Edi Rama pëson luhatje tensioni, 1 orë i shtruar në spitalin e Burrelit me serum

0
181

Gëzim Saliu

ramaFlasin mjekët: Shqetësimet i filluan sapo u fut në repartin e pediatrisë. Rama: Asgjë serioze

 

Një takim normal elektoral me bluzat e bardha në qytetin e Burrelit, ka përfunduar me shtrimin e kreut socialist Edi Rama në ambientet e këtij spitali. Një luhatje tensioni në momentet e para pas mbërritjes në qendërën spitalore, ka bërë që kryesocialisti të mos ndihet mirë dhe të shtrohej menjëherë, duke marrë ndihmën e parë. Pas një trajtimi me serum në spital, lideri i selisë rozë ka rinisur axhendën e takimeve të tij në Burrel dhe më pas është rikthyer në Tiranë.

 

Rënia e tensionit

Dëshmitarët e ngjarjes së djeshme në spitalin e qytetit kanë bërë të ditur se kreu i PS-së ka mbërritur rreth orës 11.00 në Burrel dhe nën shoqërinë e drejtuesve lokalë socialistë ka bërë një takim me mjekët në ambientet e jashtme të spitalit. Pasi është futur në Repartin e Pediatrisë, Rama ka shfaqur shqetësime për shkak të luhatjes së tensionit. Menjëherë mjekët e kanë vizituar dhe për më shumë se 30 minuta i kanë dhënë serum. Dëshmitarët dhe mjekët e spitalit bën të ditur se që në fillim të vizitës, Rama kishte dhimbje koke, ku sipas tyre mbilodhja dhe udhëtimi kishin rënduar gjendjen e kreut të opozitës. Pas qetësimit, rreth orës 12:30 minuta, gjendja e kryesocialistit është stabilizuar dhe më pas nën shoqërinë e mjekëve Rama ka qëndruar në një ndër lokalet e qytetit. Pas publikimit të lajmit rreth luhatjes së tensionit të kreut socialist ka reaguar edhe zyra e shtypit e Partisë Socialiste, e cila bëri të ditur se gjendja e Ramës është stabilizuar dhe se pas serumit ka zhvilluar takimin e parashikuar me mjeket e spitalit të Burrelit. “Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka zhvilluar sot një takim në qytetin e Burrelit. Gjatë kësaj vizite Kryetari Rama ka patur luhatje tensioni. Mjeku i Spitalit të Burrelit z.Hasan Ceni konfirmon se pas një trajtimi të shkurtër me serum gjendja shëndetësore e Kryetarit të PS Edi Rama është stabilizuar. Aktualisht Kryetari i Partisë Socialiste ka filluar takimin e planifikuar me mjekët e spitalit të Burrelit, në kuadër të javës së shëndetësisë. Më pas axhenda e tij do të vazhdojë me takime po në qytetin e Burrelit dhe në orët e pasdites në Tiranë”, theksoi zyra e shtypit në PS. Po ashtu edhe deputeti socialist i Burrelit, Qemal Minxhozi bëri të ditur se,: “Edi Rama ka marrë serum dhe është larguar nga spitali. Luhatjet e tensionit i pati në momentin që sapo zbriti nga makina”, tha Minxhozi duke shtuar se gjendja e liderit të opozitës u përmirësua pas mjekimit.

Mjekët

Ndërkohë drejtori i Spitalit të Burrelit, Bujar Dedja bëri të ditur se Rama kishte planifikuar që kryente një takim me bluzat e bardha në Burrel. Sipas tij përkeqësimi i gjendjes shëndetësore të kreut të PS-së erdhi pasi ai nisi takimin në sallën e pediatrisë. “Paraqitet me shenja të vjella, në hyrje të spitalit më pas vijoi takimet ne pediatri, por aty pati një luhatje tensioni. Më pas kreu i PS mori ndihmën e posaçme shëndetësore, mori serum dhe gjendja e tij u stabilizua. Pas kësaj, kreu i PS, vijoi takimet në spital dhe më pas në Bashkinë e Burrelit”, tha ai. Pas përfundimit të vizitës dhe më pas takimit me bluzat e bardha në qytetin verior, Rama bëri të ditur në rrjetin social “twitter” se gjendja e tij shëndetësore nuk kishte asgjë për tu shqetësuar. “Ndjesë atyre që u shqetësuan nga një lajm i deformuar për shendetin tim që mori dhenë! Asgjë serioze. Pas takimit në Burrel jam në zyrë në PS”, pohoi kreu socialist Edi Rama.

 

Takimi në Burrel, Rama: Sistemi shëndetësor ka falimentuar

Në takimin e zhvilluar në spitalin e Burrelit, kreu socialist Edi Rama ka deklaruar se sistemi shëndetësor ka falimentuar, duke theksuar synimi kryesor i programit të PS-së është ndryshimi rrënjësor. Sipas Ramës duhet të kalohet në një sistem të bazuar te bindja se shëndeti nuk është mall që blihet, por është e mirë publike që duhet të garantohet. “Jemi përpara një fakti kokëfortë të falimentimit të sistemit. Ky është sistem që ka falimentuar me kohë. Faktikisht, vetëm 7% e buxhetit të përgjithshëm që shpenzojnë shqiptarët për shëndetësinë vjen nga sigurimet, gjithë pjesa tjetër vjen ose nga xhepat e atyre që detyrohen të trokasin në derën e spitalit për hall, ose nga taksat e përgjithshme. Ne duam ta ndryshojmë rrënjësisht. Të kalojmë në një sistem shëndetësor të bazuar te bindja se shëndeti nuk është mall që blihet, por është e mirë publike që duhet të garantohet. Mbi këtë bazë ne do të shkojmë përpara. Arsyeja për të votuar programin tonë në 23 qershor është shumë e fortë, në mënyrë të posaçme për të gjitha ata që dëshirojnë një kujdes shëndetësor të një niveli tjetër. Një sistem shëndetësor që të mos i përjashtojë të papunët, duke u thënë, s’jeni të siguruar se s’keni punë dhe kur s’keni punë mos u sëmurni se pastaj s’keni lekë dhe kur s’keni lekë nuk mund të kujdesemi për ju”, theksoi kreu i Partisë Socialiste Edi Rama.

 

 

 

 

Zbardhet kërkesa, PS dërgon në Kushtetuese ndarjen e mandateve

Kërkesa: Formula e 2009-ës nuk garanton barazi vote, duhet shfuqizuar vendimi

Gëzim Saliu

Partia Socialiste depoziton në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për të marrë në shqyrtim vendimin e Kuvendit të Shqipërisë që lidhet me ndarjen e mandateve. Pas një tërheqjeje, në kohën e ndarjes së mandateve, PS dorëzoi dje kërkesën në Kushtetuese, ku dy janë pikat kryesore në të cilat ajo mbështet. “Shfuqizimin si antikushtetues të Vendimit të Kuvendit të Shqipërisë nr.2/2013, datë 31.01.2013 “Për caktimin e numrit të mandateve në çdo zonë zgjedhore të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2013″. Pezullimin e zbatimit të Vendimit të Kuvendit të Shqipërisë nr.2/2013, datë 31.01.2013 “Për caktimin e numrit të mandateve në çdo zonë zgjedhore të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2013″.

 

Kërkesa

Në kërkesën prej 30 faqe ekspertët zgjedhorë të selisë rozë kanë parqitur një sërë argumentash të cilat sipas tyre tregojnë se përse votimi i 31 janarit të vitit 2013 në Kuvend për ndarjen e mandatëve për zgjehdjet e përgjithshme parlamentare është antikushtetues. Në argumentat e saj PS e vë theksnin tek pabarazia e përfaqësimit të qytetarëve në zgjedhjet e 2013-s, ku sipas socialistëve me lëvizjet demografike në Shqipëri, numri i zgjedhësve në qarqe ka ndryshuar. Në këto kushte, theksohet në kërkesë, nuk mundet që vota e çdo zgjedhësi të përfaqësohet në proporcion me shpërndarjen e mandateve të deputetëve për çdo qark si në vitin 2009. “Të shtatë anëtarët e KQZ kanë votuar “kundër” që KQZ “vendos të mos caktojë numrin e mandateve për çdo zonë zgjedhore, për zgjedhjet për Kuvendin 2013″. Duke qenë se, ky vendim është absolutisht i pavlefshëm, pra “nul” dhe i paqenë, vendimmarrja e KQZ për: “Caktimin e numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2013″ është ende kompetencë e KQZ”, shkruhej në kërkesën e PS. Më tej, PS argumentoi gjithashtu se Gjykata Kushtetuese i ka të gjitha mundësitë t’i japë priorioritet kësaj çështje për marrjen në shqyrtim për vetë aktualitetin dhe rëndësinë që përbën. “Mbi cënimin e parimit të barazisë së votës në jurisprudencën e saj Gjykata Kushtetuese ka pasur rastin të elaborojë dhe të shprehet edhe në lidhje me parimin barazisë së votës dhe komponentët përbërës të tij. Ajo është shprehur se:“E drejta e zgjedhjes është një ndër të drejtat kushtetuese të shtetasve që luan një rol kryesor në procesin zgjedhor. Kjo e drejtë që sanksionohet në nenin 45 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë njihet si e drejtë e votës së barabartë dhe si barazi e shtetasve në zgjedhje. Si barazia e votës, ashtu dhe barazia e konkurruesve në zgjedhje, që është konkretizimi i shanseve politike të barabarta, janë të domosdoshme për realizimin e një procesi zgjedhor të drejtë”. Në 31 janar Kuvendi i Shqipërisë miratoi në seancën plenare me 72 vota pro, 63 kundër dhe 1 abstenim shpërndarjen e mandateve ëpr zgjedhjet e 23 qershorit sipas skemës së 2009-ës, pasi KQZ nuk kishte mundur të gjente fillimisht konsensus për të miratuar shpërndarjen e re të bazuar në listën e zgjedhësve të hartuar nga Ministria e Brendshme. Opozita votoi kundër ndarjes së mandateve,duke e cilësuar këtë vendim si antikushtetues pasi sipas tyre kjo ndarje shkon në kundërshtim me barazinë e votës.

 

 

Ndarja e mandateve në 12 qarqet e vendit sipas 2009-ës

1. Zona zgjedhore qarku Berat – 8 mandate

2. Zona zgjedhore qarku Dibër – 6 mandate

3. Zona zgjedhore qarku Durrës – 13 mandate

4. Zona zgjedhore qarku Elbasan – 14 mandate

5. Zona zgjedhore qarku Fier – 16 mandate

6. Zona zgjedhore qarku Gjirokastër – 5 mandate

7. Zona zgjedhore qarku Korçë – 12 mandate

8. Zona zgjedhore qarku Kukës – 4 mandate

9. Zona zgjedhore qarku Lezhë – 7 mandate

10. Zona zgjedhore qarku Shkodër – 11 mandate

11. Zona zgjedhore qarku Tiranë – 32 mandate

12. Zona zgjedhore qarku Vlorë – 12 mandate

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency