Debati në grup, përplasen Rama-Dogjani, deputeti: Nuk je i pazëvendësueshëm si kryetar

0
135

Gëzim Saliu

grupi socialistDogjani, Ramës: Po shkatërron strukturat e PS-së, kreu socialist: Nuk u kam bërë presion anëtarëve

 

Debate të forta janë zhvilluar në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar socialist, ku kreu i PS-së, Edi Rama, ka replikuar ashpër me deputetin e qarkut të Kukësit Asllan Dogjani. Në qendër të debatit mes Ramës dhe Dogjanit ishin konfliktet e fundit të ndodhura në qarkun e Kukësit për shkak të shkarkimit të fundit që kryesocialisti i bëri kreut të degës të këtij rrethi, proces i cili sipas deputetit është kryer pa marrë më parë mendimin e strukturave të partisë. Debati i zhvilluar me dyer të mbyllura, pas daljes së gazetarëve nga salla e mbledhjes së grupit parlamentar, ka arritur kulmin kur deputeti Dogjani në replikë e sipër me Ramën i ka thënë në sy të të gjithë deputetëve të tjerë socialistë se nuk është i pazëvendësueshëm në postin e kryetarit të PS-së.

 

Debati

Pas fjalës së hapur për mediat të kryesocialistit, mbledhja e grupit parlamentar është përqendruar kryesisht tek problematika e lindur në qarkun e Kukësit, ku deputeti socialist i këtij qarku Asllan Dogjani ka kërkuar përgjigje nga Rama lidhur me kërkesën e 250 anëtarëve të degës së PS-së, të cilët kundërshtonin emërimin e fundit për kryetarin e rrethit. Mësohet se deputeti i Kukësit ka akuzuar Ramën duke u shprehur: “Me ndërhyrjet po shkatërron strukturat e partisë. Po ndërmerr emërime dhe shkarkime brenda PS-së pa u konsultuar me strukturat e partisë”. Nga ana e tij, lideri socialist ka reaguar ndaj akuzave të deputetit, duke bërë të ditur para grupit parlamentar se nuk ka bërë asnjë lloj presioni anëtarëve socialistë të qarkut të Kukësit. Ndërkohë lidhur me emërimin dhe ndërhyrjen e tij në procesin e zgjedhjes së krerëve të degëve, Rama i tha deputetit Dogjani se këtë të drejtë ia ka dhënë grupi i strategjisë së komunikimit. “Për këtë çështje jam konsultuar edhe me Gramozin dhe Klosin”, – mësohet të jetë shprehur kreu socialist. Por Dogjani duke këmbëngulur në shqetësimin e tij, në bazë të të cilit qëndron anashkalimi i strukturave të partisë dhe emërimi individual, ka theksuar domosdoshmërinë e anulimit të vendimit të kreut të PS-së. Gjithashtu, deputeti socialist i qarkut të Kukësit e ka akuzuar kreun e selisë rozë se ndërhyrjet e tij kanë arritur deri aty sa ka pasur edhe kërcënime direkte drejtuar socialistëve të këtij qarkum, akuzë që është hedhur poshtë nga Rama. Debati ka arritur kulmin në kohën që deputeti Dogjani në replikë e sipër me kryesocialistin i ka thënë drejtpërdrejtë në prani të kolegevë të grupit parlamentar socialist: “Nuk je i pazëvendësueshëm në postin e kryetarit të PS-së”. Menjëherë pas debateve me Dogjanin, mësohet se Rama është larguar nga mbledhja e grupit parlamentar. Konflikti mes deputetit socialist Asllan Dogjani dhe një pjese jo të vogël të anëtarësisë së PS-së në qarkun e Kukësit me kreun socialist ka lindur vetëm pak ditë më parë, kur nëpërmjet një letre drejtuar Ramës, 250 anëtarë të degës socialiste të këtij qarku kanë kërkuar të anulohet vendimi i liderit të opozitës, i cili ka shkaktuar kreun aktual të PS-së, Ylber Durakun dhe ka emëruar ish-kryetarin e mëparshëm Skënder Ahmeti. Në letrën e tyre, anëtarësia socialiste e cilësonte emërimin e Ramës si një proces që bie ndesh me demokracinë e brendshme të partisë Socialiste dhe me statutin e saj. “Sa herë janë kërkuar në protesta e demonstrata, socialistët e Kukësit kanë të gatshëm ndërsa kur vendoset për kryetarin e partisë atyre nuk iu merret mendimi. Ne Anëtarët e Partisë Socialiste të rrethit Kukës kërkojmë që të rishikohet edhe njëherë vendimi për emërimin e Skënder Ahmetit në krye të partisë Socialiste të rrethit Kukës. Ne nuk kërkojmë më shumë sesa na takon me statutin e Partisë Socialiste dhe rregullat e Demokracisë”, – theksonin në letrën e tyre anëtarët e PS-së së qarkut të Kukësit.

 

Rama: Ekonomia në rrënim

Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, kreu socialist Edi Rama e përqendroi fjalën e tij tek ekonomia, ku sipas tij modeli ekonomik ka shkaktuar rrënimin e vendit. Përmes një analize të të dhënave fiskale për korporatat, individët dhe biznesin e vogël, Rama tha se pretendimi se futja e taksës së sheshtë e ka bërë transparent dhe më të efektshëm administrimin nuk qëndron. “Sot biznesi i vogël është në gjendje kolapsi. Ka dhe dy shifra shumë domethënëse, që janë dy shifra që flasin më shumë se çdo fjalim që mund të bëjmë për gjendjen ekonomike dhe për trendin e rritjes sipas qeverisë dhe të rënies sipas nesh. Koncepti i krizës dhe koncepti i recesionit si koncepte që përdoren sot në botën e zhvilluar, janë shumë relative për ekonominë shqiptare. Kjo është më shumë sesa një krizë ciklike, ky është më shumë sesa një recesion që vjen si pasojë e një krize ciklike. Kjo është pasqyra e shterimit të një modeli ekonomik zhvillimi, që sigurisht, përkon edhe me dallgët e një krize ekonomike që është më e gjerë sesa territori i Shqipërisë”, – u shpreh Rama. Në këtë kontekst, kreu i selisë rozë nënvizoi se është e domosdoshme që t’i hiqet taksa biznesit të vogël. “Sepse çdo muaj që kalon përkon me një rrënim që për shumë biznese të vogla, që janë praktikisht mjedise familjare vetëpunësimi, të jetë një rrënim i pakthyeshëm. E, nëse llogarisim rënien e xhiros me 285 milionë dollarë në një vit tek biznesi i vogël, kombinuar me rritjen e borxheve apo të numrit të njerëzve në librat e veresies në dyqanet e ushqimoreve, që shkojnë rreth 150 milionë euro, jemi në kushtet kur ekonomia reale është në një gropë thithëse që e tërheq gjithmonë e më poshtë”, – pohoi kryesocialisti.

 

Bashkimi i shqiptarëve, kreu i PS-së: Një botë që nuk ekziston më

Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama e ka konsideruar idenë e bashkimit të shqiptarëve si të pamundur. Në një intervistë dhënë për “Radio Radicale” me gazetarin Artur Nura, Rama theksoi: “Unë besoj që ne jetojmë në një bote e cila është krejtësisht e ndryshme me veten edhe të 10 viteve më parë jo më… kështu që nevojitet të shihet e ardhmja duke kërkuar të kuptohen instrumentet me të cilat duhet vepruar në boten ku jetojmë. Kjo do të thotë që vizioni dhe instrumentet e një periudhe historike kur e ardhmja e shqiptareve shihej tek Shqipëria e Madhe nuk ka më hapësirë, apo mundësi të aktualizohet. Bota ku jetojmë është e re dhe sigurisht që e ardhmja na ofron mundësi të reja dhe nuk duhet të harrojmë që jemi në një botë të re e cila nuk është bota e 100 viteve më parë apo 10 viteve më parë”. Ndërkohë i pyetur lidhur me retorikën nacionaliste dhe për Kombin shqiptar që jeton në pesë shtete rajonale, kreu socialist pohoi se projekti imagjinar për bashkimin e shqiptarëve nuk do të ndodhë. “Shqipëria nuk është i vetmi Komb që jeton në disa shtete,ka edhe kombe të tjerë, por të imagjinosh një projekt që ti bashkojë këto pesë “copash”… në një gjë të “shkëlqyer” që të jep drithërima…sepse është ajo që thashë më parë që të kthehesh shumë mbrapa për të parë një botë që nuk ekziston më! Sot shqiptarët janë përpara një sfide të madhe që është Integrimi Evropian në një botë që ndryshon çdo ditë. Ndaj duhet të veprojmë e mendojmë sipas kësaj bote që po jetojmë pa rënë në kurthet e një nacionalizmi jashtë loje”, – theksoi Rama.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency