Si do të llogaritet shuma e pensionit gjatë 2013-ës. Rritja, përfitojnë pensionet e ulëta

0
143

Driçim Çaka

pensionistetSistemi i ri me “shumë shtylla”, kush paguan më shumë, merr më shumë

 

Për të moshuarit, të cilët do të dalin në pension gjatë këtij viti, ISSH ka përgatitur skemën me të cilën do të llogaritet pensioni. Shuma e përgjithshme e pensionit do të jetë jo më shumë se dyfishi i shumës bazë ose 75 për qind e pagës neto mesatare të 3 viteve rresht të 10 viteve të fundit të punës së personit të siguruar. Për të siguruarit vullnetar ISSH bën të ditur se pensioni do të llogaritet në bazë të viteve që janë derdhur kontributet.

Çfarë duhet bërë?

 

Për të përfituar pensionin personi i interesuar, paraqitet 1 vit përpara si dhe duhet të paraqesë kërkesë paraprake me shkrim pranë Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore, tek inspektori pritës. Kur personi që do të fillojë procedurën e kërkesës paraprake, paraqitet për herë të parë tek inspektori pritës i ALSSH-së, ky i fundit, krahas sqarimeve ligjore, është i detyruar ta pajisë të interesuarin me formularin e dokumenteve që duhet të paraqesë për efekt pensioni (bashkëlidhur formulari tip). Kërkesa paraprake plotësohet në ALSSH nga vetë personi ose i autorizuari prej tij me prokurë të posaçme, në prani të inspektorit pritës. Kjo kërkesë plotësohet në dy kopje, nga të cilat, kopja e parë shoqëron dosjen e përpiluar dhe kopja e dytë i jepet personit.

 

Rritja

Burime pranë Ministrisë ë Punës bëjnë të ditur se përgjatë këtij viti, por edhe vitin tjetër, po bëhen gati projekt-draftet të cilat do t’i kërkojnë qeverisë të rritë më shumë pensionet e ulëta. Qëllimi do të jetë thyerja e diferencës mes një pensioni të ulët dhe një pensioni të lartë. Në këtë mënyrë çdo i moshuar do të ketë të ardhurat e mjaftueshme. Për sa i përket rritjes së pensioneve përgjatë vitit 2013, pensionistët do të përfitojnë 4% më shumë se 2012-ta. Kështu, nga muaj korrik do të hyjë në fuqi pensioni i ri, ku pritet të përfitojnë më mijëra të moshuar.

Sistemi i ri i pensioneve

“Reforma e përgjithshme e sistemit të sigurimeve shoqërore ka si qëllim që të sigurojë pensione të mira për ata që paguajnë kontribute, të ofrojë nxitje për t’u futur në skemën kontributive edhe për ata që aktualisht nuk paguajnë kontribute. Realizimi i këtij vizioni do të kërkojë ristrukturimin dhe reformimin e sistemit ekzistues njështyllësh “pay-as-you-go” (kontributet e sotme paguajnë pensionet e sotme), për të bërë një lidhje më të drejtpërdrejtë midis kontributeve dhe pensioneve, kalimin gradual, nën klimën e një pjesëmarrje të një konsensusi të gjerë, drejt një sistemi shumështyllësh të pensioneve”, – thuhet në projektbuxhetin e vitit 2013.

 

 

Përcaktimi i shumës

– Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë;

– Shuma bazë e pensionit që u jepet gjithë personave të siguruar, duhet te sigurojë të paktën një standard jetese minimale, i indeksuar çdo vit në lidhje me indeksin e çmimeve të disa mallrave të zgjedhura, të përcaktuara në rregulloren e Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

– Shtesa që u jepet personave të punësuar, do të jetë 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësueshme që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve. Këshilli i Ministrave të indeksojë çdo vit bazën e vlerësimit individual në lidhje me zhvillimin e kontributeve mesatare të paguara në këtë vit.

– Shuma e përgjithshme e pensionit do të jetë jo më shumë se dyfishi i shumës bazë ose 75 për qind e pagës neto mesatare të 3 viteve rresht të 10 viteve të fundit të punës së personit të siguruar, cila të jetë më e vogël.

Paga neto mesatare e 3 viteve të njëpasnjëshme të 10 viteve të fundit të punës së personit të siguruar, indeksohet çdo vit sipas rregullave të indeksimit të bazës së vlerësuar.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency