Vrau çobanin me çifte në kullotë 16-vjeçari fshehu krimin, arrestohet

0
141

Elton Qyno

prangosetTepelenë, prangoset Hasan Çela, djali i Hetem Çelës, që kishte punësuar si çoban 52-vjeçarin Cjapi

Krimi në kullotë, minoreni: E vrava aksidentalisht, çiften e fsheha në stallat e deleve

 

 

Një 16-vjeçar është autori i vrasjes së 52-vjeçarit Bilbil Cjapi, çobanit që u gjet i pajetë në një kullotë në fshatin Ivzor të Tepelenës. Hasan Çela është autori i krimit, i cili teksa ndodhej së bashku me Bilbil Cjapin në kullotën e deleve, e ka qëlluar aksidentalisht këtë të fundit teksa ishte duke luajtur me armën e gjahut tip çifte. Pas vrasjes minoreni është larguar në drejtim të stallave të deleve, ku edhe ka fshehur armën e krimit dhe më pas, ka raportuar tek i ati Hetem Çela se çobanin që kishin punësuar prej disa ditësh, e kishte gjetur të vdekur. Me këtë alibi, është mbrojtur edhe përpara oficerëve të policisë së Tepelenës, por pas verifikimeve të shumta dhe pyetjes me detaje të 16-vjeçarit, ky i fundit ka filluar të japë dëshmi kontradiktore, duke i ngjallur dyshime anëtarëve të grupit hetimor. 16-vjeçari Hasan Çela, së bashku me disa efektivë të policisë, kanë shkuar në vendin e krimit dy ditë më parë, ku dhe ka treguar mënyrën se si e ka parë të vdekur çobanin nga Roskoveci. Mirëpo edhe në tregimin e ngjarjes në vendin e krimit, 16-vjeçari ka shfaqur kontradikta dhe për pasojë është urdhëruar ndalimi i tij, për një periudhë 24-orëshe. Pas marrjes në pyetje, minoreni ka pranuar autorësinë e vrasjes së çobanit duke treguar se kishte qenë duke luajtur me çifte, kur papritur arma i është shkrehur aksidentalisht dhe për pasojë saçmat kanë goditur në gjoks 52-vjeçarin Bilbil Cjapi.

 

“Mendova sa i ra të fikët”

Përgjatë natës së të shtunës, 16-vjeçari ka treguar në polici se ai ishte personi që kishte qëlluar me armë zjarri, por një veprim të tillë e ka bërë aksidentalisht dhe jo me dashje. Në dëshminë e tij dhënë para oficerëve të policisë, Hasan Çela ka pohuar se fillimisht kishte shkuar për t’i çuar bukën Bilbil Cjapit, por më pas ka pranuar se me 52-vjeçarin ka qëndruar përgjatë gjithë ditës dhe së bashku kullosnin delet në kullotë. Hasan Çela, ka rrëfyer se ishte duke luajtur me çiften e tij, të cilën e mbanin gjithnjë me vete, kur teksa e mbante në duar, arma ka bërë qitje të panevojshme dhe më pas saçmat kanë hyrë në gjoksin e shtetasit Bilbil Cjapi, i cili ndodhej shumë pranë me 16-vjeçarin. Fillimisht ky i fundit ka menduar se çobanit i kishte rënë të fikët dhe menjëherë ka vrapuar në drejtim të stallave të bagëtive, ku ka fshehur çiften. Pas kësaj ka njoftuar të atin Hetem Çelën, duke i pohuar se çobanin që kishin punësuar e kishte gjetur të pajetë. Të dy së bashku kanë shkuar në vendngjarje ku kanë konstatuar trupin e pajetë të 52-vjeçarit Bilbil Cjapi, dhe nisur nga kjo situatë babë e bir kanë njoftuar policinë, për vrasjen e çobanit të tyre. Kanë qenë efektivë të policisë së Tepelenës ata që kanë shkuar në vendngjarje, ku pas verifikimit të trupit kanë mësuar se vrasja e viktimës është bërë me çifte. Ndërkohë që pas marrjes në pyetje të 16-vjeçarit, fillimisht ky i fundit është mbrojtur duke ngritur alibinë, se ai e kishte gjetur viktimën të vrarë, dhe se kishte shkuar në kullotë me qëllim e vetëm për ti çuar bukën e drekës shtetasit Bilbil Cjapi. Mirëpo pas verifikimeve të kryera, alibia e tij është rrëzuar duke bërë që 16-vjeçari të pendohet, duke treguar me detaje krimin e rëndë që kishte kryer. Hasan Çela, u ka treguar dhe vendin se ku kishte fshehur çiften, e cila tashmë është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Çobani ishte i divorcuar

Bilbil Cjapi, 52-vjeçari i vrarë me çifte, prej 10 ditësh ishte punësuar si çoban tek shtetasi Hetem Çela. Si pasojë e kushteve të vështira ekonomike dhe divorcit me gruan e tij, Cjapi kishte disa kohë që punonte në disa fshatra të Tepelenës si çoban delesh apo dhish. Prej dhjetë ditësh ai ishte punësuar tek fermeri Hetem Çela në fshatin Ivzor të Tepelenës, ku dhe gjeti vdekjen me një të goditur çifteje. Bilbil Cjapi njihej në zonë si banor i urtë dhe fjalëpak, për shkak edhe të halleve të shumta që kishte në jetën e tij. Të afërmit e tij kanë shkuar në Tepelenë ku kanë tërhequr trupin nga morgu i spitalit, me qëllim kryerjen e ceremonisë mortore në Roskovec.

 

Kokaina në Skoci

Policia kap bandën shqiptare të kokainës

Policia skoceze asgjëson një nga grupet më të mëdha të drogës në vend, e drejtuar nga shqiptarë, e cila qarkullonte drogë në shumën e 1.2 milionë stërlinave. Një ish-fëmijë refugjati, i ardhur nga Kosova në 1999, Arben Dumani, u shndërrua në kreun e nëntokës skoceze të drogës, duke furnizuar qytetet skoceze me kokainë. Agjencia skoceze e luftës kundër drogës e survejonte që prej një muaji çdo lëvizje të bandës shqiptare të kokainës, duke filmuar gjithçka. E drejtuar nga “Mr. Big” me fytyrë fëmije, Arben Dumani, 23 vjeç, kjo bandë qarkullonte kokainë në vlerën e 1.2 milionë stërlinave siç njofton gazeta “Sunday Mail” e së dielës. Bosi i saj kishte ardhur dhjetë vjeç në Skoci nga Mitrovica, bashkë me të motrën. Në kuadër të operacionit policor “Eclipse”, pjesëtaret e tij kanë dalë përpara Gjykatës së Lartë në Glasgou dhe janë shpallur fajtorë. 23-vjeçari Dumani, që lëvizte me një makinë “Mercedes-Benz”, bashkë me pjesëtarët e bandës së tij, presonin drogën për ta shitur atë më pas si të një cilësie dhe përqindje më të lartë, ndërkohë që në telefonin e tij “Blackberry” detektivët që kanë survejur çdo lëvizje të tyre, kanë gjetur foto të tij dhe bashkëpunëtorëve të tij duke marrë kokainë dhe tundur kartëmonedha. Ata janë arrestuar në momentin kur po bëhej transportimi i një sasie kokaine në vlerën e afro çerek milionë stërlinave në qytetin e Glasgout. Prokurori i çështjes, Andrju Miller, tha në procesin gjyqësor se ”Dumani dhe bashkëpunëtorët e tij ishin në dijeni të operacionit policor, por përdornin dorashka plastike për të mos lënë shenjat e gishtërinjve dhe të ADN-së”.

 

 

 

Vrasja e Sakos, autorët ishin të paguar, dorëzohet policia e Tiranës

Policia e Tiranës dorëzohet dhe deklaron jo zyrtarisht se vrasja e Admirim Sakos është kryer nga vrasës me pagesë. Të paktën ky është konkluzioni i nxjerrë nga Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Tiranës, 20 ditë nga ekzekutimi i 40-vjeçarit, babait të një djali 10 vjeç. Sipas prokurorisë, të vetmet gjurmë që vrasësi ka lënë në vendin e ngjarjes janë tri gëzhojat e plumbave, që i morën jetën Sakos në sediljen e parë të makinës së tij tip “BMW” me targa AA 975 BR, mbrëmjen e datës 22 janar. Nga këto të shtëna, 40-vjeçari ka marrë një plumb në bark, një në gjoks dhe atë vdekjeprurës në kokë. “Gjatë hetimeve paraprake, janë marrë dhe pyetur me cilësinë e dëshmitarëve mbi 20 persona, në mesin e tyre edhe bashkëshortja e 40-vjeçarit të vrarë, e cila ka parë edhe autorin e vrasjes. Nga këto të dhëna, është krijuar një identikit i vrasësit, që mendohet se është rreth 30 vjeç, me një gjatësi rreth 1.70 cm, trup i hollë dhe me flokë të prera shkurt e kokë të rrumbullakët. Bazuar në këtë përshkrim të autorit të vrasjes, mënyrën e ekzekutimit të Sakos dhe largimin nga vendi i ngjarjes, kemi arritur në një përfundim se vrasësi ka qenë profesionist dhe dyshime gremë për një pagesë ndaj tij”, – thonë burimet pranë prokurorisë. Hetuesit e çështjes, mësohet se kanë arritur të sigurojnë edhe pamjet filmike të një biznesi aty pranë vendit të ngjarjes, në rrugën “Nikolla Jorgo”, pranë Gjykatës së Tiranës, ku vrasësi ka kaluar me një ecje të shpejt duke kaluar në rrugën “Myslym Shyri”. Por, pavarësisht këtyre pamjeve, prokuroria nuk ka arritur të identifikojë personin, pasi kamera ndodhej në një distancë të largët dhe personi duket si një siluetë lëvizëse.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency