Gërvishtja me makinat, dy vëllezër plagosin me armë në këmbë laçianin

0
156

Elton Qyno

policiaNgjarja në mesnatë në zonën e kompleksit “Grand”. Policia shpall në kërkim Altin dhe Ermir Carën

 

Gërvishtja e automjeteve është bërë shkak i një konflikti mes disa personave në orët e vona të mbrëmjes së të mërkurës, ku nga përdorimi i armëve ka mbetur i plagosur rëndë një shtetas nga Laçi. I dëmtuari quhet Ervin Gjini dhe në momentin e përplasjes me dy autorët e krimit Altin dhe Ermir Cara, ka qenë duke lëvizur me automjetin tip “Smart”, ndërkohë që dy personat e tjerë kanë qenë duke lëvizur me mjetin e tyre tip “Audi”. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në një kryqëzim në rrugën “Todi Shkurti” afër kompleksit “Grand”, në Tiranë, ku duke ecur dy makinat janë afruar shumë afër njëra me tjetër, gjë e cila ka shkaktuar dhe gërvishtjen e tyre. Për pasojë të tre personat kanë dalë nga makinat përkatëse dhe kanë filluar të debatojnë njëri me tjetrin, ku edhe pas përplasjes me grushte, shtetasi Altin Cara ka nxjerrë armën tip pistoletë dhe ka qëlluar në drejtim të Ervin Gjinit, një herë të vetme në këmbë, duke i shkaktuar këtij të fundit një dëmtim të rëndë. Pas kësaj njëri nga autorët është larguar me vrap në rrugicat e zonës, ndërsa tjetri është larguar me automjetin e tij me shpejtësi, duke mos i dhënë mundësi policisë së Tiranës t’i arrestojë në kohë. Gjatë ditës së enjte janë bërë disa kontrolle për arrestimin e dy personave, por në fakt asnjëri prej tyre deri mbrëmjen e djeshme nuk ka rënë në prangat e policisë së kryeqytetit.

Ngjarja në mesnatë

Ka qenë pikërisht ora 23:00, kur i dëmtuari ishte duke ecur me automjetin e tij, për të shkuar në shtëpi. Sapo ka mbërritur në një nga kryqëzimet e rrugëve në zonën ku ndodhet kompleksi i pallateve “Grand”, automjeti i tij është fërkuar pak me një mjet tjetër tip “Audi”. Menjëherë, drejtuesit e mjeteve kanë sharrë rëndë njëri-tjetrin, ndërkohë që kanë filluar të zihen duke u qëlluar me grushte. Sipas policisë i dëmtuari Ervin Gjini, ka filluar të godasë me grushte shtetasin Ermir Cara dhe për pasojë, vëllai tjetër Altin Cara, ka nxjerrë pistoletën që e mbante pa lejë në makinë, dhe ka qëlluar vetëm një herë të vetme në këmbë, në drejtim të 30-vjeçarit Gjini. Plumbi i ka përshkuar të gjithë këmbën, ndërkohë që Gjini, është rrëzuar në tokë. Kanë qenë disa persona, dëshmitarë në vendngjarje ata që i kanë dhënë ndihmën e parë, ndërkohë që dy autorët janë larguar me shpejtësi të madhe. Megjithëse strukturat e komisariatit nr. 1, kanë ngritur në kohë postblloqe në të gjithë zonën, ku ndodhi plagosja e rëndë, sërish gjatë mbrëmjes nuk është arritur të kryhet arrestimi i tyre. I plagosuri është dërguar me shpejtësi në Spitalin Ushtarak, ku dhe ka marrë ndihmën mjekësore, ndërkohë që tashmë ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Gjatë ditës së djeshme, Gjini është marrë në pyetje nga oficerët e hetimit, ku edhe ka treguar të gjitha rrethanat e plagosjes së tij. Sipas dëshmisë së dhënë në polici, shkak i sherrit ka qenë një konflikt i çastit, pasi dy automjetet janë afruar aq shumë gjatë lëvizjes në rrugë, sa janë fërkuar pak.

Hetimet e policisë

Shërbime të komisariatit nr. 1 kanë mbërritur me shpejtësi në vendin e krimit dhe në cilësinë e provës materiale kanë sekuestruar vetëm një gëzhojë pistolete. Pas kësaj, efektivat e policisë kanë bërë shoqërimin për në komisariat të disa personave që kanë qenë në vendin e ngjarjes, mes tyre edhe një roje parkingu, i cili ka parë sherrin dhe më pas dëgjuar krismën e armës. Roja i parkingut, por edhe dëshmitarë të tjerë, kanë treguar se dy personat, pasi kanë qëlluar me armë janë larguar, ku njëri prej tyre është futur mes rrugicave të lagjes, ndërsa tjetri është larguar me makinën tip “Audi”. Sipas policisë së Tiranës, dy personat dhe i dëmtuari njiheshin me njëri-tjetrin, pasi janë banorë të së njëjtës lagje prej disa vitesh. Policia ka ushtruar një kontroll në banesën e dy personave në kërkim si dhe tek shtëpitë e njerëzve të afërm, por nuk është gjendur asnjë gjurmë e dy vëllezërve.

 

Masakra me pishat e Divjakës, nën hetim tetë persona, 5 janë pronarë lokalesh

Tetë persona po ndiqen penalisht si të dyshuar për prerjen e pishave në pyllin e Divjakës. Pronarë lokalesh dhe zyrtarë, por jo pronarë të pyllit në Divjakë, tani do të japin llogari për pishat që i përdornin si dru zjarri. Pesë nga ata pronarë lokalesh janë Ilirjan Janko, Taqi Xhavo, Medi Kaja, Mirel Janko, Arqile Shallapi. Tre të tjerët: Alltun Xingozi, përgjegjës i pyjores; Beqir Xhima, vrojtues; dhe Petrit Frakulli, inspektor. Shefi i Krimeve në Lushnjë, Gramoz Cjapi, thotë se në lokalet e personave të akuzuar janë gjetur trungje pishash të prera enkas për qëllime përfitimi. Kurse zyrtarët po penalizohen për shpërdorim të detyrës. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se pesë pronarët e lokaleve, ushtrojnë aktivitet të paligjshëm në prerjen e pyjeve dhe se në shumicën e rasteve ata urdhërojnë persona të tjerë, duke i paguar për prerjen e pemëve. Nisur nga kjo situatë, tashmë policia dhe prokuroria e Lushnjës, kanë nisur hetimet në gjendje të lirë ndaj tyre. Ky nuk është rasti i vetëm që pronarët e lokaleve në zonën e Divjakës, presin me sëpatë dhe motosharrë, trungjet e pishave disa vjeçare në zonën e Divjakës. Pas kësaj, ata përdorin lëndën drusore, duke shmangur kështu ngrohjen me gaz apo me energji elektrike, gjë e cila do të sillte edhe shumë shpenzime për administratorët e lokaleve. Lidhur me këtë problematikë policia është duke vijuar hetimet me qëllim evidentimin e personave të tjerë, që presin në mënyrë të paligjshme pishat e zonës së Divjakës.

 

Durrës, bllokohen 22.7 kg drogë, pranga shoferit

Plot 22.7 kg kanabis janë bllokuar mbrëmjen e djeshme në portin e Durrësit, ndërsa ka rënë në pranga transportuesi i sasisë së drogës. Sipas Policisë Kufitare, droga ishte e fshehur në mjetin me targa AA 918 ER, që drejtohej nga Kol Batri, 69 vjeç, nga Shkodra, që kishte si destinacion Barin. Sipas policisë droga është gjetur, në pjesën e tavanit të këtij automjeti, në një hapësirë të krijuar përgjatë gjithë gjatësisë së tij, e ndarë në 29 pako me përmasa të ndryshme. Automjeti është kontrolluar në pikën e kontrollit, ku pas verifikimeve të imtësishme dhe me mjete të tjera, është bërë zbulimi i lëndës narkotike. Menjëherë është bërë shoqërimi në polici i Kol Batrit, ndërkohë që gjatë marrjes në pyetje ai nuk ka pranuar të falë rreth bashkëpunëtorëve të tij, me të cilët ka organizuar trafikimin e drogës prej 22.7 kilogramë.

 

Korçë, aksidentohet rëndë drejtuesi i motorit

Një aksident me pasojë plagosjen e një personi ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në aksin Korçë-Maliq. Pranë kthesës për në fshatin Lumalas një mjet ka përplasur një motor e për pasojë është plagosur drejtuesi i këtij të fundit. I plagosuri është dërguar drejt spitalit rajonal, ku ndodhet në gjendja të rëndë. Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit. Nga verifikimet në teren, është arritur në përfundimin se shkak i këtij aksidenti ka qenë drejtuesi i motorit. Pavarësisht nga kjo, policia ka bërë shoqërimin në komisariat të drejtuesit të furgonit, i cili gjatë marrjes në pyetje ka treguar të gjitha rrethanat e aksidentit. Ndërkohë që gjatë pas dhënies së dëshmisë drejtuesi i furgonit është lënë i lirë dhe se hetimet në ngarkim të tij, do të vijojnë për akuzën e “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency