambientet e burgut 313, për të bërë tregti droge, ku duke shfrytëzuar bashkëshorten dhe kunatin e tij, ka guxuar të sfidojë masat e sigurisë së burgut, duke tentuar të fusë lëndën narkotike në qelinë e tij. Sapo droga të mbërrinte në qeli, një skemë e shpikur nga vetë ai dhe kunati i tij, Martin Sheko, do të shpërndahej tek qelitë e të dënuarve, të cilët ishin të interesuar për blerjen e mallit. Mirëpo një plan i tillë duket se nuk ka shkuar sipas parashikimeve, pasi gardianët e burgut 313 kanë arritur të bllokojnë sasinë e drogës, që në kontrollin e parë, duke mos lejuar që lënda narkotike të hyjë në ambientet e brendshme të burgut. Nisur nga kjo situatë, është parandaluar një tregti me e mundshme e drogës, nëpër qelitë e personave të arrestuar për vepra të ndryshme penale. Arben Shtëmbari, sipas burimeve të prokurorisë, është një nga krerët e një bande italo-shqiptare, që kryente trafikun e drogës me gomone nga Vlora në drejtim të Italisë. Shtëmbari është arrestuar së bashku me katër persona të tjerë, në tentativë për trafikimin e 200 kg drogë, ndërkohë që pas disa ditë më parë në pranga ka rënë dhe kunati i tij Martin Sheko. Mirëpo një javë pas këtij arrestimi në prangat e policisë ka rënë dhe gruaja e Shtëmbarit,e cila ashtu si bashkëshorti dhe vëllai i saj është kapur me drogë, duke çuar në tre numrin e të arrestuarve, brenda të njëjtës familje.

Hetim në gjendje të lirë

Menjëherë pas arrestimit të 29-vjeçares Laura Sheko, ajo është transportuar në drejtim të Drejtorisë së Policisë Tiranë. Pas disa orësh qëndrimi në këtë institucion, nëna e dy fëmijëve është marrë në pyetje rreth tentativës së futjes së drogës në burgun e sigurisë së lartë 313. Vetë 29-vjeçarja nuk ka pranuar të bashkëpunojë me policinë dhe prokurorinë, duke pohuar se çdo dëshmi do ta jepte në prani të një përfaqësuesi ligjor. Pas marrjes së kësaj deklarate, Prokuroria e Tiranës ka urdhëruar lirimin e saj, për shkak të kujdestarisë së dy fëmijëve të mitur, që ka në Vlorë. Hetimet rreth saj, sipas Prokurorisë së Tiranës, do të vijojnë në gjendje të lirë për akuzën e “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.

 

Tre

Një javë pas këtij arrestimi në prangat e policisë ka rënë dhe gruaja e Shtëmbarit, e cila ashtu si bashkëshorti dhe vëllai i saj është kapur me drogë, duke çuar në tre numrin e të arrestuarve, brenda të njëjtës familje.

 

 

 

 

Dosja “21 Janari”

Çardaku: U befasova nga prokuroria, s’kam manipuluar prova

 

Eksperti Ndoc Çardaku ka hedhur poshtë akuzat e prokurorisë dhe opozitës për manipulim të provave të dosjes “21 Janari”. Në një dalje publike, ai është shprehur se ka mbetur i befasuar kur është njohur me apelimin e Prokurorisë së Tiranës drejtuar Gjykatës së Apelit, ku ai rezultonte me emër dhe mbiemër për manipulimin e provave. “Kjo është një nga gjërat më të rënda që mund t’i bëhet jo vetëm një eksperti, por çdo personi publik. Rrethimi i vendit të ngjarjes dhe izolimi i saj bëhet deri në momentin që grupi i hetimit të vijë në vendin e ngjarjes. Në këto kushte, një ekspert që manipulon provat nuk meriton të jetë ekspert. Pretendimi i akuzës në këtë rast është një flluskë në tymnajë dhe nuk ka asgjë të vërtetë. Ekspertët e Institutit të Policisë Shkencore vihen në veprim për të ekzaminuar një provë materiale me një vendim të ardhur nga organi i gjykatës, prokurorisë dhe që në atë moment eksperti vihet në veprim për ekzaminimin e provës”, – është shprehur Çardaku.

 

Zjarr në Tiranë

Shpëton mrekullisht fëmija i mitur në banesë

 

Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë në katin e pestë të një apartamenti në zonën e “Ali Demit” në kryeqytet. Në momentin e rënies së zjarrit, në banesë ndodhej një fëmijë, i cili fatmirësisht është nxjerrë nga fqinjët, të cilët lajmëruan edhe forcat zjarrfikëse. Në vendngjarje mbërritën 4 automjete zjarrfikëse, të cilat lokalizuan dhe më pas arritën të shuanin flakët, ndonëse ndërhyrja ishte e vështirë, për shkak të lartësisë së madhe. Shkak për zjarrin mendohet të ketë qenë një pajisje ngrohëse e harruar nga familjarët në apartament. Kanë qenë fqinjët që janë larguar të parët nga ndërtesa dhe më pas policia dhe zjarrfikëset evakuuan të gjitha apartamentet e tjera të pallatit. Nga rënia e zjarrit ka pasur vetëm dëme materiale, ndërkohë që fatmirësisht është nxjerrë nga banesa fëmija i mitur. Shërbimi zjarrfikës bëri me dije se ndonjë shkëndije elektrike ka provokuar rënien e zjarrit brenda ambienteve të shtëpisë.

 

Ngjarja në Vlorë

E moshuara hidhet nga kati i tetë, vuante nga depresioni

 

Një grua 73-vjeçare i ka dhënë fund jetës, duke u hedhur nga kati i tetë i pallatit ku banonte në Vlorë. Ngjarja ka ndodhur në zonën e Skelës, në lagjen “Pavarësia”. Viktima Menekshe Zotaj është gjetur nga policia e pajetë sipër një kamionçine të parkuar në brendësi të bllokut të pallateve të qendrës “Riviera”. Sipas informacioneve paraprake, besohet se e moshuara ka qenë vetëm në apartamentin e saj në momentin që ka kryer vetëvrasjen. Dyshohet se 73-vjeçarja vuante nga depresioni. Pikërisht kjo sëmundje e ka bërë të moshuarën të merrte vendimin ekstrem, duke u hedhur nga një lartësi dhjetëra metra. Dëshmitarët i thanë policisë se kishin dëgjuar një goditje të fortë mbi një makinë dhe kanë dalë në ballkon të shihnin se çfarë kishte ndodhur. Mirëpo kur kanë hedhur vështrimin poshtë, kanë parë mbi makinë trupin e pajetë të së moshuarës.

 

 

Ngjarja tek “Irfan Tomini”, pyetet pronari i argjendarisë

Grabitet gjysmë kg flori në argjendari

autorët në kërkim, sekuestrohen filmimet

 

Një person i armatosur ka arritur të grabisë nga një argjendari rreth gjysmë kilogrami flori dhe më pas është larguar me shpejtësi, pa mundur të arrestohet nga policia e Tiranës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në rrugën “Irfan Tomini”, kur një person ka hyrë me shumë shpejtësi në ambientet e një argjendarie dhe prej andej ka detyruar shitësen të mbushë një qese me bizhuteri dhe unaza floriri. Personi që në kokë mbante një kapelë me strehë të gjatë, është ndihmuar edhe nga një individ tjetër, ku menjëherë sapo ka dalë nga argjendaria ata janë larguar me një motor, nëpër rrugicat e lagjes. Rreth kësaj grabitjeje është njoftuar menjëherë policia e Tiranës, ku patrullat “Shqiponja” kanë shkuar me shpejtësi në vendin e krimit. Shitësja e argjendarisë i tha policisë se ishte një person i vetëm që i kishte drejtuar pistoletën dhe nën kërcënimin e armës, ajo ka hapur banakun, ku ndodheshin bizhuteritë e floririt. Lidhur me këtë ngjarje të rëndë në pyetje është marrë edhe pronari i argjendarisë, Klodian Jaçe, i cili u ka treguar efektivëve të policisë se është tepër i tronditur nga ajo që kishte ndodhur dhe se nuk kishte asnjë dyshim mbi personat që kryen grabitjen e rreth 400 gramë flori. Në pyetje është marrë dhe shitësja e argjendarisë, e cila mësohet se ka dhënë detaje rreth veshjes, gjatësisë dhe fytyrës së autorëve të kësaj grabitjeje. Për të hedhur më tepër dritë, policia e Tiranës ka sekuestruar edhe pamjet filmike të kamerave të argjendarisë, me shpresën e filmimit të ngjarjes dhe zbulimit të autorit të kësaj grabitjeje. Policia e kryeqytetit ka bërë shoqërimin e disa personave si të dyshuar të grabitjes dhe më pas sërish ata janë lënë të lirë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency