Një vendim i drejtë

0
144

Çelo Hoxha

 

demokracDemokracia shqiptare është e re, institucionet nuk e kanë autoritetin e duhur që vendimet e tyre të priten pa u paragjykuar dhe kjo është pasojë e politikës. Elita shqiptare postkomuniste ishte elita komuniste, me të njëjtin formim, me të njëjtin karakter, me të njëjtën përvojë, vetëm se kishte marrë urdhër të bënte diçka tjetër nga ajo që kishte bërë deri atëherë. Ne s’patëm një elitë me formim demokratik dhe moral shenjtorësh, të cilët të kishin ngulitur deri tani, të paktën, besimin e njerëzve për institucionet. Edhe mund ta fajësosh elitën, siç kemi bërë shpesh gjatë rrugës, por, duhet pranuar, engjëjt nuk dolën në krye se s’patën fuqi të imponoheshin, se s’patën vizion ose guxim. Diçka u mungoi dhe kështu demokracia shqiptare mori rrugën njerëzore, ec e gabo e korrigjo, e bëj sërish të njëjtin e gabim e kështu me radhë. Ambasadorët perëndimorë, ndërkohë, i kemi respektuar në po atë nivel që regjimi komunist respektonte ambasadorin jugosllav fillimisht, pastaj atë rus e në fund atë kinez.

Ata që janë të zhgënjyer nga vendimi i Gjykatës së Tiranës, e cila liroi gardistët e akuzuar për vrasjen e katër pjesëmarrësve në protestën e dhunshme në 21 janar 2011, ata që mendojnë se personat e akuzuar për vrasjen e protestuesve nuk e meritonin të ishin të lirë, duke mos e marrë fare në konsideratë dhunën që turma e protestuesve ushtroi ndaj policisë në 21 janar, duhet ta shikojnë më me qetësi rrugën e demokracisë shqiptare. Ata bërtasin se gjykatat janë të kontrolluara nga Kryeministri Berisha, por kjo nuk është shenjë e keqe. Sigurisht, nuk tregon se gjykatat janë krejt të pandikuara, por tregon se është bërë një hap ose një gjysmëhap drejt pavarësisë. Kjo konfirmon, po ta besojmë 100% Edi Ramën, se gjykatat nuk varen më nga partia që i ruan ende të forta strukturat totalitariste të diktaturës. Kjo tregon se në gjykata nuk janë më ata që dënuan, ose kanë ikur një pjesë e tyre, poetin Havzi Nela në vitin 1988. Gjysma tjetër, e pavarësisë së gjyqësorit, do të realizohet në një të ardhme të afërt. Evolucioni kërkon kohë. Revolucionet kanë prodhuar vetëm trauma shoqërore, krime dhe kriminelë.

Për t’u gjykuar nuk është vendimi i gjykatës, por sjellja e opozitës. PS i ka kthyer në heronj katër viktimat e 21 janarit, atë më hajdutin e tyre, që në ‘97 dilte me maska në rrugë, e shpallën qytetar nderi të Gjirokastrës. Ky veprim nuk është një lajthitje për shkak të ngarkesës emocionale, por një metodë pune tradicionale e të majtës, e cila organizon vetëm lëvizje antiinstitucionale. Heronjtë e saj kriminelë janë rezultat logjik. E tillë ishte kryengritja e Fan Nolit, e ashtuquajtura Luftë Nacionalçlirimtare dhe ngjarjet e dhunshme të vitit 1997. Figurat e shquara të së majtës janë Fan Noli, Enver Hoxha dhe Fatos Nano, të cilët e morën pas këtyre lëvizjeve antiinstitucionale. Dëshmorët e të majtës shqiptare janë kriminelë ordinerë, hajdutë makinash shkrimi e shaptilografësh (lexoni pllakatet që u janë kushtuar dhe janë ende të vendosura në muret e ministrive dhe bashkisë mu në mes të Tiranës). Duke mbrojtur 21 janarin, e majta mbron historinë e saj. Asaj i duhen trazirat, sepse vetëm ato krijojnë terren të veprojnë njerëzit pa respekt për ligjin.

Gjykatat shqiptare nuk përbëhen nga engjëj dhe ata nuk gjykojnë në parajsë, por në rastin e 21 janarit vendimi duket se u jep të gjitha palëve atë që meritonin. Ata që në 21 janar u lëshuan me shkopinj kundër policisë, nuk i kishin bërë llogaritë mirë. Ata kujtonin se kishin të drejtë dhe ishin të fortë aq sa duhej të shkatërronin policinë, të cilën e konsideronin si pengesën e tyre për të mbërritur te preja: Sali Berisha. Sikur policia të ishte treguar më pak profesioniste, në radhët e tyre do të kishte pasur shumë viktima, në familjet shqiptare do të ishin shtuar jetimët e njerëzve që bien në krye të detyrës, kurse në planin historik do të shtohej edhe një rast kur ata që sulmojnë institucionet, dalin gjithmonë fitues. Ajo që protestuesit nuk kishin llogaritur ishte ajo që ndodhi, që viktimat ishin nga radhët tyre. Individualisht, mund të mos jenë ndëshkuar personat që e meritonin më shumë, por viktimat ishin pjesë e palës që e meritonte të ndëshkohej.

Gjykimi i ngjarjeve të 21 janarit ishte i mangët, veçse jo për arsyet që thonë kundërshtarët e vendimit të gjykatës. Faktet janë të verifikueshme. Partia Socialiste, në ditët para protestës, bëri thirrje të qarta për dhunë dhe parashikime për viktima. Nga ana tjetër, pati edhe paralajmërime që të mos shkohej drejt dhunës, që protesta që ishte paqësore ose që njerëzit të mos shkonin në protestë fare. Katër viktimat mund të mos kenë bërë ndonjë gjë të madhe që të vdisnin, por si pjesëmarrës në një protestë të dhunshme, ata kishin pjesë e tyre të fajit, dhe kjo ishte e dënueshme. Peshorja e farmacistit për gjykimin e fajit në demokracinë tonë do të përdoret, dhe do të ketë kuptim të përdoret, kur Shqipëria të jetë kthyer në laborator demokracie.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency