Aubrey Herbert Nderi i panjohur në 50 vjet: Si e mbrojti Shqipërinë koloneli britanik

0
185

 Noel Malcolm

heberet1913/ Për herë të parë; Aubrey Herbert, del në dritë koleksioni i shkrimeve të kolonelit britanik për çështjet shqiptare

 

 

Kur Aubrey Herbert vizitoi qytetin jugor shqiptar të Vlorës, në shtator 1913, para ndërtesës ku ishte strehuar përkohësisht, u mblodh një turmë dhe brohoriste: “O, Paladin i Lirisë, qofsh i bekuar nga stërnipërit tanë!” Pa dyshim, kjo ndodhi e preku shumë; më vonë, pas kthimit të tij në Angli, në një letër, që i dërgonte të vëllait, i shkruante: “Shqiptarët thonë se stërnipërit e tyre do të bekojnë emrin tim”. Por e vërteta e hidhur është se pjesa më e madhe e stërnipave të atyre shqiptarëve mirënjohës nuk arritën ta bekojnë emrin e Aubrey Herbertit, sepse nuk dëgjuan kurrë për të. Nën regjimin komunist, që sundoi vendin për rreth gjysmë shekulli, Herbertin e shndërruan në një “askush” historik; ideologjia zyrtare mbajti qëndrim armiqësor ndaj idesë se Shqipëria mund të kishte përfituar në ndonjë formë a tjetër nga ndihma e një politikani dhe figure shtetërore britanike – aq më tepër nga një person, që ishte latifondist, aristokrat dhe konservator. Ndonëse Fjalori Enciklopedik Shqiptar, i botuar në Tiranë në vitin 1985, përmend disa udhëtarë dhe shkrimtarë të mëhershëm britanikë, si Byron, Hobhouse, Leake dhe Lear, dhe megjithëse mikeshës dhe bashkë-fushatistes së Herbertit, Edith Durham, vërtet i rezervohet trajtim dashamirës, vetë Herbert lihet në harresë, në shpërfilljeje të plotë. Në këtë mënyrë, ideologjia komuniste jo vetëm zhduku historinë personale të një figure kyçe në historinë e Shqipërisë, por edhe fshiu të gjithë kujtesën e punës humanitare të ndërmarrë nga Herberti dhe familja e tij (përfshirë punën e kryer nga nëna e tij, pas vdekjes së tij, në përkujtim të tij), e cila shpëtoi me qindra, ndoshta mijëra jetë njerëzish nga sëmundjet dhe uria.

Duhet thënë, se emri i Aubrey Herbertit nuk pati vlerësimin e duhur as në vendin e tij. Është e vërtetë se kushdo që lexon për jetën dhe letrat e figurave të tilla si Raymond Asquith, Lawrence i Arabisë ose Mark Sykes, do të vërejë edhe praninë e herëpashershme të Herbertit si një mik shumë i vlerësuar, por ekscentrik në mënyrë të pakapshme. Vendi, që zinte Herberti në botën politike u shpalos për mrekulli nga biografia, që Margaret FitzHerbert i kushtoi atij në vitin 1983; kurse ribotimi kohët e fundit i kujtimeve të tij për Luftën e Parë Botërore, Mons, Anzac dhe Kut, do t’i lënë mbresa një brezi të ri lexuesish për shpirtin, humorin, zhdërvjelltësinë dhe guximin e tij. Por kronika tradicionale e historisë politike britanike të fillim-shekullit të njëzetë ka lejuar që emri i tij të zhduket pothuajse pa lënë gjurmë.

Kjo nuk është aq befasuese. Aubrey Herbert ushtroi pak pushtet të drejtpërdrejtë mbi ngjarjet dhe kauzat për të cilat ai luftoi, nuk gëzonin aspak popullaritet. Mbrojtja e pashoqe nga ana e tij e së drejtës së Shqipërisë për kombësi e bëri një figurë mjaft të izoluar; megjithëse (siç tregon ky libër) ai ishte energjik dhe çuditërisht i efektshëm në sigurimin e mbështetjes nga miqtë dhe kolegët e tij të botës politike, ai ishte, në fund të fundit, i vetmi politikan britanik, i cili mundi të fliste për çështjet shqiptare në bazë të njohjes dhe përvojës së gjallë vetjake. Dhe nga ana tjetër, në jetën publike britanike ishin rrënjosur interesa dhe simpati (siç tregon gjithashtu ky libër), që i ishin kushtuar mbrojtjes si të politikës greke, ashtu dhe të asaj serbe ndaj Shqipërisë. Kësisoj, Herbertit iu desh të përballej me dy pengesa kryesore: injorancën e shumicës dërrmuese – përfshirë politikanë dhe diplomatë – për çdo gjë shqiptare dhe interesat e kundërta të aktivistëve të tjerë në çështjet e Ballkanit. Mrekullia është se ai dhe grupi i vogël i miqve të Shqipërisë, të cilët ai i bëri bashkë, patën arritje kaq të shumta.

Në një fjalim në Parlament në qershor 1914, Aubrey Herbert përqasi dy tradita ose “shkolla mendimi” në politikën e jashtme: qasjen romantiko-liberale, e cila mbronte të drejtat e kombeve të vogla dhe shteteve të viktimizuara, dhe qasjen që më vonë do të etiketohej si “realiste”, që kërkonte shkëputjen e Britanisë nga të gjitha konfliktet e huaja, përveç rasteve kur viheshin në rrezik interesat materiale të saj. Do të ishte shumë e lehtë sikur këtë dikotomi ta shfrytëzonim dhe Herbertin ta kategorizonim thjesht si liberal idealist, i interesuar vetëm për mbrojtjen e të dobëtëve. Por kjo nuk do t’i jepte vlerësimin që i takon gjerësisë dhe thellësisë së mendimit politik të tij. Ideja më e mirë e modelit të mendimit të tij përftohet nga fjalimi madhor për Shqipërinë, të cilin ai e mbajti në Dhomën e Komuneve në maj 1913 – një ndërhyrje e rëndësishme në debatin publik, në një kohë kur e ardhmja e Shqipërisë ishte në fije të perit. Këtu ai këmbënguli vërtet në temën kyçe romantiko-liberale të luftës së një populli për të mbrojtur gjuhën dhe lirinë e tij, duke gjetur me mjaft zgjuarsi momentin për t’ia atribuuar këto vlera vetë Sër Edward Greyt: “Sekretari i Jashtëm… tha, se e njëjta dashamirësi duhet t’u zgjatet edhe shqiptarëve, ashtu siç u është zgjatur edhe popujve të tjerë, të cilët kanë luftuar për jetën e tyre, për gjuhën e tyre, për lirinë e tyre dhe për vendin e tyre”. Gjithashtu, ai këmbënguli në parimet elementare të drejtësisë: “Ne do të dëshironim të shihnim që ndaj Shqipërisë të zbatohet i njëjti parim që është zbatuar për vendet e tjera të Ballkanit”. Dhe me urtësi u shpreh, se idealizmi moral mund të bashkëjetonte me një politikë dashamirësie për shqiptarët, për shkak të “cilësive të shkëlqyera” të vetë shqiptarëve: “Kur shqiptari të jep fjalën, mund të mbështetesh tek ai; besimin mund ta lësh në nderin e tij, njëlloj si të jesh në besën e oficerit britanik”. Por diskutimi i tij nuk u mbyll me kaq. Ai shkoi më tej duke theksuar, se copëtimi i propozuar i trojeve shqiptare nuk kishte kuptim në aspektin ekonomik, pasi ndante nga trungu i tyre qytete të rëndësishme si Peja dhe Dibra. Madje, edhe më e rëndësishme, ai vuri në dukje se një zgjidhje që ishte e papranueshme për shumicën e banorëve të atyre viseve, vetëm sa do t’i mbante ndezur zjarret e konflikteve të ardhme: “Duke zvogëluar, duke cunguar dhe duke gjymtuar Shqipërinë, ju e bëni shumë më të vështirë arritjen e të vetmes gjëje, që çdokush e dëshiron më së shumti – domethënë, të ekuilibrit dhe stabilitetit në Ballkan”. Në terma më të përgjithshme, parimi i tij ishte, se pas çdo konflikti, stabiliteti i vërtetë vjen vetëm nga arritja e një paqeje të drejtë, dhe se drejtësia kërkon dy gjëra: respektimin e dëshirave themelore të popullit dhe bërjen dhe ekzekutimin e gjykimeve morale për kriminelët dhe viktimat e tyre. Ky parim ishte sa realist, aq dhe idealist; Aubrey Herbert e kuptonte plotësisht këtë, por si asokohe, ashtu dhe në konfliktet e mëpasme në Ballkan, shumëkush në Zyrën e Jashtme Britanike e ka çuditërisht të vështirë ta rrokë.

Ky koleksion i shkrimeve të Herbertit për çështjet shqiptare dhe ballkanike hedh mjaft dritë të re si në lobimin për shtetësinë shqiptare, ku ai u përfshi në mënyrë aq të palodhur, ashtu dhe në kushtet dhe manovrat politike në Shqipëri në një kohë me rëndësi jetike për historinë e saj. Por, mbi të gjitha, ai sjell në fokus më të mprehtë të menduarin dhe karakterin e vetë Aubrey Herbertit; vëllimi i botuar i kujtimeve të tij, Ben Kendim, u shkrua, në fund të fundit, për konsum publik (pasi përmban një numër artikujsh të përgatitur për shtypin), ndërsa shënimet në ditar dhe letërkëmbimi personal i tij shprehin mbresat e drejtpërdrejta dhe mendimet vetjake të tij. Këtu shohim se interesi i tij për Shqipërinë u ngjall jo vetëm nga parimet e drejtësisë, por edhe nga admirimi i vërtetë i cilësive individuale të shumë prej shqiptarëve që takoi: reagimin e luftëtarit të famshëm Isa Boletini ndaj një pusie të hamendësuar, “i zhdërvjellët si panterë”, dhe “njerëzit e tij brofën përreth tij si me sustë”, për shembull, ose shqiptarët, të cilët shoqëruan Herbertin në Novi Pazar, të cilët “ngjanin si mbretër në zhele”. Gjithashtu vërejmë pakënaqësitë dhe zhgënjimin e tij me disa prej pushtetarëve shqiptarë në pozita të udhëheqjes politike gjatë asaj periudhe. Një ndër incidentet më të paharrueshme – dhe karakteristike, në të vërtetë, ndodhi gjatë vizitës së tij në Vlorë në 1913, kur ai këmbënguli të këqyrte burgun e zonës dhe u trondit nga kushtet e llahtarshme që vërejti; siç tregon, menjëherë i tha Ismail Qemalit (kreu i qeverisë atje) se “nëse gjërat drejtoheshin në këtë mënyrë, kjo do të fliste shumë pak në dobi të Shqipërisë së re, dhe unë nuk kisha as ndërmendjen më të vogël të tregoja gënjeshtra, madje as për të shpëtuar miqtë e mi”. Me kërkesë të tij, të burgosurit u liruan; nëse Ministri i Drejtësisë u dënua, siç kërkoi ai gjithashtu, kjo nuk dihet. Dhe bashkë me këto portretizime politike dhe sociale, ka edhe momente përshkrimesh idilike, që sjellin në mënyrë të gjallë përvojën e udhëtarit: gjatë udhëtimit të tij nga Shkodra në Prizren në maj 1907, për shembull, përshkrimi i shtegut që përshkoi si “i frikshëm kur, nga një kënd, e sheh tek ngjitet përpjetë kodrave kundruall, një shteg dhish nga më të ngushtët që kam parë, si gjurma e gishtit të një fëmije kur gërvisht baltën”. Ose një tjetër, nga udhëtimi i tij nëpër Kosovën veriore e qendrore, në janar 1909: “Kaltërsia e qiellit pasqyronte një kthjelltësi të përkryer dhe herë pas here një batare flokësh derdhej nga lart nëpër gjethnajën e kafenjtë të lisave, si fluturim shigjetash me majë diamanti, por me bishta të padukshëm”.

Në kujtesë të ngulitet veçanërisht një fragment nga i pari i dy udhëtimeve: “Një faqe kodre me një kope dhish, ku një bari dremiste me pushkën nën krye në vend të jastëkut, teksa një tjetër i binte fyellit të Panit mes zymbylave të egër… Kalova pranë një breshke të bukur, të cilën e mora dhe e largova nga rruga se mos e shkelnin… Drini i Zi që shndrit atje tej, takohet me Drinin e Bardhë, që nga largësia shëmbëllen me një liqen poshtë një mali të stërmadh të mbuluar me dëborën e varur si ehuj akulli”. Kur lexojmë fragmente të tilla, mund ta kemi të vështirë të kujtojmë që shikimi i Aubrey Herbertit ishte mjaft i dëmtuar; ky shkrimtar, i cili ishte poet i përkorë, kishte gjithashtu më shumë se dhuntinë e vështrimit të gjërave me syrin e artistit. Janë këto cilësi, bashkë me humorin therës të tij, vlerësimin mendjehollë të karaktereve, njohjen e hollësishme, aftësinë perceptuese të politikës nga ana e tij dhe gjykimin e palëkundur moral të tij, ato që e bëjnë Aubrey Herbertin udhërrëfyes të përkushtuar dhe dëshmitar të rëndësishëm të një epoke vendimtare në historinë e trojeve shqiptare.

 

 

Aubrey Herbert, kthimi i nderit të mohuar!

Për herë të parë vjen në shqip një pasuri e mendimit politik në mbrojtje të çështjes shqiptare në vitet më të vështira në histori. Bëhet fjalë për korpusin e letërkëmbimit, ditarit dhe publicistikën, përfshirë dhe fjalimet historike të kolonelit britanik Aubrey Herbert në mbrojtje të çështjes shqiptare. “Miku i shqiptarëve Aubrey Herbert”, botimet “Via Egnatia”, më këtë titull botuesi dhe historian Luan Malltezi tha se i çohet në vend nderi një prej kontribuuesve më të mëdhenj në mbrojtje të kauzës shqiptare në vitin ‘13, kur po në Londër fuqitë e mëdha ishin mbledhur për ta copëtuar, ndikuar nga fqinjët tanë, serbët dhe grekët. Në të kundërt të imazhit të përcjellë mbi këto vite, e shfrytëzuar këto kohë nga anë të ndryshme të politikës, profili politik i Aubrey Herbert “rehabiliton” anën e errët të politikës britanike që i takon kësaj periudhe. Herbert, koloneli britanik i propozuar dy herë për monark të Shqipërisë, ka qenë një nga mendimtarët më aktivë që ka ngritur zërin në parlamentin britanik me fjalimet e tij në mbrojtje të çështjes shqiptare. Prandaj dje, konsideruar dhe si një shenjë nderimi për këtë figurë, që u mohua për 45 vite të diktaturës, duke mos u njohur për kontributin e tij në historinë tonë përballë planeve të fqinjëve serbe e grekë, autoritete politike e qeveritare kanë kujtuar këtë figurë emri i të cilit mungonte dhe në fjalorin enciklopedik. Por me këtë botim, të përkthyer dhe përgatitur nga Bejtulla Destani, dhe Jason Tomes, mbështetur nga shteti shqiptar, u konsiderua si vendosje “në vend të nderit të studimeve historiografike emrin e Aubrey Herbert”. Malltezi ka thënë se botimi ishte menduar në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë, e shënuar dhe në kopertinën e librit, si dedikim në krijimin e shtetit shqiptar, për të cilin “Herbert kishte punuar aq shumë dhe jashtë imagjinatës së shumicës së shqiptarëve të sotëm. Pa ndihmën e Aubrey Herbert-it, sot do të ishim edhe më keq”. Libri shoqërohet me parathënie të Noel Malcom, të cilën na e vu në dispozicion të gazetës, botuesi i librit.

Koloneli Aubrey Herbert, ka qenë deputet i Parlamentit të Anglisë për Taunton. Ai ka jetuar në Pixton Park afër Dulverton. Ish-student i Oksfordit dhe më pas një jetë të tërë, edhe pse të shkurtër, në shërbime diplomatike e angazhime të ndryshme, ku spikat ajo për Shqipërinë. Herbert ishte vëlla nga njëra anë prindërore me Lordin Carnavan, i cili ka financuar zbulimin e varrit të Tutankhamenit dhe i biri i zonjës Carnavan, që kujtohet si organizatorja e Komitetit Anglo-Shqiptar të Ndihmës. Ky Komitet ka ndihmuar refugjatët nga Kosova që u vendosën në një fshat afër Kavajës, i cili u quajt me emrin “Herbert”. Ai ka vdekur në vitin 1923 në moshën 43-vjeçare.

V. M.

 

 

 

Artet pamore

Sislej Xhafa përfaqëson Italinë në Bienalen e Venecias

 

Kur në vitin 1997, Sislej Xhafa, i veshur si futbollist, me një flamur shqiptar në shpinë dhe me një top futbolli nëpër këmbë do të krijonte “Pavijonin Klandestin”, në edicionin e 39-të të Bienales së Venecias, institucionet italiane do ta quanin këtë një “ndërhyrje të ashpër” në një “agjendë artistike”. Gjashtëmbëdhjetë vjet më vonë, artisti kosovar me famë botërore, është ftuar të jetë pjesë e pavijonit të Italisë në edicionin e 55-të të Bienales së Artit në Venecia ka njoftuar dje “Koha Ditore”, në Kosovë. Xhafa është i vetmi artist jo italian që është ftuar të jetë pjesë e ekipit prej 13 artistësh elitë të Italisë, që me veprat e tyre do t’i hyjnë kërkimit mbi identitetin kulturor të Italisë dhe artit bashkëkohor italian. Kjo është hera e parë që Italia bën një përjashtim të tillë. Franca e Gjermania e kishin bërë këtë me artistin shqiptar Anri Sala dhe atë kinez Ai Wei Wei. Ky për Xhafën është një mision i kompletuar i perfomancës klandestine në Bienale 16 vjet më parë. “Është interesant. Është një pranim i asaj performance, një përkrahje dhe tregon një prezencë të atij aksioni edhe në ditët e sotme, ani pse jemi në një kohë krejt tjetër, në atë të artit bashkëkohor”, ka thënë Xhafa, për “Kohën Ditore”. Lista e 14 artistëve që do ta kenë barrën e prezantimit të artit italian në ngjarjen më të madhe të artit në Evropë, është publikuar të mërkurën. E prania e Xhafës në një listë të tillë të artistëve ka bërë që debati mbi Pavijonin e Italisë në Bienale të fokusohet tek artisti kosovar. “Ekziston edhe një koncesion transnacionalist, i cili duket shumë popullor në perspektivën e Bienales, e që ka të bëjë me ftesën e bërë Sislej Xhafës, i cili, ani pse gjithmonë ka qenë i lidhur ngushtë me Italinë, është një artist kosovar, i cili tashmë ka pasur paraqitjet e tij në Bienale”, ka shkuar “Art Tribune”. Por Xhafa thotë se nuk e di arsyen se përse e kanë ftuar.

 

 

Kinematografi

Arta Dobroshi në pritje të “Shooting Stars”

Në njërën prej garave më prestigjioze të botës së filmit, Kosova nuk do të përfaqësohet si konkurrente. Për të dytën herë me radhë Qendra Kinematografike e Kosovës do të prezantohet në “Berlinale” me katalog të filmave që janë realizuar vitin e kaluar.

Por në edicionin e sivjetmë Kosova do të përfaqësohet edhe nga aktorja shqiptare me famë botërore, Arta Dobroshi, e cila është njëra nga dhjetë fituesit e çmimit “Shooting Stars 2013”, që ndahet në kuadër të “Berlinales”, nga juria e “European Film Promotion”. Në dhjetor të vitit të kaluar “Berlinale” e publikoi lajmin se Dobroshi është në mesin e dhjetë aktorëve që janë yjet që do të prezantohen në edicionin e 2013-ës. Dobroshi, e njohur për rolet e saj në filmat si: “Three Worlds” me regji të Catherine Corsini, “Late Bllomeres” nga Julie Gavras, “Baby” nga Danile Mulloy e “Lorna’s Silence” të vëllezërve Jean-Pierre e Luc Dardenne, për këtë çmim ishte nominuar nga QKK-ja. Kosova në nëntor të vitit të kaluar ka qenë mikpritese e seleksionuesve të “Berlinales”, Nikolaj Nikitin dhe Bernd Buder, të cilët kishin parë më shumë se dyzet filma që janë prodhuar në shtetet e Ballkanit Perëndimor. Dy filma kaluan fazën e parë, por asnjëri nuk shkoi më tej.

 

 

Nis gara për Ariun e Artë

Qyteti i Berlinit për të 63-ën herë me radhë hap dyert për kineastë nga mbarë bota.

Filmi i fundit i Steven Soderbergh, një betejë e ikonave të filmit francez që shpërfaq homoseksualizmin në Kishën Katolike, është një nga filmat që do të garojë për “Ariun e artë” në Festivalin e Filmit në Berlin. Edicioni i 63-të i festivalit u hap me dramën e arteve marciale “The Grandmaster” me regji të kineastit kinez, Wong Kar Wai, i cili po ashtu udhëheq jurinë që ndan çmimet “Ariu i artë”, e të cilat ndahen më 16 shkurt. Nëntëmbëdhjetë prodhime filmike, duke përfshirë edhe filma holivudianë të realizuar me buxhet të madh dhe ata të veteranëve evropianë, sikurse edhe një mori debutuesish, do të garojnë për çmimet kryesore. Kritikët parashohin një garë të ashpër midis yjeve të Hollivudit me ata të kinematografisë evropiane.

Në përgjithësi, në festivalin që zgjat 11 ditë, do të shfaqen më shumë se 400 filma. Në mesin e yjeve që pritet të parakalojnë në tepihun e kuq janë edhe: Matt Damon, Jude Law, Juliette Binoche, Ethan Hawke, Julie Delpy, Nicolas Cage, Emma Stone, Geoffrey Rush, Catherine Deneuve, Isabelle Huppert dhe Jeremy Irons. Damon është pjesë e ekipit të regjisorit amerikan Gus Van Sant, në filmin “Promised Land”, që flet për familje që detyrohen t’i shesin pronat e tyre. Soderbergh është ribashkuar me Jude Law dhe Catherine Zeta-Jones, për të prezantuar filmin “Side Effects”, që flet për disa kompani farmaceutike. Ndërsa divat e kinematografisë franceze do të shkojnë kokë për kokë si tre pretendentë të “Ariut të artë”.Deneuve luan në filmin francez “On My Way”, ndërsa Binoche udhëheq kastën e filmit “Camille Claudel 1915”. Ndërkohë Huppert luan rolin e një nëne në “The Nun”.

Vitin e kaluar “Ariu i artë” u ishte ndarë veteranëve italianë Paolo dhe Vittorio Taivani për filmin “Caesar Must Die”. Organizatorët e “Berlinales” për sivjet kanë përzgjedhur 27 filma të shkurtër nga 20 shtete, që do të garojnë për “Ariun e artë” dhe “Ariun e argjendtë” në kategorinë e filmave të shkurtër. Në mesin e tyre ka filma nga Spanja, Koreja, Gjermania, Suedia, Japonia, Serbia, Siria, Franca. Sipas publikimeve në webfaqen zyrtare të festivalit, “Berlinale” nis me fjalimin përshëndetës të ministrit të Kulturës, Bernd Neumann, ndërsa hapjen zyrtare e bëri presidenti i jurisë, Wong Kar Wai nga Kina dhe drejtori i festivalit, Dieter Kosslick. Po ashtu në gala-mbrëmjen e hapjes së festivalit është prezantuar dhe juria ndërkombëtare. Prezencën në ceremoninë e hapjes së festivalit e kanë konfirmuar edhe një numër i politikanëve gjermanë, duke përfshirë Philipp Rosler, zëvendëskancelar i Gjermanisë dhe ministri i Ekonomisë e Teknologjisë, Thomas de Maiziere, e të tjerë. Edicioni i 63-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin do të mbyllet me ceremoninë e ndarjes së çmimeve më 16 shkurt.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency