Nëna e 2 fëmijëve denoncoi vrasësin për dhunë, çështja u mbyll në prokurori

0
178

Elton Qyno

prokuroriZbardhet denoncimi i viktimës, Fatos Kapllani e rrihte dhe e kërcënonte

Kapllani, gjysh i një nipi, lidhje dashurie me 32-vjeçaren

 

Marrëdhëniet mes Antoneta Petritit, nënës së dy fëmijëve, dhe 50-vjeçarit Fatos Kapllani, babait të dy fëmijëve dhe gjyshit të një nipi, janë ftohur, kur 32-vjeçarja ka vendosur të braktisë zjarrfikësin e qytetit të Ersekës. Një vendim i tillë është marrë nga Petriti, për shkak se ajo ka zgjedhur të vijojë jetën e vetme me shpresën e lidhjes së një martese tjetër dhe serioze, që do t’i shërbente asaj për rritjen e dy fëmijëve të mitur. Vetë 50-vjeçari ka qenë i martuar dhe me fëmijë të rritur, ndërkohë që prej disa vitesh ishte bërë dhe gjysh. Pavarësisht nga kjo, ai kishte arritur të krijonte një lidhje jashtë martesore me 32-vjeçaren, mirëpo kohën e fundit marrëdhënies mes tyre nuk kanë shkuar aq mirë sa duhet. Për shkak të kësaj, situate 50-vjeçari ka ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së dy fëmijëve të mitur, duke e detyruar Antoneta Petritit që të ribashkohej së bashku me të, dhe të vijonte lidhjen jashtë martesore. Mirëpo sërish, 32-vjeçarja nuk i është bindur duke bërë që ai të ushtrojë disa herë dhunë fizike ndaj saj, të cilat kanë shkuar deri në kërcënime për jetën.

Denoncimi për dhunën

E gjendur nën dhunën fizike të dashnorit të saj dhe në trysninë e kërcënimeve për vrasje, Antoneta Petriti, i është drejtuar komisariatit të policisë Ersekë, ku ka bërë dhe denoncimin e zjarrfikësit të qytetit. Para efektivave të policisë, nëna e dy fëmijë ka vënë në dukje se kërcënohej herë pas here me vrasje dhe është dhunuar fizikisht. Nisur nga kjo situatë, komisariati ka nisur hetimet ku për të sqaruar rrethanat e kësaj ngjarje ka marrë në pyetje, edhe të denoncuarin Fatos Kapllani. Gjatë marrjes në pyetje ky i fundit ka mohuar zërat për një dhunim të 32-vjeçares, ndërkohë që pavarësisht kësaj situate, komisariati i Ersekës ka referuar çështjen në ngarkim të tij në Prokurorinë e Korçës. Pas disa muaj hetime, çështja është pushuar nga ana e akuzës, dhe se nuk dihet me saktësi nëse 32-vjeçarja ka tërhequr kallëzimin penal apo dosja është pushuar për shkak të ligjit të amnistisë. Nisur nga kjo situatë, Fatos Kapllani është afruar sërish pranë 32-vjeçares, duke i premtuar se do të sillej mirë nëse ajo pranonte të kthehej dhe të vijonte lidhjen e saj. Sipas policisë, një gjë e tillë është bërë vetëm për disa kohë, dhe më pas sherri ka rilindur sërish, duke sjellë dhe vrasjen e 32-vjeçares dhe më pas vetëvrasjen e 50-vjeçarit.

Hetimet e policisë

Efektivë të komisariatit dhe specialistë të Drejtorisë së Policisë Korçë kanë kryer dhjetëra veprime me qëllim zbardhjen e rrethana të krimit të dyfishtë. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një automatik kallashnikov si dhe tre gëzhoja. Ndërkohë që janë sekuestruar dhe aparatet celularë të dy viktimave për të mësuar rreth komunikimeve të tyre, gjatë kohëve të fundit. Në pyetje janë marrë më shumë se 20 persona, mes tyre dhe familjarë të dy familjeve të prekura. Ndërkohë që dëshmia më e vlefshme e policisë është ajo e 80-vjeçares që ka qenë e pranishme në momentin e ndodhjes së krimit të rënda, brenda apartamentit të saj në Ersekë. Pas kryerjes së krimit të rëndë, dy trupat e pajetë janë nxjerrë nga dhoma e mbytur në gjak, duke u transportuar në drejtim të morgut të spitalit të Korçës, me qëllim kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore. Pritet që ditën e sotme dy viktimat të përcillen nga familjarët për në banesën e fundit në varrezat e qytetit.

 

Banorët, vizita ngushëllimi në dy familjet

Dy fëmijët mbeten jetimë

shkojnë tek familja e babait

Vrasja e dyfishtë në ditën e të dashuruarve ka tronditur të rinjtë dhe banorët e tjerë të qytetit të Ersekës. Që në orët e para, banorët janë hidhëruar nga vdekja e dy personave, duke i prishur ditën e “Shën Valentinit” të dashuruarve të këtij qyteti. Ajo që ka qenë më e dhimbshme për këtë ngjarje, është se dy fëmijët e 32-vjeçares Antoneta Petriti, tashmë kanë mbetur jetimë dhe se gjatë ditës së djeshme mësohet se ata kanë qëndruar në shkollë, nën kujdesin e mësueses së tyre. Ka qenë babai i tyre dhe njerëzit e afërt që kanë bërë marrjen nga shkolla të dy fëmijëve, duke i mbajtur sa më larg nga lajmi për vdekjen e nënës së tyre. Banorë të qytetit të Ersekës shprehen se njihnin shumë mirë të dyja familjet dhe se kanë qenë njerëz të urtë dhe që nuk krijonin konflikte. “Tashmë një gjë e tillë ndodhi dhe nuk mundet që të parandalohet. Ne si banorë dhe që njihemi me familjet e dy viktimave do të shkojmë për ngushëllime në dy banesat, për shkak të njohjeve që kemi me ta”, – shprehen banorët e zonës. Sipas tyre një krim i përmasave të këtij lloji nuk ishte dëgjuar në zonën e Ersekës, dhe se tashmë jo vetëm që kanë humbur jetën dy persona, por kanë mbetur jetimë dhe pa strehë dy fëmijë të mitur, të cilëve nëna i është vrarë. Shumë nga banorë të pallatit u shprehën se shteti duhet ti ndihmojë financiarisht dy fëmijët me qëllim që ata të ritet, duke mos e ndjerë shumë mungesën e nënës së tyre.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency