Pse gjykata kishte të drejtë

0
149

gjykimiFitim Zekthi

 

Nuk ka pasur ndonjëherë një vendim gjykate gjatë këtyre dy dekadave që të prodhojë kaq shumë debate, diskutime, sulme dhe emocione sa ai për lirimin e të akuzuarve për vrasjet në demonstratën e 21 Janarit. Kryetari i opozitës pak çaste pas daljes së vendimit foli për një vrasje barbare të drejtësisë. Deputetët e opozitës në parlament thanë se qeveria që vrau demonstruesit shkroi edhe vendimin për lirimin e ekzekutorëve. Kryeministri heshti, ministri i drejtësisë mbrojti gjykatën dhe vendimin e saj. Shoqëria civile (e llojit që kemi ne) protestoi kundër gjykatës. Në shumë analiza, komente dhe shkrime u fol për fëmijët jetimë që u tradhtuan, vranë sërish, u fol për dhimbjen që jo vetëm nuk u lehtësua, por u thellua.

Pa asnjë dyshim në familjet e të vrarëve ka shumë dhimbje, fëmijët, familjarët, të afërmit do ta ndjejnë gur peshën e kësaj mungese siç ka ndodhur që pas 21 Janarit. Megjithatë gjykata është e detyruar të veprojë mbi disa parime të tjera dhe jo ato të dhimbjes njerëzore.

Menjëherë pas demonstratës dhe vrasjes së katër protestuesve nisi një luftë e pashoqe akuzash mes opozitës dhe qeverisë. Vetëm pak çaste pasi kishte mbërritur data 22 kreu i opozitës tha se demonstruesit u ekzekutuan nga Garda me urdhër të ministrit të brendshëm dhe të kryeministrit. Qeveria tha se i vrau opozita që kërkoi me dhunë të marrë pushtetin. Prokuroria zgjodhi të besojë më afër të vërtetës qëndrimin e opozitës.

Lufta politike ishte e pangjashme dhe fjalët vrasje, ekzekutim, përmbysje me dhunë të pushtetit, etj mbizotëruan për muaj me radhë. Gjithë kredoja e veprimit opozitar ishte drejtësia për vrasjet në demonstratë, vrasje këto të kryera sipas saj me gjakftohtësi nga qeveria.

Kjo çështje shkoi në gjykatë e cila ishte përballë një çështjeje politike të cilën duhet ta gjykonte nga pikëpamja penale. Për opozitën drejtësi në këtë rast nënkuptonte vetëm shpallja fajtorë e gardistëve dhe urdhërdhënësve që ishin ministri i brendshëm dhe kryeministri. Asnjë gjyq për çështjet penale nuk bëhet për të dhënë drejtësi dhe kjo është ajo që nuk kanë kuptuar kreu i opozitës, deputetët e saj dhe të gjithë ata që thonë se gjykata nuk dha drejtësi.

Kjo është një padije e thellë e cila mund ti bëjë të qeshin edhe nxënësit e gjimnazeve. Vitin e kaluar në Florida të SHBA pati protesta të mëdha qytetarësh nga shpallja e pafajshme e Casey Antony-it, një nënë e re që akuzohej se kishte vrarë vajzën e saj dy vjeçare. Casey Antoni kishte gënjyer prokurorët gjatë gjithë hetimit, kishte lajmëruar dy javë me vonesë policinë për zhdukjen e vajzës, kishte dëshmitarë që makina e saj kundërmonte kufomë, të gjitha rrethanat të çonin tek vetë Casey si autorja. Veç kësaj, ajo që irritoi qytetarët ishte se çaste pas vdekjes së vajzës rrinte lokaleve të natës dhe bënte jetë qejfi. Por gjykata e shpalli të pafajshme pasi asnjë provë direkte nuk e provoi vrasjen e së bijës nga Casey.

Profesor Alan Dershotitz, i Universitetit të Harvardit shkroi në Wall Street Journal, se protestat duhet të marrin fund. Gjykata e shpalli Casey-n të liruar nga akuza (not guilty) dhe jo të pafajshme (innocent). Dershovitz tha se gjykata nuk bën drejtësi, bën një gjyq për të gjetur provën. N.q.s. gjykata do të duhet të bënte drejtësi atëherë ajo duhet ta dënonte Casey-n në një seancë 1-minutëshe dhe ta shpallte fajtore. Gjykatat tona për fat të keq përdorin termin i pafajshëm ose i fajshëm ç’ka në fakt është një lloj spekulimi.

Gjykatat skoceze për shembull përdorin një term shumë të saktë “i provuar”, “jo i provuar”. Gjykata e Tiranës këtë tha “nuk provohet se gardistët kanë vrarë me dashje në rrethana cilësuese”. Në një gjyq penal, një çështje provohet duke ndjekur standardin e “provës përtej dyshimit të arsyeshëm”. Për dyshimin e arsyeshëm ka një doktrinë të tërë në jurisprudencë por më së paku reduktohet tek dyshimi që ka një person i arsyeshëm. Edhe për personin e arsyeshëm ka sërish një doktrinë të tërë që nis së paku që nga mesjeta në Angli. Oliver Wendell Holmes, një ish gjyqtar legjendë e Gjykatës Supreme në SHBA e përcakton njeriun e arsyeshëm si një individ që ka aftësinë të parashikojë rrezikun e dëmit të veprimeve të tij kundër përdorimit të veprimit të tij. Kaq ftohtë dhe nën këto kufij i duhet gjykatës të marrë një vendim. Pra gjykata nuk mund të bëjë drejtësi në një çështje penale, ajo në një çështje penale duhet të gjejë provën.

Në një çështje civile gjykata është e detyruar të bëjë drejtësi pasi atje nuk ekziston parimi i provës përtej dyshimit të arsyeshëm, por parimi i predominimit të argumenteve. Kjo ndarje vjen për shkak të dijes së akumuluar të njerëzimit që është shndërruar në parim.

Nuk mund të dënohet asnjë person për të cilin është e vërtetuar plotësisht se e ka kryer një vepër. Të gjithë autorët që kanë ndikuar më shumë filozofinë e ligjeve apo të së drejtës, Hart, Kelsen, Fuller, Dershovitz, Bentham, Dworkin, Rawls etj. thonë se ligji penal ka parasysh mësimin biblik kur Zoti dënoi Sodomën dhe Gomorrën. Noe iu lut Zotit që të mos e dënonte sepse kishte edhe njerëz të mirë. Zoti i tha është vetëm Loti. Merr atë me të shoqen dhe familjen tënde dhe ik.

Gjykata e Tiranës nuk mund të thoshte se gardistët vranë me qëllim duke përzgjedhur në një turmë x katër veta të caktuar, të cilat ishin edhe ndër më paqësorët.

Për çdo vepër penale ka një anë subjektive që duhet vërtetuar dhe ka një motiv që duhet vërtetuar. PS e arsyeton politikisht duke thënë se motiv është diktatura ku kryeministri urdhëron oficerët të vrasin por kjo nuk mund të jetë një çështje e gjykatës.

Për fat të keq Prokuroria e arsyetoi edhe ajo si PS këtë çështje. Edhe njerëz të tjerë e arsyetojnë si PS por ky është vetëm një këndvështrim i vogël dhe shumë i dyshimtë politik. Këtu jemi tek tipari i vjetër i të majtës tek përdorimi i dhimbjes dhe vetëm kaq.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency