Niset për gjah, qëllon me çifte biznesmenin e pallateve

0
327

Elton Qyno

gjahKonflikti për pronën, Abyl Zgura qëlloi mbi Avni Likën

Gjykata e dënon me 6.8 vite burg. Autori qëlloi nga shtëpia

 

Ishte nisur për gjah, por në fakt kur i ka dalë përpara ndërtuesi i një pallati, Abdyl Zgura e ka qëlluar pa mëshirë me një plumb të vetëm, duke e lënë të plagosur rëndë. Goditja është bërë që nga dritarja e apartamentit të Zgurës, i cili ndodhet në katin e tretë të një pallati, që ishte ndërtuar në tokën e tij nga biznesmeni Avni Lika, i cili mbeti i plagosur nga saçmat e çiftes. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në muajin maj 2012 në rrugën “Stavri Themeli” dhe në momentin e krimit i dëmtuari biznesmeni Avni Lika ishte duke bashkëbiseduar në rrugë me vëllanë e autorit të krimit, shtetasin Adem Zgura. Teksa ai fliste me këtë të fundit, një e shtënë e vetme me armë gjahu çifte i ka shkaktuar plagë në shpatull dhe për pasojë Lika është rrëzuar pa ndjenja në tokë. Pas kësaj goditjeje, autori i krimit ka bërtitur nga dritarja e apartamentit të tij: “A të pata thënë që do të të vrisja, ja të vrava”. Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, Gjykata e Tiranës dënoi me 6.8 vite burg të pandehurin Abdyl Zgura. Ndërkohë, si motiv të kryerjes së krimit ka rezultuar se mes të pandehurit dhe të dëmtuarit ka pasur një marrëveshje për ndërtimin e një pallati në tokën e Abdyl Zgurës dhe se pas përfundimit të objektit, biznesmeni Lika nuk i ishte përmbajtur marrëveshjes së lidhur në vitin 2005 mes të dyja palëve.

Marrëveshja për pallatin

Ka rezultuar plotësisht e provuar se ndërmjet të pandehurit Abdyl Zgura dhe shtetasit Avni Lika ka ekzistuar njohje e mëparshme me njëri-tjetrin. Shtetasi Avni Lika ushtron aktivitet privat, si ndërtues apartamente banimi. Për shkak të aktivitetit, shtetasi Avni Lika ka krijuar lidhje me të pandehurin Abdyl Zgura, në cilësinë e pronarit të një sipërfaqe toke. Në sipërfaqen e tokës në pronësi të të pandehurit Abdyl Zgura, shtetasi Avni Lika ka ndërtuar një pallat. Më pas, ndërmjet shtetasve Avni Lika dhe Abdyl Zgura kanë lindur disa konflikte në lidhje me përmbushjen e detyrimeve kontraktuale të nënshkruara prej tyre. Në vitin 2005 ata kanë nënshkruar një marrëveshje në lidhje me ndërtimin e një godine banimi në pjesën e tokës në pronësi të të pandehurit. Pas kësaj, ndërmjet tyre kanë lindur disa kontradikta, për të cilën palët i janë drejtuar gjykatës kompetente.

Plagosja me çifte

Ditën e ngjarjes, me datë 31 maj 2012, rreth orës 11:00, shtetasi Avni ka shkuar tek pallati i ndodhur në rr. “Stavri Themeli”. Pasi është takuar me shtetasin Adem Zgura vëllai i të pandehurit, duke biseduar me të në trotuarin para pallatit, ndërkohë i pandehuri Abdyl Zgura ndodhej në katin e tretë të këtij pallati. Sapo ka konstatuar se shtetasi Avni Lika ndodhej në atë vend, i pandehuri Abdyl Zgura ka marrë armën e gjahut, të cilën e mbante me leje të organeve kompetente, dhe nga dritarja e apartamentit ka qëlluar me anë të kësaj arme në drejtim të shtetasit Abdyl Zgura, duke iu drejtuar me fjalët: “A të pata thënë që do të të vras, ja të vrava”. Si pasojë e kësaj të shtëne, shtetasi Avni Lika ka mbetur i plagosur në anën e shpatullës së majtë dhe është rrëzuar përtokë, duke humbur ndjenjat. Më pas, shtetasi Avni Lika është shoqëruar për ndihmë mjekësore ndërsa i pandehuri Abdyl Zgura nuk është larguar nga vendi i ngjarjes deri sa policia gjyqësore e mbërritur në vendngjarje ka bërë të mundur arrestim në flagrancë të tij. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes janë gjetur e sekuestruar një gëzhojë fisheku armë gjahu si dhe një pjesë metalike e përngjashme me mbushjet e fishekëve të armëve të gjahut. Ndërsa, të pandehurit Abdyl Zgura iu sekuestrua arma e gjahut së bashku me tre fishekë, me të cilën qëlloi mbi shtetasin Avni Lika. Gjithashtu, ndodhur në kushte të flagrancës, është ushtruar kontroll në banesën e të pandehurit Abdyl Zgura, në të cilën u gjend dhe një tjetër armë gjahu të cilën dhe kjo armë disponohej me lejë të organeve kompetente nga ana e të pandehurit Abdyl Zgura. I pyetur në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetimet, i pandehuri Abdyl Zgura,ka mbajtur qëndrim pendues rreth faktit kriminal të kryer. I pandehuri Abdyl Zgura, ditën e ngjarjes kishte parashikuar të shkonte për gjah në fshatin e tij, Zgurë. Për këtë qëllim, i pandehuri Abdyl ka dalë nga banesa duke marrë me vete dhe njërën nga dy armët e gjahut të cilat ai disponon me leje të organeve kompetente.

 

Tod Deda është mbytur në një kanal në Fushë-Krujë

Gjendet i vdekur në kanal endacaku nga

Durrësi, policia: 60-vjeçari, pa shenja në trup

Trupi i pajetë i gjetur në një kanal në fshatin Luz të Fushë-Krujës është identifikuar si i një të moshuari. Burime zyrtare nga policia thanë se nuk bëhet fjalë për një adoleshent siç u raportua në fillim, por për 60-vjeçarin Tod Deda, me banim në lagjen 15, në Spitallë të Durrësit. Trupi i të ndjerit u gjet rreth mesditës në orën 12:00 në afërsi të një kanali pranë rrugës. Policia gjatë ditës së djeshme ka punuar për zbardhjen e plotë të ngjarjes, edhe pse paraprakisht thuhet se viktima ishte endacak dhe se mund të kishte dy-tri ditë i mbytur në kanal. Nga këqyrja e kufomës nuk është arritur të gjendet asnjë shenjë dhune në trup, nga ku mund të çonte në dyshimin për një vrasje të mundshme të shtetasit Tod Deda. Nisur nga kjo situatë, specialistët e policisë kanë shuar çdo dyshim për një vrasje, duke dalë në përfundimin se 60-vjeçari ka gjetur vdekjen si pasojë e mbytjes në kanalin e mbushur me ujë. Gjatë hetimeve janë marrë në pyetje edhe të afërmit e Tod Dedës, të cilët kanë treguar se i moshuari ishte larguar prej kohësh nga banesa, duke bërë jetë endacaku. Pas verifikimeve të shumta, oficerët e policisë kanë urdhëruar që trupi i pajetë i Tod Dedës t’u dorëzohet të afërmve të tij, për të kryer ceremoninë mortore.

 

Dëbora bllokon katër komuna në Gramsh

Rikthehen reshjet e borës në rrethin e Gramshit, duke izoluar disa fshatra të komunave të thella. Gjatë ditës së djeshme është raportuar se të bllokuara janë 4 fshatra të Komunës Skënderbegas, 2 fshatra të Komunës Tunje, si dhe tre fshatra të Komunës Kushovë. Trashësia e borës në këto zona arrin deri në 50 cm. Ndërkohë probleme ka edhe në aksin Gramsh – Kukur, ku për shkak të rrëshqitjes së dherave rruga është e pakalueshme për mjetet e tonazhit të rëndë. Situata e vështirë konfirmohet nga krerët e këtyre komunave, ndërkohë që probleme ka edhe në Poroçan, për shkak të prurjeve të lumit Holtë. Probleme nga reshjet e borës gjatë ditës së djeshme ka pasur edhe në Malësinë e Madhe.

 

Dogana asgjëson 22 mijë atlete të falsifikuara

Dogana e Tiranës ka bërë të mundur asgjësimin e 22 mijë palë atleteve të falsifikuara të markave më të njohura ndërkombëtare. Autoritetet doganore bëjnë të ditur se ka pasur dhe raste të tjera bllokimi dhe asgjësimi të mallrave të ndryshme që vinin nga Kina, me destinacion tregun shqiptar. Sipas tyre, këto produkte cenojnë të drejtën e pronësisë intelektuale. Megjithatë, autoritetet shpjegojnë se nuk mund të veprojnë për mbrojtjen e një produkti autentik, nëse subjektet që e tregtojnë, nuk paraqesin kërkesë për mbrojtjen e pronësisë intelektuale.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency