Në “gropën e orkestrës”, sa e vështirë është puna aty

0
166

Intervistë/ Opera “Toska” rivjen në skenë; rikthim i Etleva Golemit, përballë Marjana Leka në rolin e Toskës

 

operaIntervistoi: Enkeleda Peti

Sonte në mbrëmje në sallën e Teatrit të Operas dhe Baletit vjen opera “Toska” e Giacomo Puccinit me regji të Nikolin Gurakuqit. Interpretët kryesorë në këtë shfaqje do të jenë: Eva Golemi, Marjana Leka që do të jenë në rolin e Toskës. Leonardo Gramegna (i ftuar special ne rolin e Mario Cavaradossi), Ylber Gjini (baroni Scarpia) Sidrit Bejleri, Ogert Islami (Cesare Angelotti), Sidrit Bejleri (Il Sagrestano), Gilmond Myftari, Erlind Zeraliu (Spoletta), Luan Sula etj. Dirigjent në këtë shfaqje është Edmond Doko. Kjo opera vjen pas gjashtë vitesh me personazhe të tjerë, ndërsa për dirigjentin Edmond Doko është hera e dytë që sjell këtë opera. Opera “Toska” është një opera me tre akte e cila flet për vitet 1800, kur Italia kërcënohej nga pushtimi i Napoleonit. Opera Toska e ka pasur premierën e saj në Teatrin Costanzi në Romë më 14 janar të vitit 1900. Në këtë opera vijnë ariet më të mirënjohura të Puccinit dhe ka inspiruar performanca të paharrueshme nga shumë solistë. Ajo që e bën interesante këtë opera është se ne të përshkruhet tortura, vrasja dhe vetëvrasja, të lidhura me ngjarje historike. Një nga njerëzit më interesantë për t’u intervistuar në lidhje me vënien e saj në Shqipëri, është padyshim dirigjenti Edmond Doko. Kjo, jo vetëm sepse për të është hera e dytë që e sjell në skenë, por edhe sepse puna e këtyre njerëzve në pamje të parë të padukshëm, është mjaft interesante për t’u sjellë në vëmendjen e publikut. Në një intervistë për gazetën “Standard”, Edmond Doko flet për parëndësinë që ka fama për të, punën në “gropë”, siç e quan ai, për zbërthimin muzikor të veprës dhe për rëndësinë botërore që ka kjo vepër, të cilën ai e cilëson “një vepër që të lë pa frymë”.

 

Dirigjentët nuk njihen aq shumë sa artistët e tjerë, solistët të themi, ju vjen keq kjo gjë?

Jo. Ne jemi shërbëtorë të artit, shërbëtorë të publikut. E rëndësishme për ne është që të bëjmë profesionin dhe ta bëjmë mirë. Pastaj se çfarë perceptimi ka publiku, ne na kënaq fakti kur publiku merr diçka të bukur nga neve, nga kontributi i dirigjentit apo i orkestrës, se edhe orkestra është në gropë. Kjo përbën një kënaqësi më vete. Ndodh një fenomen i tillë që ajo që është e dukshme, është më e thjeshtë për tu perceptuar dhe në fund të fundit solistët përcjellin në mënyrë të drejtpërdrejtë mesazhet shfaqjen dramaturgjinë e saj. Sigurisht prapa kësaj nuk është vetëm dirigjenti e orkestra, është edhe regjisori dhe shumë elementë të tjerë dhe që janë idetë e këtyre njerëzve që ndërtojnë shfaqjen. Por, nuk është ndonjë xhelozi, ne jemi të gjithë kolegë. Ne e njohim njëri-tjetrin, e vlerësojmë njëri-tjetrin, i dimë kontributet e gjithsecilin pavarësisht sesa gjithsecili ka oreks “për t’u mediatizuar” apo sa e vëmendshme është media ndaj këtyre, në këtë kuptim unë ju falënderoj që erdhët tek ne. Ndodh që në momentet e fundit jemi gjithmonë në “gropë” të orkestrës (qesh), pavarësisht se jemi në piedestal në kuptimin e përçimit të veprës etj., etj. Ne jemi të zënë dhe kjo zakonisht na largon disi me median, pavarësisht se media na duhet për të bërë edhe shpjegimet tona shtesë në lidhje me veprën, është një ndihmë e madhe media për neve. Por, ne jemi pak “të izoluar” në momentet e fundit edhe kemi kohën të reduktuar për të “mediatizuar veten” dhe ky është qëllimi i fundit, të paktën personalisht për mua është e fundit gjë që mendoj.

 

Meqë përmendët “gropën e orkestrës”, sa e vështirë është puna aty?

Sigurisht që të drejtosh trupa, orkestër, kor ,balet, soliste e kështu me radhë është një përgjegjësi e madhe, kërkon përgatitje, kërkon eksperiencë të gjatë. Domethënë nuk është e mundur që për një dirigjent të vijë direkt e të dirigjojë vepra të tilla që janë të shquara për nga dendësia e dramaturgjisë muzikore, për nga vështirësitë e menaxhimit artistik. Plus që duhet të kuptojmë që ke të bësh me artistë, por në të njëjtën kohë edhe me njerëz. Të cilët kanë problematikat e tyre, hallet e tyre, kështu që duhet të jesh gjithmonë nga çdo pikëpamje, i drejtpërdrejtë, i qartë dhe sigurisht nuk mungojnë ka raste edhe mirëkuptimet, por ka edhe debate, të cilat jemi profesionistë dhe me kohë dhe me bashkëpunim arrijmë ti zgjidhim këto probleme dhe ti sjellim spektatorit një shfaqje të arrirë artistikisht.

 

Kur thoni që kemi të bëjmë me njerëz për çfarë e keni fjalën ju marrin leje shpesh?

Jo, jo, është çështje humori. Ajo çështja e lejes është një çështje që e zgjidh kodi I punës. Njerëz jemi halle familjare, sëmundje, halle familjare kemi. E kisha fjalën për ata problem që nuk duken dhe s’ka përse se janë personale dhe jo të gjitha humoret janë të njëjtë. Që në kontakt të parë një provë, të dytë apo të tretë e kupton shumë mirë që dikush është në humor, dikush nuk është në humor dhe në një mënyrë duhet edhe ti menaxhosh. Në këtë kuptim vështirësitë janë. Por vështirësia më e madhe është puna për të zbërthyer veprat konkrete siç është rasti i “Toskës” apo i ndonjë vepre tjetër.

 

Ju si keni arritur ta zbërtheni?

Ky është kontakti im i dytë me këtë vepër, si vepër e plotë. Plus që fragmente të saj kam luajtur në koncerte të ndryshme. Sepse vepra është vepër e repertorit të teatrit tonë. Është luajtur para 5 – 6 vjetësh. Sigurisht me një staf tjetër dhe në këtë kuptim që çdo rivënie sjell problematika të reja. Sepse ne kemi dy Toska të reja, të cilat e kanë premierë. Kemi një tenor Italian të ftuar i cili është me shumë eksperiencë dhe në një lloj mënyrë bëhet mbështetje. Kështu që në rolet kryesore ne e kemi shfaqjen të re. Plus dhe një përkujdesje edhe më e mirë nga pikëpamja skenike, ka disa risira të vogla të cilat në kuptimin esencial prekin dhe shtojnë emocionet dhe vlera e veprës. Nga ana e drejtimit muzikor, unë i jam përshtatur kësaj trupe të re, këtyre solistëve të rinj, si të thuash ideve të tyre të reja në perceptimin e roleve të tyre. Kemi komunikuar prej kohësh për të ndërtuar një Toskë me sa më shumë element të rinj por sidoqoftë, Toska është në shtratin e vet. Në përgatitjen time kam pasur parasysh sepse edhe orkestra apo kori vijnë më të përgatitur sepse vepra për ta është një vepër e luajtur para 6 vjetësh. Ne e rifreskuam, intonuam dhe nënvizuam gjërat më kulmore për t’i qartësuar më mirë, për ta sjellë shfaqjen më ta qartë dhe me sa më shumë emocion përpara spektatorit.

 

Për çfarë risish e keni fjalën?

Toskat kanë një ndryshim esencial. Për shembull Toska e aktit të parë ka një lloj zhvillimi vetë personazhi kryesor që paraqitet sa më koketë, sa më lirike si një artiste. Për të mos e prezantuar “dramën” e cila do të zhvillohet hap pas hapi. Në aktin e dytë transmetojmë një Toskë më agresive në marrëdhëniet e saj sidomos me Scarpian. Një intensitet emocional më të thellë në aktin e tretë. Këto janë gjëra të lexueshme dëgjueshme dhe të perceptueshme. Ajo do duket në perceptimin që do të ketë publiku. Për ta bërë veprën sa më dramatike, sepse duhet të themi që Toska si vepër është një vepër Trilogji, një vepër shumë e fuqishme dhe nga pikëpamja e demagogjisë edhe skenike por edhe muzikore.

 

 

Vepra “Toska” është vepër italiane e viteve 1900, si vjen kjo vepër në realitetin e sotëm të shekullit XXI

Vepra Toska gjithmonë ruan aktualitetin e vet sepse është një ballafaqim i dy planeve. Kemi dy plane, planin e dashurisë sublime dhe në një kontekst historik ku përplasen dhe idetë përparimtare me obskurantizmin e kohës që përfaqësohet nga një personazh, siç është kryepolici apon kryekomisari i Romës dhe nga një artist avanguard për kohën, gjithmonë artistët janë avanguardë, kjo e bën më aktuale veprën siç është Cavaradossi. Kjo përplasje në kontekstin revolucionar të kohës, Napoleonit i cili pushton Italinë është një klimë epike historike. Gjithmonë këto përplasje me sfond historik të gërshetuar me historinë personale të dy artistëve, të cilët jeta e tyre për fat të keq përfundon në mënyrë tragjike.

 

 

Në këtë vepër ka shumë dhembje, ndihet kjo në muzikë?

Jashtëzakonisht. Është vepër që të lë pa frymë, e thënë në një fjali. Po të jesh shumë i impenjuar është e pamundur që kjo vepër të mos rrëmbejë kur punon aq sa agjitimi emocional është i pakontrollueshëm vende-vende. Është një nga kryeveprat e literaturës operistike botërore prandaj është gjithmonë në vëmendjen dhe të artistëve, por është edhe një vepër e dashur për publikun.

 

 

Kjo vepër ka pasur edhe kritika nga muzikologë të ndryshëm botërore, sa qëndrojnë këto kritika sipas jush?

Fakti që ka pasur kritika tregon që vepra ka vlera. Se ka shumë vepra që nuk përmenden fare dhe janë harruar. Kështu që në këtë kuptim është dhe kjo pozitive se s’ka si të mos ketë kritika. Kritikat kanë konsistuar më tepër në thyerjen e skemës së një opera tradicionale, pra këtu s’kemi të bëjmë me një operë tradicionale. Për ta thënë më thjeshtë po ta shikosh në pikëpamjen e përgjithshme kjo opera ka tre akte dhe në këto 3 akte dhe në çdo akt është një arie model që janë ariet më të bukura të literaturës botërore. Domethënë mbështet e gjitha mbi këto arie, gjithë pjesa tjetër është një veprim muzikor është një zhvillim i tillë dramaturgjik muzikor, i pangjashëm për kapitujt e deriatëhershëm por edhe për sot. Domethënë nuk është një operë skematike por është një operë avanguard prandaj ajo është gjithmonë interesante. Pra, kritikën mos ta marrim gjithmonë në sensin negativ por ta marrim si një trajtim problemor për risitë që sjellin veprat në kohë. Kritika nuk është gjithmonë negative. Në këtë kuptim është në vëmendje të kritikës Toska dhe është intriguese të merresh me të. Ta bësh atë, ta interpretosh apo ta ekzekutosh. Fakti që është nga 10 veprat më të luajtura të literaturës operistike në të gjithë botën e bën një vepër kapitale për literature operistike botërore.

 

A ishte koha e duhur për tu risjellë opera Toska?

Zakonisht edhe më shpejt mund të ishte vënë sepse këta janë vepra që janë në interes të publikut. Publiku dëshiron të tilla vepra. Mbase publiku shtohet vijnë të rinj, vijnë prurje të reja, qarkullojnë vlerat artistike, këngëtarët, solistët. Nuk është e thënë nuk ka një skemë. Mund të ishte bërë më përpara, mund të ishte bërë edhe më vonë. Por tani u pa e arsyeshme çështje të programit të institucionit.

 

Tek filmi “Tela për violinë” është një batutë “kur i bien bashkë njëzet violina kiu-viu, kiu-viu merret se kush e bën gabimin aty, unë apo ti?” Në fakt në një orkestër ku janë shumë instrumentistë kuptohet se cili e bën gabimin?

Sigurisht. Këtu ke të bësh me profesionistë. Njerëz që punojnë një jetë të tërë. Nuk është vetëm dirigjenti por pak më lart thashë që në një opera të gjithë muzikantët kanë kontributin e tyre, dhe në një mënyrë përtej egoizmave personale gjithsecili e kupton kur gabon. Plus pastaj është roli i veçantë dirigjentit, i koncert maestrove, drejtuesve. Sepse orkestra është një trupë që është si një batalion i cili ka dhe drejtuesit dhe tyre, ndarë ashtu siç janë harqet, harqet janë ndarë në violinat, violat violinçela apo instrumente të tjera. Pra është një produkt i një bashkëpunimi. Kështu që ata kiu-viut, për ne janë plotësisht të perceptueshme të lexueshme, të kuptueshme dhe të korrigjueshme.

Ju personalisht çfarë planesh keni pas kësaj opera?

Unë kam një koncert me “the best from the cinema”, me muzikën më të bukur të përzgjedhur nga kinemaja botërore dhe në vazhdim kam një aktivitet që do të bëhet në Greqi.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency