“Rilindja” kthen sistemin e para ’90-ës, PS: Shërbim falas shëndetësor dhe pagesë zero kontributi

0
117

Gëzim Saliu

beqjaAta që paguajnë taksa dhe ata që nuk paguajnë, ata që janë të siguruar dhe ata që nuk janë të siguruar, do të jenë të barabartë me skemën e PS-së, duke marrë shërbim shëndetësor falas

Beqja: Mbulim universal të popullatës së Shqipërisë për kujdesin shëndetësor

 

Programi i Partisë Socialiste “Rilindja shqiptare” parashikon një shndërrim tërësor të sistemit shëndetësor dhe atij të sigurimeve, duke parashikuar shërbim falas për të gjithë qytetarët dhe zerim të të gjitha kontributeve. Me këtë strategji, e cila në aspekte të veçanta ngjason me skemën e përdorur në vend para viteve ‘90, Partia Socialiste do të synojë shndërrimin radikal të sistemit të shëndetësisë në vend. Sekretari për programin në PS, Ilir Beqja, siguroi se Partia Socialiste do të ofrojë shërbim shëndetësor për këdo që ka nevojë dhe pamundësi për të paguar. “Ne propozojmë që Shqipëria të heqë dorë nga ky sistem dhe të kalojë në mbulimin universal të popullatës së Shqipërisë, të qytetarëve të këtij vendi të kujdesit shëndetësor. Ky është thelbi i reformës sonë të re në shëndetësi që unë e çmoj që midis propozimeve tona të programit është ndryshimi më radikal. Mbulim universal për këdo, krijim i Shërbimit Shëndetësor Kombëtar që do të jetë blerësi unik i shërbimit. Ne socialistët kemi këtë vizion, shërbime publike sipas nevojës dhe jo sipas takatit të xhepit për të paguar”, – theksoi ai. Ndërsa pyetjes së gazetarëve se ku do të gjenden financimet për realizimin e një projekti të tillë, kur buxheti i Shqipërisë është shumë herë më i vogël se ai i vendeve perëndimore të zhvilluara, Beqja iu përgjigj duke theksuar: “Shëndeti i çdo qytetari është i vlefshëm, ndaj duhet të jemi të gatshëm të paguajmë këtë kosto”.

Shëndetësia

Sekretari socialist për programin, Ilir Beqja, tha në bashkëbisedimin me gazetarët se në skemën e sigurimeve shëndetësore ka rreth 430-470 mijë kontribuues, por vetëm rreth 20 për qind e popullsisë, sipas tij, përfitojnë nga kjo skemë. Beqja u shpreh se sistemi është i dështuar, ndërsa PS, theksoi ai, ka propozimet e veta konkrete për daljen nga situata. “Nëse krahasojmë 470 mijë persona që kontribuojnë me kontribute të detyrueshme drejtpërdrejtë në skemë, me 2 milionë e 830 mijë veta që ka Shqipëria në 2011 do të thotë që vetëm 16% e shqiptarëve kontribuojnë në skemë. Në qoftë se mbas 18 vjetësh jemi në këtë gjendje do të thotë që ky sistem nuk ka themele”, – deklaroi Beqja. Më tej, duke pohuar se sistemi aktual që përdoret në vend ekziston në pjesën më të madhe të botës, sekretari për programin në PS theksoi se ky sistem nuk mund të funksionojë sipas tij në Shqipëri pasi sipas tij thelbi i dështimit të tij është papunësia. “Për sa kohë kemi zgjedhur të sigurojmë shëndetin me kontribute që mbahen me të ardhurat nga puna, nëse i kthehemi asaj shifrës se fillimit se sa persona paguajnë kontribute dhe ne themi që janë 1 milion të papunë, atëherë rezulton që ata që nuk paguajnë kontribute janë 1.2 milionë”, – tha ai. Po ashtu, Beqja paraqiti si tepër shqetësuese nivelin e buxhetit të vënë në dispozicion të këtij sistemi, të cilin e cilësoi ndër më të ulëtit në Evropë. “Në 2005 kanë qenë 9.3% të shpenzimeve buxhetore. Në 2012, 9.1%. Parashikimi i 2013-ës është 8.9% apo programim. Dhe kundrejt GDP-së jemi pak e shumë në të njëjtat nivele pra nga 2005 e deri më sot nuk ka ndodhur ndonjë ndryshim rrënjësor për fat të keq as ndonjë përmirësim i lehtë i peshës që shpenzimet publike për shëndetin zënë kundrejt GDP apo buxhetit. Ja ku e keni edhe ndaj GDP-së. 2.7% në 2005, 2.7% në 2012, 2.6% parashikohet në 2013”, – theksoi sekretari për programin në PS, Ilir Beqja.

 

 

Rama: Shërbim Kombëtar Shëndetësor

Kreu socialist Edi Rama ka deklaruar se PS parashikon në programin e saj që skema e shërbimit shëndetësor të ndryshojë tërësisht dhe ky shërbim të blihet nga shteti: “Duam që patjetër ta blejë shteti shërbimin. Duhet ta blejë shteti për të gjithë njerëzit dhe duhet ta japë nëpërmjet një institucioni që ne duam ta themelojmë, Shërbimi Kombëtar Shëndetësor. Ajo që ndodh sot është që në 100 lekë shpenzime për shëndetësinë në një vit, vetëm 7 lekë përballohen nga kontributet e njerëzve. 33 lekë nga taksat e përgjithshme dhe gjithë pjesa tjetër nga xhepi i njerëzve të papunë. Kjo është e tmerrshme! Pra, 60% e shpenzimeve për shëndetin në Shqipëri përballohen nga xhepi, nga borxhet, nga shitjet e pasurive, nga sakrificat e familjeve që nuk sigurohen dot se janë të papuna. Kjo duhet të ndryshojë menjëherë”, – bëri publike kreu i PS-së, Edi Rama, detajet e programit të PS-së për shërbimin shëndetësor.

 

ISKSH: Skema mbulon 100% pensionistët dhe kategoritë në nevojë

Pas akuzave të Partisë Socialiste për skemën e sigurimeve ISKSH reagoi dje duke bërë të ditur se skema mbulon 100% pensionistët dhe kategoritë në nevojë. Kjo skemë përfshin të gjitha kategoritë në nevojë të cilat mbulohen nga shteti. Pra, përveç kontribuuesve të drejtpërdrejtë në skemë, Qeveria përgjigjet për kategoritë në nevojë si pensionistët, invalidët etj, të cilët përfitojnë 100% të shërbimeve falas. Duhet theksuar, se qeveria paguan 76% të fondeve totale te buxhetit te ISKSH-se dhe vetëm 24% vijnë nga kontributet”, – sqaroi ISKSH. Më tej në deklaratën e këtij institucioni theksohet: “Mbulimi universal është në bazë të skemës së sigurimeve sot në Shqipëri. Universalizmi konstituohet duke shtuar shërbime shëndetësore dhe duke mbuluar te gjithë popullatën në nevojë sikurse janë pensionistët, veteranët, të papunët etj., kategori që mbulohen sot 100% nga skema jonë e sigurimeve. Ky parim, sanksionohet më qartë në ligjin e ri të sigurimeve shëndetësore përmes paketave të mirëpërcaktuara të shërbimeve për të gjitha kategoritë në nevojë. Ky është një ligj i punuar me ekspertët tanë më të mirë, nën asistencën e Bankës Botërore dhe synon pikërisht mbulimin universal të popullatës”.

 

Kategoritë e popullsisë që përfitojnë më tepër rimbursim janë:

• Pensionistët me një vlerë rimbursimi vjetor rreth 3,565 milionë lekë, ose 45% të shpenzimeve totale.

Numri i pacientëve të trajtuar për këtë kategori shkon në 230,099 pensionistë në muaj.

• Invalidët e plotë me një vlerë rimbursimi vjetor rreth 2,425 milionë lekë, ose 31% të shpenzimeve totale.

Numri i pacientëve të trajtuar për këtë kategori është rreth 44,676.

• Të sëmurë me Ca me një vlerë rimbursimi vjetor rreth 703 milionë lekë, ose 8.9% të shpenzimeve totale. Numri i pacientëve të trajtuar për këtë kategori është rreth 4000.

• Veteranët me një vlerë rimbursimi vjetor rreth 323 milionë lekë, ose 4.08% të shpenzimeve totale. Numri i pacientëve të trajtuar për këtë kategori është rreth 10,948.

Në skemë përfshihen dhe kategori të tjera si popullësia aktive, fëmijet etj.

 

 

 

Kreu i LSI-së: Skema e PS-së për shërbimin shëndetësor na rikthen në komunizëm

Vetëm pak kohë më parë, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i ka cilësuar si absurde deklaratat e kreut të PS-së, Edi Rama, për dhënien falas të shërbimit shëndetësor. Në një intervistë televizive për gazetarin Alfred Peza, i cili ditët e fundit iu bashkua Partisë Socialiste, Meta theksoi se politikat e Ramës janë antishtet, pasi sipas tij, socialistët në asnjë rast nuk deklarojnë se ku do t’i gjejnë të ardhurat për të investuar në sistemin shëndetësor. Sipas Metës, me këtë skemë që parashtron PS-ja, pra shërbim shëndetësor falas si për ata që paguajnë sigurimet po ashtu edhe për ata që nuk i paguajnë, vendi kthehet në kohën e regjimit komunist. “Është e papranueshme për mua për vizionin që ka paraqitur sot kreu i PS për shëndetësinë është që kur të vijë PS në pushtet do t’u ofrojë shërbimin njësoj si atij që sigurohet dhe atij që nuk sigurohet, sepse nuk bëjnë dallime. Të thuash këtë gjë është njësoj sikur të kthehesh në moshën kur ishim të vegjël dhe dëgjonim që pas socialistëve ishte një sistem tjetër edhe më i mirë se komunizmi. Do ishte koha ku njerëzit mund të punonin aq sa mund të punonin por do të merrnin sa të donin. Ky është vizioni që praktikisht u paraqit nga kreu i PS për modernizim e shëndetësisë në të ardhmen. Pra, sipas tij, çdokush mund të marrë shërbim, edhe nëse sigurohet, edhe nëse nuk është i siguruar”, – u shpreh kreu i LSI-së Ilir Meta në intervistën e dhënë më 9 prill 2012.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency