Terror mbi 11 punëtorë, maskat largohen pas rënies së sinjalit

0
239

Elton Qyno

grabitjaMerren peng 11 persona, dy grabitës tentojnë të vjedhin fabrikën e kozmetikës

 Plot 11 punëtorë të një fabrike kozmetike në Sauk janë terrorizuar si pasojë e futjes në ambientet e brendshme të dy personave të armatosur dhe të maskuar. Të gjithë punëtorët janë lidhur me litarë nga dy grabitësit, ndërkohë që atyre për rreth 30 minuta u është bërë presion dhe janë keqtrajtuar me qëllim që të tregonin se ku ishte kasaforta e fabrikës, në të cilën kishin hyrë për ta grabitur. Në pamundësi për të gjetur në kohë kasafortën dhe sende të tjera me vlerë, ata i janë drejtuar arkës së financës, por fatmirësisht në të nuk ka pasur para. Nisur nga kjo situatë dy personat e armatosur kanë vendosur të qëndrojnë në pritje të pronarit të fabrikës dhe gjatë kësaj kohe dy grabitësit u kanë marrë disa ora dhe unaza punëtorëve dhe më pas janë larguar me shpejtësi nga ana e pasme e fabrikës, duke u larguar në drejtim të fshatit Farkë e Vogël. Në ndjekje të tyre gjatë mbrëmjes së djeshme janë vënë dhjetëra efektiva të policisë së Tiranës, por edhe forca të repartit special RENEA, të cilat kanë vijuar kontrollet në fshatin Farkë, Mullet dhe në disa zona të tjera. Sipas policisë së Tiranës, dy autorët kanë qëndruar për rreth 30 minuta brenda në fabrikë dhe më pas janë larguar me shpejtësi, duke mos arritur të marrin lekët nga kasaforta. Personat kanë qenë me maska, por që policia deklaron se falë dëshmitarëve dhe përshkrimit fizik të dy autorëve, është mundësuar identifikimi i tyre.

Dyshime mbi punëtorët

Kompania e kozmetikës “Health & Beauty Care”, është sulmuar befasisht gjatë mbrëmjes së djeshme nga dy persona të armatosur me automatikë, të cilët pasi kanë hyrë nga dera e jashtme, janë ngjitur mes shkallëve në katin e dytë, atu ku ndodheshin 11 punëtorët e fabrikës. Nën kërcënimin e armëve dhe goditjeve në trup me shkelma dhe grykën e automatikut, dy grabitësit u kanë kërkuar 11 personave që tu japin paratë, dhe tu tregojnë se ku ndodhej kasaforta. Por në pamundësi për të gjetur këtë të fundit ata janë drejtuar në arkën e financës, të cilin e dinin se ku ndodhej. Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, policia e Tiranës ka ngritur dyshimin se grabitja mund të jetë organizuar nga ndonjë punëtor i fabrikës ose nga ish-punëtorët e saj, të cilët janë larguar. Kjo për shkak se dy grabitësit, njihnin shumë mirë hyrje-daljet në fabrikë dhe vendin ku ndodhej kasa e financës. Aktualisht hetimet kanë nisur për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj grabitjeje të mbetur në tentativë, pasi dy autorët gjatë largimin nga dera e pasme s’kanë arritur të marrin asnjë lek në arkën e financës. Një grup hetimor ka shkuar në vendin e ngjarjes, ku dhe ka marrë gjatë mbrëmjes së djeshme deklarimet e 11 personave të pranishëm në fabrikë. Dje në policinë e Tiranës, është marrë në pyetje dhe pronari i fabrikës, i cili ka deklaruar se nuk kishte qenë prezent dhe se s’ka asnjë dijeni se kush nga personat mund ta ketë bërë një veprim të tillë.

Shtypja e sinjalit

Ajo që ka vënë në panik, dy grabitësit ka qenë shtypja e sinjalit të sigurisë nga njëri prej punëtorëve të fabrikës. Pas kësaj,dy grabitësit janë terrorizuar, duke bërë që të largohen me shpejtësi. Por ndryshe nga hynë, ata zgjodhën derën e pasme të fabrikës për të dalë, duke bërë që mes errësirën të largohen me shpejtësi, duke mos rënë në duart e policisë. Ndërkohë që pas marrjes së sinjalit një patrullë policie por edhe disa efektivë të policisë private, që kompania e kozmetikës ka kontraktuar për ruajtjen e sigurisë, kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, me qëllim ndalimin e dy grabitësve. Për shkak se dy personat kanë qenë të armatosur është kërkuar ndërhyrja e forcave RENEA, të cilët gjatë ditës së djeshme kanë ushtruar kontrolle në disa banesa në fshatin Farkë, Farkë e Vogël, Mullet etj., por pa rezultat.

Gjyqi në Kushtetuese

Kryekomunari kërkon rikthimin në komunë

 

Gjykata Kushtetuese shqyrtoi kërkesën e kreut të Komunës Rrethina në Shkodër, Kleves Muja, i shkarkuar nga Këshilli i Ministrave, pas kërkesës së drejtësisë italiane për ekstradimin e tij. Avokati i Mujës kërkoi nga Gjykata Kushtetuese shpalljen si antikushtetues të vendimit të shkarkimit, pasi ai nuk është shpallur fajtor me vendim gjykate. Por përfaqësuesi i qeverisë i kërkoi gjykatës të rrëzojë kërkesën e Mujës, si të pabazuar në ligj. Kleves Muja, kreu i komunës Rrethina në Shkodër, u shkarkua me vendim të Këshillit të Ministrave, pas arrestimit të tij për llogari të autoriteteve italiane që e akuzojnë atë si të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge. Muja pas arrestimit është futur në burgun e Lezhës, ku është qëlluar në kokë me kaçavidë, dhe se prej asaj periudhë ndodhet i shtruar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.

 

Aksidenti në Lezhë

Vdes 51-vjeçarja, plagoset djali 21-vjeçar

 

Një 51-vjeçare ka gjetur vdekjen dhe djali i saj 21-vjeçar është plagosur rëndë mëngjesin e kësaj të hëne në një aksident automobilistik në superstradën Lezhë – Shkodër, në kryqëzimin e Dajçit. Automjeti tip “Mercedes-Benz”, që drejtohej nga Erildon Muleshkaj është përplasur me një tjetër automjet tip “Mercedes-Benz”, që drejtohej nga Prendush Gjekaj. Për pasojë janë plagosur rëndë 21-vjeçari nga Shkodra si edhe nëna e tij Suzana Muleshkaj, 51 vjeçe. Të lënduarit janë transportuar në spitalin rajonal të Lezhës, por 51-vjeçarja nuk ka arritur të mbijetojë për shkak të plagëve të marra. Sipas hetimeve paraprake rezulton se shkak i aksidentit ka qenë rrëshqitja e automjetit që drejtohej nga Muleshkaj për shkak të ngricës. Lezha vazhdon të renditet ndër qarqet më problematike për sa u përket aksidenteve me pasoja të rënda, ku numri më i lartë i tyre është shënuar në kryqëzimet e Shënkollit, Rrilës, Gjadrit, Dajçit, por edhe në segmentin e rrugës Milot – Rubik.

 

Takimi në prokurori

Sequi takon Llallën pas vendimit të 21 Janarit

 

Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, priti në një takim të veçantë shefin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, ambasadorin Ettore Sequi. Në takim, Llalla falënderoi diplomatin Sequi për mbështetjen që i është ofruar organit të prokurorisë nga Bashkimi Evropian për forcimin e kapaciteteve hetuese dhe për përmirësimin e kuadrit ligjor. Duke u ndalur në prioritetet e mandatit të tij, Llalla siguroi zotin Sequi se zyra e prokurorit të Përgjithshëm do të angazhohet maksimalisht për të forcuar besimin e publikut tek institucioni i akuzës, duke u fokusuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sequi, i cili zhvilloi takimin e parë zyrtar me Prokurorin e Përgjithshëm, ofroi garanci të plota dhe mbështetje të Bashkimit Evropian për realizimin e objektivave prioritarë të institucionit të akuzës, në kuadër të forcimin të shtetit ligjor në Shqipëri.

 

Iljaz Dine ende në kërkim, efektivi i policisë pa plagë

Kryeplaku i fshatit qëlloi policin se

e kallëzoi në prokurori për korrupsion

 

Një kallëzim penal ka qenë shkaku kryesor, që solli goditjen me armë nga kryeplaku i fshatit Dërsnik, drejt efektivit të Policisë Kufitare. Sipas burimeve zyrtare, Iljaz Dine, nga fshati Dersnik i Korçës ka qëlluar mbi Isa Bregu, 32 vjeç, por fatmirësisht pa ndonjë plagë apo dëmtim. Ai është larguar menjëherë nga vendngjarja në drejtim të fshatit Voskop me një automjet i ndihmuar nga E. J., 21 vjeç, dhe S. M., 20 vjeç, të cilët u arrestuan për përkrahje të autorit. Më 13 janar polici kishte denoncuar Dinen në prokurorinë e Korçës pasi sipas tij Dine i ka kërkuar favorizime për lidhjet shoqërore gjatë kryerjes së detyrës. Më pas ai e ka kërcënuar nëpërmjet telefonit e më pas e ka qëlluar me pistoletë. Gjatë kontrollit në banesën e Dines, u gjetën dhe bllokuan në cilësinë e provës materiale 30 copë fishekë armë gjahu dhe 1 copë fishek luftarak i kalibrit 7.65 mm, të cilat disponoheshin nga vëllai i tij Emiljan Dine, 33 vjeç, i cili u arrestua në flagrancë. Aktualisht po punohet për arrestimin e kryeplakut të fshatit Dërsnik, ndërkohë që e fatmirësisht efektivi i policisë nuk ka marrë asnjë plagë. Sipas policisë, kryeplaku ka dashur ta korruptojë punonjësin e policisë, duke i kërkuar një favor në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, por që më pas Isa Bregu ka vendosur ta kallëzojë në prokurorinë e rrethit për akuzën e “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency