Standard.al

Prioritetet Basha: Zhvillimi ekonomik dhe punësimi i të rinjve

basha“Përmes një koordinimi më të mirë mes kërkesës dhe ofertës, ne kemi bërë të mundur që nga fundi i verës së kaluar deri në dhjetor të sigurojmë më shumë se 1500 vende të reja pune për të sapodiplomuarit, me kualifikime apo me praktika pune apo për të rinjtë nën 30 vjeç”

 

Dy prioritetet e Bashkisë së Tiranës, zhvillimi ekonomik dhe punësimi, rezultojnë në bilance pozitive në këto dy vite drejtimi nga kryebashkiaku Lulzim Basha. Në një takim me anëtarë të Bashkimit Ndërkombëtar të Forumeve Rinore të Qendrës së Djathtë, Basha bëri një prezantim të axhendës së tij në krye të bashkisë. Ai vlerësoi se politikat lehtësuese fiskale kanë rritur numrin e të punësuarve vetëm brenda një viti deri në 7 mijë të punësuar. Ndërsa falë një granti prej 1 milion euro, sipërmarrës të rinj apo të vjetër nën 35 vjeç do të mund të përfitojnë për të hapur një biznes. Duke iu përgjigjur pyetjeve të rinjve, Basha prezantoi edhe projektet strategjike, një pjesë e të cilave pritet të marrin jetë në Tiranë.

Punësimi

Duke iu referuar të dhënave mbi punësimin në kryeqytet, pas lehtësirave fiskale, kreu i bashkisë tha se “pasi pas një viti qeverisjeje, pra në korrik 2012, sipas statistikave të Tatim-Taksave, rezultojnë 7 000 të punësuar të rinj taksapagues, ndërkohë që 2011-2012 rezultoi një vit tepër dramatik për ekonomitë e shumë vendeve rreth nesh. Përmes një koordinimi më të mirë mes kërkesës dhe ofertës, ne kemi bërë të mundur që nga fundi i verës së kaluar deri në dhjetor të sigurojmë më shumë se 1500 vende të reja pune për të sapodiplomuarit, me kualifikime apo me praktika pune apo për të rinjtë nën 30 vjeç. Njëkohësisht, do të ecim përpara me të tjera skema, duke rifinancuar plotësisht kompanitë, të cilat do të përfitojnë nga fondi i vendosur nga bashkia dhe do të jetë me fitim për tre vitet e para”.

Planet

Ndërkaq kryebashkiaku i ka njohur të rinjtë edhe me projektet e tjera që pritet të zbatohen në kryeqytetin që nga bulevardi, lumi i Tiranës, trami e terminali. “Shumë shpejt do të shohim dyfishimin e infrastrukturës në pjesën veriore të qytetit, zgjerimin e bulevardit dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës. Po ashtu, kemi avancuar në lidhje me transportin publik dhe lëvizshmërinë, për linjën e tramit. Linjat kryesore në kryeqytet do të zëvendësohen me atë të tramit dhe për këtë Franca dhe BE kanë dhënë grante për financimin e studimeve të fizibilitetit të tij. Besojmë se vitin tjetër do të nisim njërin prej tyre. BERZH ka financuar sa i takon fazës konsultuese dhe ndërtimin e stacionit multimodal në periferi të qytetit”, deklaroi kryebashkiaku. Ai tha se zbatimi i të gjitha këtyre projekteve bazohen në transparencën e institucionit që ai ka me qytetarët dhe në dëgjimin e zërit të tyre, pasi këta të fundit janë ata që përfitojnë drejtpërdrejt nga këto nisma.

 

 

Drejtimi

Trauma e Spitalit Ushtarak i kalon Ministrisë së Shëndetësisë

Qendra Kombëtare e Traumës i kalon zyrtarisht Ministrisë së Shëndetësisë. Gjatë kësaj kohe USAID ka monitoruar situatën në Qendrën e Traumës dhe të aftësive menaxhuese. Në emër të USAID raportin e ka dorëzuar prof. Rifat Latifi, i cili është nismëtar dhe koordinator i këtij projekti. Gjatë një konference për shtyp pas dorëzimit të raportit, ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo theksoi se prej muajit janar të këtij viti, institucioni që ai drejton ka hedhur një hap madhor drejt përmirësimit të sistemit të traumës në vend. “Me kalimin e Qendrës Kombëtare të Traumës nën administrimin e Ministrisë së Shëndetësisë kujdesi për pacientët e traumatizuar integrohet përfundimisht në sistemin tonë shëndetësor. Tashmë prioriteti absolut i Ministrisë së Shëndetësisë mbetet përmirësimi i cilësisë së shërbimit, gjë e cila nuk mund t’i lihet spontanitetit dhe iniciativave të shkëputura. Për këtë arsye, në emër të Ministrisë së Shëndetësisë i shpreh mirënjohjen dhe vlerësimin tim maksimal, USAID-it dhe popullit amerikan që mbështetën këtë studim gjithëpërfshirës për gjendjen e Qendrës së Traumës dhe Sistemit të Traumës në Shqipëri”, – tha z. Tavo. Sipas ministrit Tavo me dokumentin që prof. Rifat Latifi dorëzon në emër të grupit të punës, Ministria e Shëndetësisë ka jo vetëm analizën e situatës, por edhe një parashtrim të drejtimeve strategjike që duhen ndjekur për të përmirësuar kujdesin për pacientin e traumës. Ekspertë ndërkombëtarë nga më të njohurit por edhe ekspertët më të mirë vendas kanë ekzaminuar të gjithë dokumentacionin ekzistues, kanë rishikuar në terren procedurat e kujdesit për pacientin e traumatizuar nga vendi i aksidentit dhe deri në proceset rehabilituese dhe i kanë ballafaquar ato me standardet më të mira ndërkombëtare. Grupi i punës ka evidentuar të gjithë mangësitë, për t’u ndalur më pas në mundësitë që ekzistojnë për përmirësimin e situatës.

 

Comments are closed.