PËRPLASJA Mungesa e opozitës në Parlament, Rama: S’na njoftuan. Kuvendi: Kreu i PS-së mashtron

0
119

Florenc Drizari

opozitaNuk i ka lënë deputetët e vet të marrin pjesë në këtë ceremoni të një përvjetori historik siç është 5-vjetori i pavarësisë së Kosovës

 

Seanca e djeshme plenare që u mbajt në kuadër të pesëvjetorit të pavarësisë së Kosovës, u solli përplasje dhe akuza të ndërsjella në distancë mes kryesocialistit Edi Rama dhe institucionit të Parlamentit. Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi të premten në mesditë një seancë speciale për të kremtuar 5-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, ndërkohë që deputetët e opozitës nuk ishin të pranishëm në sallë. Kjo bëri që kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama të reagonte në një deklaratë për median, duke thënë se deputetët e PS-së nuk ishin ftuar në rrugë institucionale për mbajtjen e kësaj seance. Sipas tij, seanca e djeshme u shfrytëzua për propagandë antiopozitare; ndërsa i menjëhershëm ishte edhe reagimi i ardhur nga departamenti i Informacionit në Kuvendin e Shqipërisë, duke i quajtur shpifje deklaratat e kreut të PS-së.

Edi Rama

Sot (dje) u përdor akti solemn i pavarësimit të Kosovës për të sulmuar tinëzisht opozitën parlamentare në Shqipëri, përmes organizimit të një seance blic ku opozita nuk u lajmërua në rrugët e zakonshme institucionale të komunikimit. Kjo ishte deklarata e kreut të PS-së Edi Rama i cili akuzoi krerët e mazhorancës për propagandë antiopozitë. “Askush në botën e sotme, as në vendet pa pluralizëm, nuk e fyen popullin e vet si kjo qeveri. Gënjeshtra, shpifje, premtime, gënjeshtra, shpifje, premtime! Përditë, përditë, përditë. Por kjo e sotmja, ishte një fyerje e veçantë. Sot u keqpërdor përvjetori i pavarësisë së Kosovës. U improvizua një seancë parlamenti jashtë radhe, jashtë date, jashtë kanaleve të komunikimit institucional me grupet parlamentare. Medemek për pavarësinë e Kosovës. Por në fakt jo. Në të vërtetë vetëm për të larë gojën. Duke bërë një rrugë e dy punë”, – u shpreh kryesocialisti Rama.

Reagimi i Kuvendit

Me anë të një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë, Drejtoria e Informacionit e këtij institucioni përgënjeshtroi akuzat e kryesocialistit Rama duke i quajtur ato mashtrime. Në njoftimin e Kuvendit thuhet se deputetët e opozitës janë informuar për kremtimin e 5-vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Deklarata e Kuvendit shkon më tej duke akuzuar kryesocialistin Rama se ka penguar me qëllim pjesëmarrjen e deputetëve të majtë në sallën e Parlamentit. “Kuvendi i Shqipërisë hedh poshtë me neveri mashtrimin e zotit Rama se gjoja nuk janë lajmëruar deputetët e PS-së për seancën në 5-vjetorin e celebrimit të pavarësisë së Kosovës. Sqarojmë se, përveç publikimit dje në faqen zyrtare të Kuvendit,  si përherë janë njoftuar me telefon për këtë seancë sekretaret e të gjitha grupeve parlamentare (përfshirë atë të PS-së ). Pas lajmërimit të bërë dje, sekretarja e grupit të PS-së ka kërkuar në emër të zotit Ruçi të dijë edhe programin. Në të njëjtën kohë, dje sekretaret e Seancës Plenare kanë lajmëruar të gjithë deputetët e pranishëm në seancën e djeshme për ceremoninë e ditës së sotme. Deklarata e sotme e zotit Rama është gjëja më e pavërtetë. Nuk i bëjnë askujt mirë të pavërtetat e sotme të Ramës, aq më tepër që vetëm na bën më shumë të besojmë se është vetë ai që nuk i ka lënë deputetët e vet të marrin pjesë në këtë ceremoni të një përvjetori historik siç është 5-vjetori i pavarësisë së Kosovës”, – thuhet në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë.

 

 

Rama: Sistemi shëndetësor, i dështuar. Pipero: Dridhjet në Burrel, nga fushata

Kryesocialisti Rama gjatë takimit që zhvilloi dje me mjekë akuzoi qeverinë se ka dështuar në politikat e ndjekura për sistemin shëndetësorë në vend. Sipas tij, sistemi është në prag falimentimi dhe se për këtë duhet një reformim i thellë. “Sot është dita për të folur edhe për disa atakime që i janë bërë projektit tonë. Ata që sot janë në qeveri e mbrojnë sistemin e falimentuar të kontributeve. Është pjesë e një mendësie në rrugën e një rrënimi të përgjithshëm. Megjithatë, ajo që vlen është që debati të adresohet tek çështjet. E para, që unë dua ta rinënvizoj, që ne na dallon qartësisht nga ata është se; për ata shëndeti është mall që blihet, për ne është e mirë publike që duhet ta gëzojmë të gjithë, pavarësisht nëse kanë mundësi të paguajnë ose jo për shëndetin”, – tha kreu i PS-së. Por pas deklaratave të Ramës për sistemin shëndetësor në vend, ka reaguar dje në mbrëmje, drejtori i Politikave Shëndetësore në vendin tonë, Pëllumb Pipero. Ai akuzoi kreun e Partisë Socialiste se ka ndërmarrë një sulm ndaj sistemi shëndetësor në Shqipëri, duke mos kursyer as mjekët. Duke iu referuar një deklarate të Ramës, për spitalin e Burrelit, Pipero tha se gjatë marrjes së serumit të gjithë e dimë se mund të ndodhin, mornicat apo dridhjet. “Këto dridhje nuk e di nëse kanë ardhur për shkak të fushatës apo serumit. Por ato nuk kanë ardhur për shkak të sistemit të ngrohjes, pasi ai vazhdon të funksionojë shumë mirë në spitalin e Burrelit”, – theksoi Pipero. Pipero deklaroi se sistemi shëndetësor është herë më i mirë se ai i 20, 10 apo 5 viteve më parë. Kjo na bën të ndihemi krenarë, tha ai, por shtoi se nuk është ideal. Për këtë po punojmë çdo ditë, vijoi Pipero, dhe reforma e fundit synon një shërbim shëndetësor më të mirë. Gjithashtu Pipero theksoi se e ka të paqartë sesi Rama do të realizojë sistemin shëndetësor falas për të gjithë, ndërsa shtoi e asnjë spital në botë nuk ka sistem shëndetësor falas. “Dua të shtoj, se shërbim mjekësor falas si mjek me eksperiencë 30 vjeçare, nuk di të ketë në asnjë vend të botës. Sepse shërbimi shëndetësor nuk është i lirë dhe si i tillë duhej financuar. Kam një pyetje shumë të sinqertë për z Rama nga do i gjejë fondet për një shërbim falas?”

 

Meta në Berat: LSI, aleanca me ata që krijojnë vende pune

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka deklaruar nga qyteti i Beratit se do të krijojë aleancë me ata që krijojnë vende të reja pune. Kjo do të jetë më e rëndësishmja e LSI-së më 23 qershor. Gjatë një aktiviteti të Lëvizjes së Gruas për Integrim, Meta tha se rezultati i partisë që drejton do të jetë i jashtëzakonshëm. “Rezultati i LSI-së më 23 qershor do të jetë i jashtëzakonshëm dhe përkrahjen tuaj të jashtëzakonshme ne do t?ua kthejmë në një mbështetje shumë më të madhe për ju, për të gjithë komunitetin e Beratit, për të gjithë rrethin, për të gjithë qarkun sepse është një popull i jashtëzakonshëm populli i këtij qarku, një popull punëdashës”, – deklaroi Meta. Ai shoqërohej në këtë takim nga deputeti i zonës, Nasip Naço dhe kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim, Klajda Gjosha.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency