Standard.al

Bankat sfidojnë guvernatorin Fullani: Borxhet e këqija të na i blejë shteti!

Ervin Kaduku

banka“Topi” mbetet tani në duart e guvernatorit Fullani, që duhet të përcjellë një kërkesë të tillë në qeveri, ta miratojë apo ta hedhë atë poshtë, por kurrsesi ta injorojë

 

 

Halle të reja përballë kreut të Bankës së Shqipërisë, i cili, të paktën deri tani, është mësuar vetëm të konstatojë situatën e vështirë në ekonominë reale, në kushtet e krizës globale, si dhe të bëjë “ex catedra” sugjerime se bizneset dhe qytetarët duhet të tregohen më aktivë në dhënie dhe kërkesë për kredi.

Për të çliruar kreditimin e ekonomisë, bankat e nivelit të dytë kanë propozuar dje që shteti të blejë një pjesë të kredive të tyre me probleme. Bëhet fjalë në radhë të parë për kreditë e bizneseve të kontraktuara për kryerjen e punëve publike dhe që kanë hyrë në kredi pikërisht për shkak të mosshlyerjes së detyrimeve nga qeveria shqiptare. Deniz Deralla, drejtor i divizionit të kredisë në “Credins Bank” p.sh., tha dje për median se kjo mund të jetë një mënyrë efikase për t’i dhënë nxitje ekonomisë.

Blerja e kredive me probleme nga qeveria do t’ju mundësonte bankave të pastronin ndjeshëm bilancet dhe do të rriste hapësirat për të dhënë kredi të reja. Një praktikë e tillë është ndjekur në të kaluarën me kreditë e bankave shtetërore për të mundësuar privatizimin e tyre. Sipas bankave, duke parë vështirësitë që po kalon buxheti, nuk është e thënë që blerja e kredive të bëhet me para në dorë. Ato sugjerojnë që një mjet pagese mund të jenë titujt e borxhit publik. Përqindja e kredive me probleme në sistemin bankar sipas të dhënave më të fundit ka arritur në 23%, por, për banka të veçanta është edhe më e lartë. Llogaritet se detyrimet e papaguara të qeverisë ndaj bizneseve shkojnë në rreth 200 milionë euro, ose afërsisht sa 20% e vlerës së kredive me probleme. Nëse qeveria do të merrte përsipër vetëm blerjen e kredive në vlerën e detyrimeve të papaguara ndaj biznesit, përqindja e kredive me probleme do të zbriste në rreth 18%.

 

Çfarë do të bëhet

 

“Topi” mbetet tani në duart e guvernatorit Fullani, që duhet të përcjellë një kërkesë të tillë në qeveri, ta miratojë apo ta hedhë atë poshtë, por kurrsesi ta injorojë, sikur fjala të ishte për një planet tjetër. Bankat po majmen nga rritja e depozitave të shqiptarëve, ndërkohë që me vite të tëra kanë transferuar edhe miliona euro në drejtim të vendeve të tyre të origjinës, për të ndihmuar nga një vend i vogël si Shqipëria institucione gjigante bankare në vështirësi financiare likuiditeti. Përballë një situate të tillë, Banka e Shqipërisë pak ka bërë për të frenuar sadopak – me rrugët që i njeh ligji – këtë hemorragji të pashembullt kapitalesh, shumë të nevojshme për ekonominë shqiptare. Në rast se këto para do të qëndronin në vend, qeveria shqiptare do ta kishte pasur shumë të lehtë të realizonte rritje dyshifrore dhe jo të përjetonte uljen e ritmeve të rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Tani guvernatorit i takon të mbështetë nismën e bankave të nivelit të dytë apo – më e mira – të kërkojë e të gjejë, nëpërmjet aftësive profesionale të gjithë atyre shkencëtarëve që ka grumbulluar në vite në bankën qendrore, nën egidën e tij, rrugë alternative, që të lehtësojnë barrën e bankave nga kreditë e këqija, por edhe pa rënduar në të njëjtën masë buxhetin e shtetit. Qëndrimi i tij deri tani ka qenë kryesisht konstatues, ndryshe nga homologët e vet “luftarakë” të vendeve fqinjë e atyre evropiane. Por, vetëm më konstatime, apo me investime gjiganteske për fasadën e godinës së BSH, të bëra me urdhër të tij në bankën qendrore, apo me paga tejet të fryra për administratën e BSH, vështirë se zgjidhen këto çështje.

 

 Azerbajxhani prononcohet për herë të parë pro TAP-it

 

Përpjekjeve të qeverisë shqiptare në arenën ndërkombëtare në favor të kalimit të linjës së transportimit të gazit natyror nëpërmjet territorit tonë drejt Italisë duket se po u përgjigjen qeveritë e vendeve të ndryshme njëra pas tjetrës. Pas nënshkrimit të marrëveshjes trepalëshe në Athinë mes Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë, Qeveria e Azerbajxhanit ka dalë për herë të parë haptazi në mbështetje të gazsjellësit Trans-Adriatik. Zëvendësministri i Energjisë në Azerbajxhan, Gulmamad Javadov ka deklaruar për prestigjiozen “Business Week” se TAP është projekti favorit i Qeverisë së Azerbajxhanit, si rruga më e mirë për të transportuar gazin azer në Evropë.
Aktualisht TAP ka vetëm një rival me të cilin konkurron, projektin ‘Nabucco’ dhe roli i Qeverisë së Bakusë konsiderohet si përcaktues në vendimin final për projektin fitues.
“Azerbajxhani shpreson se oferta finale e gazsjellësit Trans-Adriatik që do të dorëzohet në fund të marsit do të jetë e fortë dhe konkurruese për t’u zgjedhur si korridori jugor i transportit të gazit në Evropë”, – është shprehur Javadov nga Athina.
Projekti 800 kilometra i gjatë zotërohet nga tre gjigantë të fushës energjetike, norvegjezja “Statoil”, zviceriania “EGL” dhe gjermanja “EON Rurgs”. “TAP ka qenë gjithmonë teknikisht i mirë, financiarisht i fortë dhe fizibël. Marrëveshja trepalëshe i jep projektit themele të forta politike dhe ligjore si një shans i mirë për të qenë pjesë e korridorit jugor të gazit”, – ka vazhduar Javadov.
Vendimi se cili nga projektet do të shpallet fitues pritet të merret në qershor të këtij viti nga tre kompanitë që zhvillojnë fushën e Shah Deniz 2, që janë ‘British Petroleum’, ‘Shtatoil’ dhe kompania shtetërore e naftës në Azerbajxhan, ‘Sokar’. ‘Statoil’ është direkt e përfshirë në gazsjellësit transadriatik duke qenë aksionerja kryesore e tij me 42.5 për qind të kuotave. Në këtë pikë pozicionimi i qeverisë azerbajxhanase në mbështetje të TAP, duket se e orienton edhe vendimarrjen e aksionerit të tretë, kompanisë shtetërore ‘Sokar’ drejt përzgjedhjes së TAP, realizimi i të cilit përvese sjell përfitime direkte për ekonominë shqiptare, rrit rolin gjeo-strategjik të vendit.

 

 

Comments are closed.