Standard.al

Bulevardi i ri, punimet nisin në mars, zgjatim të aksit jug – veri

Blerta Mrishaj

bashaInvestimi prek zonat më të pazhvilluara të kryeqytetit

Projekti i studios arkitekturore britanike “Grimshaw”

 

Duke nisur nga muaji i ardhshëm, nisin punimet në bulevardin e ri dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës. Investimi synon zgjatimin e aksit jug-veri, duke prekur 1/5 e një prej zonave më të pazhvilluara të kryeqytetit, ndërsa projekti zbatues i përket studios arkitekturore britanike “Grimshaw”. Kjo u bë e ditur nga kryebashkiaku Lulzim Basha, gjatë një takimi me drejtues të Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale. Ky projekt hap një mundësi të re për zhvillimin ekonomik dhe nxit punësimin si dhe trefishon hapësirat aktuale të gjelbra dhe krijon një park tjetër të madh.

Projekti

“Brenda marsit ne presim që të nisim investimet për bulevardin e ri, zgjatimin e aksit jug-veri të kryeqytetit, duke filluar nga Stacioni i Trenit deri në lumin e Tiranës e më pas deri në kodrat e Paskuqanit, investim i cili do ta bëjë këtë aks, nga 1.8 km që është aktualisht, në 4.8 km të gjatë, nga sheshi “Nënë Tereza” apo selia qendrore e Universitetit Politeknik të Tiranës deri tek përmbyllja e këtij aksi në kodrat e Paskuqanit. Do të mundësojë futjen brenda qytetit të Tiranës me gjithë potencialin e vet zhvillimor, ambiental dhe rekreativ të lumit të Tiranës që i ka dhënë emrin qytetit por që askush në këtë sallë nuk e ka parë. Shpesh herë edhe nga mediat ngatërrohet me lumin e Lanës dhe do të bëjë të mundur trefishimin e hapësirave aktuale të gjelbra dhe krijimin e një parku tjetër të madh, përtej parkut të liqenit, pra në ekstremitetin verior, në veri të qytetit të Tiranës. E gjithë kjo, në kuadër të një zhvillimi të planifikuar, multidimensional të hapësirës urbane apo akoma për t’u urbanizuar të kësaj zone e cila para 20 vitesh faktikisht ka qenë një tokë bujqësore, ndërkohë që sot është një zonë që ka një popullsi më të madhe se qyteti i dytë më i madh i Shqipërisë”, – u shpreh z. Basha.

Prioritetet

Sakaq Basha njohu të pranishmit me tri prioritetet kryesore mbi të cilat operon administrata e Bashkisë së Tiranës: zhvillimi ekonomik dhe përmirësimi i shanseve për punësim real dhe të qëndrueshëm; përmirësimi i cilësisë së jetës dhe avancimi i qytetit drejt projektit Tirana moderne evropiane. Kryebashkiaku ka nënvizuar kontaktin me qytetarin, si një instrument të domosdoshëm. “Gjërat ecin dhe ecin më mirë nëse ka transparencë dhe bashkëveprim me qytetarët, ndaj kjo pjesë e veprimtarisë që nuk është një synim në vetvete por është për ne një instrument i domosdoshëm për të garantuar suksesin e programeve dhe veprave të përshkruara në këto tre shtylla kryesore të programit që përmenda. Për mua janë “abc-ja” apo të themi elementarja e një pune të mirë dhe vazhdimësisë së mirë të punës” – u shpreh z. Basha. Kryebashkiaku ka bërë të ditur se sot Tirana, pas 23 vitesh ka planin e saj urbanistik, i miratuar nga Këshilli Bashkiak dhe që brenda këtij muaji pritet të marrë edhe aprovimin e Këshillit Kombëtar të Territorit.

 

Decentralizimi

Kalim kompetencash minibashkive, më 28 shkurt vendimi në Këshill Bashkiak

Sakaq kreu i Bashkisë është ndalur edhe tek procesi i decentralizimit. Sipas tij, kur kompetencat janë më pranë qytetarit, edhe shërbimi është më i mirë. Për këtë arsye z. Basha tha se duke nisur nga mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak, një sërë kompetencash do t’u kalojnë njësive të qeverisjes vendore të Tiranës. “Unë besoj fuqimisht tek decentralizimi dhe tek aftësia për të trajtuar me profesionalizëm problemet, kur kompetenca është sa më pranë qytetarit. Në rastin konkret, ndonëse minibashkitë kanë 13 vjet që ekzistojnë, kompetenca e tyre e vetme është vula e gjendjes civile, ndërkohë që këtë vit, duke filluar që nga mbledhja e Këshillit, të 28 shkurtit, unë jam i vendosur t’u transferoj kompetenca për kontrollin e territorit, kontrollin e tregjeve, të stimuloj mbledhjen e taksës së pronës që është kompetencë e tyre dhe t’u ndaj një grant konkurrues, pak a shumë e njëjta skemë që përdor qeveria qendrore me pushtetin vendor”, – theksoi Kryebashkiaku Lulzim Basha.

 

 

Shëndetësia

Tavo, marrëveshje me Vatikanin për protokollet dhe terapinë

 

Ministri i Shëndetësisë, z. Vangjel Tavo, ka nënshkruar dje marrëveshjen për realizimin e planit të bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Shqipërisë dhe Universitetit Katolik të Zemrës së Shenjtë, Fakultetit të Mjekësisë dhe Kirurgjisë “A. Gemelli”, Poliklinikës Universitare “A. Gemelli”dhe spitalit pediatrik Bambino Gesu, në Vatikan. Dy institucionet e Selisë së Shënjtë janë qendra të njohura në të gjithë Evropën për trajtimin e patologjive komplekse dhe qendra formimi dhe kërkimi në teknologjinë e lartë biomjekësore. Sipas kësaj marrëveshje pala Italiane angazhohet të ofrojë mbështetjen e nevojshme në zbatimin e protokolleve dignostike dhe terapeutikë, referuar patologjive komplekse si dhe në zhvillimin e projekteve për trajnimin e personelit mjekësor dhe infermieristik. Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë do të përcaktojë fushat e bashkëpunimit për të cilat Poliklinika Universitare “A. Gemelli” mund të ofrojë konsulencë dhë mbështetje direkte në kuadër të trajnimit për asistencën shëndetësore dhe menaxhimit. Sa i përket trajnimit të personelit mjekësor, infermieristik dhe menaxherial, sipas marrëveshjes ky trajnim do të bëhet nëpërmjet mënyrave të regjistrimit të përkohshëm pranë Poliklinikës Universitare “A. Gemelli”, trajnimeve pranë strukturave shqiptare të interesuara dhe aktiviteteve të llojeve të ndryshme, që do të përcaktohen bashkërisht. Gjatë qëndrimit në Vatikan Ministri Tavo ka firmosur dhe Marrëveshjen e Bashkëpunimit ndërmjet Spitalit Pediatrik Bambino Gesu Romë dhe Ministrisë së Shëndetësisë së Shqipërisë. Bashkëpunimi konsiston në ofrimin e mbështetjes së nevojshme për zbatimin e protokolleve diagnostike dhe terapeutike, që u referohen patologjive të ndërlikuara në fushën e neurokirurgjisë dhe kardiokirurgjisë që nuk mund të zhvillohen në Shqipëri, për të cilat është i nevojshëm trajtimi nga Spitali Bambino Gesu në Romë.

 

Sallat                                                                                        

Ndërtesë të re për urgjencën e QSUT-së

Shërbimi i Urgjencës së Kirurgjisë do të ketë salla të reja, kjo mësohet nga drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nenë Tereza”. Drejtori i QSUT-së, Edmond Rrushi, ka theksuar se tashmë pacientët nuk do të marrin shërbimin në godinën e vjetër e cila prej kohësh ishte amortizuar, por në një ambient ku aparaturat dhe kushtet janë tërësisht bashkëkohore. Sipas tij, ky investim me një vlerë prej 2 milionë eurosh ka të bëjë me pajisje. “Po hapim sallat e reja të Urgjencës Kirurgjikale me pajisje bashkëkohore, të cilët po vendosen për herë të parë në funksionim. Me këtë investim ne i japim një herë e mirë fund urgjencës së vjetër, e cila tashmë do të mbyllet përfundimisht. Këto pajisje për mjekët sjellin një teknologji të re dhe të avancuar, ndërkohë që për pacientët sigurojnë një mbarëvajtje më të mirë të kurimit të tyre”, – është shprehur gjatë fjalës së tij drejtori i QSUT, Edmond Rrushi. Ndërkohë për shefin e shërbimit të urgjencës së Kirurgjisë, Ylli Ziçishti ka pohuar se investimi i bërë sjell përcaktimin e shpejtë të diagnozës së pacientit. “Me investimin e bërë ne tashmë kemi 2 salla operacioni, me pajisje të reja. Ky shërbim ka edhe anën funksionale të tij, pasi çdo pacient që do të paraqitet tek ne do ti bëhet e mundur vendosja e diagnozës brenda 3 orëve, pasi në këtë godinë do të mund të kryejë analizat, vizitat si dhe ekzaminimet e imazherisë. Po kështu edhe pacientët të cilët do i nënshtrohen operacioneve do të reanimohen në ambientet e reja” ka pohuar Ziçishti. Sipas tij, çdo ditë në këtë shërbim kryhen 8 deri ne 10 ndërhyrje përgjatë 24 orëve.

 

Comments are closed.