Big data

0
248

f fugaArtan Fuga

 

            Përpara disa kohësh kam qenë i ftuar te emisioni i gazetarit të njohur Enkel Demi, transmetuar nga radiotelevzioni publik shqiptar, lidhur me temën e agresivitetit ndër shqiptarët. Duke njohur detyrën time përpara publikut, dhe veçanërisht natyrën këmbëngulëse dhe tejet konkrete të gazetarit, çka është shprehje profesionalizmi, mendova që të mos shkoja në emision me duar në xhepa.

Fillova disa ditë më parë sesa të veja në studio të shihja për statistika për numrin e të vrarëve, të plagosurve, të aksidentuarve etj., në çdo javë, muaj, vit në Shqipëri. Kohë nuk kisha shumë dhe nuk më premtonte për t’u drejtuar te INSTAT-i. Rruga më e natyrshme do të kishte qenë konsultimi i të dhënave statistikore në internet. Kështu bëra.

Por, mbeta i zhgënjyer. Për pak edhe i turpëruar përpara gazetarit dhe mikut tim. Do të kisha qenë i detyruar ta anuloja premtimin për të qenë në studion e tij, sepse nuk mund të shkoja pa pasur në duar statistika të sakta.

Përse mbeta i zhgënjyer? Prita se mos gjeja ndonjë statistikë të tillë në ndonjë website të Ministrisë të Punëve të Brendshme, por nuk ishte e thënë. Dale, – thashë me vete, – me siguri që nuk i ka botuar në website Ministria, por me siguri do ta ketë bërë Policia e Përgjithshme. Kërkova në website e saj, por përsëri nuk gjeta gjë. Ndofta do të më shpëtojë konsultimi me të dhëna të botuar në mënyrë të klasifikuar nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme – shpresova më kot, sepse e dija që edhe nëse kjo e fundit do të kishte botuar diçka, përsëri do të ishin shifra për trajtimin prej saj të tilla krimeve apo veprave penale dhe nuk do të kisha shifra më të plota. Por, nuk gjeta gjë. Prita se mos ndonjë Prefekturë kishte botuar statistika për territorin që mbulonte. Asgjë. Pashë nëpër media të ndryshme. Hiç përsëri. Shoqata të shoqërisë civile që merren me këtë sektor. E kotë.

M’u duk vetja i pashpresë. Po bëhesha gati nga çasti në çast ta merrja në dorë telefonin tim dhe të artikuloja fjalët më të turpshme: “Keli, ashtu më doli në punë, nuk vij dot në emision, e lëmë për një herë tjetër”.

Gjithsesi, durimi nuk më kishte humbur akoma. Nisa të kërkoja në site web të agjencive publike evropiane dhe më gjerë. Kisha shpëtuar. Në to gjeta tabela të hollësishme krahasuese lidhur me krimet e vrasjes, plagosjes apo edhe lidhur me aksidente me pasoja të rënda që ndodhin në Shqipëri. Gjeta shifra të ndërtuara me metodë të mirë ku krahasoheshin të dhënat tona me ato të vendeve fqinje, me vendet e Bashkimit Evropian si edhe me të dhëna të vendeve të tjera të botës.

Përjetimet e mia ishin kontradiktore. Nga njëra anë isha i lumtur sepse e kisha gjetur zgjidhjen. Nga ana tjetër estetikisht isha i mrekulluar nga qartësia e paraqitjes të të dhënave nga ana e burimeve të huaja. Pse jo, isha i kënaqur që në studion televizive do të shkoja i përgatitur dhe do të bëja tipin e mirinformuar dhe që di se çfarë ndodh në çdo cep të Shqipërisë. Le të guxonte Keli të më ngacmonte me ndonjë pyetje të hidhur sikurse e ka zakonin aq të vlefshëm për një gazetar.

Por, përjetimet e mia ishin edhe më kontradiktore sesa kaq. Thashë me vete: “Po mirë, po këta të huajt ku i kanë gjetur këto të dhëna?” Dhe aty fillova të vendosja gishtin në kokë. “Me siguri që burimi i informacionit vjen nga agjencitë tona publike. Pra edhe këto të fundit i kanë këto të dhëna. Ato nuk janë sekrete. Pra botimi në Internet i statistikave nuk është as çështje pazotësie, as çështje sekreti shtetëror, është çështje thjesht kulture demokratike dhe profesionale”.

 

+++

Ardhja e mediave numerike, futja gjerësisht e kompjuterit në hapësirat administrative, kthimi i Internetit në një hapësirë ku individët dhe agjencitë e ndryshme mund të editojnë ide, mendime, pikëpamje, të dhëna, pra edhe statistika, ka bëre që kudo në botën e qytetëruar të ndryshojë sjellja e qytetarit dhe e administratave, apo e agjencive lidhur me informacionin. Nuk mundet që të mbetemi në kohën e informacionit të kohës kur njerëzit ndriçoheshin me qiri, apo me llamba me vajguri.

Të drejtat e qytetarit për t’u informuar janë rritur dhe krahasohen tani me mundësitë që sjell komunikimi në Internet. Sipas një studimi të bërë, qysh nga viti 2003 e deri tani, njerëzimi ka prodhuar aq informacion saqë mund të thuhet se është i barabartë me atë që është krijuar nga lindja e njerëzimit deri në vitin 2003.

Jo vetëm që tani janë rritur mundësitë për të pasur të dhëna statistikore gjigante, por edhe mekanizmat e kërkimit të tyre si edhe të përpunimit janë rritur në mënyrë të hatashme. Mbledhja, stokimi, vendosja online dhe kërkimi nga ana e publikut e këtyre të dhënave kanë ecur si procese autonome, por amà që kanë lidhje të forta me njeri tjetrin dhe bashkëveprojnë me njeri tjetrin.

Rritja në një shkallë të jashtëzakonshme e të dhënave numerike të ruajtura në formate numerike ka sjellë në botën më të avancuar teknologjikisht edhe nevojën në rritje që të ndërmerren projekte gjigante për t’i regjistruar, ruajtur, klasifikuar dhe përdorur këto të dhëna gjigante statistikisht, e që quhet universi i “big data”. Se nuk janë vetëm institucionet e specializuara që tani prodhojnë informacione, por edhe blogjet dhe të gjitha rrjetet sociale. Për të mos thënë se avancimi teknologjik në botën e komunikimit numerik ka sjellë që shkalla e marrjes së të dhënave të detajuara nga bota të rritet shumë. Nëse një teleskop klasik dikur merrte “x” të dhëna nga Hëna, sot një instrument i tillë vëzhgimi merr mijëra herë më shumë se më parë. Kuptohet se ruajtja dhe transmetimi i këtyre të dhënave kërkon një punë gjigante dhe një rinovim të të gjitha shërbimeve që kanë të bëjnë me të. Është tronditëse kur merr vesh se një aparat i thjeshtë fotografik numerik tani është në gjendje të përpunojë po aq të dhëna numerike sa edhe makineritë ne teknologjisë së informacionit me të cilat ishte pajisur anija e parë kozmike amerikane që u ul për herë të parë në Hënë, Apollo 11.

Kudo po ndërmerren hapa gjigante që edhe të dhëna të cilat prej dhjetëra apo qindra vitesh ndodhen në letër, të kalojnë në platforma numerike sepse kështu lirohet vend nëpër arkiva, përpunohen më lehtë, bëhen më të kapshme për nëpunësit dhe qytetarët, hyjnë më kollaj në baza të dhënash, ruhen në mënyrë më të sigurt, transmetohen më kollaj te publiku.

 

+++

 

Ka ardhur koha që një program “big data” të nis të zbatohet edhe në vendin tonë. Askush nuk pretendon që të ketë ato përmasa dhe atë performancë si projektet në fjalë në vendet e zhvilluara teknologjikisht. Kjo do të kishte qenë një ide e gabuar. Por, sipas kushteve tona, përse jo.

Qytetari ka nevojë të informohet plotësisht dhe tani e ka këtë mundësi teknologjikisht. E drejta qytetare për informim tani nuk duhet të mendohet si një mundësi që qytetari që kërkon informacion pranë një agjencie publike, me kërkesë me shkrim, të mund ta marrë atë. Është kohë tjetër. Vetë agjencia nëpërmjet site web të saj duhet ta bëjë sa më tepër që mundet publik informacionin që ajo zotëron. Qytetari ka vend ta gjejë në Internet. Kanë nevojë edhe studiuesit për të bërë studime. Tani kjo është e mundur. Studime që më parë nuk bëheshin dot sepse ishte e vështirë të mblidheshin, klasifikoheshin dhe të transmetoheshin të dhëna të përpunuara në publik, tani mundet që ç’ke me të. Mundësitë e mendjes njerëzore për të projektuar të ardhmen e shoqërisë si edhe për të bërë analizën e saj janë shtuar jashtëzakonisht shumë. Përse të mos shfrytëzohen?

Ndërkohë kjo do të ishte edhe më se e domosdoshme për vetë administratorët e të mirave publike, për nëpunësit dhe politikanët. Projekti “big data” do të jepte të dhëna të kryqëzuara, nga fusha të ndryshme, çka do të lejonte logjikën krahasuese, e cila është domosdoshme kur bëhet fjalë për të administruar proceset sociale dhe ekonomike. Shoqëria nuk drejtohet dot më si marinarët e vjetër duke venë dorën mbi vetulla e parë me sy të lirë nëse ka ndonjë ishull përpara se ku mund të ankorohesh.

Website të agjencive publike duhet të trajtohen me ligj si media publike dhe jo sikur janë mall pa zot, ose thjesht instrumente marrëdhëniesh publike e drejtuesve të tyre. Foto pa fund të tyre, pritje e përcjellje, deklarata pa pikë rëndësie, dhe statistika, të dhëna, raporte, studime, hiç.

Kanë ardhur kohë të reja, duhen përballuar, përndryshe kot themi se duhet ta fusim vendin në periudhën dixhitale.

Sot te ne ende vazhdojnë të humbasin, duke u bërë të papërdorshme me mijëra e qindra mijëra të dhëna dhe informacione në ditë, javë, muaj, pikërisht si rezultat i mospërdorimit të numerizimit të të dhënave, çka përbën një humbje të kapaciteteve administrative të vendit, një mbyllje e mundësive për të pasur njohuri të gjera mbi shoqërinë si edhe një mbyllje e rrugës për të ruajtur historinë tonë sa më të plotë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency