Prag-divorci me gruan, ekzekuton vjehrrin dhe vjehrrën

0
159

Sonja Caka

policia-vendngjarje_copy_6Tragjedia në Kuçovë, pas refuzimit të gruas për t’u kthyer në familjen bashkëhsortore. Dhëndërri Riza Latifi nga Fieri vret prindërit e gruas, rëndë edhe bashkëshortja. Policia në kërkim të 58-vjeçarit

 

Ende pa u shuar jehona e krimit të rëndë brenda familjes në Peshkopia, ku nuset vrasin vjehrrën, një tragjedi e rëndë ka pllakosur mëngjesin e djeshëm në familjen Muço në Kuçovë. Dhëndërri ka qëlluar me armë zjarri vjehrrin, vjehrrën dhe gruan dhe më pas është larguar me shpejtësi nga banesa private ku jetonin prindërit e gruas së tij. Shkak dyshohet të jetë bërë kërkesa për divorc e vajzës së viktimave Rexhep e Vasilika Muço, e cila pas 20 vitesh martesë kishte vendosur t’i jepte fund asaj duke u larguar nga banesa. Pas krimit, autori Riza Latifi nga Levani i Fierit është larguar bashkë me armën e krimit, duke lënë pas dy viktima dhe gruan e tij të plagosur rëndë dhe në luftë me vdekjen në spitalin e Beratit. Menjëherë në banesën e familjes Muça ka shkuar policia, e cila ka konstatuar se gjendje para një viktime dhe dy grave të plagosura rëndë, njëra prej të cilave ndërroi jetë në spital, ndërsa tjetra vazhdon luftën mes jetës dhe vdekjes.

Konflikti

Krimi i rëndë, bilanci i të cilit është tragjik, dy të vdekur dhe një e plagosur rëndë, ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në lagjen “Llukan Prifti”. Sipas burimeve zyrtare policore, mësohet se Riza Latifaj, 58 vjeç, banor i fshatit Levan në rrethin e Fierit, rreth orës 08.45 të mëngjesit të djeshëm, ka mbërritur në banesën e prindërve të gruas së tij në përpjekje për të biseduar me gruan e tij Ëngjëllushe Muço dhe familjarët e saj, ku 48-vjeçarja jetonte pas largimit nga shtëpia e bashkëshortit. Mësohet se autori i ngjarjes së rëndë ka shkuar me qëllim që të kthejë pranë familjes gruan e tij, e cila kishte dy muaj që nuk jetonte më me të pas zënkave të vazhdueshme. Por, duket se nuk ia ka dalë pasi Ëngjëllushja ka qenë e vendosur për të mos u kthyer më pas dhe ka refuzuar kthimin në Levan, ashtu siç kishte bëra edhe tri ditë më parë. Pas këtij refuzimi, duke pasur mjaft debate mes tyre, Riza Latifaj mësohet ka humbur krejtësisht logjikën dhe ka nisur të grindet edhe me dy prindërit e saj Rexhep dhe Vasilika Muço, përkatësisht  67 dhe 65 vjeç, të cilët dyshohet t’i kenë kërkuar të largohet nga banesa. Të dy prindërit bëhet me dije se i kanë dalë në mbrojtje vajzës, duke mos pranuar që ajo të kthehej në banesën e bashkëshortit dhe ky i fundit ka nisur të grindet me të tre familjarët Muço. Në grindje e sipër mësohet se në vendin e ngjarjes është përdorur një armë automatike kallashnikov me të cilën i dyshuari si autor i krimit ka kërcënuar fillimisht familjarët.

Ngjarja

Mes Riza Latifit dhe bashkëshortes së tij kanë nisur debate të ashpra, duke detyruar prindërit e kësaj të fundit të ndërhyjnë duke i dalë në mbrojtje vajzës. Pasi është gjendur përballë këtij refuzimi dhe i dalë krejt jashtë logjike, Latifi ia ka drejtuar armën tip kallashnikov që mbante me vete bashkëshortes së tij, ndërkohë që në mbrojtje i kanë dalë babai dhe nëna e saj. Pasi ka parë mbrojtjen që prindërit i kanë bërë vajzës, Latifi ka shkrepur armën duke qëlluar në pjesën e barkut Vasilika Muçon, ndërkohë që ka ndërhyrë menjëherë bashkëshorti i saj dhe vet vajza. Ngjarja duket se ka marrë përmasa dhe më të mëdha sepse, në përpjekje për t’i larguar armën nga dora dhëndërrit ka ngelur viktimë dhe Rexhep Muço. Në përleshje mes tyre mësohet se janë përdorur mjete të mprehta, mjete të rastit, pasi viktima mësohet se ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërkohë që e plagosur rëndë ka ngelur dhe vajza e familjes dhe bashkëshortja e autorit, Ëngjëllushe. Pasi ka shkaktuar vrasjen e vjehrrit dhe plagosjet, bëhet me dije se autori është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, ndërkohë që ende nuk ka rënë në duart e policisë. Ndërkohë, burime policore bëjën me dije se i pari që ka shkuar në vendngjarje ka qenë një nga tri djemtë e viktimave. Sapo ka hyrë në banesë, ai ka gjetur të vdekur babanë e tij, dhe të plagosura rëndë nënën dhe motrën. Me ndihmën e banorëve të lagjes është bërë transportimi i të plagosurave drejt spitalit të Beratit. Burime nga Reparti i Kirurgjisë bënë me dije se Vasilika Muço është paraqitur me një plagë të rëndë në bark, shkaktuar me armë zjarri. Ajo i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale, por nuk ka mundur të mbijetojë si pasojë e plagës dhe hemoragjisë së shkaktuar. Ndërkohë që në gjendje të rëndë vazhdon të jetë vajza e saj Ëngjëllushe Muço. Sipas mjekëve, ajo ndodhet ende në gjendje kritike për jetën, pasi ka marrë një plagë të rëndë me armë të ftohtë, thikë. Gruaja i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale dhe ende ndodhet në gjendje kritike për jetën.

Hetimi

Pas marrjes së njoftimit për ngjarjen e rëndë, drejt banesës së familjes Muço në lagjen “Llukan Prifti” kanë mbërritur menjëherë ekspertët e policisë, të cilët nisën hetimet e para për zbardhjen e tragjedisë së ndodhur në këtë familje. Në banesën e familjes Muço është gjetur trupi pa jetë i kryefamiljarit, i cili i është nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore për të përcaktuar shkaqet e vdekjes. Nga hetimet e para rezulton se ai kish marrë shumë plagë në pjesë të ndryshme të trupit, çfarë i ka shkaktuar dhe vdekjen. Grupi hetimor ka marrë në pyetje edhe të afërmit dhe familjarë të tjerë të viktimave. Gjithashtu, në pyetje janë marrë edhe fqinj të familjes, të cilët kanë dëgjuar grindjen apo dhe kanë parë autorin kur ka hyrë apo është larguar nga banesa. Ndërkohë, nga marrja në pyetje e dëshmitarëve dhe hetimet e para, policia po heton në pistën e një grindje për shkak të divorcit të vajzës së familjes me autorin. Kjo e fundit mësohet se prej dy muajsh ishte larguar nga banesa e bashkëshortit dhe kishte jetuar tek vëllezërit në Greqi. Ditët e fundit pas kthimit nga Greqia ajo mësohet se nuk kishte shkuar më në shtëpinë e saj pranë bashkëshortit në Levan, por në atë të prindërve.

 

Çifti Latifi, pas 20 vitesh martesë në prag-divorci

Çifti Riza Latifi dhe Ëngjëllushe Muço mësohet se kishin rreth 20 vjet martesë dhe prej 2 muajsh ndodheshin në prag të divorcit. Nga bashkëjetesa shumëvjeçare mësohet se çifti nuk kishte fëmijë, ndërsa vitet e fundit në martesën e tyre kishte shumë grindje dhe debate, çka e çuan gruan e familjes të largohej për të prindërit për t’i dhënë fund bashkëjetesës. Fillimisht, Ëngjëllushe Muço kishte shkuar te vëllezërit në Greqi dhe pas dy muajsh qëndrimi në shtetin helen, ajo disa ditë më parë ishte kthyer në Kuçovë te prindërit, mëse e bindur për prishjen e martesës. Pasi ka mësuar për kthimin e saj në Shqipëri, autori është nisur drejt banesës së prindërve të gruas, ku gjendej dhe kjo e fundit dhe është përpjekur ta rikthejë pranë banesës në Levan të shoqen. Por, ka hasur në refuzimin e kësaj të fundit, e cila i ka thënë se çdo gjë ka marrë fund dhe do vazhdonte procedurat e divorcit. Biseda e parë është bërë tri ditë më parë dhe duke mos arritur në bindjen e gruas, Riza Latifi ka marrë prapë rrugën drejt Kuçovës mëngjesin e djeshëm, por kësaj here për ta marrë me dhunë me vete bashkëshorten, duke u pajisur edhe me një armë tip kallashnikov. Pasi nuk ka arritur ta bindë edhe ditën e djeshme, 58-vjeçari ka qëlluar me armë zjarri për vdekje vjehrrin dhe vjehrrën, si dhe ka plagosur rëndë të shoqen dhe më pas është larguar nga vendngjarja. Mësohet se mes tij dhe viktimave ka pasur një përleshje, pasi janë përdorur arma e zjarrit, armë të ftohta dhe një lëndë plasëse, e cila është shpërthyer. Policia e Beratit ka mobilizuar gjithë strukturat e saj për kapjen e autorit të ngjarjes, por ende nuk ka rënë në gjurmët e tij.

 

Precedenti

Nuset vranë vjehrrën, i hodhën vaj të nxehtë në vesh

Një e moshuar ka qëndruar e groposur tri ditë me radhë në stallën e lopëve, pasi është vrarë dhe më pas varrosur nga dy nuset e djemve të saj. Ngjarja e paprecedentë, që ka regjistruar krimin horror të radhës, është shënuar në zonën e Peshkopisë, pikërisht në fshatin Hatesh të Komunës Luzni. Konfliktet mes nuses dhe vjehrrës, për ndarjen e parave, kanë regjistruar krimin e radhës në familje, ku mësohet se 66-vjeçarja Naime Skuka është keqtrajtuar nga nusja e saj Xhemile Skuka, 25 vjeçe, e cila, pasi e ka rrahur, ka vendosur ta lidhë të moshuarën dhe më pas t’i hedhë vaj të nxehtë në vesh, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme të vjehrrës. Pas kryerjes së krimit të rëndë, 25-vjeçarja Xhemile Skuka, së bashku me kunatën e saj, 23-vjeçaren Hike Skuka, kanë vendosur të hapin një gropë në stallën e lopëve, duke e hedhur kufomën e 66-vjeçares brenda në të dhe më pas e kanë mbuluar me dhé. Për tri ditë me radhë, trupi i pajetë i të moshuarës ka qëndruar i mbuluar në stallën e lopëve, duke qëndruar poshtë këmbëve të këtyre të fundit. Kur asnjë person i fshatit nuk dinte rreth asaj që kishte ndodhur, fill pas tri ditësh, nusja e madhe e shtëpisë ka vendosur të tregojë në policinë e Dibrës, ku edhe është dorëzuar. Më pas, një grup hetimor ka shkuar në vendngjarje ku kanë nxjerrë trupin e pajetë të së moshuarës nga stalla e lopëve, ndërkohë që bashkë me autoren e krimit, policia ka arrestuar si bashkëpunëtore edhe 23-vjeçaren Hike Skura. Mësohet se policia u ka komunikuar akuzat dy nuseve, atë të vrasjes së vjehrrës së tyre.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency