Mefshtësia e Tiranës dhe Presheva

0
140

Çelo Hoxha

 

presheveShqipëria nuk është shquar në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve, të cilët, për shkak të vendimeve të Konferencës së Londrës (1913), jetojnë prej një shekulli jashtë kufijve të saj. Paaftësia e saj për të përmbushur detyrimet si shtet amë ka qenë pasojë e një sërë faktorësh.

Përcaktimi i kufijve të Shqipërisë, nga ndërkombëtarët, la jashtë pjesën më të madhe të trojeve shqiptare, “rastësisht” pjesën e ultësirave pjellore. Greqia, Serbia dhe Mali i Zi, ish-pjesë të Perandorisë Osmane, të cilat ishin shkëputur dhe kishin krijuar shtetet e tyre prej dekadash, në 1912, kur shqiptarët shpallën pavarësinë e tyre, ishin armiqtë kryesorë të shtetit të ri. Ata organizuan dy luftëra, që quhen Luftërat Ballkanike, për pengimin e shtetit shqiptar, me luftën e parë, dhe shpërbërjen e tij, me luftën e dytë. Shqipëria asokohe ishte pjesë e Perandorisë dhe largimi i osmanëve nga Evropa, siç i artikulojnë historianët shkaqet e Luftës së Parë Ballkanike, kishte si qëllim të fundmë ndarjen e territoreve të Perandorisë mes shteteve pjesëmarrëse në luftë. Lufta e dytë pastaj, e cila u zhvillua mes koalicionit ballkanik antiosman të luftës së parë, zbuloi përse u derdh gjithë ai gjak. Fqinjët e Shqipërisë shpalosën qartë mentalitetin e tyre plaçkitës.

Fuqitë e mëdha, të cilat patën fjalën e fundit në krijimin e shtetit shqiptar, kishin qëllime të mira për Ballkanin, por qasja për realizimin e saj ishte e gabuar. Evropianët kishin më shumë se një shekull që mendonin se paqja ballkanike apo më gjerë mund të vendosej me logjikën e pyllit: egërsirat zbuten duke u hedhur thela. Kështu përfunduan trojet shqiptare në juridiksionin e shteteve fqinje. E drejta e vetëvendosjes së popujve ishte e bazuar jo në parime morale, por në forcë. Shqipëria ishte krijesa më e brishtë e pyllit.

Një vështirësi shtesë në ndërtimin e shtetit shqiptar ishin vetë shqiptarët. Deri atëherë ata kishin jetuar në katër njësi administrative të veçanta, si pjesë e Perandorisë Osmane. Përpjekjet e Lidhjes së Prizrenit për organizmin e katër vilajeteve në një strukturë të përbashkët, brenda Perandorisë, praktikisht organizmin e një shteti shqiptar autonom, nuk patën sukses. Autonomia do të kishte mundësuar që shqiptarët të krijonin strukturat administrative që më vonë do të ishin baza e shtetit shqiptar. Përveç kësaj, autonomia do të kishte ndihmuar në formimin e mentalitetit shtetëror te popullsia dhe, në momentin e pavarësisë, banorët do të kishin qenë më të bashkuar e më të fortë në krijimin e shtetit të tyre.

Kusuret e Shqipërisë s’kishin të sosur. Pas Luftërave Ballkanike nisi Lufta e Madhe, e cila më vonë u thirr Lufta e Parë Botërore, Shqipëria u kthye në një hapësirë e kontrolluar pak e nga të gjithë ose askush. Vangjel Koça ka shumë të drejtë kur shkruan se de facto shteti shqiptar filloi me Kongresin e Lushnjës, më 1920, por një shtet shumë i dobët për të qëndruar në këmbë, le më të mbronte bashkëkombasit jashtë kufijve të tij.

Në vitet ‘20 të shekullit të kaluar, për shembull, kur Greqia bëri shkëmbimin e popullsisë me Turqinë, pas Marrëveshjes së Lozanës (1922), ajo e shfrytëzoi këtë rast për të larguar bashkë me turqit dhe mijëra shqiptarë nga zona e Çamërisë, për shkak të besimit të tyre mysliman. Ambasadori shqiptar në Athinë i bëri thirrje Tiranës që t’i përgjigjej Athinës me politikë reciprociteti. Tirana nuk veproi, shkaqet merren me mend. Pak më vonë Mid’hat Frashëri dhe dorëheqjen nga detyra e tij në Athinë.

Kur shikojmë nga distanca historike që kemi, është e vështirë ta fajësosh Tiranën për pasivitetin. Në vitet 1923-1925, rruga e Shqipërisë ishte kalimi nga një krizë politike në një krizë tjetër politike, kurse ekonomikisht ishte jashtëzakonisht e dobët.

Me ardhjen e komunistëve në pushtet, pas Luftës së Dytë Botërore, gjërat u bënë edhe më të vështira. Komunistëve nuk u interesoi asgjë veç pushtetit personal të një grupi të ngushtë kriminelësh, të cilët, për të ruajtur këtë pushtet, e izoluan Shqipërinë nga bota. Kushdo që pretendon se komunistët punuan për mbrojtjen e shqiptarëve në vendet fqinje, duhet të shpjegojë se si mund të realizohej një gjë e tillë, kur ajo s’kishte as marrëdhënie diplomatike me këto vende. Jo vetëm kaq, komunistët hoqën dorë nga Kosova që gjatë luftës. Madje, ishte ushtria partizane shqiptare ajo që e mori Kosovën nën kontroll dhe pastaj ua kaloi jugosllavëve. Masakra e Tivarit, ku u vranë të paktën pesë mijë shqiptarë të Kosovës, u krye nga jugosllavët në bashkëpunim me Tiranën.

Gjenocidi i shtetit grek ushtruar ndaj popullsisë çame është një nga krimet më të rënda, të ushtruara ndaj popullsisë shqiptare në Ballkan, që duhet të rëndojë më shumë në ndërgjegjen e shtetit shqiptar. Shqipëria nuk do të kishte qenë aq e pafuqishme dhe injorante për të mbrojtur jetën e shqiptarëve në Greqi, sikur komunistët të mos e kishin futur vendin në luftë civile dhe pastaj të merrnin, me dhunë, pushtetin. Komunistët ishin shqiptarë, por me ndërgjegje kombëtare shumë të ulët, por edhe sikur të themi se ishin pa ndërgjegje kombëtare fare nuk ekzagjerojmë asgjë. Në kohën që shqiptarët e Çamërisë u përzunë nga trojet e tyre, qeveria komuniste në Shqipëri ushtronte të njëjtën dhunë ndaj nacionalistëve shqiptarë, atyre që kishin punuar një jetë e vazhdonin të punonin me dashuri për Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët në Ballkan. Ata u lidhën me armiqtë e Shqipërisë nga njëra anë dhe nga ana tjetër heshtën kur armiq të tjerë punuan kundër interesave të shqiptarëve. Tragjedia që u ndodhi shqiptarëve të Greqisë nuk ishte një krim kundër shqiptarëve, ai ishte, njëkohësisht, një krim kundër njerëzimit, gjë që zgjeronte bazën morale dhe e lehtësonte punën e Tiranës për të ngritur zërin. Mirëpo, asokohe Tirana qeverisej nga një grup kriminelësh.

Me rënien e komunizmit, bota mësoi një gjë: shqiptarët mezi qëndronin në këmbë për veten e tyre, le më të ndihmonin të tjerët.

Pavarësia e Kosovës është plotësisht meritë e qytetarëve të saj dhe e miqve ndërkombëtarë që ata grumbulluan rreth vetes me politikën e tyre paqësore. Kontributi i Shqipërisë sigurisht nuk mungoi, por ishte i nivelit shumë të ulët. Pritja që ajo u bëri refugjatëve nga Kosova në 1999, rreth një milion vetë, ishte e pashoqe në botë, por nga ana tjetër ishte dhe një veprim që nuk i shmangej dot. Megjithatë, ajo fatkeqësi pati një rrjedhojë fatlume: gjaku u takua me gjakun e njëjtë dhe kështu u bë lidhja e ngrohtë që kemi sot. Për një shekull mes vëllezërve ishte futur hasmi dhe kishte krijuar ndarjen që nuk do të mund ta zhduknin as mijëra hektarë me vargje atdhedashurie, fjalime patriotike, hekurudha, autostrada dhe tunele bashkimi.

Pavarësia e Kosovës, përveç lirisë që u siguroi banorëve të saj, ia rriti Shqipërisë autoritetin në arenën ndërkombëtare, sidomos në Ballkan. Tirana duhet të përfitojë nga kjo dhuratë, në të mirë të shqiptarëve dhe të rajonit.

Prishtina prej kohësh është e përfshirë në çështjen e bisedimeve me Beogradin. Serbia, një shtet me përvojë të gjatë në veprimtarinë e saj destruktive kundrejt shteteve fqinje të sapokrijuara e në vazhdimësi, kurse Kosova e brishtë duket se po lufton e vetme. Serbia i shfrytëzon serbët brenda Kosovës për të bërë shantazh, formulon platforma, ushtron presion me të gjitha format. Në ndihmë të Kosovës duket se qenë më shumë banorë të krahinave në shqiptare në Serbi, të cilët praktikisht janë një entitet politik shumë i dobët. Konflikti mes Preshevës dhe Beogradit për lapidarin e ushtarëve të vrarë të UÇPMB-së është një thirrje për Tiranën, ajo nuk duhet të rrijë pasive.

Tirana duhet të kishte një grup pune të veçantë, ndoshta një institucion, që të merrej me çështjen e shqiptarëve në Ballkan, njerëz idesh, jo njerëz dosido, të cilët duhet të ofronin zgjidhje për të gjitha sulmet e Serbisë. Tirana duhet ta kishte përgatitur tashmë platformën e saj për Kosovën dhe gjithë Ballkanin, si kundërpërgjigje ndaj platformës serbe për Kosovën. Ajo mund të kishte përgatitur dy platforma: një për Kosovën dhe një për gjithë Ballkanin. Të parën ta përdorte Prishtina, të dytën ta publikonte Tirana, që t’i kujtonte Evropës se çdo veprim kundër interesave të Kosovës do të kishte pasoja më të gjera. Nëse Serbia kërkon ndarjen e fshatrave serbe nga Kosova, në platformën e Tiranës duhet të kërkohet ndarja e të gjitha zonave shqiptare nga shtetet e Ballkanit dhe bashkimi i tyre me Shqipërinë. Një zgjidhje e tillë bazohet në të njëjtën logjikë që serbët kërkojnë ndarjen e Kosovës.

Në rastin e Preshevës, Tirana dhe Prishtina duhet të kishin argumentuar tashmë pse ato troje janë pjesë e Kosovës. Një shpjegim të thjeshtë po e bëj unë këtu.

Presheva, Medvegja dhe Bujanovci kanë qenë pjesë e vilajetit të Kosovës. Ato iu kaluan Serbisë në kohën e Jugosllavisë, pas Luftës së Dytë Botërore. Arsyeja pse u bë kjo është, sepse ajo zonë është nyja e rrugëve ballkanike. Me shpërbërjen e Jugosllavisë duhej të shpërbëhej Jugosllavia, jo të shkëputeshin zonat që Serbia nuk i mbante dot nën kontroll policor. Tirana duhet ta hedhë idenë dhe nëse ajo zbatohet, edhe në shkëmbim të fshatrave serbe, ashtu le të bëhet. Në fund, të gjitha palët do të bien rehat, sepse asnjëra nuk do të ketë mish të huaj brenda trupit të saj.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency