Topalli në Parlamentin bullgar: Opozita bllokoi statusin, do ta zgjidhin shqiptarët më 23 qershor

0
134

Florenc Drizari

topalliKryeparlamentarja Topalli: Për shkak të modelit që kemi adaptuar, në 4 vitet më të mëdha të krizës botërore, Shqipëria ruajti rritjen ekonomike

 

Ngërçi politik i krijuar për votimin e tri ligjeve të integrimit duket se do të vazhdojë deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë vizitës së saj zyrtare në Bullgari, duke folur për çështjet e integrimit tha se anëtarësimi i Shqipërisë në BE është objektiv kombëtar për qeverisjen aktuale. Sipas Topallit, edhe pse më shumë se 94 për qind e shqiptarëve e duan integrimin, opozita vazhdon ta bllokojë procesin duke mos dhënë votën për tri ligjet e vëna kusht nga Brukseli. “Në BE, kufijtë bëhen të parëndësishëm. Prandaj dhe përshpejtimi i integrimit të Evropës Juglindore, është zgjidhja. Por vendi im nuk mori as këtë vit statusin e vendit kandidat, sepse kusht ishin vendosur 3 ligje të cilat opozita nuk i voton, sepse si duket, gabimisht mendon se kjo, do i shkojë si kredit për qeverinë. Ky është një problem i brendshëm i yni që, me sa duket do të zgjidhet në zgjedhjet e ardhshme nga shqiptarët. Ndërkohë në mbi 94% e shqiptarëve mbështesin Shqipërinë në EU. Integrimi është objektivi ynë kombëtar madhor”, – tha Jozefina Topalli para deputetëve të parlamentit bullgar. Gjithashtu në fjalën e saj, kryetarja Topalli falënderoi edhe mbështetjen që Bullgaria i ka dhënë proceseve integruese të Shqipërisë.

Modeli ekonomiK

Duke folur për krizën financiare që preku disa vende të eurozonës dhe më tej, Kryeparlamentarja Topalli vuri theksin tek modeli ekonomik i ndjekur nga qeveria shqiptare, ku sipas saj, Shqipëria ruajti rritjen ekonomike. “Për shkak të modelit që kemi adaptuar, në 4 vitet më të mëdha të krizës botërore, Shqipëria ruajti jo rritjet më të mëdha ekonomike që kishim jashtë krizës, por ruajtëm rritje 4 herë më të madhe se mesatarja e rajonit. Edhe në vitet e krizës së thellë, ne ia dolëm të mos binim as edhe një ditë në recesion. Ne bëmë çdo gjë për të hequr pengesat ndaj biznesit, bëmë gjithçka për të ulur taksat. Ne kemi papunësi, por nuk kemi rritje të saj. Jemi përpjekur që rritja të përkthehet në mirëqenie, dhe kemi realizuar shumë reforma të tjera që kanë çuar në të rritjen e konkurrueshmërisë”, – tha Topalli. Sipas saj, modeli ekonomik aktual tregon qëndrueshmëri, shpërndarjen e të ardhurave e kthen në mirëqenie për qytetarët, në mënyrën më racionale.

Për këtë zonja Topalli foli për dy reformat u fundit të ndërmarra nga qeveria shqiptare, duke përmendur heqjen e TVSH-së për makineritë bujqësore dhe heqjen e taksës mbi të ardhurat personale për të gjithë punonjësit që marrin deri në 30 mijë lekë. “Nga kjo masë përfitojnë qindra mijëra biznese, e këtu përfshihen edhe fermat. Reforma e dytë e para pak ditëve është heqja e taksës mbi të ardhurat personale për punonjësit që marrin deri në 300 dollarë. Kjo e bën Shqipërinë një nga vendet më tërheqëse për krahun e punës. Investitori që do të vijë në Shqipëri, do t’i sjellë makineritë pa TVSH, do punësojë qytetarë që kanë rrogën nën 300 dollarë pa taksën e të ardhurave personale”, – deklaroi Kryeparlamentarja Topalli. Gjatë vizitës në Bullgari, Kryeparlamentarja Topalli u ftua homologia e saj znj. Caceva. gjithashtu Topalli në këtë vizitë u takua edhe me Presidentin dhe Kryeministrin bullgar.

 

Takimi me Kryeministrin bullgar, Topalli: Në rrugën e integrimit përfitohen fonde për projekte madhore

Gjatë vizitës së saj në Sofje, Bullgari, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u prit në një takim nga Kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov. Mbështetja ndaj Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, jo vetëm me votë pro në strukturat e BE-së, por edhe me dhënien e eksperiencës së qeverisë bullgare, shfrytëzimi i fondeve evropiane për realizimin e projekteve të mëdha strategjike, forcimi i bashkëpunimit të gjithanshëm midis dy vendeve në të gjitha fushat etj ishin temat kryesore që dy personalitetet diskutuan gjatë takimit. Kryetarja e Kuvendit shprehu mirënjohjen për mbështetjen e fortë që Bullgaria ka dhënë ndaj vendit tonë për proceset integruese. Ajo vlerësoi rolin dhe rëndësinë që kanë vendet mike anëtare në Bashkimin Evropian për të vijuar mbështetjen ndaj përpjekjeve dhe aspiratës së Shqipërisë për t’u bërë në një të ardhme të afërt anëtare me të drejta të plota në BE. Gjatë takimit, Kryeministri Borisov pasi konfirmoi edhe njëherë mbështetjen e palëkundur të Bullgarisë ndaj integrimit të Shqipërisë njohu Kryetaren e Kuvendit me eksperiencën e qeverisë së tij të fokusuar në një drejtim shumë të rëndësishëm atë të përthithjes dhe zbatimit të projekteve ambicioze të përfituara nga fondet evropiane.

 

Ligji për inspektimet, opozita braktis mbledhjen

Deputetët e opozitës i rikthehen sërish bojkotit të mbledhjeve në Komisionin e Ligjeve. Ligji për inspektimet ka shkaktuar sërish debate në Komisionin e Ligjeve mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës, duke bërë që përfaqësuesit e kësaj të fundit të braktisin sërish mbledhjen. Deputeti socialist Pandeli Majko është shprehur kundër këtij projektligji. Deputeti i PS-së ka kërkuar kthimin e ligjit me arsyetimin e se ligjet nuk mund të shqyrtohen si paketë, por vetëm një nga një. Sipas tij, ai prek 77 ligje të tjera, dhe një paketë e tillë, nuk mund të shqyrtohet e gjitha. “Shqyrtimi në këtë mënyrë është i paligjshëm”, – tha Majko. Projektligji për inspektimet ka në tërësinë e tij 83 nene. Me hyrjen në fuqi ky draft parashikon shfuqizime për ligjin nr. 9595, datë 27.7.2006, “Për krijimin e Inspektoratit Qendror Teknik”, ligjin nr. 8411, datë 1.10.1998 “Për ushqimet e blegtorisë”, të ndryshuar, dhe ligjin nr. 8739, datë 12.2.2001, “Për garantimin e sigurisë së punës të pajisjeve nën presion”, të ndryshuar.

 

Berisha: Takimi, njohja de facto e Kosovës

Kryeministri Berisha reagoi dje në lidhje me takimin e presidentes së Kosovës zonjës Ahtifete Jahjaga dhe homologut të saj serb Tomislav Nikoliç. Kreu i qeverisë u shpreh se kjo është një njohje de facto e shtetit të Kosovës, nga ana e Serbisë, ndërsa më parë ishin zhvilluar edhe takime të tjera në nivel Kryeministrash me ndërmjetësimin e Brukselit. “Sot në Bruksel, histori e vërtetë! Kryetarja e shtetit të pavarur, Presidentja e Republikës së Kosovës zonja Ahtifete Jahjaga u takua ne selinë e BE-së me presidentin e Republikës së Serbisë zotin Tomislav Nikoliç në prani të Përfaqësuese së Lartë për Çështje të Jashtme dhe Sigurisë së BE zonja Catherine Ashton. Ata biseduan për marrëdhëniet midis dy vendeve të tyre sovrane. Unë ju ftoj ju të përshëndesim këtë takim vërtet historik që shënon de facto njohjen e Kosovës nga Serbia. Zoti e bekoftë Kosovën!”, – u shpreh mbrëmë pas përfundimit të takimit, shefi i ekzekutivit shqiptar. Ndërkaq, edhe Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, përshëndeti një ditë më parë takimin e nivelit të lartë midis Presidentes së Kosovës, Ahtifete Jahjaga dhe Presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliç, që u zhvillua në Bruksel me ndërmjetësimin e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe zëvendëspresidentes së Komisionit Evropian, Baroneshës Catherine Ashton. Kreu i shtetit e konsideron një hap të rëndësishëm në drejtimin e duhur, i cili do t’i shërbejë normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency