Standard.al

Itali, një skenar i frikshëm që ravijëzohet nga prag-falimenti i një banke

 

italiNë Itali, ashtu siç ndodh shpesh, nga skandali i “Monte dei Paschi di Siena”-s po arrihen përfundime të gabuara. Ky është një mëkat, sepse bëhet fjalë për një çështje emblematike që tregon një pjesë të rëndësishme të historisë së këtij vendi, gjatë 20 viteve të fundit. Në vitet ‘90 “Monte dei Paschi di Siena” u privatizua, ashtu si i gjithë sistemi bankar italian, nëpërmjet fondacioneve bankare, të cilat morën kontrollin aksioner. Në fund të dhjetëvjeçarit nuk do të kishte më asnjë bankë publike, ndërsa në fillim të viteve ‘90, rreth 73% e sistemit bankar italian ka qenë në duar publike.
Në atë kohë u tha se, ato privatizime kanë qenë të nevojshme, jo vetëm për të rritur arkëtimet dhe për të blerë “biletën” për Evropën dhe Monedhën e Përbashkët, por edhe për të modernizuar sistemin bankar e për ta bërë atë më të efektshëm. Në këtë mënyrë u privatizuan të gjithë bankat e mëdha tregtare, të cilat jepnin hua për investimet e bizneseve, si dhe bankat e zhvillimit si, “Mediocredito Centrale”, ndërsa, në pjesën tjetër të Evropës, shtetet mbanin në binarë bankat e zhvillimit, (siç është KfW-ja gjermane). Ndikimi i partive mbi “Monte dei Paschi di Siena”-n, ashtu si në pjesën më të madhe të bankave të privatizuara nuk u ul. Ato që ndryshuan kanë qenë parimet udhëheqëse të aktivitetit bankar.
Aty mbizotëroi kushti i fitimit afatshkurtër dhe krijimit të vlerës për aksionerët, i përcaktuar ndryshe me ecurinë e tregtisë. Drejtimi i bankave filloi të ndiqte të gjithë “modën” që favorizonte fitimet në bursë në çmimin e tyre të aksioneve. Në mesin e viteve 2000, moda mbizotëruese në sistemin bankar ndërkombëtar ka qenë ajo e vrapimit drejt rritjes së përmasave, nëpërmjet shkrirjeve dhe blerjeve. Kjo modë u vu re edhe në sistemin bankar italian, pasi u krijua një oligopol me shumë pak banka të mëdha. Midis fundit të vitit 2006 dhe fundit të 2007-ës u zhvilluan edhe shkrirjet e fundit më të mëdha bankare italiane. “Unicredit” bleu “Capitalia”, “Intesa” bleu “San Paolo”-n e Torinos dhe “Monte dei Paschi di Siena” bleu “Antonveneta” duke paguar një shumë të madhe.
Kriza e viteve të mëvonshme goditi çmimet e aksioneve të saj dhe nxorri në dritë se, “Antonveneta” ishte paguar shumë shtrenjtë. Ditët e sotme, i gjithë grupi ka një kapitalizim në bursë, prej 2.6-milardësh, por edhe “Unicredit”, e cila bashkë me “Capitalia”-n vlenin 100 miliardë euro, sot kuotohen nën 25 miliardë. Problemet e “Monte dei Paschi di Siena” kanë lindur me këtë blerje, e cila boshatisi arkat e institutit sienez. Në këtë pikë, për të përmirësuar bilancet, duke përmbajtur humbjet u zhvilluan operacione mbi derivatet, mbi të cilët është folur këto ditë. Në fund, kriza e borxhit publik italian ka ndikuar mbi “Monte dei Paschi di Siena”-n, që, për të pasur rendimentë të lehtë dhe pa rrezik bleu 25 miliardë euro, në tituj shtetërorë italianë, shumica e të cilëve me afat maturimi të gjatë.
Në Verën e vitit 2011 u godit nga rënia e çmimeve të atyre titujve. Në fund të vitit 2011, Autoriteti Bankar Evropian u kërkoi disa bankave italiane për të shmangur një rritje të kapitalit. Përllogaritja e kapitalit të nevojshëm për “Monte dei Paschi di Siena”-n ka qenë 3.4 miliardë euro, të cilave u janë shtuar gjatë muajve të fundit edhe 500 milionë të tjera, që kanë qenë të nevojshme për të mbuluar edhe humbjet për përdorimin e derivateve. Një javë më parë, qeveria Monti ka vendosur për një hua prej 3.9 miliardë euro për “Monte dei Paschi di Siena”-n. Kjo hua do të rimbursohet brenda pesë viteve. Në rastin negativ dhe vetëm atëherë, obligacionet e “Monte dei Paschi di Siena”-s, të blera nga shteti do të shndërrohen në aksione të shoqërisë. Kjo nënkupton se, shteti nuk ka asnjë mënyrë për të verifikuar që, paratë e tij janë shpenzuar në mënyrë korrekte.
Kreu i “Monte dei Paschi di Siena”-s, Alessandro Profumo, në një intervistë për “Il Sole 24 Ore” ka konfirmuar se është përjashtuar çdo ndërhyrje politike, sepse nuk është parashikuar asnjë e drejtë qeverisëse për shtetin. Drejtimi i preferuar nga vetë Profumo është i qartë. Ai ka thënë se parapëlqen të ketë një ortak financiar afatgjatë, që shtetësia nuk është një problem dhe që objektivi është një bankë, me shumë më pak agjenci, por me një bazë klientele të rëndësishme për të kënaqur nevojat e ndërmarrjeve të vogla e të mesme, si dhe familjeve. Hezitimi më i mundshëm i të gjithë kësaj është një “Monte dei Paschi di Siena”, që shkurton në mënyrë dramatike sportelet dhe personelin e saj dhe që, herët a vonë do të blihet nga një bankë e huaj. Në këtë mënyrë, vendi do të humbë një prej bankave të tij të referimit dhe një pjesë tjetër e sistemit financiar do të shkojë jashtë dhe do të blihet me çmim të lirë.
Italia është vendi i vetëm evropian që nuk ka dashur të hyjë, as në urgjencë, në kapitalin e bankave në vështirësi. Në Itali nuk është shkuar kurrë përtej huave. Kjo tabu duhet thyer. Shteti mund të bëhet aksioneri i parë i bankës, me të njëjtën shifër të angazhuar në hua. Nëse shteti shpëton një bankë duhet të ketë mundësi të hyjë në kapitalin e asaj banke. Kjo, jo për ta rimëkëmbur e më pas për ta shitur tek ofertuesi më i mirë, (siç propozon ditët e sotme një liberalist). Lind pyetja: A nuk ishte shteti problemi dhe tregu zgjidhja? Po por me dy parime. I pari është mbrojtja e investimit dhe njëkohësisht rishpërndarja e parimit sipas të cilit, huaja është një e mirë publike, e rëndësisë strategjike për vendin. Parimi i dytë është se, një bankë nuk duhet të kënaqet me fitimin më të madh në një kohë shumë të shkurtër, por duhet të rritet në kohë, me territorin e saj.
Ky koncept, që në Itali është harruar, e mbase ironizuar është marrë parasysh në vendet anglo-saksone. Mbretëria e Bashkuar ka krijuar një bankë publike për kredi për ndërmarrjet e vogla e të mesme. Italia, në ditët e sotme ka nevojë për banka publike. Çështja e “Monte dei Paschi di Siena”-s bën të kuptohet se si një bankë e privatizuar mund të ndjekë një orientim tek fitimi afatshkurtër, i cili është treguar shkatërrues. Huaja për “Monte dei Paschi di Siena”-n nuk i zgjidh këto probleme. Hyrja e shtetit në kapitalin e kësaj banke, jo si ortak financiar i interesuar për një përfitimi të momentit, por si aksioner referimi afatgjatë do të përfaqësonte edhe kthesën e cilësisë që kanë nevojë punonjësit, klientët e “Monte dei Paschi di Siena”-s dhe sistemi produktiv i Italisë në këtë moment të një shtrëngimi të madh të huadhënies.

(përshtatur nga gazeta ekonomike “Il Sole 24 ore”)

 

Comments are closed.