Problemi Ku përfundoi projekti i portit të Vlorës?

0
147

vlorsaInvestimi prej 15 milionë eurosh bëhet nga qeveria e vendit fqinj, nëpërmjet Kooperacionit Italian dhe ofertat nga subjektet e interesuar janë dorëzuar më 30 nëntor të vitit 2011

 

Ministria e Transportit ka pranuar para pak kohësh se në portin e Vlorës nuk po kryhet ende asnjë punim, ndonëse fondi është dhënë nga qeveria italiane dhe ka më se dy vjet që kanë filluar procedurat e tenderimit. Sipas këtij dikasteri, po punohet në Durrës, Shëngjin e Sarandë, por investimi në Vlorë ende nuk ka filluar

 

Dyshimet

Investimi prej 15 milionë eurosh bëhet nga qeveria e vendit fqinj, nëpërmjet Kooperacionit Italian dhe ofertat nga subjektet e interesuar janë dorëzuar më 30 nëntor të vitit 2011. Por, nuk është burokracia e Romës ajo, që e ka penguar procesin. Në tenderin për zhvillimin e Portit kanë marrë pjesë disa subjekte, të gjitha të regjistruara në Itali. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ndoqi praktikën e kualifikimit paraprak, duke u nisur nga kushtet teknike që ofrojnë kompanitë e pranishme, madje duke i kushtuar 60 për qind të pikëve vlerësimit teknik, kundrejt vetëm 40 për qind të tyre për ofertat ekonomike.

Në fazën e parë, vlerësoheshin pikët dhe ato kompani që plotësonin apo tejkalonin 48 pikë, hynin në fazën e dytë. Sipas Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, që është drejtuar nga vetë drejtori i Portit të Vlorës, Kasëm Mahmutaj, pikaverazhin më të lartë e ka merituar konsorciumi “FIT&Sigenco”. Por ngjalli dyshim të veçantë një fakt. Kompania “Cidonio” është vlerësuar nga Mahmutaj me 47.78 për qind të pikëve, pra me 0.22 pikë më pak se sa i duheshin këtij subjekti që të vijonte konkurrimin e tij me hapjen e zarfit, ku ishte oferta ekonomike, duke u skualifikuar që në hapin e parë. Sipas ekspertëve të proceseve të prokurimit publik, duket si tepër e dyshimtë diferenca kaq e madhe e një kompanie, në aspektin teknik të vlerësimit të kapaciteteve të saj nga autoritetet shqiptare, që ka bërë të mundur shkëputjen me gjashtë pikë në garën për të fituar të drejtën që të kryejë punimet.

Ata që njohin kompaninë “Cidonio” e quajnë të pamundur që ajo, e cila ndërton, mes të tjerash, struktura për mbrojtjen e Venecias nga deti, të quhet e paaftë të ndërtojë Portin e Vlorës, me këtë vlerësim kaq të ulët nga autoritetet përkatëse shqiptare, të mbikëqyrura nga Kooperacioni. Komisionit iu drejtuan edhe ankesa nga subjektet e tjera pjesëmarrës.

 

Ambasada

Ambasadori italian ka kërkuar zyrtarisht nga MPPT sqarime dhe informacione të mëtejshme, konkretisht, lidhur me vetëdeklarimet e një shoqërie pjesëmarrëse në tender, SI.GEN.CO, që ajo ka dorëzuar tek autoritetet shqiptare, si dhe për kriteret e ndjekura nga Komisioni shqiptar i Vlerësimit të Ofertave për të verifikuar të dhënat e paraqitura nga subjektet italiane, në se ato ishin apo jo në përputhje me normat e paracaktuara për tenderin. Nga ana tjetër, kërkohet informacion për kriteret e vlerësimit të ofertave teknike, në bazë të të cilëve janë dhënë pikët; për mangësitë në dokumentacion, në bazë të të cilave janë skualifikuar kompani të caktuara, etj. Më tej, ambasadori kërkon të dijë, a është zhvilluar – para takimeve të rezervuara – ndonjë takim i hapur, në të cilin Komisioni t’u shpjegonte konkurrentëve kriteret që do të zbatonte për caktimin e pikëve.

 

Kompania

Kompania siciliane SI.GEN.CO, që u duk se ishte e paracaktuar të fitojë tenderin, ka një histori 13-vjeçare, tepër të shkurtër për një biznes që synon të kthejë Portin e Vlorës në një nga më modernët e Mesdheut. Në fakt, ajo ka edhe çështje të pakëndshme në CV-në e saj, si psh anulimin, në vitin 2004, të kontratës për rikonstruksionin e një galerie në autostradën italiane A7 për vonesa të mëdha.

Duket se problemet kanë lindur, sidomos, në fazën përzgjedhëse të fituesit të këtij tenderi nga pala shqiptare, ku fituesi ka dalë vetëm pas skualifikimit të kompanive të tjera, në kushte shumë të dyshimta.

Edhe një tjetër kompani pjesëmarrëse në tender, “San Martino”, ka vënë në dijeni zyrtarisht autoritetet më të larta shtetërore shqiptare, por edhe ato italiane, lidhur me këtë skandal. Edhe ky subjekt ka ngritur pretendime për një skualifikim tërësisht antiligjor, që është bërë në kundërshtim me gjithë direktivat e Bashkimit Evropian në këtë fushë. Sipas ankimimit që ka bërë kompania italiane, rezulton që skualifikimi i saj, por edhe i disa të tjerave, është bërë në kundërshtim të plotë, si me ligjet ekzistuese shqiptare, ashtu dhe direktivat e BE-së. Pika kyçe e pretendimit të italianëve të “San Martinos” duket se ka të bëjë me një periudhë tremujore, nga dita e dorëzimit të ofertës, deri te dita e shpalljes së saj si e skualifikuar.

 

Mega-projekti

Katër vjet më parë, në Vlorë është prezantuar një mega-projekt, me vlerë 1.2 miliardë euro, nga një konsorcium anglo-zviceran dhe amerikan, divizion i kompanisë “Zumax AG”, me bazë në Zvicër. Gjatë prezantimit të këtij projekti ishin të pranishëm edhe ministrat Ruli dhe Olldashi. Projekti parashikonte ndërtimin e një terminali me kapacitet prej më shumë se 3 milionë kontejnerësh në vit. Ai do të shërbente si një port transit dhe import-eksport për rajonin, duke ofruar gjithashtu hyrje efikase për në det për komunitetin lokal. Por, që nga shtatori i vitit 2008, deri tani nuk ka pasur asnjë shenjë realizimi, ndërkohë që edhe fonde shumë më të vogla se kaq po humbasin.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency