Banka e Shqipërisë Ekonomia, në përmirësim gradual në dy vitet e ardhshme

0
171

Ervin Kaduku

 bankaRritja ekonomike gjatë vitit 2013 pritet të përfitojë nga ruajtja e stimulit monetar dhe nga stimuli më i lartë fiskal. Konsumi dhe investimet private pritet të gjenerojnë një kontribut pozitiv në rritjen ekonomike

 

Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë lidhur me politikën monetare të tremujorit të katërt 2012, ekonomia shqiptare parashikohet të shënojë një përmirësim gradual gjatë dy viteve të ardhshme, por ecuria e saj do të jetë subjekt i rreziqeve të shtuara të lidhura kryesisht me rritjen ekonomike. Tendencat kryesore të pritura në një horizont afatmesëm përfshijnë ngushtimin gradual të hendekut negativ të prodhimit, ruajtjen e inflacionit pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë, vijimin e korrektimit gradual të deficitit të llogarisë korente dhe ruajtjen e një mjedisi të qëndrueshëm financiar. Në mbështetje të këtyre zhvillimeve, në sistemin financiar, krahas konsolidimit të mëtejshëm të bilanceve, parashikohet një rritje e mëtejshme e ndërmjetësimit financiar ndonëse me ritme më të ulëta se mesatarja e vet historike.

Rritja ekonomike gjatë vitit 2013 pritet të përfitojë nga ruajtja e stimulit monetar dhe nga stimuli më i lartë fiskal. Konsumi dhe investimet private pritet të gjenerojnë një kontribut pozitiv në rritjen ekonomike. Nga pikëpamja e shëndetit financiar, si bizneset ashtu edhe konsumatorët shqiptarë në agregat rezultojnë me bilance të shëndosha, falë rritjes së kursimeve të familjeve, evitimit të çrregullimeve të mëdha në treguesit e punëzënies, dhe fleksibilitetit të biznesit në kontrollin e kostove të tyre, thekson BSH.

Rritja e kursimeve financiare dhe ruajtja e forcës së punës përbëjnë premisa pozitive për ruajtjen e potencialit të rritjes në një periudhë afatmesme. Megjithatë, gjatë vitit 2013, konsumi privat do të mbetet nën ndikimin negativ të perceptimit të lartë të rrezikut për realizimin e të ardhurave, rikuperimit të ngadaltë të ndërmjetësimit financiar dhe flukseve hyrëse të pasigurta nga jorezidentët.

Recesioni ekonomik në vendet partnere do të vijojë të kushtëzojë rritjen e eksporteve. Ecuria e tyre gjatë dy viteve të fundit është mbështetur nga nënçmimi real i kursit të këmbimit dhe nga faktorë të përkohshëm të ofertës. Me gjithë pasigurinë dhe problematikën që ka ruajtja e një ritmi të lartë të rritjes së eksporteve, tendenca e zëvendësimit të importeve me prodhimin vendas pritet të japë një kontribut pozitiv në korrektimin e deficitit tregtar dhe në rritjen ekonomike.

Kreditimi i ekonomisë do të mbështetet nga gjendja e mirë e likuiditetit të sistemit bankar, akumulimi i qëndrueshëm i kursimeve private dhe shkalla e mirë e kapitalizimit të sektorit bankar. Megjithatë, ritmet e kreditimit pritet të mbeten të ulëta gjatë vitit 2013, me një përmirësim të vogël krahasuar me ecurinë e vitit 2012.

 

Makroekonomia dhe inflacioni

Gjatë gjysmës së dytë të vitit 2012, ekonomia shqiptare u karakterizua nga rritje e ngadaltë e prodhimit dhe e punësimit si dhe nga presione inflacioniste në rënie. Sipas të dhënave nga INSTAT, aktiviteti ekonomik në vend është përmirësuar në tremujorin e tretë, duke shënuar rritje vjetore prej 2.7%. Përmirësimi i kërkesës agregate ishte më i balancuar, duke gjetur mbështetje si nga kërkesa e huaj ashtu dhe nga ajo e brendshme.

Aktiviteti ekonomik dhe kërkesa agregate u zgjeruan me ritme më të shpejta në tremujorin e tretë. Pas rritjes së ulët prej 1.0% në gjysmën e parë të vitit, prodhimi i brendshëm bruto regjistroi një rritje vjetore prej 2.7% në tremujorin e tretë të tij.

Sektori i shërbimeve vijoi të mbetet kontribuuesi kryesor në rritjen ekonomike për këtë periudhë. Ky sektor gjeneroi një vlerë të shtuar rreth 4.5% më të lartë.

 

Banesat

Indeksi i çmimit të banesave vijoi të jetë në rënie për të dytin tremujor radhazi, në tremujorin e katërt. Gjatë kësaj periudhe, ky indeks ra me rreth 9.7% në terma vjetorë. I deflatuar me indeksin e çmimit të konsumit, ndryshimi vjetor real në këtë tremujor ishte -11.9%. Indeksi i qirasë për Tiranën shënoi një rënie të theksuar me rreth 12.3% në terma nominalë vjetorë, duke konfirmuar prirjen e nisur që nga tremujori i kaluar. Në terma vjetorë realë, indeksi i qirasë u ul me rreth 14.5%.

 

Tregtia në mallra

Të dhënat mbi ecurinë e bilancit të tregtisë së jashtme në mallra të vendit tonë për periudhën janar – nëntor 2012, dëshmojnë për ngushtim të deficitit tregtar me përafërsisht 7.5% në terma vjetorë nominalë. Ngushtimi i deficitit tregtar për periudhën rezultoi rreth 12.6% krahasuar me një vit më parë.

Importet në vlerë drejt vendit tonë kanë vijuar prirjen e qëndrueshme rënëse të shfaqur që në muajt e parë të vitit, duke rezultuar rreth 1.5% më të ulëta (në terma vjetorë) për periudhën janar-nëntor 2012. Ecuria e eksporteve gjatë 11 mujorit të parë të vitit 2012 u karakterizua përgjithësisht nga norma rritjeje të kënaqshme edhe pse më të moderuara, krahasuar me ato të shënuara në dy vitet paraardhëse. Rritja e eksporteve me rreth 8.7% në terma vjetorë u përcaktua në masën më të madhe nga eksporti i mallrave të përfshirë në kategorinë “Lëndë djegëse minerale, vajra dhe dylle minerale”.

 

Tregu i punës

Norma e papunësisë ka qëndruar në nivelet e fundvitit 2011, duke u luhatur rreth vlerës 13.3%. Punësimi ka regjistruar rritje modeste prej 0.3% këtë nëntëmujor. Ndërkohë, pagat kanë rënë si në terma realë ashtu edhe në terma nominalë.

 

Ecuria e depozitave

Stoku i depozitave të sistemit bankar në fund të muajit nëntor rezulton rreth 6.9% më i lartë se një vit më parë. Raporti i depozitave në total ndaj parasë së gjerë në fund të muajit nëntor qëndron në rreth 83.3%, një ndër vlerat më të larta historike.

 

Kredia

Kredia për ekonominë ka shfaqur ecuri të dobët gjatë vitit 2012, veçanërisht pas tremujorit të parë të tij. Pas zgjerimit të pakët në tremujorët e dytë e të tretë të vitit, kredia u tkurr ndjeshëm në muajin tetor, ndërkohë që regjistroi një fluks të ulët pozitiv në muajin nëntor. Këto zhvillime kanë sjellë ngadalësimin e shpejtë të rritjes vjetore të saj përgjatë vitit 2012. Në muajt tetor e nëntor, rritja vjetore e kredisë rezultoi 4.0%, nga 5.5% që shënonte në fund të tremujorit të tretë dhe nga 12.2% që shënonte në fund të vitit 2011.

 

 

 

Albpetrol, qeveria vendos zyrtarisht të nisë negociatat me kompaninë Win Business

 

Qeveria shqiptare ka shfuqizuar ofertën fituese prej 850 milionë eurosh nga Vetro Energy për të blerë kompaninë e naftës Albpetrol, pasi firma shqiptaro-amerikane dështoi në pagesën fillestare, të kërkuar nga ligji, njoftoi dje agjencia e lajmeve Reuters, duke iu referuar deklaratave të zyrtarëve të lartë qeveritarë, bërë në televizionin Top Channel. Sipas tyre, Vetro nuk pagoi dot 170 milionë euro, shifër e barabartë me 20 për qind të ofertës. Kjo, edhe pasi iu akorduar një shtyrje prej 30 ditësh, me afat përfundimtar 3 dhjetorin 2012.

“Ky vendim i qeverisë autorizon grupin e negociatorëve që të vazhdojnë të vlerësojnë ofertat e tjera”, – deklaruan qeveritarët, sipas Reuters-it. Në këtë mënyrë, konsorciumi kinez Win Business, që u paraqit në garë me një ofertë prej 298 milionë eurosh, është i dyti në radhë dhe pret të nisë negociatat. Ai pasohet në listë nga kanadezët e Bankers Petroleum, që kanë ofruar 106 milionë euro për blerjen e 100 për qind të aksioneve të kompanisë, me të cilët, në rast se dështon edhe negociata me firmën e dytë, mund të bisedohet nga ekspertët e qeverisë.

“Një burim i afërt me aksionarin kryesor të Vetro Energy, biznesmenin Rezart Taçi, tha se grupi ishte habitur nga vendimi, për shkak se ata po punonin për të finalizuar marrëveshjen”, – shton më tej Reuters.

Një vendim i tillë nuk gjendet në faqet në internet të qeverisë, ku publikohen zakonisht njoftime të tilla, konstaton sërish agjencia britanike. Ajo shton se qeveria e anuloi marrëveshjen, pasi e priti Vetro për dy muaj të tjerë, ndërkohë që ka nisur përgatitjet për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency