Bashkiaku rrahu me karrige ndërtuesin akuza pushon hetimin ndaj Hasan Halilit

0
141

Elton Qyno

hasaniEkspertimi mjekoligjor shpëton nga ndjekja penale kryetarin e Bashkisë së Kukësit Halili. Zbardhet argumenti i akuzës

Kryebashkiaku qëlloi në zyrën e gjyqtares Rezarta Balliu biznesmenin Muhamet Dalaçi. Akuza: Çështja të ndiqet civilisht

 

 

Pushohet hetimi ndaj kryetarit të Bashkisë së Kukësit, Hasan Halili, i cili në muajin shtator të vitit të kaluar ka keqtrajtuar me grushte dhe me karrige biznesmenin Muhamet Dalaçi. Konflikti nuk ka ndodhur në rrugë, por pikërisht në zyrën e gjyqtares Rezarta Balliu, ku mes kryetarit të Bashkisë Kukës dhe shtetasit Dalaçi ka lindur një debat rreth argumenteve që jepnin lidhur me një proces gjyqësor ku palët ishin përfshirë në një konflikt. Ka qenë prokurori Gjergji Tako ai që ka mbyllur dosjen në ngarkim të kryebashkiakut, duke e argumentuar se nga goditja e bërë nga Halili ndaj biznesmenit Dalaçi nuk janë shkaktuar dëme trupore që mund të ndiqen penalisht. Sipas prokurorisë, këto dëme mund të ndiqen vetëm në mënyrë civile nga vetë i keqtrajtuari, duke hapur një proces civil në gjykatë. Nisur nga kjo situatë, prokuroria ka marrë vendimin për mosfillimin e procedimit penal, duke bërë që kryebashkiaku i Kukësit të dalë pa u lagur nga keqtrajtimi që i bëri Muhamet Dalaçit, pikërisht në zyrën e gjyqtares së Tiranës Rezarta Balliu. Ndërkohë që pasi është njohur me vendimin, kallëzuesi Muhamet Dalaçi ka bërë ankim në gjykatë duke kërkuar prishjen e vendimit dhe kthimin e çështjes për hetime të mëtejshme duke pretenduar që vendimi i prokurorit është i paarsyetuar,ka shtrembërim të fakteve. Arsyetimit i mungojnë tërësisht shkaqet që sollën pasojën e ushtrimit të dhunës fizike ndaj tij, e cila mund ti kushtonte jetën. Nuk ka asnjë rast të parashikuar në ligj që gjyqtarë apo prokurorë të mbrojnë të paditur civilë që konsumojnë vepra penale në dëm të individit dhe të buxhetit të shtetit duke shpërdoruar detyrën dhe fondet publike. Mirëpo pas shqyrtimit të ankimimit në gjykatë, ka qenë gjyqtarja Ankelina Gazidede, ajo që ka pushuar përfundimisht kallëzimin e bërë nga biznesmeni Muhamet Dalaçi.

Vendimi i plotë                  

Gjatë seancës gjyqësore prokurori i çështjes Gjergji Tako kërkoi lënien në fuqi të vendimit duke argumentuar se: prokurori nuk kryen veprime kur konstaton se çështja nuk është në kompetence të saj, në rastin konkret siç është arsyetuar në vendim kjo çështje  është në kompetencë të gjykatës në bazë të nenit 59 të K.Pr.Penale,është çështje qe ndiqet drejtpërdrejtë në gjykatë. Në rastin konkret mbi bazën e vendimit te marrë nga policia gjyqësore për ekzaminimin e nga mjeku ligjor të të dëmtuarit Muhamet nga ana e mjekut ligjor është kryer ekzaminimi dhe ka rezultuar se dëmtimet e shkaktuara nga dhuna e ushtruar nga shtetasi Hasan Halili ndaj tij hyjnë në kategorinë e atyre të pa rëndësishme pra hyjnë në kategorinë e rrahjes. Në këto rrethana prokurori në respektim të ligjit dhe të drejtave që i jep K.Pr.Penale neni 59 i ka sugjeruar të dëmtuarit t’i drejtohet gjykatës, duke vendosur mos fillimin e procedimit penal. Ankuesi bëri një interpretim sipas tij të vendimit të prokurorit dhe nuk sqaroi se çfarë veprime nuk janë kryer pasi në rastin konkret ligji nuk e lejon prokurorin të kryej veprime të mëtejshme. Gjykata në analizë të provave, shpjegimeve të palëve në proces e në zbatim të ligjit arrin në konkluzionin se kërkesa e bërë nga Muhamet Dalaçi duhet të rrezohet si e pambështetur në prova e në ligj me arsyetimin si më poshtë vijon: U provua se i dëmtuari Muhamet Dalaçi ka bërë kallëzim ndaj shtetasit Hasan Halili, duke kallëzuar faktin se ky fundit e ka gjuajtur atë me mjete të forta karrige në pjesë të ndryshme të trupit, kokë krahë etj,në zyrën e gjyqtares Rezarta Balliu pasi ai ka një proces gjyqësor kundër Bashkisë Kukës, MASH, M. Financave, Drejtoria e Thesarit dhe zyrës së bankës Botërore.

Ekspertimi mjekoligjor

Nga akti mjeko ligjor dt. 21.9.2012 me nr 1204 ka rezultuar se tek shtetasi Muhamet Dalaçi u konstatuan një ekimozë në anën e majtë të ballit, një dërmishje në ballë djathtas, një gërvishtje në anën e djathtë të mjekrës, një hematomë në buzën e poshtme matjas, një ekimozë në krahun e majtë si dhe një ekimozë në anën e djathtë të gjoksit .Këto dëmtime janë shkaktuar me mjet të fortë mbretës, dhe nuk kanë qenë të rrezikshme për jetën në momentin e shkaktimit te tyre, në vetvete ato hyjnë në kategorinë e atyre dëmtimeve të cilat nuk sjellin për pasojë humbje të aftësisë së përkohshme për punë,rrahjeve. Në bazë të nenit 59/1 të K.Pr.Penale vepra penale e rrahjes e parashikuar nga neni 90 i K.Penal ndiqet kryesisht me ankim të palës së dëmtuar drejtpërdrejt në gjykatë, dhe prokuroria e rrethit Tiranë nuk mund të vazhdojë hetimin për këtë lloj vepre penale , për rrjedhojë me të drejtë organi i prokurorisë, pasi është njohur me materialin e paraqitur nga komisariati i policisë nr. 2 Tiranë, ka vendosur mosfillimin e procedimit penal në bazë të nenit 290/1/e të K.Pr.Penale. Ndodhur në këto kushte ankimi i bërë nga ankuesi Muhamet Dalaçi nuk qëndron, për rrjedhojë ai duhet rrëzuar dhe vendimi i prokurorit duhet të lihet në fuqi pasi është marrë në përputhje me provat dhe ligjin.

 

Dalaçi: Kryebashkiaku i Kukësit tentoi të bënte vjedhje nga Thesari

Konflikti për misterin e 51 milionë lekëve të

derdhura nga bashkia në llogarinë e Muhamet Dalaçit

 

Vetë biznesmeni Dalaçi ka paditur kryetarin e Bashkisë Kukës në Gjykatën e Tiranës, duke e akuzuar këtë të fundit për abuzim me detyrën, pasi siç pretendon Muhamet Dalaçi, në llogarinë e tij janë hedhur dy herë radhazi një  shumë prej 51 milionë lekë të vjetra. Këto para ishin hedhur nga Bashkia Kukës, me vendim të kryebashkiakut Hasan Halili, i cili sipas Dalaçit merrte shumat financiare nga buxheti i shtetit dhe më pas I kalonte ato tek llogaritë bankare të Dalaçit, duke e justifikuar me pagesat e një projekti rikonstruksioni të një gjimnazi “Bajram Curri” në Kukës. Shuma financiare është transferuar dy herë në llogarinë bankare të Dalaçit, por ky i fundit nuk ka pranuar t’i marrë këto para për shkak se ato nuk kanë qenë të tijat dhe se nuk kishte kryer asnjë projekt shtesë, nga i cili priste të paguhej. I vetmi projekt ka qenë ai i vitit 2008, për të cilin Muhamet Dalaçi është paguar me 19.5 milionë lekë të vjetra nga ana e bashkisë së Kukësit, ndërsa dy derdhjet e tjera sipas tij kanë qenë pirateske me qëllim vjedhjen nga ana e kryetarit të Bashkisë së Kukësit, Hasan Halilaj. Kjo çështje jo vetëm që aktualisht po gjykohet në Gjykatën e Tiranës, por pak kohë më parë dosja ka qenë e regjistruar në prokurorinë e Kukësit, ku me një vendim ende të paqartë procedimi penal është pushuar, duke lënë sërish të hapur konfliktin mes projektuesit Muhamet Dalaçi dhe kryebashkiakut Hasan Halilaj. Mirëpo teksa, procesi gjyqësor zhvillohej në gjykatë, në një seancë, kryebashkiaku ka dalë jashtë kontrollit, duke qëlluar me grushte dhe karrige në sy të gjyqtares Rezarta Balliu, biznesmenin Dalaçi. Pas kësaj kryebashkiaku është larguar në drejtim të paditur, duke mos u arrestuar nga ana e policisë. Sipas biznesmenit me bashkinë Kukës, ka pasur një kontratë në vitin 2008, për hartim projekti për zgjerimin e shkollës “Bajram Curri” në Kukës. Kontrata është lidhur në mars 2008 dhe se projekti është dorëzuar në afat në muajin Prill 2008, ndërsa likuidimi i faturave të mia është bërë në dy këste dhe se likuidimi total ka ndodhur në muajin Tetor të vitit 2008, pra procesi kontraktor mes palëve është mbyllur dhe vlera e kontratës ka qenë 19.5 milionë lekë. Mbas këtij afati Dalaçi nuk ka pasur asnjë lloj marrëdhënie kontraktore me bashkinë Kukës, ndërsa në datën 20 dhjetor 2010 Bashkia Kukës në llogarinë e tij në “Union Bank” ka kredituar shumën prej 25.5 milionë lekë të vjetra me emërtimin “Hartim projekti shkollë”.Për veç projektit të cituar më lart për shkollën “Bajram Curri”, ai nuk kam bërë asnjë projekt tjetër dhe se nuk ka bërë asnjë projekt tjetër me bashkinë. Sipas tij kjo pagesë është bërë duke, falsifikuar dokumentet e tij të vitit 2008, pasi ai nuk kam asnjë kontratë për ndonjë shkollë pa emër për shumën 25.5 milion lekë të vjetra. Pas kësaj Dalaçi ka folur me kryetarin e bashkisë dhe shefin e financës së Bashkisë së Kukësit, të cilët kanë dashur sipas tij ta inkriminojnë për akuzën e pastrimit të parave dhe se më datën 27 dhjetor ka refuzuar shumën prej 25.5 milionë lekë të vjetra duke ja kthyer Ministrisë së Financave. Pas këtij veprimi Dalaçi ka biseduar me drejtorin e Thesarit Eduart Ypi dhe se ky i fundit i ka konfirmuar se shuma financiare ishte derdhur në thesar, por sërish me kërkesë të bashkisë Kukës, lekët kanë kaluar në llogarinë e tij personale. Pas një sërë veprimesh, kryetari i Bashkisë Kukës Hasan Halilaj, i ka kërkuar shumën prej 51 milionë lekë të vjetra dhe se nëse nuk ia jepja, ai më kërcënonte se do m’i merrte nëpërmjet gjykatës. I ndodhur në këto kushte i kam kërkuar drejtuesve të bankës “Union Bank” që të ngrijnë të gjitha lekët që ndodheshin në llogarinë time bankare deri në një moment pasi të kishte dalë një vendim gjykate, pasi aktualisht unë kam hapur proces gjyqësor lidhur me këtë çështje.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency