21 Janari, Berisha: Kryeministria u sulmua me dinamit, hetimi vijon

0
169

Ina Jano

beroKreu i qeverisë, në bashkëbisedim me të rinjtë, foli edhe për kombin shqiptar të shpërndarë dhe platformën që qeveria ka për këtë kategori

Pak ditë pasi Gjykata e Tiranës shpalli të pafajshëm dy efektivët e Gardës, Agim Llupo dhe Ndrea Prendi, Kryeministri theu dje heshtjen, megjithatë përsëri nuk e komentoi vendimin e gjyqësorit. Ditën e djeshme, gjatë takimit me anëtarët e Organizatës Rinore të Partive Popullore Evropiane (YEPP), shefi i mazhorancës e riktheu vëmendjen në ngjarjet e dhunshme të 21 Janarit dhe akuzoi kreun e selisë rozë si dirigjuesin e ngjarjes me të anë të së cilës synoi të merrte pushtetin me dhunë. Madje, numri një i kabinetit qeveritar shtoi se selia e Kryeministrisë u sulmua me dinamit, por ndërkohë nuk humbi shpresën se drejtësia të thotë fjalën e saj të fundit në lidhje me këtë çështje. “Kemi një problem, kryetari aktual i opozitës në vend që të mbështesë reformat e integrimit bën çdo gjë për t’i bllokuar. Në 21 janar, bazuar në një video kryekëput të falsifikuar, ky zotëri mendoi se do të përmbyste pushtetin me dhunë, solli protestues, mes të cilëve persona të paguar dhe të lidhur me botën e krimit. Përgatiti një fjalim, mori megafonin me vete dhe u instalua në kullat përballë, duke menduar se do mund t’i përshëndeste nga aty, pasi të kishin rrëzuar qeverinë. Mbi policinë u ushtrua dhunë, u qëlluan me tulla, gurë, por edhe dinamit. Ai mendoi se do largohesha nga zyra, por s’kisha në mend ta bëja diçka të tillë. Pati katër viktima, një proces hetimor është në vazhdim. Kërkova që drejtësia të thoshte fjalën e saj për të gjitha aktet e kësaj ngjarjeje të shëmtuar, ne po presim”, – tha ai.
Por ndërkohë, jashtë fokusit dhe pyetjeve të të rinjve nuk mbetën edhe çështje të tilla, si kombësia dhe fakti i bashkimit të shqiptarëve. Anëtarët e Organizatës së Partive Popullore Evropiane, të mirinformuar për çështjen shqiptare, pyetën shefin e mazhorancës në lidhje me shpërndarjen gjeografike që ka kombi shqiptar dhe se çfarë platforme ka mazhoranca për këtë çështje. Duke iu përgjigjur interesit të të rinjve të PPE-së për të drejtën e emigrantëve shqiptarë për votim, Kryeministri sërish u shpreh se ky fakt u pamundësua sërish nga opozita dhe qeveria është e detyruar të krijojë një proces sa më transparent, për t’i ofruar besim palës tjetër. Në këtë kontekst ai tha se edhe për zgjedhjet parlamentare të 2013-ës emigrantët do të mbeten pa të drejtë vote. Ndërkaq, sa i përket nismës së tij për dhënien e shtetësisë shqiptare për shqiptarët e Kosovës dhe të të gjitha trevave shqiptare, Berisha tha se kjo nismë do të nisë të zbatohet konkretisht menjëherë pas zgjedhjeve, në mënyrë që të shmanget çdo lloj spekulimi për përfitime elektorale. “Në mënyrë proporcionale ne kemi një nga diasporat më të mëdha. Për këtë unë mendoj se është një detyrë thelbësore për atë që qeveris këtë vend për të menduar në mënyrë shumë serioze për këtë fakt. Dhe unë po e mendoj seriozisht këtë gjë. E konsideroj të domosdoshme që bashkëkombësve kudo që janë, së pari t’u njihet shtetësia shqiptare. Kjo për momentin ka një problem ligjor me Kosovën dhe kjo masë nuk mund të adaptohet pa një marrëveshje të veçantë me qeverinë e Kosovës. Në shumicën e vendeve të botës sot qytetarët kanë të drejtë të kenë disa shtetësi. Dhe unë e konsideroj këtë diçka shumë të mirë, kështu që ne do të veprojmë në këtë mënyrë për të gjithë shqiptarët që jetojnë në zonën e Shengenit, që jetojnë në vende që kanë marrëdhënie të njëjta me Shqipërinë me zonën e Shengenit”, – pohoi Kryeministri. Gjithashtu, shefi i qeverisë e konsideroi rininë si forcën kryesore me anë të së cilës Partia Demokratike në gjithë këto vite ka fituar shumicën e sfidave me opozitën aktuale. “Po të shkojmë 22 vjet më parë, është dhurata më e bukur që të rinjtë e universiteteve të vendit me kurajën, guximin dhe trimërinë e tyre i bënë kombit shqiptar. Ata mbetën si energjia kryesore e kësaj partie, por edhe vizioni më i ndritur i saj. Ata kanë luajtur një rol përfaqësues në të gjitha fitoret e Partisë Demokratike dhe në të gjitha reformat e realizuara nga kjo parti, gjatë gjithë këtyre viteve”, – nënvizoi shefi i selisë blu në bashkëbisedimin me të rinjtë e PPE-së. Me entuziazëm Kryeministri përshkroi edhe takimin që një ditë më parë ai mbajti në qytetin e Durrësit, ku pallati i sportit i qytetit bregdetar ishte i mbushur plot për të mirëpritur 3000 anëtarë të rinj në këtë forcë politike. Ky është numri më i madh i të rinjve që janë anëtarësuar ndonjëherë në Partinë Demokratike, gjatë këtyre viteve, çka dëshmon punën e mirë që kanë bërë forumet rinore dhe anëtarët e tjerë të degës së Durrësit në përthithjen e energjive të reja.
               Dule: Nacionalistët të mos minojnë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë

Kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, nga Korça, deklaroi dje se grupet nacionaliste nuk duhet që të minojnë marrëdhëniet e mira që ekzistojnë mes dy vendeve, ato të Greqisë dhe të Shqipërisë. Deklaratat e Dules u bënë nga qyteti i Korçës, ku shoqata OMONIA festoi 20-vjetorin e krijimit të saj. Dule u bëri thirrje politikanëve të këtij spektri të lënë mënjanë interesat e vogla, të përmbledhura në një grusht votash. Gjatë kësaj ceremonie, kryetari i OMONIA-s, Ligoraq Karamelo, u ndal tek censusi, duke ritheksuar edhe një herë se ky proces nuk njihet nga OMONIA, pasi e ka cenuar që në embrion minoritetin, ndërsa ka theksuar se zgjedhjet e 2013-ës janë sfida më e madhe. Sipas Karamelos, minoriteti grek është krenar që në krye të Kishës Ortodokse është kryepeshkopi Janullatos.
Kryeministri, mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Alfred Zijajit

Kryeministri Berisha, nëpërmjet një mesazhi, i ka shprehur dje ngushëllime familjes së ish-futbollistit të njohur Alfred Zijaji, i cili u nda nga jeta në moshën 52-vjeçare. Në mesazhin e tij, Kryeministri Berisha shprehet: “Lajmi i ndarjes nga jeta të prindit, bashkëshortit, njeriut tuaj më të dashur, ish futbollistit të njohur, një prej themelueseve të Partisë Demokratike, Alfred Zijajit, më trishtoi pa masë. Alfredi u nda nga jeta, por ka lënë kujtimin e një prindi, një bashkëshorti shembullor, një futbollisti të talentuar, një qytetari që mbrojti vlerat e larta që besoi. Me këtë rast, ju shpreh juve dhe të gjithë miqve të Alfredit ngushëllimet e mia më të sinqerta dhe lutem, së bashku me ju, që shpirti i tij të gjejë paqen e merituar”, – shkruhet në mesazhin që kreu i qeverisë i ka dërguar familjes të të ndjerit.

Vokshi: Vota e grave, vendimtare për fitoren e 23 qershorit

Vota e grave do të jetë përcaktuese për fituesin e zgjedhjeve në 23 qershor. Kjo ka qenë deklarata e kryetares së Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë, Albana Vokshi, e cila u shpreh njëkohësisht se Partia Demokratike është e sigurt për mandatin e tretë qeverisës. Nga Kavaja, Vokshi ka theksuar se Partia Demokratike ka shënuar një rekord reformash që e kanë shndërruar Shqipërinë në një vend të zhvilluar. “Do të doja të falënderoja të gjitha kryetaret në vite të Lidhjes Demokratike të Gruas dega Kavajë dhe të gjitha ato zonja të cilat që ditën e parë të themelimit të Partisë Demokratike i kanë qëndruar kësaj partie pranë, duke marrë pjesë në të gjitha aktivitetet, duke marrë pjesë në të gjitha fushatat, duke vajtur e duke punuar derë më derë në mënyrë që fitorja e PD të jetë sa më e thellë”, – tha Vokshi. Në Kuvendin e LDG-së në Kavajë u votua për zgjedhjen e strukturave drejtuese, ku me shumicë votash, kryetare e këtij forumi u zgjodh znj. Zihnie Cerloj, si dhe u votua për kryesinë e re drejtuese. Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë është forumi më i madh politik i grave në vend që numëron mbi 16 mijë anëtare.

PLL: Koalicion parazgjedhor me PD-në

Partia Lëvizja e Legalitetit ka rikonfirmuar aleancën me PD-në për zgjedhjet e 23 qershorit. Në një takim të zgjeruar të kryesisë dhe kryetarëve të degëve të rretheve, kryetari Ekrem Spahia tha se PLL do të dalë me logon e saj në këto votime dhe se ajo do të përfaqësohet denjësisht në parlamentin e ardhshëm. Ndërsa nga ana tjetër kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, zhvilloi dje në Durrës një takim me strukturat drejtuese të partisë që ai drejton. Gjatë takimit u prezantua kandidati për deputet, zoti Zef Cupi. Sipas burimeve zyrtare brenda kësaj partie, në zgjedhjet e qershorit do të ketë angazhim maksimal të këtyre strukturave jo vetëm në degën e Durrësit, por edhe në Shijak, Krujë dhe Fushë-Krujë. “Ftoj të gjithë anëtarët, simpatizantët dhe qytetarët e Qarkut Durrës që të mbështesin kandidatët demokristianë në zgjedhjet parlamentare të qershorit”, – bëri thirrje gjatë fjalës së tij zoti Ndoka.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency