…rrekem arsyen mos ta humb

0
163

Poezi/Cikël poetik nga libri “Shtëpia e qenies”

Petrit Nika

arnoli

 

 

 

 

 

 

Qenia dhe anima mundi

 

Rreket mendimi të lindë prej askundi,

mes trajtash ikanake sendesh iluzore;

qenia shkëputet nga anima mundi,

dhe kthehet në vetminë vetore.

 

Tash që muzika prâni dhe heshtja u nder

hapësirës së potershme, drithërohet qenia.

Dhe dritat u fikën, e shkuara ngjan beter;

në anima mundi, mespërmes hyn tenja.

 

Cimbis prajshëm gërvima e konsumimit,

diku mes orendive në ndryshk e në pluhur;

fshehurazi materia shkon drejt vetëflijimit,

në vetmi – si lulja e këputur.

 

Dhe mendimi rreket të marrë trajtë solide,

shmang imazheve ikanake në eklektizëm;

mbi mbresat e largëta me esencë tragjike,

të rindërtojë kumte me optimizëm.

 

Alfabet aliteracionesh mbi krijimin

 

Ajgëtohet aura në artin e amshuar,

hieroglif mistik ku qenia gjen kumtin,

Bibla e besimit në bashkimin e bekuar,

të shpirtit dhe lëndës në anima mundi.

 

Cakëllon centuria cimbal në cekatore,

vlerën e materies përditë në konsum,

çafkëtor çalok çallëstis në çajtore,

në teh, rrekem arsyen mos ta humb.

 

Dekolte dafinore dalldisin degëtendë,

poshtë qiellit plim re të zeza dendësuar,

dhuntia që dheut dhuratë iu pat dhënë,

më kumt pa ia dá misionin e harruar.

 

Emocionet endacake evoluojnë në emfazë,

dhe zbrazen në epigrame ajrore eliptike,

ëndërrimi ëmbëlak është ëngjëll ëndërrimtar,

në diskurs logjik me ligjet fizike.

 

Faktet fajkojnë në filigranë fantazinë,

për misterin e Fjalës, mahnitjen pa cak,

galdimin gudulisës që gulfon guxim,

për ta kthyer kumtin e verbit në akt;

 

 

githpërfshirës për gjësendet në gjithësi,

si shenja stoike në pluralizmin mendor,

hepimin hirplot të Heliosit për hegjemoni,

në proporcion me Fjalën, në kënd drejtvizor.

 

Identik me idetë që improvizojnë importin,

e kumteve të panjohura me një emërues;

jehun jetësor jeratisur prej ku jetonin

Edenit, – aura dhe qenia në eter paqëtues.

 

Kafkulli i kafenjtë i këmbanës kabá,

shujton hapësirën e shurdhët pa dinamizëm,

laboti loton largësinë e lëbyrët ku lira,

me vaj monoton të cyt në nihilizëm.

 

Llohën e llahtarshme ta llogarisësh në llumë,

së gjati, së thelli përbërjen e saj ta perceptosh,

megjithë makthin malarik makut në maksimum,

dhe mugëtirën kompakte që s’të lë të shikosh.

 

Misioni mistik misteresh marroset,

si rrokje e patheksuar në ligjërim të belbtë,

në ndihtë njeriun njeti, e nakatosi,

guroren e fjalëve me tingull të sertë.

 

Opsionet opake organizon organi,

i frymës së fishkur në fëshfërimë karboni,

papritmas paudhësia parashtron planin,

për vese skandaloze e grykësi frymori.

 

Qetësia e qullët në qoshkun qyqar,

ta sjell në mendje pareshtur mundësinë

e rastësisë në renditjen për rol rënkimtar,

me gurin mbi supe, vetëm me vetminë.

 

Sikur ta sajdisësh saktë sajesën në skemë,

si gjethe ekzotike të thatë në herbar,

shmang shijen shëmtane që shthur shimpanzenë,

mes pyllit të bananeve me tabiat xanxar.

 

T’ia taksësh teptisjen e tipareve tekanjoze,

pabesisë së xhunglës egrashe, pa fat,

thirrjeve thuthuqe nën thikë në thertore,

ku tablloja ekzotike stërpiket me gjak.

 

Uvertura e utopisë ushton mbi ujë me uzdajë,

të përcjellë tek qenia shpresën optimiste,

vallëzimi vagabond i valutës mbi valë,

të mos e vyshkë aurën e pamjeve lirike.

 

Xanxare xibërrima xixëllon në xingonë,

qenia sizifiane pareshtur ngjitet në atë xipë,

xugitet xurxull mes xunkthesh dhe xixëmon,

përmes shkretëtisë së Tartarit pa dritë.

 

Xhibali i xhindosur, xhibër si xhonturk,

nuk tërhiqet nga vendimi për shortin fatzi,

yllshuari yllndriturit i ysht ymër kah yllon,

në këtë botë të shthurur, plot marrëzi.

 

Zakoni zbraz zavallet e zemrës në Zanafillë,

ku Fjala përlind krejt aktet e pafundme,

zhurmshëm e zhbën zhgënjimin në zhvillim,

kur shpalos Alfabetin e saj plot kumte.

 

 

Elegji në mëse tri kohë

 

 

Më vjen në kujtesë prore një kohë tjetër;

copra ligjëratash krejt në hekzametër,

me zë ëngjëllor si nga bot’ e epër

hapërdarë lëndinave, fushave me thekër,

vetë erën e malit kisha bërë krehër,

e doja çdo gjë që Zoti kish vepër,

mahnie vërshonte vetë qenia në letër,

si lumenjtë fjalët, s’rrinin më në shtretër,

melosi natyrës nuk jehonte egër,

me nota trishtimi, si muzikë funebër, –

por si vals për mbretër.

 

Tash vitet kaluan, koha bëri fir

çdo ëndërr sublime, çdo vullnet të mirë;

kakaris ariçka qëmenatë, pa gdhirë,

shtëpia e qenies zgripet në humbëtirë,

koha dhe materia ngopur plim me smirë,

s’ka benevolencë hapësirë e mpirë,

pelte krejt i zymtë mbi botë qiell’i nxirë,

kuturu vetë fati godet pa mëshirë,

monada e qenies baret në errësirë,

shpresa përpëlitet, ajme, në këllirë, –

ende sa pa vdirë.

 

 

E ardhmja tralliset tej në cilivi,

horizonti i mugët shtyn në bigudi,

dy tre fije drite dhe mortjen përmbi,

ngado që t’i biesh, vihesh në çeki,

nga Hadi n’Olimp, kudo hierarki,

drejt asgjëje qenia grah në miopi,

lënda prapë i kthehet dheut gjithësesi,

dhe zbruhet në baltë dhe zhbëhet në hi,

shmang syve të botës vdekja zë pusi,

qenia në mosqenie prehet n’përjetësi, –

ku s’ka histori.

 

Morali s’është më veçëse derivat,

i jetës çapraze të bërë beribat,

lëng’i tij dehës të grish në mëkat,

koha sjell mundësinë; me fat o pa fat,

qenia do përzgjedhë natës pa ispatë,

njërën nga dy rrugët – eshkë ose masat,

gjersa të shkojë ploja komplet në disfatë,

gjatë shtegut të Hadit vetëm fillikat,

që nga fillimjeta – tashmë është bajat,

të thuhet se qenia rron si mi në bat –

dhe pret një mandatë.

 

 

Edipi në Kolonë

 

Edipi fatzi s’ka shpatë as pancir,

as vullnesë për jetë ma nuk i ka mbetë,

dhenave të Kolonës bredh krejt në delir,

në terrin e vet.

 

Në Tebë krejt paria, mallkojnë pa ia dá,

i hungërijnë mnerës së fatit të tij,

për të edhe bijëzeza që vetëm nuk e la,

shkërben me erini.

 

Shkërben pa ngushëllim hapsin’ e sfumuar,

si gojë përvëlake Taeneroni,

bile dhe val’deti që furet patrazuar,

shkërben si Akeroni.

 

N’mjerim gdhihet-ngryset, pa gjetë kurkund paq,

ndërsa stina e moti rrjedhin në Kolonë,

s’e le tatën plak të vdesë si zgërlaq,

fatzeza Antigonë.

 

 

Shtëpia e qenies

 

Rri qenia e strukur brenda në shtëpi,

mes lëngut, shafran të helmët,

dhe thuret e shthuret me terezi,

si shkuma mes detit të njelmët.

 

E qullët nga qyli zvarriset përbrenda,

e mbyllur për kohë të gjatë në zhguall,

nga fundi i barkut tek zemra, tek mendja,

gjersa zhgualli të shembet përtruall.

 

Rastis …

 

Rastis zgjyra t’i mbulojë njëtrajtësisht,

simbolet e ndritshme dhe kauza lëkundet,

mes frazash cinike, helmesh, – tinëzisht,

ku qenia e drobitur prej zoresh përfundet.

 

Përfundet në jerm mes turmës bizare,

me kulte grykësie, shantazhe, skërmitje,

me nofka cinike, vështrime xanxare,

që ravgojnë n’eter mu si pikëçuditje.

 

Fundi

 

Në fund, meqë ra fjala, është fjala e fundit,

(fundi ngaherë është më i shpejtë se fjala),

si fllugë n’agim me vela krejt të bardha,

shkon qenia tevona në viset e askundit.

 

Fundin s’mjafton gjuha për ta përcaktuar;

është tkurrje, shpërbërje, elipsë, kataklizëm,

si flluga që mbytet nën shkëmbinj me krizëm,

n’altarin e vetvetes – qenia e flijuar.

 

Fundi është abys ku gjithçka fundoset,

cak ku ajri i vdekur mbushet me liri;

ndoshta fantazma e fllugës baret përsëri,

gjersa uji i lumit heraklitian të jetë sosur.

 

Shënim: Petrit Nika u lind në Dardhë të rrethit të Pukës, më 9 qershor të vitit 1975. Ka përfunduar studimet e larta në Universitetin e Tiranës për Letërsi dhe Gjuhë shqipe në vitin 2000. Është bashkëpunëtor i njohur i medias kulturore dhe medias së përditshme ku ka botuar periodikisht ese, polemika, kritika letrare, poezi e tregime. 

 

Nga libri me tregime “Libri i rërës” i Jorge Luis Borges, përkthyer në shqip nga Azem Qazimi, si dhe nga kapitulli “Arti i tigrave” që u takon poezive të vona të shkrimtarit përfshirë në një trekëndësh me Joyce-in dhe Kafkën, të vlerësuar si idealë të letërsisë së shekullit XX

Një grua ma trishton tërë trupin

 

I Kërcënuari

 

Është dashuria. Do më duhet të fshihem apo t’ia mbath.

Rriten muret e burgut të saj, si në një ëndërr të frikshme. Maska ngashënjyese ka ndryshuar, por si gjithnjë është e vetmja. Ç’më duhen hajmalitë mua: ushtrimi i letrave, erudicioni i vagët, rishtaria në gjuhën e përdorur prej nordikut të sertë për t’u kënduar detrave dhe shpatave të tij, paqja e miqësisë, galeritë e Bibliotekës, gjërat e zakonshme, huqet, dashuria e re e time mëje, hija ushtarake e të vdekurve të mi, nata e përjetshme, mera e gjumit dhe e ëndrrës?

Kohën e mas me praninë apo pa praninë tënde.

Tani kana copëtohet mbi burim, tani njeriu zgjatet kah zëri i zogjve, tani ata që shikojnë në dritare janë muzgulluar, por terri nuk e ka ndehur ende paqen.

Është dashuria, e di: ankthi dhe paqtimi kur dëgjoj zërin tënd, shpresa dhe kujtesa, tmerri i të jetuarit në pafundësi,

Është dashuria me mitologjitë e saj, me magjinë e saj të vogël dhe të kotë.

Është një kthesë udhe ku s’guxoj të kaloj.

Tani më kërkojnë ushtritë, hordhitë.

(Kjo dhomë është ireale, ajo s’e ka parë.)

Më skllavëron emri i një gruaje.

Një grua ma trishton tërë trupin.

 

 

TI

Një njeri vetëm është lindur, një njeri vetëm ka vdekur në të

gjithë botën.

Të pohosh të kundërtën s’është veçse statistikë, një tendosje e

pamundur.

Jo më pak e pamundur se të karfosësh erëmimin e shiut me

ëndrrën tënde të dy netëve më parë.

Ai njeri është Uliksi, Abeli, Kaini, njeriu i parë që shqoi shejzat,

që ndërtoi piramidën e parë, njeriu që shkroi heksagramet e

Librit të Ndryshimeve, farkëtari që gdhendi runat mbi

shpatën e Hengisit, Einar Tamberskelveri, harkëtari.

Librashitësi që birësoi Semuel Xhonsonin, kopshtari

i Volterit, Darvini në kuvertën e Bigëllit, një çifut në

dhomën e vdekjes dhe, me kohë, ti dhe unë.

Një njeri vetëm ka vdekur në Trojë, në Metaur, në Hastings,

në Austerlic, në Trafalgar, në Getisburg.

Një njeri vetëm ka vdekur në spitale, lundra, mes një vetmie të

vështirë, në dhomat e zakonit dhe të dashurisë.

Një njeri vetëm ka kundruar pafundësinë e agullimit.

Një njeri vetëm ka ndjerë në gjuhë freskinë e ujit, shijen e

frutave dhe të mishit.

Flas për njeriun e vetëm, unik, për atë që është prore vetëm.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency