Dhunë me shkop gome gruas në sy të vajzës 6 vjeçe, dënohet 8 muaj burg

0
167

Sonja Caka

dhunohetGjykata: 47-vjeçari Belba i rrezikshëm për familjen, të izolohet në burg

Kërcënimi i të pandehurit: Do të vras ty dhe familjen tënde

 

Një 47-vjeçar do të vuajë 8 muaj burg, pavarësisht pendesës së shprehur para gjykatës, për dhunën mizore ndaj së shoqes me një shkop gome. Si të mos mjaftonte dhuna e vazhdueshme 4-vjeçare, herën e fundit ajo është ushtruar në sy të vajzës së mitur, vetëm 6 vjeçe. Pavarësisht se e ka dënuar me 8 muaj burg dhe i ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar, trupi gjykues ka vendosur izolimin e tij në ambientet e burgut, për shkak të rrezikshmërisë që paraqet si person për familjen e tij, gruan dhe vajzën 6 vjeçe. Nga vendimi i gjykatës, nisur nga deklarimet e të dëmtuarës, i pandehuri Besnik Belba e ka kërcënuar të shoqen se do ta vriste atë dhe familjen e saj. Madje, në gjendje të dehur, i acaruar edhe nga fjalët e të shoqes se mund të divorcoheshin nëse mendonte keq për të, ai e ka dhunuar në mënyrë barbare.

Ngjarja

Referuar vendimit të gjykatës, ngjarja është denoncuar nga gruaja e të pandehurit Besnik Belba më 20 shtator të vitit të kaluar. Angjelina Belba është paraqitur në komisariatin e policisë nr. 3 të kryeqytetit ku ka bërë kallëzim kundër bashkëshortit të saj, të pandehurit Besnik Belba. Në kallëzimin e saj, e dëmtuara ka deklaruar se është e martuar me të pandehurin Belba prej 10 vjetësh dhe kanë një fëmijë të moshës 6 vjeç. Ajo ka shpjeguar se ka rreth 3-4 vjet që me bashkëshortin e saj ka pasur probleme, pasi i pandehuri Besnik Belba e dhunon pa asnjë shkak fizikisht në banesë. Në datën 19.9.2012 , rreth orës 17:00, pasi është kthyer në shtëpi në Valias, ka gjetur bashkëshortin e saj Besnik Belba të pirë si zakonisht. Në orën 17:30, pasi ka marrë vajzën nga shkolla, Besniku (bashkëshorti i saj) e ka sharë me fjalë jashtë fjalorit normal, madje duke e kërcënuar se do ta vriste së bashku me familjen e saj. E dëmtuara Belba i është përgjigjur duke i thënë të pandehurit se nuk ishte grua e tillë dhe po qe se ai mendonte në këtë mënyrë, të divorcoheshin dhe ai mos ta rrihte. Pas këtyre fjalëve, i pandehuri e ka goditur me shkop gome të dëmtuarën në të gjitha pjesët e trupit, dhe më shumë në kokë, në syrin e djathtë duke i shkaktuar plagë. E pranishme kur është zhvilluar kjo ngjarje ka qenë vajza e tyre e mitur, A. Belba, në moshën 6 vjeçe. Policia, pas marrjes së kallëzimit, ka kryer edhe ekspertizën mjeko-ligjore të Angjelina Belbës, nga ku ka rezultuar se kishte hematoma në pjesë të trupit, çka provonin dhunën e ushtruar. I gjendur përballë kësaj situate, Prokuroria e ka marrë si të pandehur Besnik Belbën për kryerjen e veprës penale të “Dhunës në familje”, të parashikuar nga neni 130/a/3 i Kodit Penal.

 

Vendimi

Gjatë shqyrtimit të çështjes, analizës së provave dhe duke parë edhe rrezikshmërinë e të pandehurit, gjykata vendosi ta dënojë përfundimisht me 8 muaj burg të pandehurin Besnik Belba. Sipas vendimit të gjykatës, i pandehuri, pa asnjë shkak, ka ushtruar në mënyre të vazhdueshme dhunë fizike dhe psikologjike në dëm të bashkëshortes së tij Angjelina Belba. Nisur nga këto fakte, Gjykata arrin në përfundimin se, me veprimet e tij i pandehuri Besnik Belba ka konsumuar plotësisht elementët e figurës së veprës penale të “Dhunës në familje”, parashikuar nga neni 130/a/3 i Kodit Penal. I pandehuri u dënua me 1 vit burg dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar përfundimisht i ngelen 8 muaj burg, të cilat gjykata urdhëroi t’i shlyejë në ambientet e burgut.

 

Gjyqi

Kërkon zhvarrimin e të atit, dyshon se varri është bosh

Gjykata e Tiranës ka nisur dje shqyrtimin gjyqësor për një kërkesë të veçantë, atë të kërkesës së kërkuesit Ligor Gorreja, lindur dhe banues në Tiranë, ku kërkon zhvarrimin e të atit dhe identifikimin e personit. Në seancën e djeshme, para gjyqtarit të çështjes, kërkuesi ka paraqitur dyshimet e tij, duke dhënë detaje mbi kohën e vdekjes së të atit dhe dyshimet se ai është ende gjallë dhe ndodhet në Gjermani. “Don Gorreja, 1930, zyrtarisht figuron i vdekur në datë 13 qershor 1969. Në atë kohë unë isha në moshën 6-vjecare dhe është varrosur zyrtarisht në varrezat e Sharrës, parcela numër tre. Unë ngulmoj në faktin e përdorimit të termit ‘zyrtarisht’ , pasi ndonëse kanë kaluar vite, unë dhe familja ime, si dhe bashkëshortja e tij, nëna ime, nuk jemi të bindur se babai ka vdekur, dhe për aq më tepër se personi që është varrosur, atë ditë në atë varr që mban emrin e tij është vetë ai, ose për t’u shprehur më qartë, nëse vërtetë në atë varr ka person të vdekur. Ne mendojmë se ai është gjallë dhe varri nuk është i tij. E mbështes këtë pretendim në disa fakte. Përpara se të vdiste, nëna më ka treguar se im atë, ishte oficer i Sigurimit të Shtetit. Përpara se të vdiste, ai vetë me gojën e tij i kishte kërkuar nënës time që me fëmijët do të shkosh të jetosh me nënën dhe vëllain tim. Pra ai e kishte parapërgatitur që do të mbetej vetëm pa të. Në një kohë që ai nuk e dinte se do të ‘vdiste’. Kjo ka krijuar bindje te nëna dhe e ne se ai nuk ka vdekur, por mund të jetë dërguar me detyrë jashtë shtetit, nisur kjo nga fakti dhe detyra që ai ka bërë në atë kohë. Gjithashtu, pretendimin se ai nuk ka vdekur e mbështes edhe në aktin tjetër, se ditën e varrimit nuk u lejua të hapej arkivoli dhe babai u varros pa e parë nëna dhe familja kufomën e tij. Në atë kohë u pretendua se ai vdiq nga një sëmundje e rëndë dhe se kufoma nuk mund të shihej”, – deklaroi kërkuesi Gorreja. Pas parashtrimit të dyshimeve të kërkuesit, gjyqtari i la kohë prokurorit të paraqesë në seancën e radhës pretendimet e tij lidhur me këtë kërkesë.

 

Vendimi

Plagosi me thikë 20-vjeçarin, dënohet 2 vjet burg i mituri Xhetani

Gjykata e Tiranës ka dënuar me 2 vjet burg të miturin Eralt Xhetani, i akuzuar për plagosjen e rëndë të një 20-vjeçari. Sipas vendimit të gjykatës,i pandehuri Eralt Xhetani akuzohet për veprën penale të “Plagosjes së rëndë me dashje”, të parashikuar nga neni 88/1 të Kodit Penal dhe për këtë u dënua me 3 vite burg dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar, masa e dënimit i ulet përfundimisht në 2 vjet burg. I pandehuri akuzohet se në qershor të vitit të kaluar ka plagosur me thikë një 20-vjeçar në rrugën “Dritan Hoxha” në Laprakë të Tiranës. I dëmtuari Egzon Gjoka u dërgua me urgjencë në Spitalin Ushtarak, ku falë ndërhyrjes në kohë të mjekëve, ka mundur t’i shpëtojë vdekjes.

 

Tiranë

U kap me armë pa leje, dënohet me 8 muaj burg ish-efektivi i FNSH-së

Gjykata e Tiranës dënoi me 8 muaj burg ish-efektivin e FNSH-së në Kombinat Denis Sukni, i akuzuar për mbajtje pa leje të armëve luftarake. I pandehuri ka kërkuar që ndaj tij të aplikohet gjykimi i shkurtuar dhe masa e dënimit nga 1 vit burg iu ul në 8 muaj. 28-vjeçari akuzohet se iu kap një armë e llojit pistoletë “Makarov”, pa numër, e kalibrit 9 mm, për të cilën u hodhën dyshime se donte ta shiste. Gjithashtu, policia i gjeti edhe armën e shërbimit në momentin e arrestimit. I pandehuri u ndalua disa metra mbi shkollën “Petro Nini Luarasi” në kryeqytet, pasi gjatë një kontrolli të policisë së Tiranës, iu gjet arma tip pistoletë “Makarov” të cilën e dispononte pa leje.

 

Vlorë

Përplasen nga një betonierë teksa e rregullonin, një humb jetën, tjetri rëndë

Përplasja e një betoniere me një godinë ka shkaktuar një bilanc tragjik me një të vdekur dhe një të plagosur rëndë. Viktimë në këtë ngjarje aksidentale ka qenë drejtuesi i makinës, ndërsa i plagosur rëndë mekaniku i servisit ku po rregullohej betoniera. Sipas burimeve zyrtare policore, ngjarja e rëndë ka ndodhur pak para mesditës së djeshme në afërsi të vendit të quajtur “Rrapi” në lagjen Uji i Ftohtë, konkretisht në aksin rrugor që të çon për te shkolla Tregtare dhe pikërisht në një pikë servisi për automjete. Pas aksidentit, dy të dëmtuarve u është ndihmë e menjëhershme, por për fat të keq, drejtuesi i automjetit ka humbur jetën, ndërsa mekaniku ndodhet në gjendje kritike pëqr jetën në reanimacionin e spitalit të qytetit të Vlorës. Nga veprimet paraprake rezulton se viktima Kastriot Ahmeti, 50 vjeç, me profesion mekanik dhe Arjan Meti 47 vjeç banues në lagjen “10 Korriku”, Vlorë kanë qenë duke punuar për riparimin e një mjeti të rëndë (presë) që përdorej për punime ndërtimi. Gjatë punës për riparimin e mjetit, mjeti ka lëvizur dhe është përplasur me një shtëpi, e cila ndodhej aty pranë duke shkaktuar dëmtime të dy shtetasve Ahmeti e Meti, si dhe dëme materiale të banesës. Sipas burimeve, për të nxjerrë nga automjeti trupin e tij është dashur ndërhyrja e shërbimit zjarrfikës dhe banorëve, ku vetëm pas Ndërkohë, bluzat e bardha të Vlorës janë duke u përpjekur për të mbajtur në jetë të dëmtuarin tjetër, 47-vjeçarin Meti. Sipas ekspertizës në vendin e ngjarjes, përplasja ka qenë aksidentale.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency