Horror në Dibër Nuset, vaj të nxehtë vjehrrës në vesh e mbulojnë për 3 ditë në stallën e lopës

0
117

Elton Qyno

diberKonfliktet për lekët që dërgonin djemtë, Xhemile Skuka vret 66-vjeçaren Naime Skuka. E mbulojnë së bashku me kunatën

 

Një e moshuar ka qëndruar e groposur tri ditë me radhë në stallën e lopëve, pasi është vrarë dhe më pas varrosur nga dy nuset e djemve të saj. Ngjarja e paprecedentë, që ka regjistruar krimin horror të radhës, është shënuar në zonën e Peshkopisë, pikërisht në fshatin Hatesh të Komunës Luzni. Konfliktet mes nuses dhe vjehrrës, për ndarjen e parave, kanë regjistruar krimin e radhës në familje, ku mësohet se 66-vjeçarja Naime Skuka është keqtrajtuar nga nusja e saj Xhemile Skuka, 25 vjeçe, e cila, pasi e ka rrahur, ka vendosur ta lidhë të moshuarën dhe më pas t’i hedhë vaj të nxehtë në vesh, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme të vjehrrës. Pas kryerjes së krimit të rëndë, 25-vjeçarja Xhemile Skuka, së bashku me kunatën e saj, 23-vjeçaren Hike Skuka, kanë vendosur të hapin një gropë në stallën e lopëve, duke e hedhur kufomën e 66-vjeçares brenda në të dhe më pas e kanë mbuluar me dhé. Për tri ditë me radhë, trupi i pajetë i të moshuarës ka qëndruar i mbuluar në stallën e lopëve, duke qëndruar poshtë këmbëve të këtyre të fundit. Kur asnjë person i fshatit nuk dinte rreth asaj që kishte ndodhur, fill pas tri ditësh, nusja e madhe e shtëpisë ka vendosur të tregojë në policinë e Dibrës, ku edhe është dorëzuar. Më pas, një grup hetimor ka shkuar në vendngjarje ku kanë nxjerrë trupin e pajetë të së moshuarës nga stalla e lopëve, ndërkohë që bashkë me autoren e krimit, policia ka arrestuar si bashkëpunëtore edhe 23-vjeçaren Hike Skura.

Burrat në Greqi

Viktima Naime Skuka, 66 vjeçe, jetonte e vetme me dy nuset e saj, pasi dy djemtë e saj, Edmondi dhe Uran Skuka, përkatësisht bashkëshortët e nuseve, Xhemile dhe Hike Skuka, ishin emigrantë në Greqi, ku punonin prej vitesh. Ndërkohë, shkaqet e konfliktit mes nuses dhe vjehrrës nuk bëhen të qarta. Mësohet se këto konflikte në familjen Skuka, në mungesë të djemve të shtëpisë, kanë qenë të njëpasnjëshme dhe konflikti i para tri netëve mes tyre nuk ishte i vetmi, por i radhës, i cili degradoi deri në dhunë fizike, duke i marrë jetën 66-vjeçares. Nga banorë të zonës dyshohet që shkak i këtyre konflikteve, nuse e vjehërr, të jenë bërë lekët që Edmondi, bashkëshorti i Xhemiles, dërgonte nga Greqia, ku flitet se shumat e parave dërgoheshin në adresë të viktimës. Por, gjithsesi, rëndom siç edhe ndodh në të tilla raste, ku gëlojnë edhe thashetheme, shkak i këtyre konflikteve të vazhdueshme, ku ky i para tri netëve ishte vetëm i radhës, mund të ketë qenë edhe xhelozia e tepruar e vjehrrës për nusen e saj. Gjithsesi, do të jenë hetimet policore ato që do të zbardhin këtë ngjarje të rëndë, e cila tronditi opinionin e zonën për rreth, por jo vetëm.

Viktima u torturua

Vetëm tri ditë pas ngjarjes së rëndë, shtetasja Xhemile Skuka, 25 vjeçe, është vetëdorëzuar në polici, ku edhe ka pranuar autorësinë e këtij krimi të shëmtuar, duke rrëfyer me detaje edhe mënyrën e vrasjes. Pas kryerjes së autopsisë, policia e Peshkopisë bën të ditur detaje të reja për vrasjen e vjehrrës. Përveç vrasjes më sende të forta, e moshuara është torturuar për disa minuta me radhë dhe më pas asaj i është hedhur në vesh vaj i nxehtë, që i ka shkaktuar asaj vdekjen e menjëhershme. Sipas specialistëve, vaji i nxehtë ka depërtuar në vrimën e veshit, duke hyrë në tru, dhe kjo ka sjellë vdekjen e menjëhershme të 66-vjeçares Naime Skuka. Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, policia e Dibrës ka arrestuar dy nuset, duke i akuzuar ato për “Vrasje me paramendim” të kryer në bashkëpunim. Pritet që në ditët në vijim të merren në pyetje dhe dy bashkëshortët, të cilët pas marrjes së lajmit janë kthyer nga Greqia ku punonin si emigrantë.

 

Ngjarja në Lezhë, plagoset Hanife Vaçi

S’pranonte të dilte për festën e Shën Valentinit

lezhjani qëllon me kallash të dashurën në shtëpi

Kur ende nuk ishin shuar përmasat e krimit të dyfishtë në Ersekë, ku dy persona kanë mbetur të vdekur në ditën e Shën Valentinit, një tjetër krim është regjistruar në orët e mbrëmjes së 14 shkurtit, në qytetin e Lezhës. Protagonisti i këtij krimi është bërë një 28-vjeçar, i cili është vënë në pranga nga policia e Lezhës, pasi ka tentuar të vrasë dy gra, për motive të dobëta. Fatjon Lasku u arrestua disa orë pasi kishte hapur zjarr me automatik në drejtim të banesës së Hanife Vaçit në lagjen “Gurra” të Lezhës. Për pasojë mbeti e plagosur e zonja e shtëpisë, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën, në kujdesin e mjekëve të spitalit rajonal. Nga ky sulm me armë shpëtoi për mrekulli vajza e Hanifes, Valbona Vaçi, e cila ndodhej në dhomën e pritjes. Sipas policisë së Lezhës, pikërisht shkak i sherrit ka qenë Valbona Vaçi, e cila mësohet se ka refuzuar të dalë me 28-vjeçarin për ditën e Shën Valentinit. Ky vendim ka detyruar Fatjon Laskun që të marrë një automatik dhe të shkojë në banesën e të dashurës së tij. Mirëpo kur ka parë se ajo nuk ka dalë nga banesa, me ghithë komunikimin në telefon, 28-vjeçari ka vendosur të hapë zjarr në drejtim të dritareve të shtëpisë së saj. Nga breshëria e kallashnikovit, u krijuar dëme materiale, ndërkohë që e zonja e shtëpisë është plagosur lehtë.

 

Padia në gjykatë, gruaja kërkon pronat e Admirim Sakos

Entela Sako, e njohur edhe si bashkëshortja e të ndjerit Admirim Sako, i vrarë mbrëmjen e 22 janarit në kryeqytet, dorëzon në Gjykatën e Tiranës një padi civile, duke kërkuar që të trashëgojë ajo dhe djali i vetëm i tyre pronat dhe pasurit e të ndjerit. Edhe pse këto pronat janë të sekuestruara, nuk e ka ndaluar bashkëshorten e Admirimit t’i kërkoj gjykatës lëshimin e dëshmisë së trashëgimisë për të ndjerin e ekzekutuar me tre plumba. Padia tashmë ndodhet në duart e gjyqtarit Ridvan Hado, i cili pritet të caktojë datën e zhvillimit të seancës së parë gjyqësore. Admirim Sako njihej edhe si njeriu më i besuar dhe administrator i pronave të të ndjerit Elton Deliu, i vrarë më 27 dhjetor 2008 së bashku me nënën e tij.

 

Aktiviteti, certifikohen 17 agjentë të SHKB-së

Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, dhe ambasadori amerikanë në Tiranë, Alexander Arvizu, në prani të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe drejtorit të programit të ICITAP-it në Shqipëri, shpërndanë certifikata për 17 punonjës të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Kjo ceremoni shënoi edhe fundin e Kurseve të Avancuara të Hetimit, që programi ICITAP i ka filluar në vitin 2010, ku në total u trajnuan 65 punonjës të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, në Ministrinë e Brendshme dhe 20 punonjës të Policisë së Shtetit. Në fjalën e tij, ministri përgëzoj agjentet, duke i ftuar të luftojnë korrupsionin dhe implikimet antiligjore të punonjësve të policisë. “Mosrespektimi i ligjit apo çdo devijim nga misioni i ngarkuar i punonjësve të policisë mund të çojë në rritjen e veprimtarisë kriminale, uljen e zbulueshmërisë së tyre si dhe rënien e besimit të publikut ndaj vetë strukturave ligjzbatuese të shtetit”, – tha Noka në fjalën e tij. Ky kurs i avancuar nisi në 2012 dhe i ofroi studentëve më shumë aftësi përgatitore, teknike për hetimin e ndikimit të krimit të organizuar në polici, mbi hetimet financiar dhe praktikat më të mira në përgatitjen e çështjeve për zyrën e prokurorit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency