Dorëzohen në polici tre të pandehurit kryesorë të Gërdecit

0
155

Elton Qyno

gerdeciLëshohen 15 urdhra arresti, policia fillon ekzekutimet. Gjenerali Luan Hoxha shpëton, ndodhet në SHBA

 

Rikthehen duke qeshur në qelitë e tyre në burgun 313 tre të dënuarit kryesorë për tragjedinë e Gërdecit, biznesmeni Mihal Delijorgji, administrator i punishtes së çmontimit të municioneve Dritan Minxolli dhe ish-drejtori i kompanisë MEICO, Ylli Pinari. Të tre së bashku, me çanta ndër duar i janë drejtuar në orët e mbrëjes së djeshme Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku janë vetëdorëzuar para organeve të rendit. Kjo për shkak se gjykata e Apelit dy ditë më parë dha vendimi e dënimit të tyre si fajtorë të tragjedisë së Gërdecit, duke i dënuar me disa vite burg, dënim ky që ishte më i ulët se ai i dhënë në shkallën e parë. Pas dorëzimit në polici, uniformat blu kanë bërë veprimet formale, duke ekzekutuar urdhrin e arrestit të lëshuar ndaj tre personave të sipërcituar. Pritet që ditën e sotme ata të transportohen në një burg të sigurisë së zakonshme ku do të vuajnë masën e dënimit që u ka mbetur. Kështu biznesmeni Mihal Delijorgji do të qëndrojë në qeli për 3 muaj e 24 ditë, ndërkohë që ish-kreu i MEICO Ylli Pinari do të vuajë dënimin e mbetur prej 3 vjet e 7 muaj, ndërsa Dritan Minxolli do të qëndrojë në burg 5 vjet e 7 muaj. Kjo është masa e dënimit që ka marrë formë të prerë, ndërkohë që tre të pandehurit kryesorë janë shprehur se nëpërmjet avokatëve të tyre do i drejtohen me një rekurs Gjykatës së Lartë, ku do kërkojnë pafajësinë e tyre.

 

15 urdhër-arrestet

Menjëherë pas dhënies së vendimit të Gjykatës së Apelit, Prokuroria e Tiranës ka bërë përllogaritjet e nevojshme dhe se në orët e pasdites së djeshme ka dërguar në policinë e kryeqytetit plot 15 urdhër-arreste të të dënuarve të tragjedisë së Gërdecit. Brenda një kohe fare të shkurtët në policinë e Tiranës, janë dorëzuar tre të dënuarit kryesorë, ndërkohë që fill pas tyre ka filluar menjëherë marrja e masave për arrestimin e 12 personave të tjerë. Burime zyrtare nga policia thanë se duke filluar që mbrëmjen e djeshme kanë filluar kërkimin me qëllim arrestimin e personave të tjerë. Kështu kërkohet menjëherë vetëdorëzimi i shtetasve Sokol Nngjeçi, i cili ka për të shlyer dënimin me 3.7 vite burg, arrestimi i Zenun Feros, me 3 vjet burg, Hysni Çoçkës me 3 vjet burg, Fahri Toskës 3 vjet burg, Denis Hajdarit me 1 vit burg, Jorgo Mino me 3 vjet burg, G. Oshafit me 3 vjet burg, Ndue Markut me 1 vit burg, Tartari 1 vit burg dhe Çaushi me 3 vjet burg. Tashmë të gjithë komisariateve që mbulojnë zonën ku banojnë këta persona i është dërguar një kopje e vendimit me qëllim, arrestimin e personave të sipërcituar. Mësohet se disa prej tyre, pas futjes në burg do i drejtohen sërish Gjykatës së Tiranës, ku do kërkojnë kthimin e dënimit me kusht, duke përdorur të gjitha manovrat ligjore për të mos qëndruar në qeli.

 

Luan Hoxha në arrati

Ai që duket se do shpëtojë nga prangat e policisë dhe nga burgu, është gjenerali dhe ish-shefi i Shtabit të Ushtrisë Shqiptare Luan Hoxha. Pas dhënies së vendimit nga gjykata e Apelit Hoxha duhet të rikthehet në burg dhe të shlyejë dënimin prej 5 vite burg. Mirëpo për shkak të largimit të tij në Amerikë, Hoxha i ka shpëtuar këtij dënimi. Ish-shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë u larguar një vit më parë në SHBA,ku mësohet jo zyrtarisht se ka marrë azil politik. Para disa kohësh është kthyer në Shqipëri vetëm bashkëshortja e tij, ndërkohë që vetë gjenerali, ka zgjedhur të qëndrojë në Amerikë, duke mos u kthyer në Shqipëri.

15 urdhër-arrestet

  1. Ylli Pinari dënohet me 10 vjet burg
  2. Dritan Minxholli dënohet me 10 vjet burg
  3. Sokol Ngjeçi dënohet me 10 vjet burg
  4. Mihal Delijorgji dënohet me 6 vjet e 7 muaj burg
  5. Luan Hoxha dënohet me 5 vjet burg
  6. Gëzim Oshafi dënohet me 3 vjet burg
  7. Jorgo Mino dënohet me 3 vjet burg
  8. Dashnor Çaushi dënohet me 3 vjet burg
  9. Fari Toska dënohet me 3 vjet burg

10. Zenun fero dënohet me 3 vjet burg

11. Hysni Çoçka dënohet me 3 vjet burg

12. Armand Tartari dënohet me 1 vit burg

13. Denis Hajdari dënohet me 1 vit burg

14. Fatbardh Kuçi dënohet me 1 vit burg

15. Ndue Marku dënohet me 1 vit burg

 

 

 

Gjirokastër, merr zjarr shkolla, shpëtojnë 300 nxënës

Rreth 300 nxënës të shkollës 9-vjeçare “Naim Frashëri” në Gjirokastër janë shpëtuar dje falë ndërhyrjes në kohë të zjarrfikësve dhe stafit pedagogjik, të cilët neutralizuan përhapjen e flakëve. “Ndërhyrja e zjarrfikësve ka qenë e vështirë për të depërtuar në godinën trekatëshe, për shkak të lartësisë, si dhe mungesës së shkallës së sigurisë, por ata ia dolën të veprojnë me shpejtësi dhe saktësi, duke shpëtuar 300 nxënësit të frikësuar, që në momentin e rënies së zjarrit ishin në klasat e tyre”, – tha Gentian Mullai, zëdhënësi i Policisë së Qarkut të Gjirokastrës. Nga hetimet e para rezulton se shkak i rënies së zjarrit është bërë një shkëndijë elektrike në kabinën kryesore të shkollës, e cila ndodhet në katin e parë, pranë hyrjes kryesore.

 

Aksident në Tiranë, plagoset rëndë kalimtari

Një këmbësor është plagosur dhe ndodhet në gjendje të rëndë për jetën pasi është përplasur nga një makinë. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme rreth orës 21:00 pranë pallatit të kulturës në Tiranë, ku mësohet se një automjet ka përplasur një kalimtar të rastit dhe është larguar me shpejtësi nga vendngjarja. I plagosuri është dërguar në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak, ndërkohë që policia ka shpallur në kërkim drejtuesin e mjetit. Një sërë veprimesh janë kryer gjatë ditës së djeshme me qëllim kapjen e drejtuesit të mjetit, por që në fakt asnjëri prej postbllokut të policisë nuk ka mundësuar ndalimin e automjetit që bërë aksidentimin e rëndë në qendër të Tiranës.

 

 

Për prishjen e shtëpisë 45-vjeçari tenton hedhjen nga pallati. Shpëton pas negocimit me prokurorin

Për rreth tri orë me radhë një banor në lagjen “Skelë” të Vlorës ka mbajtur në tension forcat e rendit si dhe banorët e asaj zone, nën kërcënimin për vetëflijim. Skënder Musai, 45 vjeç, ka përzgjedhur katin e 11-të të një pallati, ku nga tarraca është lyer me benzinë dhe ka kërcënuar se do të vetëhidhet. Shkak i gjithë kësaj historie është bërë një vendim i Bashkisë së Vlorës për prishjen e një ndërtimi pa leje, pikërisht në pronësi të Musait. Me këtë vendim të bashkisë, ka qenë Inspektorati i Ndërtimit që më pas që gjatë ditës së djeshme ia ka rrënuar banesën, ku 45-vjeçari mësohet se kishte shtëpinë dhe një biznes përmes të cilit siguronte të ardhurat për familjen e tij. I bindur se përmes këtij veprimi i është bërë një padrejtësi e madhe, Musai kërkoi të negociojë me Prokurorinë për të zgjidhur çështjen e banesës, duke pretenduar një takim me vetë Kryeprokurorin Adriatik Llalla. Pas më shumë se 2 orë negociata me policinë përmes bisedës në telefon, më në fund Musai është bindur për të mos u hedhur, duke zbritur kështu nga tarraca ku ishte ngjitur. Mësohet se prokurori i Vlorës, Dorian Tafili, i ka premtuar Musait se do shikohet dokumentacioni që zotëron për ndërtesën e tij. Pas kësaj 45-vjeçari është tërhequr nga vendimi për t’u vetëhedhur, duke bërë që më pas të ndalohet nga forcat e policisë së qytetit bregdetar. Gjatë qëndrimit në majë të pallatit, Musai është lidhur edhe me disa media, duke treguar në televizion të gjitha padrejtësitë që i ishin bërë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency