Deklaratat e Ramës për shëndetësinë MASH dhe ASHR: E turpshme që jeta e qytetarit të përkthehet në votë

0
123

Florenc Drizari

tritanTritan Shehu: Rama u propozon shqiptarëve modelin e 50 viteve më parë

Deklaratat e bëra nga kryesocialisti Edi Rama gjatë vizitave të tij në Spitalin Ushtarak dhe në qendrën shëndetësore në Ndroq kanë sjellë reagimin e ashpër të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Autoritetit Shëndetësor Rajonal. Në kuadër të javës së shëndetësisë, kryetari i Partisë Socialiste ishte në Ndroq në rrethin e Tiranës, duke theksuar rëndësinë për të ndryshuar në mënyrën më të thellë realitetin në sektorin e shëndetësisë. Në këtë takim, Rama lëshoi akuza të rënda për mungesë të investimeve të reja dhe korrupsion lë lartë në sektorin shëndetësor. Por i ashpër ka qenë edhe reagimi i Ministrisë së Shëndetësisë, duke e quajtur të turpshëm përdorimin politik të bluzave të bardha për qëllime elektorale.

MSH
Duke iu referuar sulmeve të fundit ndaj shërbimit shëndetësor shqiptar dhe në veçanti Qendrës Kombëtare të Traumës, e njohur si Spitali Ushtarak, Ministria e Shëndetësisë shpreh keqardhjen që shëndeti dhe jeta e qytetarit të thjeshtë po përdoret politikisht me qëllimin për të fituar vota. Sipas reagimit të MSH, dinjiteti i bluzave të bardha nuk mund të hidhet poshtë nga deklarata populiste në kafenetë jashtë spitalit.
“Ministria e Shëndetësisë ndihet e zhgënjyer me ofendimin që u bëhet bluzave të bardha në mbarë vendin, si dhe mjekëve me uniformë të Spitalit Ushtarak, të cilët ndër vite kanë shpëtuar me mijëra jetë njerëzish, janë përballur me shumë vështirësi, tragjedi kombëtare dhe raste urgjente, duke i shërbyer atdheut dhe profesionit me devotshmërinë më të madhe. Është e turpshme që jeta e qytetarit të thjeshtë të përkthehet në votë, sikurse është e pamoralshme të hidhet poshtë mundi dhe sakrifica e mjekëve shqiptar të cilët janë heronj të sakrificës ndryshe nga politikanët me mungesë vizioni dhe varfëri argumenti”, – thuhet në deklaratën e Ministrisë së Shëndetësisë. Në lidhje me akuzat për mungese të investimeve në sektorin shëndetësor, MSH bën me dije me planin e ri kjo qendër pritet të kthehet në një shembull për vendet e rajonit dhe në të njëjtën kohë, bënë thirrje që partitë opozitare të mos përdorin sistemin shëndetësor për fushatë elektorale.
“Spitali Ushtarak ka pasur miliona euro investime dhe me planin e ri do të bëhet një model edhe për vendet e tjera në rajon. MSH bën edhe një herë apel që partitë opozitare të shohin përtej 23 qershorit, pasi jeta e njeriut nuk ka ngjyra partiake dhe shëndeti i një qytetari të thjeshtë vlen më shumë se retorika boshe e një politikani”, – shkruhet në deklaratë.

Edi Rama

Nga ana e tij, kryesocialisti Edi Rama një ditë më parë, duke marrë si shembull degradimin e qendrës shëndetësore të Ndroqit, ka nënvizuar faktin se megjithëse fondet që jepen për shëndetësinë janë po ato që kanë qenë, numri i shërbimeve dhe cilësia e tyre është ulur, për shkak të abuzivizmit dhe korrupsionit me paratë e taksapaguesve: “Kishit laborator, kishit ambulanca, kishit maternitet, kishit shërbim 24 orë. Pse u rrënuan këto? Se nuk është se u ulën paratë, paratë të paktën nga kjo pikëpamje janë po ato. Nuk janë rritur, por janë po ato. Por, sepse u kanalizuan për korrupsion dhe për grabitje”.
Për Edi Ramën duhet të ndryshojë skema e shërbimit shëndetësor tërësisht dhe ky shërbim do të blihet nga shteti: “Duam që patjetër ta blejë shteti shërbimin. Duhet ta blejë shteti për të gjithë njerëzit dhe duhet ta japë nëpërmjet një institucioni që ne duam ta themelojmë, Shërbimi Kombëtar Shëndetësor”.
Ndërkohë në reagimin e ASHR-së për deklaratat e kryesocialistit thuhet se: “Kreut të PS, Edi Rama, në lidhje më një nga qendrat shëndetësore, atë të Komunës të Ndroqit, po i themi, që kjo qendër është nga më të investuarat. Kjo do të thotë që jo vetëm nuk ka degraduar, por në të marrin shërbime me mijëra banorë të zonës. Mjekët i shërbejnë dhe banorit më periferikë të fshatit më të largët të kësaj komune. Ndërsa çdo pajisje e nevojshme teknologjike apo dhe mjekuese nuk ka munguar.

Tritan Shehu

Në lidhje me akuzat e kryesocialistit Rama kundër qeverisjes së djathtë për sistemin shëndetësor, ka reaguar edhe deputeti demokrat Tritan Shehu. Në një prononcim për gazetën, z. Shehu thotë se programi i opozitës për shëndetësinë tenton të shkatërrojë tregun dhe është tipike e sistemit totalitar. Sipas tij, një transformim të sistemit shëndetësor, që propozohet nga kryetari i PS-së Edi Rama, i ngjan një shembulli që ndiqet në vende totalitare, të cilin Shqipëria e ka provuar. Në të njëjtën kohë Tritan Shehu pranon se ka probleme në sistemin shëndetësor, por sipas tij, ky sektor është sistemi më i sofistikuar dhe i vështirë në ndërtim e menaxhim. Për deputetin e mazhorancës problemet kanë ekzistuar edhe më parë dhe zgjidhja që ofrohet nga PS-ja, është e kundërt me rrugën që duhet të ndjekë modernizimi dhe arritja e standardeve të kërkuara në këtë sektor.

 
ISKSH: Barnat në qendrat shëndetësore, të garantuara

ISKSH reagon pas deklaratës së kreut të PS-së për mungesë të barnave në qendrën shëndetësore (QSH) Ndroq. ISKSH garanton opinionin publik se çdo qendër shëndetësore është e pajisur me paktën e plotë të barnave të urgjencës, e cila është pjesë e paketave të shërbimit pranë mjekut të familjes. Financimi i QSH bëhet çdo fillim viti dhe vetë Qendrat si entitete autonome kryejnë blerjen e barnave të paketës së Urgjencës. Falë financimit të ri që Bën ISKSH, nuk kemi pasur raste mungesash të barnave të urgjencës në QSH. Vetëm gjatë vitit të fundit Janë shpenzuar 100 milionë lekë për barnat e urgjencës në QSH. Ndërsa barnat e tjera të nevojshme për pacientet kronike, janë pjese e barnave të listës së rimbursueshme, e cila përfshin 426 barna dhe mbulon 100 për qind kategoritë në nevojë, duke filluar nga të moshuarit, invalidët, fëmijët etj. Financimi për parësorin është 6.2 miliardë lekë dhe pranë mjekut të familjes është e garantuar paketa e shërbimeve, ku përfshihen 7 shërbime: Kujdesi në rastet urgjente,kujdesi shëndetësor për fëmijët,të rriturit, moshën e tretë,shëndeti mendor, gruan dhe shëndeti riprodhues, edukimi dhe promocioni shëndetësor.

 

Listat e zgjedhësve, PS dyshime për dublikime

Dublikimet në listat e zgjedhësve vazhdojnë të mbeten shqetësim i opozitës, edhe pse zyrtarët e lartë të Ministrisë së Brendshme garantuan se deri më datën 9 maj nuk do të ketë më dyblikime. Nënsekretari për Çështjet Zgjedhore në PS tha se auditi i PD-së nuk kishte shfaqur kundërshti për raportin e atij të PS-së, i paraqitur më parë në KQZ. “Dhe auditi tjetër ka qenë në dijeni të plotë të gjitha gjetjeve në lidhje me këto defekte të listës zgjedhore. Auditi tjetër nuk është informaticien dhe ndoshta njohuritë e këtij në këtë fushë janë të limituar dhe të gjitha këto pasaktësi kanë dalë pikërisht nga puna që ka bërë auditi ynë”, – deklaroi për “AS” Çuçi. Ai shprehet se nga lista prej mbi 65 mijë rekordesh të dyshuara si dublikime në listën e zgjedhësve, 150 të testuar rezultojnë të dubluara. Nënsekretari socialist thotë se ka probleme thelbësore me listat e zgjedhësve, të cilat janë pasqyruar në raportin e auditit të PS-së. “Auditi ynë ka shkuar dhe ka bërë dhe verifikime nga kjo listë me 65 mijë shtetas duke verifikuar në regjistër në praninë dhe të punonjësve të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile. Dhe 150 raste që janë kontrolluar, të 150-ta kanë rezultuar që janë të dubluara, madje, janë bindur dhe vetë punonjësit për këtë gjë”, – u shpreh Çuçi. Partia Socialiste nuk ka rezerva sa i përket bashkëpunimit të deritanishëm me Ministrinë e Brendshme dhe KQZ-në. Nënsekretari socialist shprehet se PS është pajisur me informacionet e kërkuara deri tani në funksion të pastrimit të listave të zgjedhësve.

 

Malaj takon Moore: Zgjedhjet e lira duhet të garantojnë një qeverisje efektive

Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Malaj, zhvilloi një takim në Departamentin e Shtetit në SHBA, ku u prit nga Jonathan Moore, drejtori për vendet e ish-Jugosllavisë dhe Shqipërinë. Gjatë këtij takimi, Malaj vuri theksin në rëndësinë e jashtëzakonshme të një procesi zgjedhorë transparent, të lirë dhe të ndershëm, si një parakusht për të krijuar qeveri stabël dhe efektive e cila do të duhet menjëherë të ndërmarr përgjegjësitë dhe të filloj pa vonesë reformat që ndalin keq qeverisjen e vendit. “Qeveria e ardhshme duhet të realizojë reformat që janë të domosdoshme, për të mbështetur një rritje ekonomike më të lartë për të luftuar varfërinë”, – tha Malaj. Moore dhe Malaj diskutuan rreth sfidave të demokracisë funksionale me të cilat përballet vendi, rreth sfidave të partive politike, dhe reformave të vështira ekonomike e sociale. Bashkëbiseduesit diskutuan rreth tendencave edhe për lëvizjet nacionaliste “ku SHBA dhe BE do të vazhdojnë te mbështesin Shqipërinë dhe vendet e rajonit për një bashkëpunim sa më efektiv në nivel rajonal dhe evropian, i cili është parakusht për të eliminuar rrënjët e së shkuarës dhe për të garantuar paqe dhe prosperitet”, – thuhet ne njoftimin për media të deputetit socialist.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency