Si e krijoi shtetin shqiptar “qeveria jonë”

0
149

Milazim Krasniqi

 

shtetiQeveria jonë që nga fillimi i Luftës Ballkanike, e cila ishte edhe komplot kundër saj, ndërmori hapa të fortë diplomatikë dhe ushtarakë, që ua shtinë tmerrin shteteve ballkanike, që kishin hyrë në luftë me synimin që të grabisnin tokat shqiptare. Besa, edhe shtetet e Antantës, Rusia, Franca e Anglia, ndien njëfarë turbullimi nga ashpërsia me të cilën qeveria jonë e filloi aksionin e madh për krijimin e shtetit shqiptar, në ditët kur lufta kishte përmbysur gadishullin ballkanik. Qëllimi strategjik i qeverisë sonë ishte krijimi i një ekuilibri të ri në Ballkan, ku shteti shqiptar do të kishte rolin që ta frenonte ndikimin e pakufizuar sllav. Për këtë objektiv, nga ana e qeverisë sonë, ishin bërë përgatitje të gjata, për decenie me radhë, duke krijuar albanologjinë, duke financuar gazeta e revista në gjuhën shqipe, duke financuar shkollimin e të rinjve shqiptarë në Vjenë e deri edhe te kontributi në arritjen e akordit për alfabetin. Por, meqë Lufta Ballkanike plasi para kohe, qeveria jonë kërkoi mbajtjen e një konference ndërkombëtare ku do të evitohej copëtimi i tokave shqiptare dhe zhdukja e kombit shqiptar nga faqja e dheut, që ishte synim i publikuar i shteteve ballkanike, Serbisë, Malit të Zi, Greqisë e Bullgarisë. Kushtet e qeverisë sonë për pjesëmarrje në konferencë qenë dy, e para krijimi i Shqipërisë si shtet i pavarur dhe e dyta, largimi i serbëve nga Durrësi. Por, Konferenca e Londrës filloi me komplikime e tensione të mëdha. Fillimisht, beteja e qeverisë sonë u zhvillua lidhur me Shkodrën. Meqë kral Nikolla po ankohej se Esat Pashë Toptani po kërkonte shumë para për ta dorëzuar Shkodrën, pasi ta vriste Hasan Riza Pashën që si irakian që ishte, po e mbronte Shkodrën pa asnjë arsye, qeveria vendosi që Esat Pashën Toptanin ta emëronte zëvendëskryeministër të qeverisë së përkohshme të Vlorës. Po ashtu, meqë Preng Bibë Doda kishte pazare me serbët, qeveria jonë vendosi që ta emëronte edhe atë zëvendëskryeministër të qeverisë së Vlorës. Kjo u bë edhe pse Prenga do të deklaronte me gojë të vet se pa i hequr qafe Esatin dhe atë vetë, Shqipëria nuk do të bëhej. Por,qeveria jonë mendonte se më mirë të ishin bashkë, Esati e Prenga, në kauzën e tyre të mbrapshtë, se sa të ndarë. Pas kësaj qeveria jonë i dërgoi një ultimatum kral Nikollës më 2 maj 1913, ku e kërcënonte me luftë, nëse nuk hiqte dorë nga synimi për Shkodrën. Kral Nikolla e ofroi Llovqenin në këmbim për Shkodrën, por qeveria jonë nuk pranoi as të diskutohej kjo punë. Sipas ministrit tonë të Jashtëm, pa Shkodrën, nuk do të kishte Shqipëri, sepse pas një kohe jo të gjatë, Mali i Zi do t’ia jipte Shën Gjinin Serbisë dhe ashtu do të nxirrte turinjtë në Adritaik edhe shteti serb, këlyshi tjetër i Rusisë. Meqë kral Nikolla nuk po tërhiqej as pas demonstrimit detar të Fuqive të Mëdha, qeveria jonë u detyrua të jepte një ultimatum, ku kërcënonte Malin e Zi me luftë. U shpall mobilizimi i rezervistëve dhe u blenë kuaj për luftë. Para se të skadonte ultimatumi i qeverisë sonë, kral Nikolla, pothuajse i lagur nga frika, i dërgoi sër Eduard Grejit një telegram në të cilin ndër të tjera shkruante se “fatin e Shkodrës e dorëzoj në duart e Fuqive të Mëdha”. Kur u mbyll kjo punë, filloi lufta e qeverisë sonë për Gjakovën. Kësaj radhe konflikti ishte direkt me Rusinë cariste, e cila po ashtu kërcënoi me luftë, nëse Gjakova nuk do t’i mbetej Serbisë. Pas tensionesh të mëdha, që rrezikuan me luftë të përgjithshme, u arrit akordi që Shkodra t’i mbetej Shqipërisë e si kompensim të sakrifikohej Gjakova. Qeveria jonë e bëri këtë koncesion me zemër të plasur, por nuk kishte rrugëdalje, përveç luftës botërore. Luftë edhe më të ashpër zhvilloi qeveria jonë dhe ministri ynë i jashtëm për Korçën dhe kufirin jugor. Për Korçën ministri ynë i jashtëm i tha qeverisë ruse se “qyteti në fjalë formon qendrën prej së cilës fillon lëvizja kombëtare shqiptare”. Kur e panë seriozitetin e qeverisë sonë, Londra e Parisi deklaruan se “nuk do të bënin luftë me Austrinë e Italinë që Korça t’i shkonte Greqisë”. Pas një lufte të madhe me nerva e me kalkulime nga më dinaket, qeveria jonë i shpalli një ultimatum Greqisë që ajo të largohej nga Korça për tridhjetë e një ditë, duke filluar më 1 mars e duke përfunduar më 31 mars. Pas përfshirjes së Korçës në shtetin shqiptar, qeveria jonë i dërgoi në 17 tetor 1913 një ultimatum tetë ditor Serbisë, që të largohej nga tokat shqiptare që ishin përfshirë në shtetin shqiptar, por që Serbia i mbante të okupuara edhe ato. Kur e pa rrezikun e një lufte të hapur, Serbia për ato tetë ditë tërhoqi të gjitha forcat e veta nga toka shqiptare. Kështu territoret që Konferenca e Londrës i përfshiu në shtetin shqiptar, u liruan dhe filloi një jetë e re e një shteti shqiptar.

Është e sigurt se pa angazhimin e shumanshëm politik, diplomatik e ushtarak të qeverisë sonë, kjo nuk do të ndodhte. Pa angazhimin e qeverisë sonë, as Shkodra e as Korça nuk do të përfshiheshin në shtetin shqiptar, sikundër që as Durrësi nuk do të lëshohej nga serbët që e pushtuan në vorbullën e Luftës Ballkanike.

Ne si shqiptarë duhet t’i jemi mirënjohës kësaj qeverie për jetë. Veçmas duhet të shprehim nderim ndaj perandorit Franc Jozefit, si dhe ndaj dukës së nderuar Franc Ferdinandit, të cilin terroristi serb, Gavrillo Principi e vrau në Sarajevë një vit më vonë për hakmarrje dhe posaçërisht ndaj ministrit të jashtëm, Bertold, pa të cilin asgjë nuk do të bëhej as ashtu si u bë. As ky shkrim, kështu si u shkrua, me tone kaq gazmore, nuk do të shkruhej.

Nuk e di a u kuptuam a jo? Nëse jo, ju sugjeroj që ta lexoni librin ‘Si e krijoi Austro-Hungaria shtetin shqiptar” të autores Elena Kocaqi Levanti. Atëherë do ta kuptojmë bashkërisht të vërtetën për “qeverinë tonë” dhe qeverinë tonë.

(Botuar në revistën “Shenja” shkurt 2013.)

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency