Vendimi: Hetimi i Prokurorisë për 21 Janarin, jo i plotë

0
190

Sonja Caka

hetimiGjyqtarët: Nuk pati një hetim të njëkohëshëm dhe gjithpërfshirës për ngjarjen, nuk u hetua as sulmi kundër godinës së Kryeministrisë

 

Trupa gjyqësore ka dhënë një vlerësim të saj mbi punën e bërë nga Prokuroria për zbardhjen e ngjarjeve të dhunshme të 21 Janarit, duke hedhur akuza mbi hetimin e paplotë. Gjykata në përfundim të shqyrtimit gjyqësor të kësaj çështje, pasi analizoi të gjitha provat e paraqitura nga organi i akuzës, çmon se fakti i parashtruar dhe i hetuar nga ky organ nuk është paraqitur në mënyrë të plotë pasi nuk është realizuar një hetim i njëkohshëm, gjithpërfshirës  lidhur me ngjarjet e datës 21 Janar 2011, në sulmin e zhvilluar kundër godinës së Kryeministrisë dhe forcave të Gardës së Republikës dhe policisë së Shtetit të ngarkuara për të ruajtur atë. Ky hetim  dhe faktet e paraqitura në dosje duhet të ishin të plota për të konkluduar mbi tërësinë e fakteve objekt akuze dhe elementët e domosdoshëm për ekzistencën e veprës penale që do të analizohen më poshtë në këtë vendim dhe në mënyrë të veçantë atë të lidhjes shkakësore mes veprimeve dhe pasojave, ekuilibrit mes intensitetit të sulmit dhe atij te mbrojtjes dhe anës subjektive te autorëve të veprimeve të kryera ne këtë ngjarje. Pavarësisht kësaj, Gjykata ka detyrimin që të analizoje faktin e paraqitur dhe te shprehet per akuzën e ngritur nga organi i Prokurorise në ngarkim të dy të pandehurve, nëse provohet apo jo kjo akuzë. Sipas neneve 148 e vijues te Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë percaktohet se, eshte pikërisht Prokuroria institucioni që ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën në gjyq, pra është atribut vetëm e këtij institucioni që të formulojë akuzën dhe te ushtrojë ndjekjen penale. Sipas vendimit, gjykata bazuar në nenin 3 të Kodit të Procedurës Penale, ka detyrimin që të japë vendimin rreth akuzës mbi provat që shqyrtohen e verifikohen vetëm në seancë gjyqësore. Për zgjidhjen e kësaj çështjeje, Gjykata bën me dije se ka patur parasysh faktin se nëse të pandehurit Ndrea Prendi dhe Agim Llupo e kanë kryer veprën penale të”Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese të parashikuar nga neni 79 i Kodit Penal për të cilën ata akuzohen. Për të arritur në një përfundim ligjor, të saktë, Gjykata shprehet se ka analizuar hollësisht elementët e domosdoshëm të kësaj vepre penale dhe ka bërë analizën nëse plotësohen të gjitha elementët e kësaj vepre penale për t’u konsideruar fajtorë të pandehurit në gjykim, me akuzën e paraqitur nga organi i akuzës.

Pse nuk është fajtor Prendi

I pandehuri Ndrea Prendi akuzohet për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes ne rrethana të tjera cilësuese, në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave “ me pasojë të drejtpërdrejtë vdekjen e të ndjerit Faik Myrtaj, parashikuar nga neni 79, germa “e” i Kodit Penal. Në analizimin e faktit nëse i pandehuri Ndrea Prendi ka kryer këtë vepër penale apo jo gjykata çmon se për të konsideruar një person fajtor për kryerjen e një vepre penale duhet të analizohen një sërë elementësh. Nga provat në tërësi te paraqitura nga akuza dhe në mënyrë të veçantë me aktin e ekspertimit balistik të përgatitur në Laboratorë të specializuar në SH.B.A. të cilat do citohen në vijim, që i pandehuri Ndrea Prendi me pistoletën e tij tip Beretta Nr. P52796Z, ka kryer qitje me 11 fishekë luftarakë te  kal.9mm(9X19) mm.  Me këtë akt ekspertimi, gjykata krijon bindjen se predhat me numrat Q3(Faik Myrtaj) dhe Q7 (të gjetura në zyrat e UNHCR), sikundër edhe 11 gëzhojat e gjetura e sekuestruara brenda rrethimit të Kryeministrisë, janë qitur nga pistoleta e të pandehurit Ndrea Prendi. Me anë të aktit të ekspertimit të kryer me ndihmën e eksperteve te FBI-së në Amerikë i cili i ka dhënë një ndihmë të madhe gjykatës në zbulimin arsyes se vdekjes së të ndjerit F.Myrtaj, Gjykata krijon bindjen që në fakt i pandehuri Ndrea Prendi me pistoletën e tij ka realizuar 11 qitje, nga të cilat njëra prej tyre ka përfunduar në trupin e viktimës Faik Myrtaj. Nga shqyrtimi gjyqësor nuk u provua nëse kishte i pandehuri kontakt viziv me viktimën në momentin që ka qëlluar apo jo? Ka qenë i pandehuri nën efektin e një sulmi të rrezikshëm për jetën në momentin që ka qëlluar? Nga provat e paraqitura nga akuza dhe të analizuara gjatë debatit gjyqësor theksojmë se nuk u provua në mënyrë të qarte as koha dhe as pozicioni i saktë i të pandehurit në momentin kur ka bërë qitjen që ka shkaktuar vdekjen e viktimës Faik Myrtaj. Në këtë aspekt edhe hetimi i zhvilluar nga organi i akuzës ishte i paplotë dhe nuk arriti të provonte nëse ka pasur ndonjë kontakt viziv në momentin e  qitjes. Gjykata i shtron këto pyetje duke pasur parasysh dhe kushtet krejt specifike të situatës së pasqyruar më lart kur ky i pandehur ishte me cilësinë e Komandantit të Gardës së Republikës, nën një sulm të vazhdueshëm prej rreth shumë se 3 orësh me mjete të forta dhe me bomba “Molotov”.  Gjykata çmon se mungesa e hetimit nga organi procedues për të vërtetuar  rrethanat, në të cilat ka qëlluar i pandehuri Ndrea Prendi dhe mungesa e të dhënave të faktit se përse duhej të qëllonte 11 herë i pandehuri Ndrea Prendi, çfarë e ka detyruar ketë subjekt të posaçëm (në aspektin profesional ishte me gradë  Gjeneral dhe me detyre  Komandant i Gardës së Republikës) që të realizonte qitjen përbëjnë një pengesë të pakapërcyshme për të vërtetuar akuzën e Vrasjes me dashje në rrethana cilësuese. Mungesa e fakteve të plota dhe hetimit të gjithanshëm në këtë drejtim i bëjnë të pamundur Gjykatës që të bindet tej çdo dyshimi të arsyeshëm nëse kemi të bëjmë me ndonjë vepër tjetër penale në veprimet e të pandehur Ndrea Prendi apo jo. Gjykata argumenton se provohet se i pandehuri Ndrea Prendi ka qenë në vendngjarje për shkak të detyrës si Komandant i Gardës së Republikës në mbrojtje të  institucionit dhe jo si një person civil dhe i motivuar nga shkaqe personale siç pretendon organi i akuzës. Edhe përsa i përket rrethanës së dytë të pretenduar nga organi i akuzës; se i pandehuri e ka kryer veprën penale duke përdorur armën gjykata e konsideron si ta papërshtatshme dhe të pakuptimtë përcaktimin e kësaj rrethane në kushtet kur vetë organi i akuzës pranon se punonjësit e Gardës janë të pajisur me armatim dhe në disa momente kanë përdorur armët e zjarrit në përputhje me ligjin për armët e zjarrit duke qëlluar në ajër në situatën e krijuar të shpjeguar më lart në këtë vendim.

Pse u shpall i pafajshëm Llupo

Lidhur me të pandehurin Agim Llupo dhe akuzën ngritur në ngarkim të tij atë të “Vrasjes me dashje” të kryer në rrethana të tjera cilësuese, e kryer kundër dy, ose më shumë personave”, parashikuar nga neni 79 gërma “dh” i K.Penal, me pasojë vdekjen e shtetasve Hekuran Deda e Ziver Veizaj, si dhe plagosjen e shtetasve Fatos Mahmutaj, Erald Bisha dhe Sokrat Gode, Gjykata bën të njëjtë lloj analize si për të pandehurin Prendi. Në momentin kur i ndjeri Hekuran Deda fatkeqësisht ka gjetur vdekjen kanë qenë shumë efektive të gardës që  ishin duke qëlluar me armë zjarri dhe është e pamundur të identifikohet dhe të provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm që ka qenë pikërisht Agim Llupo që ka qëlluar të ndjerin. E njëjta situatë paraqitet në dosje edhe përsa i përket pretendimit të akuzës së i pandehuri Agim Llupo ka plagosur të dëmtuarit Fatos Mahmutaj, Erald Bisha dhe Sokrat Gode. Gjykata në analizë të të gjitha provave të shqyrtuara gjatë gjykimit arrin në përfundimin se nuk ekzistojnë prova bindëse që të vërtetojnë akuzën e “Vrasjes me dashje të kryer në rrethana të tjera cilësuese, e kryer kundër dy, ose më shumë personave”, parashikuar nga neni 79 gërma “dh” i K.Penal në ngarkim të pandehurit Agim Llupo. Si rrjedhim bazuar në nenet 4 dhe 388/1/d të K.Pr. Penale i pandehuri Agim Llupo duhet të deklarohet i pafajshëm lidhur me këtë akuzë.

Gjykata

Neni 375 i K.Pr. Penale lejon Gjykatën që në përfundim të hetimit gjyqësor ti japi faktit një përcaktim të ndryshëm nga ai që bën prokurori,  por këtë ndryshim të kualifikimit ligjor të veprës së kryer nga i pandehuri Gjykata mund ta bëjë vetëm nëse fakti është pasqyruar në mënyrë të plotë dhe hetimi është bërë në menyrë të gjithanshme.

Gjykata sqaron se nuk mund të aplikohet nenin 375 në rastin në gjykim për shkak të mungesës së një hetimi të plotë e të gjithanshëm, i cili të bënte një pasqyrim të qartë të fakteve të ngjara realisht nga të gjithë pjesëmarrësit në ngjarjet e datës 21.01.2011 në sulmin ndaj Kryeministrisë, si objekt i rëndësisë se veçantë dhe të personaliteteve të larta të shtetit që ndodheshin në krye të detyrës.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency