A po zhvendoset Italia djathtas?

0
136

 

 

romaVarfëria, papunësia në rritje dhe degradimi i politikës tradicionale: kushtet më të mira për një radikalizim politik. Më 24 dhe 25 shkurt, në Itali zhvillohen zgjedhje, sepse edhe qeveria “teknokrate” e Mario Montit nuk arriti ta bindte Parlamentin italian që të mbështesë kursin e reformave.

Në vitin 2012 prodhimi ekonomik i Italisë ra në mënyrë të vazhdueshme dhe parashikimet dhe statistikat e ISTAT-it për vitin 2013 nuk janë shumë optimiste. Pasiguria politike tashmë po ndikon negativisht edhe tek çmimet e aksioneve.

Numri i të huajve që jetojnë në Itali u rrit në vitin 2011 me 7.9 për qind. Megjithatë përqindja e të huajve në kuadrin e popullsisë së përgjithshme është vetëm 7.5 për qind. Shumica e emigrantëve – 86.5 për qind – jetojnë në pjesën veriore të Italisë, ku gjenden qendrat ekonomike. Aty kanë më shumë simpatizantë edhe partitë populiste të krahut të djathtë si Lega Nord.

 

E djathta e re e Evropës

Në verën e vitit 2012 gazeta italiane me prirje të majtë “La Repubblica” botoi një studim mbi “ekstremizimin e ri të djathtë” në Evropë. Autorët vërejnë një rritje të numrit të anëtarësimeve tek partitë ekstremiste të djathta. Megjithëse parti të tilla fitojnë sipas gazetarit Paolo Berizzi pak vota, “idetë që përhapin këto parti po depërtojnë madje edhe në mesin e votuesve që kanë votuar dikur për partitë e krahut të majtë”.

Think-tank-u britanik Demos përshkruan në një raport se lëvizjet ekstremiste të të djathta në vende të ndryshme evropiane po lidhen gjithnjë e më tepër me njëra-tjetrën. Për të fituar popullaritet këto parti përqendrohen me vetëdije në tema të caktuara – të tilla si gjendja e punëtorëve në zonën industriale të Italisë Veriore, që kanë mbetur pa punë – thotë raporti i Demos. Kjo bëhet shpesh në kurriz të së majtës tradicionale.

“Qëndrimet raciste dhe antisemitike që karakterizonin më parë ekstremistët e djathtë, i takojnë së kaluarës”, – thotë raporti i Demos. “Në vendin e tyre theksi vihet tek kultura dhe vlerat që po rrezikohen prej emigracionit në rritje dhe islamit evropian, që konsiderohen si kërcënime kulturore”.

 

Specifika italiane

Kështu vepron edhe Lega Nord. Dhe pikërisht kjo parti e bën kaq të veçantë edhe të djathtën italiane. Lega Nord, e cila e quan veten populiste dhe separatiste, nuk është ndonjë parti e vogël e cila vepron disi në hije, por një parti që është prej vitesh në qendër të politikës italiane. Në dy qeveritë e fundit nën drejtimin e Berlusconit, Lega Nord drejtonte bashkë me partinë konservatore të Berlusconit ” Popolo della Libertà” (PDL).

Kreu i ri i Lega Nord, Roberto Maroni, kërkon të bëhet kryeministër i ri i rajonit të Lombardisë. Maroni është bashkuar përsëri me Silvio Berlusconin, për të arritur në parlamentin kombëtar një shumicë të krahut të djathtë.

James Waltson, profesor në Universitetin Amerikan në Romë, nuk beson se Berlusconi do t’i fitojë zgjedhjet këtë herë. Megjithatë, ai mund ta “destabilizojë Parlamentin në mënyrë të tillë që fituesi të mos mund të qeverisë”.

Thirrjet raciste në kor në stadiumet italiane ekspertët i shikojnë jo vetëm si një shenjë injorance, por edhe zemërimi dhe konstatojnë një dhunë në rritje në shumë pjesë të shoqërisë italiane. Për shkak të injorancës dhe të konfuzionit të politikës italiane, ekstremistët e krahut të djathtë janë në rrugën më të mirë për të marrë mesfushën e politikës, kanë frikë vëzhguesit politikë. /DW/

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency