Së shpejti nis hartimi i masterplanit për gazifikimin, çfarë përfitojnë qytetarët dhe bizneset

0
145

 Ervin Kaduku

gaziNë Shqipëri, ekspertët parashikojnë që kërkesa fillestare për gaz të jetë nga 300-500 milionë metër kub në vit, por që me zhvillimin e tregut të gazit, deri në vitin 2020 mund të shkojë nga 1.3-1.5 miliardë metër kub në vit

Në muajt në vijim, nis hartimi i një masterplani për gazifikimin e vendit. Të interesuar për financimin e projektit të fizibilitetit janë, veç të tjerësh, edhe kompania azere SOCAR, në pronësi të shtetit të atij vendi.

 

Rrjeti

Shqipëria është një nga të paktat vende që nuk ka një rrjet të brendshëm gazi. Institucionet e specializuara të qeverisë janë duke u marrë aktualisht me hartimin e kuadrit të nevojshëm ligjor, në bazë të të cilit do të krijohet ai që do të quhet masterplani i zhvillimit të sektorit të gazit në Shqipëri. Rrugët nga mendohet se do të furnizohemi me gaz janë: Lindja e Mesme, projekti i gazsjellësit IAP (Ionian Adriatic Pipeline që lidhet me Kroacinë e që do të japë lëvizje dhe rrjedhje të gazit në dy kahe), por edhe zbulimi i vendburimeve të reja të gazit.

 

Prodhimi

 

Edhe pse tregu i gazit është pothuajse inekzistent, Shqipëria ka pasur një histori prodhimi të gazit, që në momente të caktuara ka arritur deri edhe në 1 miliard kub në vit. Ky gaz përdorej kryesisht në sektorin e industrisë, por edhe në gjenerimin e energjisë elektrike. Me kalimin e viteve, burimet kryesore të gazit, që ndodhen kryesisht në Shqipërinë e Mesme, shteruan prodhimin, deri sa tani kemi të bëjmë me një prodhim minimal që përdoret kryesisht për nevoja teknologjike.

Për zhvillimin e tregut dhe gazifikimit të vendit, objektivi i qeverisë shqiptare është realizimi i lidhjes me rrjetin rajonal të gazit, e cila do të bëhet e mundur në bazë të projekteve që janë në diskutim, përfshi këtu “Unazën” e gazit që do të lidhë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Është duke u kompletuar paralelisht edhe kuadri teknik, nga bashkëpunimi me një institucion gjerman, për ndërtimin e rregullave të sektorit të gazit, por edhe për krijimin e kuadrit të nevojshëm për të mos penguar zhvillimin e projekteve që janë në proces. Është duke u përgatitur edhe kuadri rregullator për zhvillimin dhe menaxhimin e tregut të gazit në Shqipëri.

Në procesin e zhvillimit të gazit, të rëndësishme janë edhe rrugët e furnizimit me gaz që janë nga Lindja e Mesme, projekti IAP me Kroacinë (që do të krijojë lëvizje dhe rrjedhje të gazit në dy kahe), vlerësim nga qeveria iu është dhënë edhe mundësive për zbulimin e vendburimeve të reja të gazit nëpërmjet thithjes së investimeve të huaja. Këto janë mundësitë që ka Shqipëria për të përfituar në të ardhmen. Për sa u përket zhvillimeve aktuale të kërkesës për gaz, duke qenë se ekonomia shqiptare furnizohet me energji nga dy burime kryesore nga nënproduktet e naftës që zënë rreth 60% dhe nga energjia elektrike (me bazë hidro) që zë rreth 28%, atëherë është e domosdoshme që ekonomia, por veçanërisht industria, duhet të ketë një alternativë tjetër siç është gazi natyror.

Një konsumator i gazit është ai i sektorit të energjisë në termocentrale, siç është ai i Vlorës, që është i përgatitur për të konsumuar gaz që ka mundësi konsumi deri në 300 megavat, ai i Fierit, si dhe konsumi në industri të tjera, si ajo e çimentos, çelikut apo e metaleve etj. Në këtë situatë, kur kërkesa është imediate nga këto industri për gaz, lidhja e Shqipërisë me rrjetet europiane të gazit është domosdoshmëri.

Në Shqipëri, ekspertët parashikojnë që kërkesa fillestare për gaz të jetë nga 300-500 milionë metër kub në vit, por që me zhvillimin e tregut të gazit, deri në vitin 2020 mund të shkojë nga 1.3-1.5 miliardë metër kub në vit.

Sipas ekspertëve, problemet e zhvillimit të sektorit të gazit janë të lidhura në mënyrë të pashmangshme edhe me mundësitë e pakta që ofron Shqipëria për depozitat nëntokësore, ku edhe nga ekspertët e huaj (për zonën e Dumresë) llogariten me një kapacitet deri në 2 miliardë metër kub, pra ky zhvillim i infrastrukturës, kërkimet dhe me sektorin e konsumit të gazit përbëjnë objektin e atij që do të quhet masterplani i zhvillimit të sektorit të gazit në Shqipëri.

Si një hap të parë në këtë proces, qeveria e Shqipërisë do të realizojë një studim të plotë të tregut vendas, do të vlerësojë dinamikën e kërkesës dhe të ofertës, do të angazhohet për të realizuar infrastrukturën, duke diversifikuar edhe mënyrat e financimit të tij. Ky studim shihet edhe si “magneti” që do të tërheqë investitorët.

 

Avantazhet e Shqipërisë

Për sjelljen e gazit në tregun e Evropës Perëndimore në mënyrë më efikase, me kosto më minimale dhe me përfitime Shqipëria, ofron përparësitë e saj:

– pozicion të favorshëm gjeostrategjik që mund të shërbejë si nyje rajonale e rrjeteve të gazit

– treg të mundshëm për konsumin e gazit natyror, në dy vitet e para mund të jetë 0.3-0.5 miliardë metra kub, me një perspektivë të madhe deri në 1.5-2 miliardë metra kub

– kapacitete të konsiderueshme për depozitimin nëntokësor të gazit, të cilat shkojnë deri në disa miliarda m³

– legjislacion tërësisht në pajtueshmëri me atë të Bashkimit Europian

– sigurinë e duhur dhe stabilitetin e nevojshëm politik.

 

 

BERZH: Së shpejti financojmë bypass-et në Fier e Vlorë

Banka Evropiane dhe BB përgatitin një plan veprimi për qëndrueshmërinë e sektorit energjetik

Ministri i Financave, Ridvan Bode zhvilloi dje një takim me presidentin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Sir Suma Chakrabarti, i cili ndodhet për një vizitë në Shqipëri. Ministri Bode vlerësoi mbështetjen e deritanishme të ofruar nga ana e BERZH, duke mirëpritur njëkohësisht propozimin për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të tjera të rëndësishme për ekonominë shqiptare.

Në veçanti, ministri çmoi mbështetjen e ofruar nga BERZH, e cila, në bashkëpunim me Bankën Botërore, do të asistojnë në përgatitjen e një plani veprimi (Road Map) me qëllim sigurimin e qëndrueshmërisë së sektorit elektroenergjetik. Më tej, Bode theksoi si të rëndësishme mbështetjen e planifikuar të BERZH ndaj sektorit privat në fushën e koncesioneve në infrastrukturë dhe energjetikë, pasi kjo do të çlironte shumë burime financiare publike që do të mund të përqendroheshin në fusha të tjera prioritare si arsimi dhe shëndetësia.

Chakrabarti vlerësoi si të suksesshëm bashkëpunimin e deritanishëm me qeverinë shqiptare në një sërë projektesh investimesh në fushën e infrastrukturës nacionale dhe lokale si dhe në fushën e energjetikës, ndër të cilat rruga Levan-Vlorë (29.5 milionë euro), rruga Fier-Tepelenë (35 milionë euro), zhvillimi i rrugëve bashkiake (14.6 milionë euro), zhvillimi i rrugëve rajonale dhe lokale (50 milionë euro), Porti i Durrësit (14 milionë euro), projekti i nënstacioneve të transmetimit të energjisë (16 milionë euro) dhe projekti i TEC Vlorë (40 milionë euro).

Ai siguroi se ky bashkëpunim do të konsolidohet më tej në të ardhmen duke vazhduar fokusimin në fushat e infrastrukturës dhe energjetikës, ku përmendi fillimin së shpejti të projekteve të bypass-eve të Fierit dhe të Vlorës (53 milionë euro), projektet e reja në infrastrukturën rrugore rajonale dhe lokale (34 milionë euro) si dhe projekti i përmirësimit të sigurisë së digës në HEC e Komanit (12.7 milionë euro).

Gjithashtu, Chakrabarti theksoi angazhimin e BERZH për të zgjeruar më tej këtë bashkëpunim duke ofruar mbështetje ndaj sektorit financiar, bizneseve të vogla dhe të mesme, si dhe koncesioneve të dhëna sektorit privat në fushën e infrastrukturës.

 

Berisha: Borxhi publik i Shqipërisë nën kontroll
Borxhi publik në 60% nuk përbën një kërcënim për ekonominë shqiptare dhe qeveria do të vijojë t’i qëndrojë këtij kufiri. Borxhi publik i ka shërbyer zhvillimit dhe ndërtimit të vendit. Është kjo përgjigja e kreut të qeverisë mbi kufirin e borxhit publik në konferencën që ai pati për shtyp me presidentin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. “Qeveria do t’i qëndrojë borxhit dhe i kemi qëndruar gjatë 5 viteve të fundit. Nuk besoj se niveli 60 për qind është linja e kuqe. Linja e kuqe është ai që kërcënon mundësinë e shërbimit të borxhit. Borxhi në tërësi i ka shërbyer dhe i shërben sistemit për zhvillim dhe ndërtim, por kthehet në një lak në fyt në momentin që shfaqen shërbimet serioze ndaj tij. Mund të them se qeveria shqiptare nuk ka vështirësi në shërbimin ndaj borxhit dhe të parandalojë një situatë që e nxjerr në gjendje të vështirë”, – vuri në dukje kreu i qeverisë shqiptare. Njëkohësisht, lideri i mazhorancës ka siguruar se vendi nuk ka asnjë vështirësi në shërbimin ndaj borxhit, duke shtuar se detyra e qeverisë është ta mbajë atë nën kontroll. Në vizitën e parë të tij në vendin tonë si president i BERZH, Chakrabarti, vlerësoi se Shqipëria ka bërë shumë progrese dhe reforma dhe i ka rezistuar shumë mirë krizës. “Një ndër arsyet kryesore është se masat për parandalimin e saj u morën më përpara sa duhet dhe jo si vendet e tjera që I morën ato më pas. Kemi të bëjmë me masa që janë marrë në kohën e duhur nga Qeveria shqiptare dhe BSH. Dhe ajo çka duhet bërë për të qenë më të mbrojtur është të zhvillohen politikat e rritjes dhe të përmirësohet klima e biznesit”, – nënvizoi Chakrabarti. Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Berisha, kreu i BERZH vlerësoi bashkëpunimin me Shqipërinë ne këto vite, në një sërë investimesh në fushën e infrastrukturës kombëtare dhe lokale, duke konfirmuar vullnetin për zgjerimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency