Standard.al

Triumf i drejtësisë ndaj politikës së kriminalizuar

Nga Halil RAMA

drejtesiaGjykata e Tiranës, seksioni i Krimeve të Rënda, dëshmoi dje pavarësinë dhe integritetin e saj si një institucion bazë i dhënies së drejtësisë në vendin tonë. Vendimi i dhënë dje nga gjyqtari Besnik Hoxha, për shpalljen të pafajshëm të ish- komandantit të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, dhe ish-gardistit Agim Llupo, është sinjal i qartë i mosndikimit të drejtësisë shqiptare nga politika e kriminalizuar.

Drejtësia triumfoi dje përballë presioneve dhe shantazheve të hapura të lidershipit opozitar për të penalizuar me çdo kusht ata që mbrojtën institucionet e shtetit më 21 janar 2011 nga elementë të inkriminuar të përfshirë në një protestë të dhunshme dhe për t’i nxjerrë ata të larë nga përgjegjësia për viktimizimin e katër të pafajshmëve.

Këtë triumf të drejtësisë dhe dështim të lidershipit të tyre e përjetoi dhimbshëm trupa e deputetëve të PS-së, që braktisi sallën e Kuvendit, sapo mësoi vendimin e gjyqtarit të seksionit të Krimeve të Rënda të Gjykatës së Tiranës për shpalljen të pafajshëm të ish-komandantit të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, dhe ish-gardistit Agim Llupo. Ndonëse gjyqtari Hoxha argumentoi bindshëm vendimin për t’i liruar ish-kreun e gardës Prendi dhe gardistin Llupo nga akuzat për vrasje në rrethana cilësuese, pasi gjatë hetimeve nuk është provuar që ata kanë realizuar këtë vepër penale me dashje, por kanë qenë në zbatim të ligjit për mbrojtjen e objekteve me rëndësi të veçantë, segmente të inkriminuara të politikës opozitare dëshmuan sërish dje se janë kundër pavarësisë dhe integritetit të institucioneve të drejtësisë, që në një shtet demokratik janë domosdoshmëri.

Për me shumë se dy vjet, kreu i PS-së, Edi Rama, dhe suita e tij keqpërdori në mënyrën më ekstreme katër viktimat e puçit institucional që vetë ai organizoi me 21 janar 2011. Njeriu që për pushtetin e tij të pamerituar organizoi protestën e dhunshme që degradoi në sulm ndaj Kryeministrisë, ushtroi presion të paparë ndaj sistemit të drejtësisë në vendin tonë, me synimin që ta gjunjëzonte atë dhe të penalizonte pa asnjë bazë dhe argument mbrojtësit e sigurisë e të rendit. Pikërisht nëse do t’ia arrinte qëllimit të gjunjëzonte drejtësinë, këtë rrënim të mundshëm të saj ai do ta përdorte për efekte elektorale në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit.

Edi Rama dhe G 99-shat me të cilët ka uzurpuar Partinë Socialiste, synonte që me dënimin e mundshëm të ish-drejtuesve të lartë të Gardës të mund të shtonte dozat e akuzave absurde ndaj Lulzim Bashës, që nëpërmjet një gare të ndershme e largoi atë nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës. I tërbuar nga sukseset e kryebashkiakut Basha që po i jep fytyrë perëndimore metropolit shqiptar, paraardhësi i tij në krye të bashkisë (që e masakroi atë barbarisht), në krye të PS-së, ushtroi gjithë ndikimin e mundshëm të jashtëligjshëm ndaj organit të akuzës, që nëpërmjet penalizimit të ish-drejtuesve të Gardës të mund të fajësonte edhe Bashën (si ish-ministër i Brendshëm) për puçin e tij të 21 janarit. Kjo u duk fare qartë edhe nga rebelimi i djeshëm i deputetëve socialistë. Menjëherë pasi gjyqtari Hoxha argumentoi se në vendimin e marrë ishte bazuar në një vendim të mëparshëm të Gjykatës së Strasburgut për një rast të ngjashëm në Itali (që përbën precedent për drejtësinë shqiptare), sërish dje deputeti Ssocialist Saimir Tahiri, si zëdhënës i zellshëm i liderit të PS-së, deklaroi se “në këtë vend drejtësia ka marrë fund”.

Në vend që të heshtin tani që foli drejtësia, ata, si edhe ish-baballarët e tyre të kupolës së kuqe, kërkojnë revansh ndaj institucioneve të drejtësisë.

Pikërisht kupola e PS-së që për dy vjet rresht bllokoi votimin e tri ligjeve që kushtëzojnë marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE, doli sërish dje kundër sundimit të ligjit, që është baza e kritereve për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ata qëllimisht kundërshtojnë një vendim të gjyqësorit, që nuk lë vend për asnjë koment. Duke mbrojtur kurbanët e tyre, Edi Rama e mbështetësit e tij, mbrojnë indirekt edhe përfaqësuesit e akuzës, të cilët, siç doli në seancën e djeshme përfundimtare të Gjykatës së Tiranës, në asnjë moment të hetimeve, nuk kanë hetuar dhunën ndaj efektivëve të Gardës, të cilët kanë qenë të detyruar të qëllojnë në ajër dhe në asnjë rast nuk kanë qëlluar drejtpërdrejt në turmë. Në të vërtetë, gjithkush që ka ndjekur zhvillimet e 21 janarit të kobshëm 2011, është i bindur se Garda më 21 janar ka mbrojtur rendin kushtetues, që u cenua nga protestuesit. Praktika të tilla njihen në eksperiencën botërore. Në argumentimin dhe provimin e kësaj të vërtete meritë të padiskutueshme kanë dy avokatët e mirënjohur Gjokutaj e Çerekja, të cilët vërtetuan se Garda përdori çdo mënyrë për të qetësuar protestuesit, siç e njohin parimet e konventat ndërkombëtare. Nëse lidershipi opozitar është pro këtyre parimeve, së paku le të heshtë tani, që për këtë proces të montuar prej tij foli drejtësia.

 

 

Comments are closed.