Takimi privat, ambasadori i SHBA-së me Malajn për zgjedhjet dhe porositë e DASH

0
122

Gëzim Saliu

arvizuArvizu takon edhe Ramën në selinë rozë, kreu socialist me ambasadorët: Monitorim nga ndërkombëtarët për 23 qershorin

 

Ambasadori i SHBA-së në vend Alexander Arvizu ka zhvilluar dje një takim privat në ambientet e një prej lokaleve të kryeqytetit me deputetin socialist Arben Malaj. Takimi mes kryediplomatit amerikan dhe deputetit socialist erdhi vetëm pak ditë pas kthimit të Malajt nga SHBA-ja, ku zhvilloi në sërë takimesh në Departamentin Amerikan të Shtetit si edhe me kongresmenë amerikanë. Mësohet se në qendër të takimit të djeshëm ka qenë vizita e Malajt në SHBA si edhe pikëpamjet e tij për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare si edhe për procesin e integrimit të vendit, ku për këtë të fundit deputeti Malaj ka dalë shpeshherë edhe kundër qëndrimeve të partisë ku aderon, duke kërkuar votimin e tri ligjeve. Po ashtu mësohet se në këtë takim, Malaj ka shprehur kënaqësinë për vizitën në SHBA, duke bërë të ditur rëndësinë e një procesi zgjedhorë transparent, të lirë dhe të ndershëm, si një parakusht për të krijuar qeveri stabël dhe efektive. Nga ana tjetër mësohet se një tjetër çështje e prekur në takimin e djeshëm mes ambasadorit amerikan dhe deputetit Malaj ka qenë edhe tendencat e fundit nacionaliste që janë shfaqur në jetën politike në vend. Ndërkaq pas takimit me anëtarin e kryesisë së PS-së, ambasadori amerikan zhvilloi një tjetër takim, kësaj here në selinë rozë, ku diskutoi me kreun e opozitës Edi Rama lidhur me zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe një sërë çështjesh të aktualiteti politik në vend.

Takimi me ambasadorët

Në një takim të organizuar nga ambasadori i Bashkimit Evropian në vend, Ettore Sequi, me ambasadorët e vendeve të BE-së të akredituar në Tiranë, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka marrë sigurinë e monitorimit të zgjedhjeve nga ndërkombëtarët. Duke bërë të ditur se biseda me ambasadorët u fokusua në zgjedhjet parlamentare, situatën ekonomike në vend dhe të ardhmen evropiane të vendit, Rama theksoi se është e domosdoshme që qytetarët ta dinë se vota e tyre do jetë e paprekur më 23 qershor. “Për të gjithë ata që në Shqipëri janë të interesuar që vota e tyre të mos cenohet dhe çdo votë të numërohet ndershmërisht, se jemi në një proces ku mund të themi me plot gojën që çdo shqiptar që do Shqipërinë evropiane, përmes zgjedhjeve të lira, nuk është vetëm, por ka shumë miq rreth e rrotull. Miq të mëdhenj që nuk do ta lënë Shqipërinë vetëm këtë herë”, – tha Rama. Në këtë takim, i cili nisi rreth orës 11:00 dhe që zgjati për rreth 2 orë, diskutimi u fokusua tek zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 qershorit. “Ishte një ftesë e gjithë përfaqësuesve të Bashkimit Evropian për t’u informuar mbi pikëpamjet tona, shqetësimet dhe pritshmëritë tona, lidhur me zgjedhjet, ekonominë dhe te ardhmen e Shqipërisë, si një forcë që për ne duhet të jetë zëdhënëse e evropianizimit të rajonit. Askush nuk duhet të cenohet nga nacionalizmi primitiv që i ka ikur koha me kohë e me vakt”, – deklaroi kreu i PS-së. Në takimin, ku Rama shoqërohej nga sekretari për Çështjet Zgjedhore Damian Gjiknuri dhe deputeti socialist e njëkohësisht kreu i Komisionit të Integrimit Ditmir Bushati, u diskutua gjithashtu edhe lidhur me të ardhmen evropiane të vendit. Takimi i përfaqësuesve të PS-së më ambasadorët e BE-së vjen një ditë pasi ekspertët e partisë Socialiste dorëzuan në Gjykatën Kushtetuese ankimimin për ndarjen e mandateve sipas skemës së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të vitit 2009.

 

Dhuna ndaj grave, Rama: Liria, e pacenueshme nga askush

Forumi i Gruas Socialiste i është bashkuar dje nismës ndërkombëtare të lançuar nga OKB, “Një miliard që ngrihen”, një nismë kundër dhunës ndaj grave në të gjithë botën. Në aktivitetin “Forumi i gruas VDay”, kreu socialist Edi Rama apeloi të ndalet dhuna ndaj grave, duke zgjedhur pikërisht ditën e të dashuruarve, Shën Valentinin për të bërë këtë apel. “Sot jemi mbledhur këtu për të kujtuar të gjitha ato gra që u vranë barbarisht vitin e shkuar, duke e bërë vitin e pavarësisë të mbyllet në mënyrë tragjike. 27 gra të vrara në mënyrën më çnjerëzore. Gratë sot, papunësia i mban skllave në mjedise sociale mjaft të rënduara. Sot është një ditë për çdo grua dhe vajzë, për tu kujtuar të gjithë atyre që nuk kanë fatmirësisht asnjë lidhje të drejtpërdrejtë me dhunën se të tjera kanë nevojë për to dhe për mbështetjen e tyre. Sot është dita për t’i kujtuar të gjithëve se vetëm duke e parë në sy këtë problem të madh, mund të shërojmë plagë që do mund të godasin bazën shpirtërore të krejt shoqërisë”, – tha Rama. Më tej, lideri i selisë rozë pohoi se Partia Socialiste mbetet e vendosur që të adresojë drejtpërdrejt disa çështje që mbeten pezull dhe që rëndojnë gjendjen e gruas. Sipas Ramës ka ardhur koha që njerëzit të çlirohen, nga detyrimet e imponuara dhe kjo ndodh kur kanë liri, të cilën nuk ua cenon askush. “Duke i dhënë njerëzve liri, pasi lira është gjëja më e shtrenjtë, i liri që jetë në radhë të parë e garantuar nga ata që populli i zgjedh për të qenë i lirë. Liria e çdonjërit duhet të jetë e pacenueshme nga askush”, – u shpreh kreu i PS-së Edi Rama. Krahas liderit të selisë rozë, në këtë aktivitet merrnin pjesë gratë socialiste si edhe kryetarja e Forumit të Gruas së PS-së, Olta Xhaçka.

 

Topi-Cohen: Bashkëpunim të thelluar mes Shqipërisë dhe Izraelit

Kryetari i FRD-së, Bamit Topi, zhvilloi dje një takim me ambasadorin e Izraelit, David Cohen, ku në qendër të diskutimit u vendosën për marrëdhëniet midis dy vendeve si dhe vullneti i përbashkët për zgjerimin e tyre në të gjitha fushat me interes reciprok. Në takim ku ishte i pranishëm edhe nënkryetari i FRD-së Gazmend Oketa, Topi shprehu vlerësimin e lartë për shtetin e Izraelit, për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Shqipërisë, si dhe për rolin dhe kontributin e tij të njohur në forcimin e paqes dhe sigurisë. Ai kujtoi dy vizitat e tij të suksesshme në Izrael, në takimet me krerët e lartë të shtetit izraelit dhe institucione të tjera me rëndësi. Duke u ndalur në nevoja të thellimit të bashkëpunimit, Topi shprehu dëshirën për më shumë prezencë ekonomike të biznesit izraelit në vend. Një vend të veçantë në takim zunë shkëmbimet e pikëpamjeve për zhvillimet politike në rajon, ku kryetari i FRD theksoi edhe njëherë rëndësinë e mbështetjes së shtetit të ri të Kosovës. Më tej dy bashkëbiseduesit folën për zhvillimet politike në Shqipëri. Topi shprehu pikëpamjet e Frymës së Re Demokratike për ecurinë e procesit integrues, situatën parazgjedhore dhe bindjen e tij se kjo parti, me programin, ekipin dhe projektin e tij qytetar do të jetë faktor përcaktues në qeverisjen e ardhshme. Ai garantoi se FRD, ndryshe nga modelet e vjetra të tranzicionit, do të jetë mbështetëse e plotë e projektit integrues të Shqipërisë, si dhe siguroi përkushtimin e saj për thellimin e miqësisë dhe bashkëpunimit me shtetin izraelit. Po ashtu, dje Fryma e Re Demokratike në vazhdën e takimeve dhe dialogut me qytetarët, e ndali qëndrimin në Maliq, ku i pranishëm në takim nënkryetari i FRD-së Aleksandër Biberaj u tha të pranishmëve se programi politik i FRD-së është gjithëpërfshirës, i thjeshtë dhe pranë qytetarit. Biberaj e cilësoi rotacionin politik të vetmen zgjidhje për Shqipërinë, ndërsa shprehu besimin se më 24 qershor FRD do të jetë forcë qeverisëse.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency