Nuk kaluam në recesion, Berisha: Taksat e ulëta dhe ndihma ndaj biznesit, prioriteti ynë

0
129

Ina Jano

BERISHAKryeministri: Rama, disfatë pas disfate. Ai e krijon vetë humbjen edhe kur nuk ia jep kundërshtari

 

Sipas të gjitha raporteve ndërkombëtare, Shqipëria nuk ra në krizë ekonomike dhe nuk pati recension. Këtë u deklaroi Kryeministri Berisha të gjithë të rinjve të forumeve rinore ndërkombëtare të qendrës së djathtë (IYDU), në takimin që pati me ta në Tiranë. Shefi i qeverisë pohoi se prioritet i qeverisë do të vijojë të mbeten taksat e ulëta dhe ndihma ndaj biznesit. Kreu i mazhorancës u tregoi të rinjve të huaj përvojën e tij në aplikimin e taksës së ulët dhe tha se jo vetëm që kjo taksë u implementua në vitet kur ai ishte President, por edhe në vitin 2005, kur Partia Demokratike erdhi në pushtet. Ai shtoi se ky është modeli i Ronald Regan, ndërsa tha se ky ka qenë një idhull në jetën e tij, modelin e të cilit e ka ndjekur në lidhje me taksat e ulëta. “Regan shkruante: Është mëkat të tentosh të ngjallësh industritë e sëmura. Shqipëria u bë vendi i vetëm ndër vendet ish komuniste që nuk u shpenzua një qindarkë për të rimëkëmbur industritë e sëmura. Në vitin 2005, kur erdha në pushtet, u ktheva sërish tek taksa e ulët, pavarësisht se kundërshtarët e mi i vunë emrin taksë progresive dhe vendosëm taksën e sheshtë 10 për qind. Ne kemi mbledhur 9.2 miliardë dollarë më shumë nga taksat e tatimet, sesa qeveria e mëparshme për të njëjtën periudhe kohe, me dyfishin e nivelit të taksave. Tani është kohë krize. Vendi im nuk ka rënë në recesion dhe ka ruajtur një rritje ekonomike 3-4 për qind”, – u shpreh Kryeministri. Numri një i qeverisë tha se kjo politikë do të vijojë të mbetet edhe në projektet e ardhshme dhe në kohët në vazhdim, pasi në fakt kjo është një mënyrë se si vendi të mos preket nga kriza, që e ka kapluar gjithë Evropën. Zoti Berisha pohoi se në fakt ulja e mëtejshme e taksave është antidoti më i mirë i mbrojtjes nga kriza. “Unë besoj se antidoti i kësaj krize është ndihma për biznesin, zgjerimi i lirisë ekonomike. Prapë unë mbetem besnik i atyre parimeve që ju besoni dhe unë besoj. Para dy muajsh, hoqëm taksën për kapitalin, hoqëm tatimin për të ardhurat personale për të gjithë punonjësit me pagë nën 300 dollarë, hoqëm TVSH-në për çimenton dhe hekurin për ndërtimin e hidrocentraleve. Në Shqipëri ka një ethe të vërtetë për ndërtimin e hidrocentraleve”, – informoi shefi i kabinetit qeveritar të rinjtë e qendrës së djathtë demokrate, të ardhur në Shqipëri nga e gjithë bota.

Edi Rama

Sigurisht që nuk mund të mungonin pyetjet e të rinjve në lidhje me kundërshtarin politik të Kryeministrit Berisha. Duke iu referuar liderit të opozitës, kreu i ekzekutivit bëri më dije se ai shkon nga disfata në disfatë. Sipas tij, është pikërisht ky njeri i cili pas çdo humbjeje vijon që të humbë, edhe kur kjo nuk vjen nga kundërshtari. “Kemi një kundërshtar shumë special, që bën çdo gjë të zbatojë testamentin e etërve të tij. Si në asnjë vend tjetër, ka grumbulluar rreth vetes të gjithë pinjollët e Byrosë Politike dhe u rikthehet platformave të vjetra. Por duket se shqiptarët do t’i japin atij leksionin e radhës. Ai është i famshëm për të kaluar nga disfata në disfatë. Nuk gjen një politikan tjetër që të ketë regjistruar humbje pas humbjes, që, edhe kur nuk ia jep kundërshtari, e krijon vetë humbjen. Natyrisht, unë nuk mund të bëhem këshilltari i tij. Unë do të zbatoj programin që u paraqes shqiptarëve”, – vijoi Kryeministri.

Rinia

“Në vitin 1992, unë u zgjodha President, i rrethuar nga një grup të rinjsh, këshilltarë të mi. Nuk i harroj asnjëherë ato ditë, kur unë u shtroja atyre pyetje për një mijë probleme që duhej t’u jepnin përgjigje dhe ata kishin një përgjigje konstante: Nuk e dimë, por do të studiojmë. U ndala në këtë moment për të kuptuar se në këtë rast, pasuria e të rinjve ishte mendja e hapur e tyre. Për mua, mendja e hapur e tyre ishte shumë më e rëndësishme se çdo gjë tjetër. Në qoftë se do të duhej t’i referohesha eksperiencës, ajo ishte inekzistente dhe e dëmshme, thellësisht socialiste dhe hiperkolektiviste. Mendja e hapur e të rinjve ishte për mua, pasuria kryesore”, – tha Berisha. Më tej si sqaroi se në të gjitha këto fitore të Partisë Demokratike, rinia ka luajtur një rol kryesor, pasi, sipas tij, ka qenë forca dhe energjia kryesore. “Lidhur me qëndrimin tim me të rinjtë dhe ndaj të rinjve, mund t’u them se unë kam 20 vjet që zhvilloj beteja elektorale politike, të cilat shumicën dërrmuese i kemi fituar. Dy janë arsyet kryesore për këtë; së pari, mbështetja e të rinjve. Çdo fitore e PD-së ka qenë e mundur vetëm nga mbështetja e të rinjve. Arsyeja e dytë ka të bëjë përsëri me një parim të Ronald Regan, për të cilin mendoj se mund të jetë i vlefshëm për secilin prej jush. Regan thotë se “qeveria është problem”. Në pamje të parë, kur këtë e përsërit një qeveritar, mund të duket si një vetëqortim, por nuk ka gjë më të rëndësishme, sepse kjo të imponon të shohësh çdo darkë se cilat ishin gabimet e ditës, të shohësh çdo javë se cilat ishin gabimet e javës, të shohësh çdo muaj se cilat ishin gabimet e muajit dhe t’i korrigjosh ato”, – përfundoi Berisha bashkëbisedimin më të rinjtë demokratë.

 

Kryeministri, 380 mijë miq në FB, pyetet nga i riu nga Tajvani

Mëngjesin e djeshëm, shefi i qeverisë përshëndeti të gjithë miqtë e tij në Facebook dhe u shprehu atyre falënderimet më të përzemërta për komentet dhe temat të cilat janë diskutuar. “Mbrëmë vonë ne u bëmë 380 mijë në rrjetin tonë social të FB. Besoj se secili prej nesh ndihet i privilegjuar dhe krenar, si anëtar i këtij rrjeti, që në një kohë kaq të shkurtër arritëm ta bënim rrjetin social më të hapur, më të ri në moshë, më të pasur në komente dhe tematikë e me debatin më të gjallë”, – shkroi Berisha. Gjatë takimit me përfaqësuesit e IYDU-së, lideri i mazhorancës mori pyetje nga të rinjtë pikërisht në lidhje me llogarinë e tij në rrjetin social. Kryetari i qeverisë shpjegoi se që në vitin 2005, kur PD ka ardhur në pushtet, vetë zoti Berisha ka publikuar numrin e telefonit. Madje, ai iu referua edhe një statistike. “Në telefonin tim sot janë 209 SMS, nga mbrëmja e djeshme e deri sot dhe 29 të tjerë në “What’s app”. Këtë praktikë komunikimi e kam konsideruar shumë të dobishme, si mënyra më e thjeshtë për çdo qytetar, nga çdo skaj i vendit, për të shprehur shqetësimin e tij”, – tha Berisha dje. Ky i fundit e vlerësoi Facebook-un si magjinë e lidhjes dhe tha se në këtë mënyrë ka mundësi që të merret “feedback” real për të gjitha temat e parashtruara. “Shpenzoj mjaft kohë me të. 89 për qind e miqve të rrjetit tim janë të rinj dhe unë ndihem shumë krenar për këtë gjë. Unë ndihem i privilegjuar me shpejtësinë e rritjes së tij. Ka raste që arrin në mbi 2 milionë numri i atyre që shohin faqen. Me miqtë e fansave, arrijmë në 13 milionë. Një univers i tërë”, – shtoi Kryeministri.

 

 

Nisma e qeverisë, heqja e TVSH-së për 110 vegla dhe pajisje bujqësore

Heqja e TVSH-së për çdo vegël, pajisje, makineri, traktor, kombajnë apo çfarëdo lloj tjetër që kanë destinacion bujqësinë, blegtorinë, bletarin, agrobiznesin apo përpunimin ushqimor, është nisma më e re që ka marrë qeveria shqiptare. Në një konferencë të posaçme për shtyp, lideri i mazhorancës Berisha pohoi se kjo është një praktikë shumë pozitive dhe lista arrin rreth 110 artikuj, makineri që përdoren në të gjithë spektrin e bujqësisë të cilat do të importohen pa TVSH. Ai pohoi se kjo nuk është një nismë elektorale dhe diskutimet për këto lloj projektesh kanë mbi një vit që kanë nisur. Berisha tha se fatura financiare e projektit nuk është e vogël, megjithatë ajo mund të shkojnë deri në 170 milionë euro këtë vit. “Kjo është një shumë pa diskutim e madhe mund të kapë edhe 170 milionë euro këtë vit, por po të keni parasysh se qëndrimi ynë më madhor është punësimi dhe prodhimi, prodhimi dhe punësimi, atëherë jam i bindur se kjo sakrificë e sotme do të japë shpërblim të madh, për shoqërinë shqiptare shumë shpejt. Nuk e jep gjashtë muajt e parë, por jep një shtytje të fuqishme për periudhën që vjen më pas. Unë kam bindje se këto masa dhe të tjera, që do të shpallen gjatë kohërave që vijnë përbëjnë reformat më të thella dhe më të rëndësishme, që vendi ndërmerr, për ti dhënë një shtytje të fuqishme rritjes ekonomike dhe punësimit. Ndaj dhe ne kemi vendosur të bëjmë gjithçka në atë parim që besojmë se është biznesi ai që është gjeneratori më kryeso i vendeve të punës”, – u shpreh kreu i qeverisë. Por përveç kësaj qeveria do të ndërmarrë nismën ligjore dhe do të dërgojë së shpejti në Parlament heqjen e TVSH-së për të gjitha llojet e kimikateve, plehrave kimike, substancave të ndryshme, fidanëve, farërave dhe të gjithë çka tjetër që importohen për qëllime të zhvillimit të bujqësisë, frutikulturës, blegtorisë e të gjithë sektorëve të kësaj fushe shumë të rëndësishme për qytetarët shqiptarë. Për Kryeministrin kjo masë përbën mbështetjen më të fuqishme që fermeri shqiptar ka marrë nga qeveria, në rrafshin fiskal, gjatë këtyre 20 viteve dhe se ajo synon hapësira të reja për krijimin, konsolidimin e bizneseve të vogla bujqësore, blegtorale, frutikulturë apo të tjera në fshat, krijimin e mjedisit të favorshëm dhe inkurajimin e çdo fermeri, për një ambicie më të madhe për zhvillimin e konsolidimin e fermës së tij, rritjen e prodhimit e përpunimin e tij. Për qëndrimin zyrtar kjo nismë synon nxitje të re të importimit të varieteteve më të mira të fidanëve, farërave, për të gjitha llojet e kategoritë e prodhimeve në bujqësi, blegtorisë e çdo fushe tjetër. Berisha gjithashtu u shpreh se, ajo është edhe shtylla ndër më kryesore e programit të qeverisë të drejtuar prej tij për nxitjen e biznesit, si rruga më e mirë për krijimin e vendeve të punës, krijimin e mijëra e mijëra vendeve të punës si dhe për shfrytëzimin e potencialeve të mëdha që ofron sektori i bujqësisë.

 

 

Statusi, Bregu: Kushtet e KE-së nuk kanë ndryshuar, duhen votuar 3 ligjet

Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu ka deklaruar se Shqipëria duhet të bëjë progres të vazhdueshëm dhe të miratojë tre ligjet e kërkuara për të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Ajo u shpreh se në fakt Komisioni Evropian nuk e ka ndryshuar qëndrimin e tij në lidhje me Shqipërinë. E pyetur gjatë konferencës së përbashkët me homologen e Maqedonisë Teuta Arifi nëse do të ndikojnë zgjedhjet në vendimin e KE-së për marrjen e statusit të kandidatit, ministrja Bregu theksoi se mënyra se si do zhvillohen, por edhe moskontestimi i tyre ka shumë rëndësi për procesin e integrimit. “Askush nuk mohon se zgjedhjet në Shqipëri do të kenë një vëmendje të veçantë nga Komisioni Evropian dhe ndërkombëtarët. Duhet të mos ketë kthim në retorika bojkoti siç ndodhi në 2009 kur humbësi Rama nuk pranoi rezultatin. Partnerët evropianë janë të interesuar që retorika e kontestimit të zgjedhjeve pa fakte të mos përsëritet”, – tha Bregu. Ministria e Integrimit deklaroi gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologen Arfifi se në takim u fol për perspektivën e qartë evropiane që kanë dy vendet, si dhe për intensifikimin e marrëdhënieve mes dy shteteve dhe në këtë kuadër nënvizoi se Evropa është një ëndërr e prekshme për të gjithë. “Fokusi i KE-së dhe i vendeve anëtare është shprehur qartë në konkluzionet e Këshillit të Dhjetorit, ku thuhet se Shqipëria që të marrë një përgjigje pozitive nga vendet anëtare në BE-së, duhet të zbatojë në mënyrë të menjëhershme, tre ligjet, tre detyrimet e mbetura, nga 120 kërkesat që KE i ka dërguar Shqipërisë. Fokusi i KE-së është që Shqipëria duhet të tregojë progres të vazhdueshëm jo vetëm për marrjen e statusit të vendit kandidat, sepse do të vazhdojë të monitorohet, si gjithë vendet e tjera, që e kanë fituar statusin apo që janë në procesin e negociatave të hapura, për progres të mëtejshëm në forcimin e ligjit, luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar si dhe në të gjitha fushat e tjera, të cilat janë pjesë e detyrimeve që monitorohen në bazë të marrëveshjes që BE ka me Shqipërinë dhe me vendet e tjera”, – sqaroi ministrja.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency